Basha: Brukseli e tha qartë, refuzimi i statusit, për shkak të sjelljes së qeverisë me opozitën

Gëzim Saliu

23-vjetori i PD-së në Vlorë

Kreu i opozitës: Sot është ora e ringritjes së PD-së, Vlora frymëzim për demokratët

 

Vlore, BashaKreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi dje në Vlorë se humbja e shansit për statusin e vendit kandidat erdhi për shkak të sjelljes dhe qëndrimit të qeverisë ndaj opozitës. Në kremtimin e 23-vjetorit të krijimit të degës së PD-së në këtë qytet, Basha pohoi se vërtetimi i deklaratave të demokratëve për arsyet e vërteta të humbjes së statusit erdhi dy ditë më parë nga deklarata e eurodeputetes holandeze, përfaqësuese e së majtës evropiane. “Dje nga Brukseli ka marrë sërish një shpjegim të qartë dhe pa ekuivokë për arsyet e refuzimit të statusit të vendit kandidat. Nuk janë ekstremistët evropianë dhe alibi të tjera që i ka përdorur për t’u justifikuar para shqiptarëve, por është ajo që ne si opozitë e kemi thënë që në fillim, qëkur nisi me shkelmimin e konsensusit për ligjin e “Nëpunësit civil”, me gjuetinë e tij të shtrigave në Policinë e Shtetit, me gjuetinë e shtrigave kundër kundërshtarit politik dhe me sjelljen e tij arrogante antidemokratike në Kuvendin e Shqipërisë, me gjuhën e tij deri në urrejtje ndaj opozitës së vendit. Dje ia thanë më qartë se kurrë nga krahu i tij politik, nga e majta evropiane, se secili prej tri vendeve aspirante të rajonit e ka nga një problem, nga një problem që pengon rrugëtimin e mëtejshëm evropian të tyre. Serbia ka problemin me Kosovën, Maqedonia ka problemin me Greqinë për shkak të emrit, Shqipëria ka problemin e tensionit të qeverisë me opozitën”, – deklaroi Basha. Në këtë kontekst, kreu i demokratëve theksoi se Kryeministrit të vendit nuk mund t’i falet që ka krijuar me opozitën e vendit të tij një problematikë të krahasueshme të gjykimit për vendin dhe për integrimin me atë që ka Serbia me Kosovën. “Me këtë konfliktualitet, me këtë agresivitet, me këtë negativitetet që padyshim buron nga pasiguria dhe paaftësia e tij për t’u siguruar shqiptarëve atë që premtoi me 23 qershor, Edi Rama po mbetet ditë për ditë, madje orë për orë, mbrapa, mbrapa shqiptarëve, mbrapa Shqipërisë, mbrapa botës, mbrapa Evropës”.

 

PD-ja

Në fjalën e tij para demokratëve vlonjatë, Basha theksoi se ky qytet i ka dhënë gjithmonë një frymëzim të madh Partisë Demokratike dhe çdo shqiptari. “Sot është ora që këtu nga ky bastion i qëndresës dhe ringritjes së Partisë Demokratike, këtu nga Vlora, ne demokratët t’i kushtojmë të gjithë energjinë pasionin dhe përkushtimin tonë një procesi tjetër, një procesi shprese, një procesi besimi, një procesi ringritjeje, pikë së pari brenda shtëpisë tonë të madhe për t’u bërë gati që shumë shpejt para vlonjatëve dhe para të gjithë shqiptarëve të dalim ashtu siç na kanë njohur në këto 23 vite: si rrezen e dritës që çan retë e përkohshme të dëshpërimit dhe ofron shpresën, perspektivën dhe vizionin pozitiv, vullnetin dhe energjinë pozitive për zhvillimin e vendit”, – u shpreh Basha. Duke u ndalur tek situata ekonomike, kreu i PD-së tha se sot shqiptarët po përballen me efektet e paketës së re fiskale, rritje çmimesh, rritje pasigurie, ulje investimesh, shkatërrim të vendeve të punës dhe çdo shqiptar paguan më shumë nga 1 janari. “Në projektbuxhetin e ri, qeveria jo vetëm nuk ka jetësuar asnjë politikë punëdhënëse apo punënxitëse, por garanton me të dyja duart asfiksimin e motorit të zhvillimit në Shqipëri që është sipërmarrja e lirë, s’ka legalizime falas, s’ka shëndetësi falas. Përballë kësaj situate që po e zhyt vendin gjithnjë e më shumë në krizë, demokratët duhet të bashkohen nga themeluesit, tek qendrestarët, nga anëtarët e parë të PD-së, tek rinia demokrate e mrekullueshme e Vlorës që është shpresa dhe energjia e ringritjes së fuqishme të kësaj dege këtu dhe anembanë”, – theksoi Basha, duke shtuar se ky proces duhet të kalojë edhe përmes hapjes së PD-së për të gjithë ata shqiptarë që u besojnë idealeve të lirisë dhe që kanë ndërtuar mbi këto vlera mirëqenien, jetën dhe botëkuptimin e tyre në Shqipëri.

 

 

Ligji i AMA-s

Eurodeputetja Pack kundër qeverisë: Zëvendësimi i anëtarëve prek pavarësinë e medias

Kryetarja e Komitetit të Kulturës të Parlamentit Evropian, Doris Pack, ka kritikuar hapur vendimet e fundit të qeverisë shqiptare për të zëvendësuar rregullatorët e medias së vendit. Sipas eurodeputetes, zëvendësimi i anëtarëve të Këshillit të Autoritetit të Medias Audiovizuale ngre disa pyetje serioze rreth pavarësisë në të ardhmen të pamjes së medias shqiptare dhe theksoi ajo, kërcënon të hedhë poshtë përpjekjet e vendit për të kaluar në një sistem televiziv dixhital. “Pavarësia e rregullatorëve të medias është një standard kyç evropian që duhet të respektohet. Vetë Parlamenti shqiptar është angazhuar të mbështesë dhe të garantojë integritet dhe pavarësi të Autoritetit të Medias Audiovizuale. Tashmë parlamentarëve shqiptarë u bëhet thirrje të respektojnë këto fjalë”, – u shpreh Pack, teksa iu referua një rezolute që Parlamenti shqiptari kaloi më 27 nëntor vitin e kaluar. “Një pamje moderne e medias e bazuar në një autoritet rregullator të pavarur është i domosdoshëm për rrugën e Shqipërisë drejt një vendi modern që respekton standardet evropiane”, – u shpreh Pack. Mazhoranca e majtë ka paraqitur në Parlamentin shqiptar amendamente në ligjin audiovizual, i cili nëse miratohet do të çojë në shkarkimin e anëtarëve të këshillit qeverisës të Autoritetit të Medias Audiovizuale Shqiptare.

 

 

Zv.ndihmës sekretari i DASH

Yee: “ Armët kimike” nuk cënojnë marrëdhëniet, operacione të ngjashme në vijim

Zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit Hoyt Yee komentoi dje bashkëpunimin me qeverinë e Shqipërisë pas refuzimit të saj për të bërë asgjësimin e armëve kimike siriane në territorin e vet. I pyetur nga Zëri i Amerikës, nëse SHBA-të janë të zhgënjyera me vendimin e Shqipërisë për të mos pranuar shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë në territorin e saj, zoti Hoyt Yee tha: “Ne kemi një bashkëpunim jashtëzakonisht të ngushtë dhe të fuqishëm me Shqipërinë në një gamë të gjerë veprimtarish, duke përfshirë sferën e sigurisë, sferën ekonomike, tregtare, kulturore dhe politike. Ky aspekt potencial i bashkëpunimit tonë, pra përsa i përket shkatërrimit të armëve kimike, në fund rezultoi i pamundur por ne e mirëpresim gatishmërinë e treguar nga qeveria e Shqipërisë për t’u takuar dhe biseduar me ne dhe për të shqyrtuar kërkesën tonë. Ne vazhdojmë të punojmë me aleatët tanë të NATO-s dhe partnerë të tjerë të interesuar për të bërë atë që është e nevojshme të bëhet në shkatërrimin e armëve kimike siriane sipas kalendarit që kemi përcaktuar. Jemi të sigurt se do të ketë edhe raste të tjera për lloje të ngjashme bashkëpunimi me Shqipërinë në të ardhmen”.

Share it :