Bankat ulin interesat e depozitave, por jo kreditë për qytetarët e biznesin

 Ervin Kaduku

 

Për vitin 2013 konstatohet se rënia e kostos së kredisë ka qenë shumë më e ulët se ajo e interesave të depozitave dhe yield-it të bonove të thesarit

 

KrediaBizneset dhe individët kanë mundësi që të përfitojnë nga kreditë më të lira në lekë. Sipas statistikave mujore të Bankës së Shqipërisë, në nëntor interesi mesatar i kredisë së re në lekë për të gjitha afatet e maturimit zbriti në 9.4%, një nivel i ulët rekord historik ky, nga 9.7% që ishte në tetor. Ulja e kostos së kredisë në monedhën vendase ka reflektuar si politikën monetare lehtësuese të Bankës së Shqipërisë, që ka reduktuar vazhdimisht përgjatë tre viteve të fundit normën bazë të interesit (aktualisht ajo ka arritur në 3%), ashtu dhe rënien e yield-it, interesave të bonove të thesarit (që shërbejnë si referencë për caktimin e kostos së kredisë), që zbriti nga rreth 7% në dhjetor 2012, nëmë pak se 4% në dhjetor 2013.

Megjithatë lehtësimi i kostos së kredisë ka qenë në ritme më të ulëta se reduktimi i normës bazë, po yield-it të bonove të thesarit, teksa bankat ngarkojnë më shumë risk kreditë për bizneset dhe konsumatorët. Në krahasim me dhjetorin 2012, normat e kredisë në nëntor 2013 kanë zbritur vetëm me 1.4 pikë përqindjeje.

Interesat e kredive në lekë, me afat maturimi 12-mujor, në fund të nëntorit ishin vetëm 2.7% dhe ky një minimum historik. Tkurrja e normave të depozitave është shumë më e lartë se ajo e kredive. Në raport me fundin e 2012-ës, përfitimet që individët mund të marrin nga bankat për kursimet e tyre vjetore ishin 2.5 pikë përqindjeje më të ulëta, ndërkohë që interesat e kredive ishin vetëm 1.4% më të lira për të njëjtat referenca kohore.

Interesat e depozitave kanë shënuar veçanërisht një tkurrje të fortë që nga korriku, kur ato ishin 4.3%.

 

 

Titujt e pronësisë pengojnë zhvillimin e bujqësisë shqiptare

Edhe pse kanë përfituar tokë bujqësore në vitin 1991, me mijëra fermerë shqiptarë nuk zotërojnë certifikatën e pronësisë, por vetëm atë të përdorimit. Mungesa e titujve të pronësisë për tokat bujqësore cilësohet nga ekspertët, si dhe nga Brukseli, si një ndër faktorët kryesorë pengues për zhvillimin e sektorit të bujqësisë në vend.

Ndërkohë, botimi në Fletoren Zyrtare i vendimit për procesin e dhënies së titujve të pronësisë për tokat bujqësore ka legjitimuar nisjen tashmë të verifikimit të titujve të pronësisë për tokat e ndara sipas ligjit 7501. Ky proces duhej të kishte përfunduar në fund të vitit 2013, por për shkak të zvarritjeve në zbatimin e tij, Ekzekutivi u detyrua të propozojë në Kuvend shtyrjen e afatit. Gjatë debateve në komisionet kuvendore, palët ranë dakord që afati i procesit të shtyhej deri me 31 dhjetor të vitit 2015, por, ndryshe nga sa miratoi Kuvendi, afati i ri ligjor, i botuar edhe në Fletoren Zyrtare, do të jetë 30 qershori i vitit 2016. Burime nga dikasteri i Bujqësisë shpjegojnë se, me këtë shtyrje prej 2 vitesh e gjysmë, qeveria kërkon t’i paraprijë ngadalësimit të procesit që mund të vijë, jo vetëm nga proceset gjyqësore, por edhe nga procesi i zgjedhjeve vendore të vitit 2015.

Gjithsesi, verifikimi i titujve të pronësisë për tokat bujqësore të ndara sipas ligjit 7501 mbetet qëllim madhor për dikasterin e Bujqësisë, që synon përmes këtij procesi konsolidimin e tokës bujqësore dhe zgjerimin e sipërfaqeve të prodhimit. Sipas burimeve të kësaj ministrie, “në vend ka një fragmentim të tejskajshëm të tokës bujqësore me një mesatare ferme prej rreth 1.3 ha sipërfaqe, nga rreth 27 ha që është mesatarja në BE”.

Ndaj, në këto kushte, ministria e Bujqësisë duhet të lehtësojë dhe inkurajojë procedurat e marrjes së certifikatave të pronësisë nga të gjithë përfituesit e titujve të pronësisë, të cilët i kanë regjistruar ato pranë Zyrave e Regjistrimit të Pasurive të Patundshme, pas rakordimeve midis asaj që shkruhet në letrat e tapive të tokës dhe faktit të konstatuar në terren.

Shpërndarja e certifikatave të pronësisë do të hapte tregun e tokës, duke aktivizuar shitblerjen e saj, si të vetmin instrument për të rritur sipërfaqen e tokës dhe për ta bërë atë tërheqëse për investime.

 

 

 

 

 

Kartëmonedhat e reja 10-euroshe do të jenë më rezistente

 Nga 13.1.2014, BQE do të hedhë në qarkullim kartëmonedhat e reja 10-euroshe. Ato janë të dytat kartëmonedha që ndërrohen pas atyre 5-euroshe. Banka Qendrore dhe ekonomia kanë nxjerrë mësim nga problemet e së kaluarës.

 

Romantika mbetet: edhe në bankënotat e reja 10-euroshe paraqitet një hark fiktiv në stilin romantik të ndërtimit. Ndryshe, kartëmonedhat e reja, që do të përfundojnë nga 13.1.2014, në portofola dhe banakë dyqanesh në Eurozonë, kanë disa ndryshime.

Shkaqet kryesore për futjen e një bankënote të re, sipas Bankës Qendrore Evropiane, janë një siguri më e madhe ndaj falsifikimeve dhe një jetëgjatësi më e lartë e kartëmonedhave. Vitin e kaluar, BQE pati filluar ndërrimin e kartëmonedhave 5-euroshe. Tani radhën e kanë kartëmonedhat 10-euroshe. Më pas, do të pasojnë edhe ato 20, 50, 100, 200 dhe 500-euroshe.

“Seria Europa” i ka quajtur BQE kartëmonedhat e reja. Shkak për këtë është një portret i formës mitologjike të Evropës, i cili shihet në kartëmonedha si një karakteristikë sigurie shtesë. Portreti i paraqitur është marrë nga një vazo rreth 2000 vjet e vjetër nga jugu i Italisë. Ai paraqitet si filigramë dhe si hologramë.

 

Karakteristika të reja sigurie

Por krahas Evropës ka edhe karakteristika të tjera, që duhet të rrisin sigurinë nga falsifikimet. Kështu, anët e kartëmonedhës janë pajisur me linja relievi që ndihen me prekje. Nëse kalon gishtin mbi to, ndien një gudulisje të lehtë në lëkurë. Veç kësaj vlera nominale e kartëmonedhës në pjesën e përparme reflekton dritën që bie mbi të.

BQE përpiqet kështu të jetë një hap përpara falsifikuesve të parasë, edhe pse sasia e parave false në qarkullim nuk është shtuar vitet e fundit. Por ajo që është përmirësuar është cilësia e falsifikimeve, shpjegon Leo Kleinhans nga Zyra Federale e Kriminalistikës (BKA): “Kur euroja u fut në qarkullim në 2002, pati menjëherë kriminalitet të lidhur me paratë e falsifikuara, por ato ishin kopje shumë primitive”. Më vonë u zhvilluan metoda shtypje me të cilat paratë false i janë afruar gjithnjë e më shumë origjinalit.

Një gjë të ngjashme pret Kleinhans edhe me hedhjen në qarkullim të kartëmonedhave të reja. Efekt të vërtetë do të ketë me hedhjen e kartëmonedhave të reja 20 dhe 50 euro, pasi ato janë prerjet që falsifikohen më shpesh.

Më shumë rezistencë

Krahas karakteristikave të përmirësuara të sigurisë, paraja e re para së gjithash duhet të jetë më e qëndrueshme – jo në vlerë, por në formë. Deri tani kartëmonedhat e përhapura shumë me prerje të vogla (5, 10, 20 dhe 50 euro), të cilat ndërrojnë shpesh duar, kishin një jetëgjatësi mes 1 dhe 4 vjet. Më pas skartoheshin dhe asgjësoheshin. Kartëmonedhat e reja janë punuar me një llak special, i cili duhet të rrisë rezistencën ndaj përdorimit.

Prej kësaj mund të përfitojnë të gjithë ata që duan të paguajnë në një automat me kartëmonedhën e tyre. Shpesh automatët pranojnë vetëm kartëmonedha në gjendje të mirë. Një ekzemplar shumë i konsumuar nuk pranohet nga automati.

Më shumë kohë për ndryshimin

Në mënyrë që të gjithë automatët të njohin kartëmonedhat e reja, në aparatet e leximit duhet të instalohet një software i ri. Kjo është e kushtueshme dhe kërkon kohë. Ndryshimi tek kartëmonedhat peseuroshe nuk ndodhi fare pa probleme. Në fillim jo të gjithë automatët i njihnin kartëmonedhat e reja.

Në mënyrë që me kartëmonedhat e reja dhjeteuroshe të mos ketë vështirësi, Banka Federale Gjermane dhe BQE kanë zgjedhur tani një kohë më të gjatë, gjatë së cilës operatorët e automatëve të mësohen me kartëmonedhat e reja dhe aparatet e leximit të riprogramohen. Herën e parë koha në dispozicion ishte vetëm pesë muaj, këtë herë nëntë muaj.

 

 

 

 

 

Italia e Greqia shohin dritë në fund të tunelit

 Dy shtetet, me të cilat shqiptarët kanë pasur ndër vite më shumë marrëdhënie, si në fushën e tregtisë, ashtu edhe të punësimit: Italia e Greqia, më në fund pritet t’i rikthehen rritjes gjatë këtij viti, sipas parashikimeve ekonomike të publikuara së fundmi. Italia është partneri kryesor i Shqipërisë, drejt të cilit shkojnë 46% të eksporteve dhe vijnë 34% e importeve. Ndërsa Greqia e ka ulur rëndësinë e saj me vetëm 3% të eksporteve nga Shqipëria, nga ajo vijnë mbi 10% e importeve, duke e renditur sërish në partnerin d dytë tregtare të vendit. Të dhënat janë për 11-mujorin 2013.

 

Italia

Në vitin 2013, PBB e Italisë pritet të bjerë me 1.8% në terma realë udhëhequr kryesisht nga një reduktim në kërkesën e brendshme. Por, në vitin 2014, PBB e Italisë pritet t’i rikthehet gradualisht rritjes (+0.7%). Konsumi privat mendohet të jetë pozitiv dhe investimet do të rriten mbështetur nga eksporti. Si rezultat, kontributi i kërkesës së brendshme ndaj rritjes së prodhimit është vlerësuar të jetë pozitiv.

Italia po del nga recesioni dhe ekonomia parashikohet të rritet gjatë vitit 2014-‘15 teksa konsolidimi fiskal po lehtësohet. Megjithatë, “plogështia” ekonomike do të mbetet shqetësuese. Rikthimi drejt rritjes është mbështetur nga eksportet, të cilat parashikohet që të fitojnë më tej “vrull” në dy vitet e ardhshme, teksa kërkesa e huaj do të përshpejtohet. Kërkesa e brendshme do të fitojë vrull gjatë vitit 2014, teksa po “rimerr veten” investimi.

 

Greqia

Qeveria greke ka parashikuar rritje ekonomike prej 0.6% në vitin 2014, e cila do të jetë zgjerimi i parë i ekonomisë në gjashtë vjet dhe mund të shënojë një kthesë për një nga vendet më të trazuara financiarisht të Evropës. Ekonomia e Greqisë ende parashikohet të tkurret me 4% në vitin 2013, si rezultat i shkurtimeve të ashpra të shpenzimeve dhe rritjes së taksave që zbatoi për të përmbushur kushtet e paketës ndërkombëtare të shpëtimit të saj.

Ekonomia e Greqisë është goditur nga kriza botërore financiare e vitit 2008. Por, deri në vitin 2009, ishte e qartë se ajo nuk mund të menaxhonte barrën e borxhit të qeverisë dhe vendi u trondit në prag të falimentimit në vitin 2010. BE dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar siguruan dy paketa shpëtimi masive për të ndihmuar Greqinë të mbijetonte, por Athina po vuan ende barrën e një borxhi të konsiderueshëm.

 

 

Share it :