Veli Haklaj
Në historinë mijëravjeçare të popullit tonë, koncepti i sigurisë ka qenë një prej sfidave më të mëdha të ekzistencës si identitet. Me shpalljen e pavarësisë, më 28 Nëntor 1912, para politikanëve dhe qeveritarëve shqiptarë, përveç prioriteteve të tjera, shtrohej edhe garantimi i sigurisë së brendshme, duke u kushtuar një rëndësi të veçantë krijimit dhe organizimit të strukturave të sigurisë publike.
Vitet 1912 – 1920
Që në telegramet e para dërguar prefektuarve dhe nënprefekturave, Ismail Qemal bej Vlora, pasi i njofton për shpalljen e Pavarësisë dhe ngritjen e Flamurit Kombëtar, i porosit ”… Lutemi të shpallet edhe atje (Pavarësia-V.H.) dhe përpiquni të siguroni sa më mirë qetësinë e vendit dhe rendin publik”. Dikasteri i Ministrisë së Brendshme, në Qeverinë e Vlorës, për të përmbushur detyrën për sigurimin e rendit dhe të qetësisë publike, brenda pak kohësh, krijoi një fuqi civile, duke iu ngarkuar edhe detyra policore.
Por, duke evidentuar domosdoshmërinë e veprimit institucional për sigurinë publike, me Aktin e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, më 13 janar 1913, u vendos: “… të bëhet një reformim në çështjet financiare dhe në ato të qetësisë publike”. Ky vendim (që ka shërbyer si bazë dokumentare për caktimin e ditës së festës për Policinë e Shtetit), që hyri në fuqi më 1 shkurt 1913, jepte edhe mënyrën e organizimit, funksionimit si dhe sistemin e pagave për seicilin funksion organik. Pas këtij vendimi, prefektura e Vlorës dhe krahinat e tjera që administronte Qeveria e Vlorës, krijuan komiserinë e policisë së qytetit dhe njësinë e xhandarmërisë.
Një organizim më i plotë i Armës së Xhandarmërisë u bë në fillim të qershorit 1913, kur u formuan tre batalione në Vlorë, në Elbasan dhe në Berat. Batalionet përbëheshin nga kompani, kompanitë nga toga dhe togat nga postëkomanda. Në mungesë të ushtrisë, detyrën e kësaj e kryente xhandarmëria.
Mbas pushtimit të Shkodrës nga ana e malazezëve, në maj 1913, Esat Pasha formoi një Qeveri Provizore në Durrës, e njëkohësisht edhe një batalion xhandarmërie.
Me kthimin e Ismail Qemalit nga Londra, në qershor 1913, Qeveria e Përkohshme i dyfishoi përpjekjet për organizimin e shtetit dhe ruajtjen e rendit. Kjo qe një detyrë që mund të dukej e pamundur, por që u lehtësua nga karakteri i shqiptarëve, maturia, largëpamësia, dhe patriotizmi i papërkulur i tyre.
Në korrik të vitit 1913, erdhën në Vlorë si organizatorë të xhandarmërisë oficerë holandezë, të cilët formuan katër detashmente, me nga 300 xhandarë seicili.
Nga studimi i dokumentacionit të periudhës së Pavarësisë, evidentohen një sërë aktesh normative të nxjerra nga qeveria e Vlorës dhe Ministria e Punëve të Brendshme, që kanë të bëjnë me detyrat e policisë dhe xhandarmërisë.
Kanuni i Përtashëm i Administratës Civile të Shqipërisë, që u shpall më 22 nëntor 1913, përcaktoi strukturat përgjegjëse për rendin dhe qetësinë në Ministrinë e Brendshme, në prefektura, në nënprefektura dhe në krahina, ku jepen dhe detyrimet për strukturat e policisë dhe xhandarmërisë.
Përsa i përket organizimit të sistemit gjyqësor, në maj 1913, Qeveria e Përkohshme vendosi që të liheshin në fuqi ligjet dhe aktet normative të kohës së sundimit osman, derisa të miratoheshin ligje të reja.
Situata e krijuar pas komplotit të Beqir Grebenesë, çoi në dorëheqjen e Ismail Qemalit, më 22 janar 1914, dhe marrjen e pushtetit nga Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit. Ky Komision, më 10 prill 1914, miratoi në Vlorë aktin më të rëndësishëm, Statutin Organik të Shqipërisë, të përgatitur sipas vendimeve të Konferencës së Londrës.
Bazuar në këtë Statut, nga ana administrative Shqipëria u nda në shtatë prefektura. Forcat ushtarake të vendit do të përbëheshin jo vetëm nga xhandarmëria por dhe nga milicia, të cilat do të vareshin nga Ministria e Brendshme. Xhandarmëria do të angazhohej dhe do të stërvitej nga oficerët e huaj. Prefekti dhe nënprefekti ishin përgjegjës direkt për rendin dhe qetësinë publike dhe kishin në varësi të drejtëpërdrejtë xhandarmërinë dhe policinë.
Në vitet e Luftës së I-rë Botërore, 1914 – 1918, Shqipëria u bë shesh lufte, duke u pushtuar disa herë nga ushtritë e huaja. Gjatë kohës së qëndrimit në një zonë, sado e kufizuar të qe kjo, pushtuesit organizuan xhandarmërinë, diku edhe policinë, për të garantuar rendin, por edhe për interesat e tyre si pushtues.
Ndërkohë, në qytetin e Korçës, ku autoritetet franceze kishin lejuar autonominë dhe qe formuar “Republika e Korçës”, u ngritën edhe strukturat e policisë, me gjashtë degët e saj.
Pas formimit të Qeverisë së Përkohshme të Durrësit, në maj 1919 filloi organizimi i xhandarmërisë dhe, deri në fund të këtij viti, u formuan 5 batalione. Komanda e Përgjithshme e Xhandarmërisë ishte autoriteti më i lartë. Kurse, më 21 shtator 1919, Ministria e Punëve të Brendshme formoi Drejtorinë e Përgjithshme të Qetësisë Publike.
Vitet 1920 – 1924
Ndër masat prioritare të Qeverisë së dalë nga Kongresi i Lushnjes, janar 1920, ishte ngritja e administratës në tërë territoret e liruara dhe vendosja e rendit dhe qetësisë publike në të gjithë vendin. Në këtë kuadër, krahas masave për organizimin e xhandarmërisë, nisi puna edhe për krijimin e një policie me profil të ri, duke u mbështetur si në traditën e mëparshme të vendit, ashtu edhe në përvojat e përparuara të vendeve të ndryshme të Evropës.
Më 6 dhjetor 1920, filloi organizimi i përgjithshëm i xhandarmërisë si armë me vete. Në fundin e vitit 1921, u bë organizimi unik i xhandarmërisë në të gjithë vendin, në qarkkomanda, në rrethkomanda dhe në postëkomanda. Ky organizim vazhdoi deri në vitin 1924.
Punë e mirë u bë dhe me aktet normative. Në rregulloren e përkohshme të vitit 1920, u përcaktuan disa detyra të policisë në luftën kundër krimit. Kurse në vitin 1922, doli rregullorja e xhandarmërisë që përcaktonte detyrat e saj për sigurimin e qetësisë dhe mbrojtjen e zbatimin e ligjeve të shtetit. Nëpër qytete, xhandarmëria cilësohej si fuqi ndihmëse e policisë, kurse në ato vende ku s’ndodhej policia, kryente detyrat e saj.
Vitet 1925 – 1939
Pas shpalljes së Shqipërisë Republikë (janar 1925), vërehen ndryshime të rëndësishme në administratën shtetërore, si në centralizimin e saj ashtu dhe në vendosjen mbi baza ligjore të institucioneve të ndryshme, përfshi edhe Policinë e Xhandarmërinë. Në krahasim me periudhën e mëparshme, gjatë këtyre viteve, çdo ndryshim i këtyre strukturave u rregullua nëpërmjet akteve ligjore, sipas standardeve të vendeve evropiane.
Në maj 1925, me propozimin e oficerëve anglezë, u bë riorganizimi i xhandarmërisë duke e inkuadruar në reparte të rregullta. U krijuan katër zonë – komanda: në Tiranë, Shkodër, Peshkopi dhe Sarandë. Brenda zonave u formuan rajon – komanda, të cilat sipas hapësirës dhe rëndësisë së vendit përfshinin një numër postëkomandash. Po kështu u formuan dhe katër kompani ndjekjeje, nga një për çdo zonë.
Gjatë viteve të Mbretërisë vërejmë një zhvillim të mëtejshëm dhe zgjerim të bazave institucionale e ligjore të xhandarmërisë. Me Ligjin “Mbi organizimin e Armës së Xhandarmërisë Mbretërore”, miratuar në maj 1933, Xhandarmëria përcaktohej si organ “i themeluar për të siguruar qetësinë, sigurinë, rregullin publik, mirëzbatimin e ligjeve dhe të rregulloreve të Shtetit”. Me riorganizimin që bë në këtë kohë u konsolidua struktura tradicionale, me Komandën e Përgjithshme të Xhandarmërisë, Komandën e Shkollës së Xhandarmërisë, komandat e qarqeve, komandat e rretheve dhe postëkomandat.
Zhvillime të rëndësishme pati dhe për strukturat e policisë. Me ligjin organik të dhjetorit 1925, parashikohej krijimi i zyrave të policisë sipas rretheve të vendit dhe mënyra e shpërndarjes së personelit të policisë sipas hierarkisë së gradave: komiser, nënkomiser e polic. Në dhjetor 1926, u krijua Drejtoria e Policisë, në varësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Kurse dekretligji organik i Ministrisë së Punëve të Brendshme, i publikuar në maj 1928, përcaktoi edhe përgjegjësitë e Komiserit të Policisë, i cili kishte për detyrë: “… të sigurojë qetësinë e qytetit e të zbatojë rregulloren e policisë”.
Me Dekretin Mbretëror, të datës 25 qershor 1935, u bë suprimimi i Policisë së Sigurimit Publik dhe zëvendësimi i saj me Xhandarmërinë Qytetëse. Ky shërbim i ri me të drejta e detyra tërësisht policore do të funksiononte si në vendet ku ekzistonte policia, ashtu edhe në qytete e vende të tjera ku shihej e nevojshme.
Një nga arritjet më të mëdha të kësaj periudhe në fushën e legjislacionit është miratimi i Kodit Penal Shqiptar, i cili hyri në fuqi më 1 janar 1928. Për herë të parë veprimtaria proceduriale e gjurmimit dhe hetimit policor mbështetej në legjislacionin penal shqiptar dhe jo në atë osman.
Për periudhën 1925 – 1939, qëndrimet e studiuesve të ndryshëm shqiptarë dhe të huaj bashkohen kur thonë pak a shumë se “me Zogun në vend zotëroi rendi dhe qetësia, se u njoh autoriteti i shtetit dhe u bë e mundur ekzistenca e një Shqipërie të pavarur”. Këto janë kredite të rëndësishme për atë regjim, i cili për herë të parë u dha fund qeverisjeve kaotike të pas 1912-ës.
Megjithëse Zogu pati sukses në organizimin e brendshëm, ai dështoi në përpjekjet për stabilitet ekonomik. Hapja e vendit drejt Italisë ishte zgjidhje e arsyeshme, por interesat italiane nuk u mbajtën dot nën kontroll dhe krijuan terrenin për ndërhyrjen ushtarake të 7 prillit 1939.
Vitet 1939 – 1944
Pak kohë pas pushtimit të Shqipërisë, në prill 1939, u bë bashkimi i Armës së Karabinierisë Mbretërore italiane me Xhandarmërinë shqiptare, si dhe doli njoftimi për formimin e Trupit të Policisë Shqiptare. Në vitin 1940, shërbimet e policisë u vunë nën drejtimin e Komandës së Lartë të Karabinierisë, duke u përcaktuar dhe kriteret për funksionimin e saj.
Krahas armës së karabinierisë, fashizmi italian krijoi në qytetet kryesore edhe policinë e kuesturës, e cila kishte në krye kuestorin shqiptar dhe këshilltarë italianë. Përveç këtyre u krijuan dhe reparte milicie, të cilat mbaheshin të dislokuara në qytete dhe pika të ndryshme, si forca për të shtypur çdo rezistencë dhe lëvizje të popullit shqiptar.
Me kapitullimin e Italisë, në shtator 1943, Shqipëria u pushtua nga nazistët gjermanë, të cilët propoganduan se kishin ardhur vetëm për arsye lufte dhe me mbarimin e saj do shkonin në vendin e tyre, duke e lënë Shqipërinë të lirë. Në funksion të kësaj, pushtuesit gjermanë ruajtën emrin e xhandarmërisë si xhandarmëri shqiptare, pa ndonjë shenjë iniciale të huaj. Në qytetet kryesore, gjermanët organizuan dhe përforcuan edhe policinë e kuesturës, nën drejtimin e Gestapos, për të ndjekur veprimtarinë politike të rezistencës së popullit shqiptar.
Vitet 1945 – 1990
Pas vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri, nga muaji mars deri më 14 maj 1945, u bë organizimi i Drejtorisë së Policisë Popullore dhe organeve të saj qendrore e vendore, mbi bazën e modeleve sovjetike. Ndër funksionet kryesore të Policisë Popullore të përcaktuara në ligjin e 30 gushtit 1945, ishin: garantimi i sigurimit personal të qytetarëve, ruajtja e pasurisë private dhe shtetërore, … parandalimi i çdo lloj krimi. Me ligjin e dhjetorit 1946, Policia Popullore u përcaktua si organ ekzekutiv i administratës shtetërore.
Gjatë periudhës maj 1945 – prill 1946, detyrat për hetimin e krimeve kryheshin nga punonjësit e Seksionit të Rendit Publik, në Drejtorinë e Policisë, në Ministrinë e Punëve të Brendshme, dhe punonjësit e zyrave të rendit publik, në prefektura dhe nënprefektura.
Nga prilli i vitit 1946 deri në vitin 1949, ndër 7 degët që kishte Drejtoria e Policisë, në qendër, ishte edhe Dega e Zhdukjes së Krimeve. Më 28 qershor 1946, në strukturat vendore të policisë u krijua seksioni i zhdukjes së krimeve, si ndarje e një pune më të specializuar në luftën kundër kriminalitetit.
Në vitin 1949, u bë një riorganizim i policisë shqiptare, në nivel qendror dhe vendor. Në qendër, Drejtoria e Policisë, përveç degëve të tjera, kishte në varësi Degën e Ndjekjes së Krimeve, Degën Operative dhe Degën e Hetuesisë, të cilave u korespondonin seksionet përkatëse në strukturën e rretheve.
Suprimimi i Degës Operative, në vitin 1954, solli një riorganizim të Degës së Ndjekjes së Krimeve me tre seksione, që ndiqnin krimet kundër personit, vjedhjet e pasurisë socialiste dhe asaj të shtetasve, si dhe sistemin e lejeve. Në vitin 1955, u krijua Dega e Mbrojtjes së Ekonomisë Socialiste, me seksionet përkatëse në rrethe. Kurse, në vitin 1960, në varësi të Degës së Ndjekjes së Krimeve, u krijua Laboratori Qendror Kriminalistik, i cili do të kryente edhe ekspertizat biologjike, medikolegale etj.
Nëse deri në vitin 1949, organet e policisë e zhvilluan luftën kundër kriminalitetit duke u mbështetur kryesisht në gjurmimin e elementit të dyshimtë me anë të shërbimeve të policisë dhe mbështetjes në popull, në vitet në vijim, strukturat e hetimit të Policisë Popullore e ndërtuan punën e tyre duke aplikuar masa agjenturore – operative. Për kryerjen e kësaj detyre organet e policisë u mbështeten në Platformën e Byrosë Politike të KQ, që përcaktonte objektin dhe kufijtë e punës agjenturore-operative të Sigurimit të Shtetit.
Ndikimi i modeleve kineze solli një regres të dukshëm në administratën e policisë. Më 1966, personeli i Drejtorisë së Policisë u reduktua me 76% , ndërsa forcat e policisë në rrethe u paksuan me afro 38%. Në krahasim me strukturën e vitit 1956, u reduktuan Dega e Ndjekjes së Krimeve, Dega e Mbrojtjes së Ekonomisë, Dega e Hetuesisë etj. Shërbimi i Hetuesisë së Policisë u unifikua me atë të Sigurimit të Shtetit dhe kaloi në varësi të tij. Shkurtimet e funksioneve që u bënë në organet e policisë në rrethe, nuk sollën ndryshime në strukturën e tyre.
Si rezultat i këtyre shkurtimeve drastike, u dobësua shumë lufta kundër kriminalitetit. Meqënëse ky eksperiment dështoi, në vitin 1967, u bë një organizim tjetër i Policisë, duke u krijuar përsëri në qendër Dega e Ndjekjes së Krimeve dhe degë të tjera të shkurtuara. Por, Laboratori Qendror Kriminalistik kaloi në varësi të Sigurimit të Shtetit, për t’u rikthyer në vitin 1976, në varësi të Degës së Ndjekjes së Krimeve.
Ky strukturim vazhdoi deri në korrik 1980, kur nga rritja e kriminalitetit dhe kërkesat e vazhdueshme të bazës, u rikrijuan strukturat për Mbrojtjen e Ekonomisë Socialiste, me oficer që mbulonin drejtimet e krimeve në ekonomi.
Krahasuar me periudhat e mëparshme, në vitet 1976 – 1990, kemi rritje progresive të treguesve të kriminalitetit. Shqetësuese ishin vjedhjet, sidomos vjedhjet me thyerje të kasafortave, dyqaneve, grabitjet e pronës socialiste dhe të shtetasve, vjedhjet e banesave etj. Në analizat që bëheshin, nxirreshin një sërë shkaqesh të kësaj situate, duke vënë theksin në punën e dobët me rrjetin sekret informativ.
Faktikisht, ky kriminalitet në rritje, krahas faktorëve të tjerë, erdhi sepse në vitet 1980 – 1990 sistemi diktatorial në Shqipëri kaloi në një krizë totale, çka u shoqërua me forcim të mekanizmave shtypës të diktaturës (sigurimit dhe policisë). U shtua dhuna dhe represioni, u rriten vrasjet në kufi, u keqtrajtuan, arrestuan dhe internuan shumë të rinj e familje nga çdo zonë, por sidomos nga zonat kufitare. Ndryshe nga ligji i vitit 1967, në ligjin e 2 korrikut 1986, Policisë Popullore i përcaktohej statusi i një “organi ekzekutiv të armatosur për mbrojtjen e Diktaturës së Proletariatit”, duke sjellë një devijim të Policisë nga detyrat tradicionale.
Pas rrëzimit të Murit të Berlinit, numri dhe roli i punonjësve në strukturat e rendit u rrit ndjeshëm, duke lënë në hije ato të parandalimit dhe zbulimit të veprimtarisë kriminale. Për shtypjen e lëvizjeve demokratike që filluan në Kuçovë, Kavajë, Shkodër dhe kulmuan në Tiranë, në dhjetor 1990, në muajin nëntor 1990 u krijuan Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë me një organikë gati dy herë më shumë se efektivi i policisë (7 000 vetë). Kompletimi i tyre u bë në mënyrë të rrufeshme pa përfillur asnjë test profesional.
Në përgjithësi, mund të themi se gjatë regjimit komunist Policia Popullore u përcaktua si organ i diktaturës së proletariatit, i politizuar dhe ideologjik, kishte karakteri etatist, udhëhiqej nga parimi genocist i luftës së klasave, karakterizohej nga shkelja e ligjshmërisë, manipulohej nga Sigurimi i Shtetit.
1991 – 2014
Proceset e vrullshme demokratike në Shqipëri, në vitet 1990 – 1991, rrëzimi i diktaturës, triumfi i pluralizmit politik dhe futja në rrugën e ekonomisë së tregut sollën zhvillime pozitive shumë të rëndësishme edhe për Policinë. Në vitet në vijim, me përcaktimin e rolit dhe misionit të saj në përqasje me parimet e një shoqërie demokratike, Policia u ristrukturua sipas përvojave më të mira bashkëkohore, duke u mbështetur me bazën e duhur ligjore, si dhe me kapacitete të standardeve të larta njerëzore dhe operacionale.
Ngjarjet e vitit 1997, si për të gjitha institucionet e Shtetit Shqiptar, ishin me pasoja të rënda edhe për Policinë e Shtetit. Pas vitit 2002, me mbështetjen e vazhdueshme të partnerëve tanë euro-atlantik, duke u bazuar në një organizim dhe bazë ligjore më solide, Policia realizoi rritje të treguesve në luftën kundër kriminalitetit.
Në vitet 2005 – 2007 e në vijim, në bashkëpunim të ngushtë me Misionin PAMECA II&III të Bashkimit Evropian, programin ICITAP të SHBA, si dhe institucionet e tjera ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, Policia e Shtetit realizoi një reformë të thellë strukturore dhe ligjore duke u përafruar ndjeshëm me organizatat homologe euro-perëndimore.
Këto reforma bënë që treguesit e luftës kundër kriminalitetit në tërësi, kundër krimit të organizuar, krimit ekonomiko-financiar dhe atij transkufitar të ishin në nivele shumë të mira (nën mesataren e kriminalitetit në BE); u çmontuan dhe u vendosen para ligjit dhjetëra e qindëra organizata, banda dhe grupe të strukturuara kriminale; në zbatim të Strategjisë së Policisë së Shtetit 2007-2013, u realizuan implementimi i Modelit Kombëtar të Inteligjencës, i Menaxhimit të Integruar të Kufijve, i filozofisë së Policimit në Komunitet; u plotësuan të gjitha detyrimet në procesin e rëndësishëm të liberalizimit të vizave dhe për marrjen e statusit si vend kandidat në BE etj.
Fatkeqësisht, që nga tetori 2013, në Policinë e Shtetit, po aplikohen lirime masive nga puna të punonjësve dhe drejtuesve të strukturave qendrore dhe vendore të Policisë së Shtetit, të atyre që për vite e vite me radhë kanë qenë në vijën e parë të luftës kundër kriminalitetit, të atyre që punuan me integritet, profesionalizëm, përkushtim dhe pa u lodhur, duke reflektuar përformancë dhe standarde të larta në punën e tyre; po lirohen nga Policia ata punonjës dhe drejtues që përfituan njohuri bashkëkohore në trajnimet dhe kurset më të mira që kanë ofruar Policia e Shtetit, Misioni PAMECA, Programi ICITAP, përfaqësia e OSBE-së, ambasadat euroatlantike etj.
Njëkohësisht me këto lirime masive, në Policinë e Shtetit, duke filluar nga niveli më i lartë drejtues e deri në nivelin zbatues, po aplikohen pranime, emërime dhe promovime drejtuesish jashtë kritereve ligjore dhe në shkelje të procedurave standarde të menaxhimit të burimeve njerëzore.
Këto fenomene kanë ndikuar në rritjen e dukshme të kriminalitetit në tërësi, sidomos krimeve kundër personit, kundër pronës, trafikut të drogës dhe qenjeve njerëzore, krimit në familje, aksidenteve rrugore etj., bazuar kjo dhe në statistikat që publikon Policia e Shtetit dhe Ministria e Punëve të Brendshme. Për rrjedhojë, parametrat e sigurisë publike në vend kanë pësuar një ulje të ndjeshme dhe, nëse nuk merren masa urgjente me ndërhyrje profesionale dhe jo politike, tendenca është e frikshme.
Duke përfunduar, në këtë 101 – vjetor të krijimit, urojmë që Policia e Shtetit të jetë në lartësinë e përgjegjësive dhe detyrave që ushtron, për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, aq të dëshirueshme nga të gjithë.
Burimet
Arkivi Qendror i Shtetit i RSh (AQSh)
Fondi 145/2 (viti 1912-1913); Fondet 152, 153, 154 (vitet 1913 – 1944)
Arkivi i Sistemit të Ministrisë së Brendshme
Fondet 46, 50 (studime dhe analiza në vitet 1945 – 1990)
Libra
Blendi Fevziu, 110 vjet, Tiranë, 2012
Dhimitër Berati, Shqipënija më 1937, Tiranë, 1937
Grup autorësh, Fjalori enciklopedik shqiptar, Tiranë, 2009
Grup autorësh, Historia e Popullit Shqiptar III, Tiranë, 2007
Hasan Shkëmbi, Historia e Policisë, Tiranë, 1996
Hasan Shkëmbi, Legjislacioni i Policisë Shqiptare, Tiranë, 2004
Hilë Lushaku, Rrugëtim i Policisë Shqiptare, 1912-1945, Tiranë, 2012
Hysen Selmani, Nga notimet e Zogut I-Mbretit të shqiptarëve, Tiranë, 2008
Kastriot Dervishi, Historia e Shtetit Shqiptar, 1912-2005, Tiranë, 2006
Kristo Dako, Shqipëria, çelësi kryesor i Lindjes së Afërme, Arbëria, Tiranë, 2003
Qeveria e Përkohshme e Vlorës dhe veprimtaria e saj, Tiranë, 1963
Teki Selenica, Shqipënija më 1927, Tiranë, 1928
Statuti Organik i Shqipërisë, Vlorë, 1914
Zana Bufi, Bibliografia e akteve ligjore, Vol I, 1920-1939, Tiranë, 2000
Periodiku
Ana Lalaj, “Mapo”, 23 nëntor 1912
I. Larti, “Metropol”, 13.01.2012
Kastriot Dervishi, “55”, 13 janar 2012
Buletini i Armës, vitet ‘30
Fletore (Gazeta) zyrtare, 1922 – 1948
Fuqitë e armatosura të 25 vjetorit, 1937
Minerva, 1935
“Përlindja e Shqipërisë”, nr. 34, 20 dhjetor 1913




