Barcelona kundërshton Prokurorinë, gjithçka e rregullt me Nejmarin

Katalanasit e kanë refuzuar vendimin e prokurorit, duke e quajtur jo të rregullt vendimin e marrë në lidhje me lojtarin brazilian

 

130702105124-neymar-barcelona-t2-single-image-cutDuket se këmbana problemesh do të vazhdojnë që të bien ne Katalunjë. Kjo, pasi Barcelonës tashmë i duhet që të kalojë një problem tjetër. Pas kalimit të problemit “Mesi”, që pati një dëmtim njëmujor, tashmë i duhet që të përballet edhe me drejtësinë. Bëhet fjalë për procedurën me anë të së cilës është marrë lojtari brazilian. Nejmari ishte edhe blerja e bujshme e skuadrës që ka rezultuar shumë efektiv dhe që i ka dhënë një ndihmë të madhe ekipit. Mirëpo tashmë duket se kanë filluar edhe problemet e para. Kjo, pasi, sipas Prokurorisë, procedura dhe veprimet e marra nga klubi i Barcelonës nuk janë bërë në mënyrë të rregullt dhe ka disa mungesa. Blerja e tij në merkaton e verës ishte shumë e shpejtë dhe shifra për të cilën u ble bëri bujë tepër të madhe. Një shifër që hasi në dyshime që në momentin e parë. Vetëm dy muaj më parë u hodh dyshimi mbi këtë shifër, duke deklaruar se lojtari është blerë për një vlerë ndryshe nga ajo e deklaruar. Një lajm ky që nënkupton se klubi i Barcelonës ka kryer evazion fiskal. Një fakt që nuk i ka shpëtuar drejtësisë spanjolle, e cila duket se ka hapur një proces. Mirëpo duket se edhe Barcelona nuk ka për të lënë këtë çështje të kalojë lehtë. Kjo, pasi reputacioni i skuadrës është në lojë dhe se kjo mund të ndikojë edhe në performancën e lojtarëve. Një ndikim të drejtpërdrejtë kjo mund të ketë edhe mbi vetë lojtarin, që tashmë mund të ndihet i hutuar nga gjithë ky aludim. Stafi përgjegjës me marrëdhënien e publikut duket se i është kundërpërgjigjur këtij vendimi në një deklaratë. Klubi ka reaguar në qëndrimin zyrtar ndaj raportit të prokurorit Hoze Perals në Gjykatën e Lartë të Spanjës, që hedh dyshime të forta mbi ligjshmërinë e marrëveshjes për blerjen e Nejmarit nga Santosi për 57,1 milionë euro. Në deklaratën e Barcelonës shkruhet: “Barcelona dëshiron të shprehë indinjatën e thellë për raportin e prokurorit të Gjykatës së Lartë mbi nënshkrimin e Nejmarit. Është e pashpjegueshme që prokurori, pasi na kërkoi kontratën me futbollistin, tani kërkon masa të mëtejshme, pa marrë parasysh qëndrimin mbrojtës të klubit. Është gjithashtu e vështirë për ta kuptuar pse në procedurat e tij prokurori kërkon në institucione, të tilla si FIFA, dokumente të cilat Barcelona ia ka vënë tashmë në dispozicion Gjykatës ose mund t’ia vërë në dispozicion sikurse ka bërë më 26 dhjetor. Vendimi i prokurorit hedh dyshime mbi marrëveshjen e përsosur të Barcelonës për të blerë për 57 milionë euro një futbollist që kërkohej edhe nga rivalët tanë. Masat e reja që po ndërmerren janë në funksion të zgjatjes së procesit, që ne gjithmonë e kemi konsideruar të pabazë dhe të pamatur. Operacioni i nënshkrimit me Nejmarit ishte kompleks. Ne jemi të vetëdijshëm për këtë fakt, sikurse e kemi shprehur gjithmonë se bëhet fjalë për një marrëveshje të natyrës konfidenciale në disa pika të saj. Kjo ishte rruga për të bërë të mundur blerjen e futbollistit. Rivalët tanë ishin të gatshëm të bënin të njëjtën gjë për më shumë para, por ne kishim besim në aftësitë e grupit tonë negociues. Kompleksiteti kontraktual, i përshkruar nga prokurori në raportin e tij si “simulim kontraktual” kurrsesi nuk përbën një krim. Ne besojmë se prokurori në raport bën shumë gabim që gjykon ndryshe. Duke pasur parasysh seriozitetin e këtyre fakteve dhe pavarësisht se besojmë te Gjykata, ne duhet të veprojmë me forcë në mbrojtje të nderit të Barcelonës dhe presidentit të saj”. Kjo komunikatë ka hedhur kështu dritë mbi një problem që duket se nuk do të kalojë lehtë për skuadrën e Tata Martinos. Kështu në ditët në vijim pritet që edhe Prokuroria të dalë me të dhëna të tjera për të treguar nëse ka probleme apo jo çështja “Nejmar”.

 

 

Milani, Juventusi dhe Roma, me sytë nga Valmir Berisha

E ardhme e ndritur duket se është në horizont për talentin Berisha. Sulmuesi 17-vjeçar i Halmshtadit, i cili u shpall golashënuesi më i mirë i Kupës së Botës U17, mund të zbarkojë që në janar në kryeqytetin italian, pasi ekipi roman mund të ketë një ofertë për të riun. Emri i lojtarit me origjinë shqiptare është lakuar shumë në mediet sportive dhe ka zbuluar disa nga emrat e skuadra të mëdha evropiane që kërkojnë shërbimet e tij, por ai nuk dëshiron të nxitohet, që të marrë vendimin e duhur për karrierën e tij. I konsideruar “Ibrahimoviçi i Ri”, Valmir Berisha tha për mediet suedeze që është në dijeni të interesimit të Romës, por mund t’i thotë “po” ofertës së verdhekuqve vetëm për një kontratë të mirë financiare. Në Serinë A janë të shumta ekipet që e duan talentin e Suedisë. Atalanta, Juventusi dhe Milani, sikurse Roma, po studiojnë mundësitë për ta bërë të tyrin, ndërsa në Angli interes ka shfaqur edhe Liverpuli. Nëse nuk e bën hapin e madh në karrierë që në janar, lojtari shumë shpejt do të jetë pjesë e një ndër skuadrave më të mira në Evropë.

 

Ançeloti: Morata dhe Kasijasi qëndrojnë në Madrid

Tekniku Karlo Ançeloti ka deklaruar se ai do të bëjë luftë nëse është e nevojshme për të mbajtur në ekip kapitenin Iker Kasijas dhe talentin Morata. San Ikeri po e mendon largimin nga klubi mbretëror, për shkak se nuk po gjen minutazh te galatikët, por italiani ka bërë të ditur se do të bëjë të pamundurën për ta mbajtur atë në klub. “Nuk ishte vendim i lehtë, unë kam dy portierë të nivelit më të lartë, dy portierët më të mirë në botë. Unë fillova me Lopezin si portierin tim të parë, por më pas nuk e kam menduar se Kasijas mund të mos luante. Rotacioni i portierëve nuk është gjëja që unë preferoj më së shumti, por nuk kam çfarë të bëj, ata më kanë kuptuar. Unë do të luftoj për Kasijasin në të njëjtën mënyrë sikurse për Ksavin. Ky ekip ka lojtarë kyçë, që e përfaqësojnë klubin dhe unë do të bëj luftë, nëse ka nevojë që Kasijas të përfundojë karrierën te Reali”. Ndërsa për sa i përket Moratës, qëndrimi ka qenë i njëjtë edhe për të riun. Ai ka lënë të kuptohet se Real Madridi nuk e ka në plan që ta shesë Alvaro Moratën. 21-vjeçari është i interesuar që të kalojë te ndonjë klub ku mund të luajë më shumë, ndërsa Arsenali është shumë i interesuar për të. “Nuk kam folur me të sa i përket transferimit. Për të nuk ka pasur ndonjë kërkesë, por nëse ndonjë klub pyet rreth situatës së tij, përgjigja është e thjeshtë dhe e qartë: Ai nuk është në shitje, ai nuk shkon askund. Atij nuk i mungon asgjë. Është vetëm çështje e konkurrencës së madhe për një vend në skuadër. Kështu është te Real Madridi”, – ka thënë Ançeloti në një konferencë për shtyp.

 

 

Naingolan: Akoma jemi në luftë për titull

Duket se jo gjithçka ka mbaruar për Romën, sipas mesfushorit belg Naingolan. Raxha ka kërcënuar Juventusin se ata nuk e kanë siguruar ende titullin në Serinë A. Romanët janë tetë pikë prapa Juventusit në tabelën e Serisë A dhe është Naingolan ai që beson se kjo diferencë mund të ulet. “Ne jemi në luftë për titull, sepse jemi vetëm tetë pikë larg dhe Juventusi duhet që të vijë në Romë. Roma nuk mund të gabojë më, pasi që matematika na mundëson të besojmë ende. Jam i bindur se ky ekip mund të bëjë mirë dhe mund t’i shkaktojë probleme shumë ekipeve”, – deklaroi lojtari belg.

 

Çelsi mposht Hullin dhe vazhdon luftën për titull

Blutë e Hoze Murinjos treguan edhe një herë urinë e tyre për titull, duke arritur që të mundin Hull Sitin në transfertë. Londinezët e dominuan sfidën nga fillimi i takimit dhe patën shumë raste për shënim. Belgu Eden Hazard u tregua në shumë aksione ishte i pandalshëm, duke i hapur probleme kundërshtarëve. Ishte Oskar ai që gaboi përballë portierit dhe nuk arriti që të konkretizonte, për shkak të ndërhyrjes nga gardiani Mekgregor. Në pjesën e dytë ndryshuan gjërat. Pasi mori një top pranë zonës së rrezikshme, Hazard me të parën lëshoi një goditje në drejtim të portës kundërshtare duke realizuar për 1-0 në minutën e 56-të. Më pas ekipi i Murinjos vazhdoi me dominim dhe në fund ishte Fernando Torres ai që në minutën e 86-të vulosi takimin me një goditje të bukur për 2-0. Me këtë fitore Çelsi ngjitet në majë të Premier Ligës me 46 pikë, një më shumë se Arsenali në vendin e dytë, që ka një ndeshje të pazhvilluar.

Jurges Veizaj

 

Share it :