Ndryshimi Skema e re e pensioneve, kategoritë që do të preken

Driçim Çaka

 

Pension social për të gjithë ata që kanë kontribuar në skemë, pavarësisht nga vitet  Ministria e Mirëqenies Sociale përpiqet “të fshehë” rritjen e moshës së pensionit

 

pensionet1349361683Skema e re e pensioneve nuk do të prekë ata që aktualisht janë në moshë pensioni. Ndryshimet në skemë do të prekin kryesisht ata që sot janë më pak se 40 vjeç. Këto fakte janë bërë të ditura nga këshilltari i ministrit të Mirëqenies Sociale, Enkelejd Musabelliu. Sipas tij, po ngrihet një grup pune ku do të vendoset mënyra e re e kontribuimit, por edhe përfitimi nga skema e sigurimeve. “Paga minimale kontributive është diku te 191 mijë lekë të vjetra, ndërsa paga maksimale është 751 mijë lekë të vjetra. Duke qenë se ekziston një pension tavan, që nuk mund të jetë më shumë se dyfishi i pensionit bazik që caktohet me vendim qeverie, kjo skemë e ka presuar shumë diferencën mes pensionit minimal dhe pensionit mesatar dhe ka bërë që ata me paga të larta të mos kenë asnjë interes për të paguar. Një mundësi për ta ulur deficitin është që të rriten kontributet nga ata që kanë paga të larta, pra individët paguajnë më shumë dhe një parim themelor që do të ndiqet gjatë hartimit të reformës do të jetë që ky tavan të hiqet në mënyrë që kujtdo që ka një pagë të lartë dëshiron një pension më të lartë kur të dalë në pension, të ketë mundësinë që të paguajë më shumë. Praktika botërore është që përcaktohet një moshë, që është edhe rreth 35-40 vjeç dhe të gjithë ata që janë të kësaj moshe dhe në marrëdhënie pune automatikisht kalojnë në skemën e re”, – u shpreh Musabelliu. Skema aktuale e pensioneve rezulton në masën deficitare. Nëse për të mbuluar skemën e pensioneve duhet të kontribuojnë me siguracione 6 persona për një pensionist, aktualisht raporti është 1.5 kontribuues për një përfitues.   Pensioni social Këshilltari i ministrit foli edhe për pensionin social, të cilin do ta përfitojnë të gjithë ata që kanë kontribuar në skemë, pavarësisht nga vitet kontributeve, por nuk do ta përfitojnë ata që nuk kanë kontribuar fare. “Pensioni social do të jetë aq i lartë sa të garantojë minimumin dhe një jetë të denjë për çdo pensionist shqiptar, por nuk do të jetë i disponueshëm për ata që nuk kanë kontribuar fare në skemë. Pra, duhet të jesh pjesëmarrës në këtë skemë, në mënyrë që të marrësh këtë”, – sqaroi Enkelejd Musabelliu. Në Shqipëri numërohen rreth 561 mijë pensionistë.   Rritja e moshës Kur po ngrihen grupet e punës për të diskutuar skemën e re të pensioneve, ende nuk ka një sqarim të saktë nga ana e Ministrisë së Mirëqenies Sociale nëse kjo reformë do të përfshijë edhe rritjen e moshës për të marrë pension. Skema e re vjen në një kohë kur Banka Botërore dhe FMN kanë vendosur si kusht për bashkëpunimin me qeverinë shqiptare edhe rritjen e moshës së pensioneve. Po kështu, gjatë diskutimeve të buxhetit për vitin 2014, vet ministri i MMS-së, Erion Veliaj, është shprehur se do të ketë rritje të moshës për pensione, ndërkohë që pak ditë më parë në një takim me median pati thënë: “Nuk jam pro rritjes së moshës për pension, por për shtimin e vende të reja të punës”.

 

Rifreskohen të dhënat Shërbimi Kombëtar i Punësimit publikon 2200 vende të lira pune

Vënia në punë e portalit “puna.gov.al” ka bërë të mundur që të gjithë të papunët të kenë një mundësi punësimi. Nëpërmjet regjistrimit në portal, si punëkërkuesit, por dhe punëdhënësit mund të regjistrojnë të dhënat e tyre dhe këto të dhëna bëhen publike për të gjithë të interesuarit. Kjo është një metodë modern e njohjes së punëkërkuesve me punëdhënësit, metode që është aplikuar dhe nga qeveria e mëparshme. Punëkërkuesit fillimisht duhet të regjistrojnë të dhënat e tyre personale dhe më pas do të marrin një email nga Shërbimi Kombëtar i Punësimit, me anë të të cilit u bëhet i ditur kodi dhe emri me të cilin duhet të hynë në portal. E njëjta formë funksionon dhe për punëdhënësit apo kompani të ndryshme. Vendet e punës janë të ndryshme, duke filluar që nga ekonomist, bankier deri të rrobaqepës, këpucar etj. Gjithashtu, mundësi punësimi në portalin “www.puna.gov.al” ofrohen edhe për profesione të tjera, si bankier, operator IT dhe modelist. Të dhënat do të rifreskohen çdo ditë nga Shërbimi Kombëtar i Punësimit si dhe do të publikohen menjëherë vendet e lira për tu punësuar, si në sektorin privat, por edhe në administratën publike.

 

Tregu i bulmetit dhe i peshkut në Durrës, AKU pezullon aktivitetin Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka vendosur dje mbylljen e markatës së peshkut dhe bulmetit në qytetin e Durrësit. Mbyllja vjen pasi në këtë markatë, është konstatuar se nuk plotësohen kushtet higjieno-sanitare. Sipas tregtarëve, Bashkia e qytetit duhet të marrë masa për zgjidhjen e problemit. Ata e kanë kundërshtuar vendimin për mbylljen duke theksuar se janë taksapagues të rregullt. Ajo që nuk dihet është se nëse këta tregtarë do të transferohen apo jo në një tjetër treg dhe se çfarë do të bëhet me markatën e mbyllur tashmë. A do të restaurohet për t’u vënë sërish në shërbim të qytetarëve. Për markatën e Durrësit ka pasur kohët e fundit ankesa të pasqyruara edhe në media për mungesën e kushteve higjienike në të cilat tregtoheshin ushqimet.

 

 

Greqia rikthen pensionet për minoritarët në Shqipëri

Brenda vitit 2014, Greqia do të rivendosë pensionet për minoritarët grekë që jetojnë në Shqipëri dhe në vende të tjera jashtë Greqisë. Kjo duket se është vetëm çështje kohe, pasi duke iu referuar deklaratave të ministrit grek të Punës, Janis Vroutsis, ai ka thënë se heqja e pensioneve për minoritarët është “një padrejtësi që duhet korrigjuar”. Siç raportojnë mediat greke, Vroutsis ka deklaruar në fjalën e tij se për qeverinë greke, prioritet i parë është ta korrigjojë këtë gjë. Sipas tij, kostoja financiare për rikthimin dhe zbatimit e këtij vendimi është rreth 40 milion euro. Ndërsa ka thënë se çështja do të zgjidhet në vitin 2014. Qeverisë i është paraqitur nga ministri një studim mbi restaurimin e pensioneve të minoritarëve, që tregon se këtë vit, OGA ka një suficit 80.000.000 €. Mësohet se propozimi është pranuar nga ministria dhe është vendosur një shumë pensioni, 214 euro për çdo familje. Ndërsa për personat që marrin pension në Shqipëri, shuma do reduktohet me 50-80 euro, pra jo 214 euro. Flitet që qeveria greke mund të heqë gjithashtu edhe kushtin që, pensionisti të ketë 20 vitet e fundit qëndrim në Greqi. OGA jepte prej vitesh pensione 360 euro ne muaj tek të gjithë ata persona që mbanin statusin e “homogjenit”. Ndërsa u detyrua t’i tërhiqte këto pensione në kohën kur vendi u përfshi në krizën ekonomike.  

Share it :