Gëzim Saliu
Kreu i Komisionit të Ekonomisë: “Bankers Petrolium” ka shpenzime jo të besueshme
“Të arkëtojmë në buxhetin e shtetit paratë e shfrytëzimit të pasurisë natyrore të shqiptarëve”
Kreu i Komisionit të Ekonomisë, njëkohësisht deputet i Partisë Socialiste, Erjon Braçe, bën të ditur se shumë shpejt tregu i hidrokarbureve do t’i nënshtrohet një verifikimi të plotë të kontratave dhe aspektit financiar. Duke nënvizuar rëndësinë e këtij monitorimi, ligjvënësi i mazhorancës theksoi se do të përdoret çdo rrugë për të verifikuar faturat e kompanive, që dyshohet se i janë shmangur detyrimeve në shtet. “Nuk ka pse administrata fiskale jona të mos kryejë një proces verifikimi të çdo shpenzimi të deklaruar deri tani nga ana e kompanive koncesionare. Në momentin që kemi mosrespektim kontratash, atëherë duhet që ky burim shumë i rëndësishëm për ekonominë kombëtare të vendit të mos mbahet më peng nga kontratat që nuk realizohen për vite të tëra. Nga seanca dëgjimore tek grupet kontrollit të vetë Komisionit gjithmonë në fokus administratën publike”, – tha ai për “Vizion plus”.
Qëndrimi
Nisur nga fakti se kompanitë e hidrokarbureve që operojnë në vend, kryesisht “Bankers Petrolium”, ka nisur negociatat me qeverinë lidhur me efektet e paketës fiskale, ku ka kërkuar kompensimin e efekteve negative të saj. Lidhur me këtë çështje, Braçe theksoi: “Në rastin në fjalë ka shpenzime të cilat në momentin që shihen është e vështirë që t’i besojmë. Duke filluar që nga norma e amortizimit dhe këtu duhet të hapim një diskutim për të folur konkretisht se çfarë përfaqëson kjo normë amortizimi, për të shkuar tek shpenzimet administrative që janë shumë të mëdha, për të shkuar tek shpenzimet operative që janë shumë të mëdha, për të shkuar tek shpenzimet e transportit që janë akoma më të mëdha dhe që të gjitha llogariten dhe zbriten nga të ardhurat e kompanisë për efekt të të ardhurave pas pagimit të taksave”. Në këtë kontekst deputeti socialist kërkoi që t’i jepet fund historisë së informalitetit në tregun e hidrokarbureve duke iu drejtuar institucioneve përkatëse që të bëjnë punën. “Ministria e Ekonomisë, ministria e Industrisë dhe ministria e Financave duhet të bëjnë detyrën e tyre në raport me secilën prej kompanive që kanë marrëveshje hirdokarbure me qeverinë e Shqipërisë, ashtu siç Albpetroli dhe AKBN duhet të bëjnë detyrën e tyre. Ne të mos e dëmtojmë industrinë, nuk është në interesin tonë, por ne duhet të arkëtojmë në buxhetin e shtetit paratë që na takojnë nga shfrytëzimi i kësaj pasuria natyrore të shqiptarëve”. Paketa fiskale së bashku me taksat e reja të përfshira në të, janë vënë në qendër të diskutimit mes qeverisë dhe kompanive të naftës, specifikisht “Bankers Petrolium” që ka në koncesion pjesën më dërrmuese të industrisë së naftës në Shqipëri. Nisur nga fakti se me paketën e re fiskale qeveria vendosi të taksojë me akcizë nënproduktet e naftës që kompanitë koncesionare të industrisë së këtij produkti importojnë, kompania kërkon kompensimin e efekteve financiare. Për Braçen, para se “Bankers Petrolium” të kërkojë kompensimin e efekteve financiare të paketës fiskale, duhet të japë llogari për mos pagimin e tatim fitimit dhe për shpenzimet që sipas tij janë tërësisht të paargumentuara dhe të fryra qëllimisht.
Mbledhja e dy qeverive
Intervista, Rama: Bashkimi ka ndodhur
Kryeministri Edi Rama e vlerëson takimin e dy ditëve më parë në Prizren si gurthemel, i cili shumë shpejt me angazhimin e dy qeverive do ta bëjë Shqipërinë dhe Kosovën hapësirë të integruar shqiptare në ekonomi, jetë sociale, kulturore etj. Në intervistën e dhënë për emisionin “Zona B” të “Klan Kosovës”, kreu i qeverisë theksoi: “Bashkimi ka ndodhur dhe na takon neve ta materializojmë me strategji të përbashkët kombëtare. Ky është një moment ku hapet një faqe e re në marrëdhëniet Kosovë – Shqipëri”. Rama vlerëson se do të ketë njerëz që do t’i akuzojnë pse nuk po e heqin kufirin, ta bëjnë Shqipërinë edhe Kosovën një republikë por sipas tij: “Të dyja këto qasje janë larg qasjes sonë, qasja jonë është realiste dhe strategjike me një frymëmarrje afatgjate dhe jo me një frymëmarrje të shkurtër për konsumin e frikës apo të pasionit nacionalist të momentit”. Lidhur me takimin, Kryeministri tha se ai ka hapur një rrugë që nuk është as e Hashim Thaçit e as e Edi Ramës. “Ka ndryshuar qasja dhe sot ka pasur afrim këtij ndryshimi rrënjësor. Do të shkojmë përtej lehtësimeve tregtare dhe do të shkojmë drejt bashkimit doganor hap pas hapit”, – tha ai, duke shtuar se në mbledhjen e Vlorës do të bëhet bilanci i punës që është bërë dhe që mund të bëhet nga të dyja qeveritë. Sa i përket vizitës së tij të mundshme në Beograd, Rama tha: “Do të shkoj në Beograd me dorën e shtrirë të bashkëpunimit mbi rrugën e shtruar të paqes. Dhe ne duhet vetëm që mbi këtë rrugë të ndërtojmë bashkëpunim të krijojmë marrëdhënie për mirëqenien e dyanshme të popujve tanë, të prodhojmë më shumë Evropë brenda nesh dhe mes nesh, të mos u përcjellim gjeneratave tjera atë që boll u përcoll gjeneratë pas gjenerate në formën e një ndasie që prodhoi shumë padrejtësi dhe prodhoi shumë gjak, fatkeqësisht për shqiptarët”.
Toponimet
Ministri Bushati: Po negociojmë me Greqinë, model çështja “Athinë-Stamboll”
Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, deklaroi dje se po negociohet me Greqinë për zgjidhjen përfundimtare të problemit me toponimet në pasaportat e fëmijëve shqiptarë, të lindur në këtë vend. “Është një çështje në diskutim e sipër, nuk do të ishte e udhës për të dhënë detaje me mënyrën e procedimit për zgjidhjen e kësaj çështjeje, por është pjesë e diskutimeve tonë në të gjitha nivelet me palën greke”, – u shpreh Bushati në emisionin “7 pa 5” në VP. Bushati ka bërë të ditur se, një ndër modelet që po ndiqet për të zgjidhur këtë çështje, është ai i negocimit për një çështje të ngjashme mes Turqisë e Greqisë. Ndërkohë lidhur me emërimin e ambasadorëve, kryediplomati shqiptar bëri të ditur se nuk ka asnjë ngërç në marrëdhëniet me institucionin e Presidentit. Sa i përket fondit 100 mijë euro për Luginën e Preshevës, të kritikuar si në Kosovë ashtu edhe në trevat e ndryshme shqiptare, ministri i Jashtëm tha se fondi nuk e ka vlerën tek shuma. “Ishte një gjest simbolik që dëshmon interesin e Shqipërisë dhe Kosovës për këtë zonë të banuar nga shqiptarë”.
Vizita
Kryeministri kroat, në Tiranë më 20 janar
Kryeministri i Kroacisë, Zoran Milanović, pritet të vizitojë Tiranën në datat 20-21 janar. Lajmi për vizitën dy ditore të Kryeministrit kroat u njoftua dje nga Ministria e Punëve të Jashtme, pas një takimi mes zëvendësministrit Sokol Dervishaj dhe ambasadorit të Republikës së Kroacisë në Tiranë, Aleksandar Stipetić. Bashkëbiseduesit e vlerësuan si një shenjë mjaft pozitive në marrëdhëniet dypalëshe vizitën e pritshme të Kryeministrit të Republikës së Kroacisë në Tiranë. “Gjithashtu anëtarësimi i Kroacisë në BE është një vlerë e shtuar për të gjitha vendet e rajonit”, – u shpreh zv.ministri Dervishaj. Gjatë takimit bashkëbiseduesit vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera dhe bashkëpunimin shumë të mirë mes dy vendeve, si dhe konfirmuan vullnetin reciprok për mbajtjen e një dialogu politik intensiv nëpërmjet shtimit të vizitave dhe takimeve në nivel të lartë.




