Pas vendimit të Gjykatës ndaj Mziut Basha: Ne jemi për shtet ligjor, jo dënime politike

Florenc Drizari

 

Kreu i PD-së: Partia Demokratike disponon të dhëna të plota dhe të pakundërshtueshme për thellësi të zeza të implikimeve mafiozo-politike në rastin e Xhelal Mziut

 

 basha_mziu-296x300Pas ndryshimit të masës së sigurisë nga Gjykata e Apelit në Tiranë për kryebashkiakun e Kamzës, Xhelal Mziun, nga arrest me burg në detyrim paraqitjeje, kryetari i PD-së, Lulzim Basha, përshëndeti vendimin e Gjykatës, duke vënë theksin tek mbështetja ndaj organeve të drejtësisë për të dhënë vendime jashtë çdo ndikimi politik. Pak kohë pas vendimit të djeshëm, kreu i Partisë Demokratike zhvilloi një takim në zyrën e kryetarit të Bashkisë së Kamzës, i shoqëruar edhe me deputetë të tjerë të opozitës. Z. Basha në një deklaratë për mediat të mbajtur para Bashkisë së Kamzës tha se Partia Demokratike është për një shtet ligjor dhe jashtë çdo dënimi me urdhra mafiozo-politikë. Duke folur si kryetar i Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, kryetar i PD-së dhe i opozitës shqiptare, Basha e quajti të paligjshëm arrestin prej 24 ditësh të kryebashkiakut Mziu.

“Me këtë rast dua të theksoj në mënyrë të prerë se Partia Demokratike, siç ka faktuar gjatë tetë viteve të qeverisjes së saj, siç kam deklaruar ditët e para të opozitës sonë, ka qenë dhe mbetet e angazhuar fuqimisht për shtetin ligjor, për shtetin e së drejtës, për demokracinë dhe në këtë kuadër ka qenë është dhe mbetet e hapur për çdo hetim dhe çdo proces sipas ligjit ndaj kujtdo. Faktet tregojnë se mënyra se si Xhelal Mziu u ndalua, u shoqërua, u vu në masën e arrestit dhe paralelisht me këtë u ndërmorën masa dhe veprime antiligjore ndaj familjarëve të tij, bashkëshortes së tij, familjes së tij”, – deklaroi Basha. Sipas kreut të PD-së, paralelisht me procesin gjyqësor, ndaj Mziut dhe familjes së tij u ngritën një sërë shpifjesh me drejtim politik. Kjo tregon, sipas tij, “se kemi të bëjmë jo thjesht me një shkelje, me një dhunim të ligjit, të garancive kushtetuese që ligji u jep jo vetëm kryebashkiakëve, por çdo qytetari shqiptar, në çdo cep të këtij vendi, por aq më shumë në rastin në fjalë fakton atë që kemi thënë gjithmonë, prapavijën e qartë denigruese politike dhe aksionin e përbashkët mafiozo-politik për të denigruar një figurë të zgjedhur për herë të dytë me votën e qytetarëve të Kamzës”. Gjithashtu, kryetari i Partisë Demokratike deklaroi se forca politike që ai drejton nuk ka ushtruar dhe nuk ushtron asnjë lloj presioni politik as në rastin e Xhelal Mziut dhe asnjë rast tjetër, por Partia Demokratike, tha ai, “nuk mund të mos denoncojë dhe do të denoncojë me forcë dhe do të dënojë me forcë sa herë që të jetë rasti, presionet politike për të nënshtruar këta qytetarë të Republikës së Shqipërisë ndaj proceseve antiligjore në kundërshtim të plotë me ligjet e vendit dhe me garancitë kushtetuese të të drejtave të njeriut”. Zoti Basha tha se “Partia Demokratike disponon të dhëna të plota dhe të pakundërshtueshme për thellësi të zeza të implikimeve mafiozo-politike në rastin e Xhelal Mziut. Ndërkohë që avokatët e tij do të bëjnë punën para drejtësisë, ne do të vazhdojmë të monitorojmë procesin me një dhe vetëm një qëllim, garantimin e triumfit të drejtësisë mbi çdo makinacion politik, garantimin e triumfit të shtetit ligjor. Kjo është ajo për të cilën Partia Demokratike është zotuar dhe nuk do të lërë në baltë asnjë nga këta qytetarë që janë këtu dhe asnjë qytetar shqiptar kudo ku ndodhet pavarësisht nga bindjet politike”. Aktualisht, çështja gjyqësore ndaj kryetarit të Bashkisë së Kamzës do të vijojë të ndiqet me masën e sigurisë detyrim paraqitjeje, vendim i cili u mor një ditë më parë me dyer të mbyllura nga treshja gjyqësore e përbërë nga gjyqtarët Agim Bendo, Zina Sollaku dhe Zamir Poda. Kryebashkiaku Xhelal Mziu është nën hetim për akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe shkeljes së barazisë në tendera.

 

 

Paloka: Vendim që duhej të merrte çdo gjykatë që njeh ligjin

 Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, e cilësoi një vendim të drejtë të Gjykatës ndryshimin e masës së sigurisë për kryebashkiakun e Kamzës, Xhelal Mziun. Paloka tha se vendimi i djeshëm duhej të merrej nga çdo gjykatë që njeh ligjin. Pak ditë më parë, demokratët vizituan të zgjedhurin vendor, Xhelal Mziu, në qelitë e burgut 302. Deputeti Flamur Noka akuzoi Kryeministrin Rama se po luan me zjarrin, pasi, sipas tij, po përdor standard të dyfishtë, teksa paralajmëroi se “përgjegjësit e arrestimit politik do të mbajnë përgjegjësi para ligjit”. Demokratët e cilësuan arrestimin e tij një akt të turpshëm politik, pasi, sipas tyre, Mziu po trajtohet si të ishte një kriminel i rrezikshëm. Pas vendimit të djeshëm, kryebashkiaku i Kamzës, Xhelal Mziu, do të vazhdojë procesin gjyqësor nën urdhrin e Gjykatës detyrim paraqitjeje.

 

 

 

“Vendimi për Mziun”, Braçe: Gjyqet po degradojnë

 Vendimi i Gjykatës së Apelit në Tiranë për ndryshimin e masës së sigurisë për kryetarin e Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziun, ka sjellë edhe reagimin e deputetit të Partisë Socialiste, Erjon Braçe. Me anë të një komenti të publikuar në rrjetin social “Facebook”, Braçe shkruan: “Pak ditë më parë dërguan në shtëpi një gjykatës të përfshirë në një aferë, edhe pse akuza për të është më e rënda e ngritur ndaj një gjykatësi. Pak orë më parë, dërguan në shtëpi një të zgjedhur vendor, njeri politik të akuzuar si i dyshuar në rastin më banal të korrupsionit në këtë vend me procedurat e tenderave”. Gjithashtu, z. Braçe shkruan se presioni politik i opozitës ndikoi në vendimin e gjykatës.“Nuk e di se çfarë duhet të ndodhë më në këtë vend me drejtësinë! Tani nuk më shqetëson më fakti se këta ofiqarë të një sistemi të korruptuar do të gjykohen të lirë! Tani më shqetëson fakti se presioni politik e dha efektin, presioni politik është funksional, më funksional se shteti ligjor i së drejtës dhe gjyqet e tyre do degradojnë në mosndëshkim të aferës korruptive konkrete! Këta po dalin nga burgjet si heronj!”, – përfundon deputeti socialist komentin e tij ndaj kësaj çështje.

 

 

Berisha takon ambasadorin britanik Cannon: Shqetësim për vendimet e fundit të qeverisë

Ish-kryeministri Sali Berisha zhvilloi dje një takim me ambasadorin e Britanisë së Madhe në vendin tonë, Nicholas Cannon. Në fokus të diskutimeve mësohet të kenë qenë çështjet e fundit të zhvillimeve në vend. Gjatë një statusi të publikuar në rrjetin social “Facebook”, Berisha deklaron se i ka shprehur ambasadorit Cannon mirënjohjen për gjithë mbështetjen dhe ndihmën që Britania e Madhe i ka dhënë Shqipërisë si dhe shqetësimin lidhur me zhvillimet e lidhura me procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. “Në këtë kontekst, theksova se zoti Rama, nën moton “nuk zbatojmë ligjet e Berishës”, gjatë këtyre muajve, ka dhunuar me vendime të qeverisë, nenet e Kushtetutës që garantojnë pronën, banesën dhe simbolet; ka dhunuar ligjet për statusin e nëpunësit civil,pushtetin vendor dhe atë të urbanistikës; ligjet e Policisë së Shtetit, Inspektoratit të Ndërtimit, Institutit të Statistikave, atë të Komisionit të Prokurimeve Publike; ligjet e Agjencisë së Luftës kundër Pastrimit të Parave; Avokatit të Shtetit; ligjin për bordin e mediave dhe audiovizionit (AMA) dhe shume ligje tjera”, – ka shkruar z. Berisha në “Facebook”. Gjithashtu, Berisha deklaron se para ambasadorit britanik, ka shprehur edhe shqetësimin për emërime të militantëve në poste drejtues të institucioneve të shtetit. “Në takim shpreha shqetësimin se shteti ligjor po rrënohet gjithashtu, sepse mazhoranca ka përpunuar konceptin e pavlefshmërisë së vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe gjykatave të tjera të vendit, ndaj dhe Rama i rrëzon ato në mënyrë të përsëritur me vendime qeverie. Sulmi kundër institucioneve kushtetuese dhe institucioneve të pavarura të vendit, është axhenda kryesore e qeverisë. Kështu, për të fshehur pasuritë e tyre, qeveria Rama-Meta do me çdo kusht të shkarkojë kryetaren e ILDKP”, – shkroi një ditë më parë në rrjetin social “Facebook”, ish-kryeministri Sali Berisha.

Share it :