Florenc Drizari
Duke denoncuar “tritol-politikën” e Edi Ramës, si një politikë shkatërrimtare që synon të riciklojë konfliktualitetin më të egër në historinë e pluralizmit, ne demokratët i themi Ramës se do të të izolojmë në kullën tënde të “barutit”
Demokratët kremtuan dje 23-vjetorin e themelimit të PD-së në rrethin e Tropojës.Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, theksoi se Tropoja mbetet e lidhur pazgjidhshmërisht dhe përgjithmonë me demokracinë, përmes kontributit historik që dhanë Azem Hajdari, Sali Berisha e qindra e mijëra demokratë të tjerë të kësaj treve, që nga nisja e lëvizjes studentore e deri në ditët e sotme. Zoti Basha ka theksuar se të vendosur përballë mashtrimeve të së majtës, shqiptarët kanë kthyer sot sërish sytë tek Partia Demokratike, si shpresa e tyre për të ardhmen.
Lulzim Basha
“Shqiptarët po kthejnë sërish sytë e shpresës dhe pritshmërive nga Partia Demokratike, sepse janë përballur që në këta muaj të parë me zhgënjim, me dëshpërim, për atë çfarë u ofron sot kundërshtari ynë i majtë. Çfarë u ofron? Mashtrime pa fund, të një burri që as nuk skuqet, as nuk zverdhet, edhe kur mashtrimin e ka mbrapa shpatullave të tij në ekran, siç e kishte mbrëmë. Premtoi se legalizim falas s’ka; premtoi ulje çmimesh, rritje çmimesh; premtoi shëndetësi falas, nuk ka; premtoi heqjen e TVSH-së për ushqimet e shportës, asnjë nuk hoqi. Kjo është qeveria e mashtrimeve”, – tha Basha.
Kreu i PD-së ka theksuar se situata e rendit në Shqipëri është alarmante dhe “ky përkeqësim, – u shpreh zoti Basha, – është efekti i drejtpërdrejtë i spastrimit politik që iu bë Policisë së Shtetit”.
“Oferta e tyre është “tritol-politika”. Me “tritol-politikën” kanë konceptuar projektin e tyre për kundërshtarin dhe kundërshtimin, si diçka që frikësohet apo zhduket mes shpërthimit dhe pluhurit. Duke denoncuar “tritol-politikën” e Edi Ramës, si një politikë shkatërrimtare që synon të riciklojë konfliktualitetin më të egër në historinë e pluralizmit, ne demokratët i themi Ramës se do të të izolojmë në kullën tënde të “barutit”, – u shpreh Basha.
Gjithashtu, kreu i selisë blu, Lulzim Basha, kërkoi bashkimin e demokratëve nga më i pari deri tek më i riu, për t’u kthyer shpresën dhe besimin shqiptarëve tek e ardhmja.
Më herët, përfaqësus të Partisë Demokratike kanë organizuar një sërë aktivitesh me rastin e 23-vjetorit të themelimit të degëve në qytete të ndryshme të venditmi, si në Tiranë, Durrës, Fier etj. Gjatë këtyre takimeve me demokratët, por edhe me qytetarë të tjerë, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka vlerësuar rolin dhe kontributin e tyre në mbështetje të PD-së, si dhe nga ana tjetër, ka kritikuar ashpër krerët e mazhorancës për vendimet e marra. Në fokus të akuzave të opozitës kanë qenë vendime, si: miratimi i aktit normativ që shtynte me gjashtë muaj kohë hyrjen në fuqi të ligjit për nëpunësin civil, negociatat e fshehta për armët kimike, refuzimi nga Brukseli i statusit të vendit, kandidat, projektbuxheti i 2014-ës bashkë me paketën e re fiskale, çështja e legalizimeve etj.
Basha – Donohoe
“Ruajtja e standardeve demokratike, thelbësore për integrimin evropian”
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, priti ministrin për Çështjet Evropiane të Republikës së Irlandës, Paschal Donohoe, me të cilin diskutuan për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, situatën politike në vend dhe rolin e rëndësishëm të opozitës në mbrojtje të standardeve demokratike e të shtetit të së drejtës, si edhe forcimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit midis të dy partive simotra, Partisë Demokratike dhe Fine Gael. Kryetari Basha i shprehu mikut nga Irlanda mirënjohjen në emër të Partisë Demokratike dhe të gjithë demokratëve shqiptarë për mbështetjen që Irlanda dhe qeveria e saj e qendrës së djathtë po vijojnë ti japin integrimit të Shqipërisë në BE.
Ministri Donohoe vlerësoi arritjet dhe reformat që qeveria e Partisë Demokratike realizoi gjatë tetë viteve 2005-2013, të cilat bënë të mundur anëtarësimin në NATO, nënshkrimin e MSA-së, liberalizimin e vizave dhe aplikimin për anëtarësim në BE. Kryetari Basha theksoi më tej se kjo papërgjegjshmëri dhe arrogancë që qeveria Rama-Meta dëshmoi gjatë këtyre muajve të parë është dhe shkaku i vetëm për mosmarrjen e statusit të vendit kandidat, i cili ishte bërë gati nga qeveria e Partisë Demokratike. “Për më tepër, qeveria nuk po arrin ende ta lexoje e të nxjerrë mësime nga mesazhi i qartë i Bashkimit Evropian se denigrimi i standardeve demokratikë nuk ka për t’u pranuar asnjëherë nga partnerët e aleatët tanë evropianë”, – u shpreh Basha.
Ministri Donohoe theksoi se është dhe mbetet e domosdoshme ruajtja dhe konsolidimi i standardeve demokratike, klimës konstruktive e gjithëpërfshirëse, institucioneve e shtetit të së drejtës për ecurinë përpara në procesin e integrimit. Ministri e siguroi z. Basha se vendi i tij dhe partitë simotra do t’i vijojnë t’i ndjekin me vëmendje zhvillimet në vendin tonë.
PD: Rama ka dy standarde për drejtësinë, procesi ndaj Mziut, i montuar politikisht
Deputetë të PD-së vizituan në burg kryetarin e Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziun. Në një prononcim për mediat, ish-ministri i Brendshëm, Flamur Noka, tha se Partia Demokratike dhe opozita po e ndjek nga afër dhe me mjaft vëmendje këtë proces, të për cilin ai e quajti të montuar politikisht ndaj një të zgjedhuri vendor.
“E themi “proces i montuar politik”, pasi të gjitha rrethanat e të gjitha faktet e demonstrojnë qartësisht që prapa arrestimit të z. Mziu, kishte një skenar dhe ky ishte një skenar i turpshëm fund e krye politik.
Dhe fakti që fletë-arresti u pre në mungesë ndaj një të zgjedhuri vendor që ishte në krye të detyrës dhe në zyrën e tij duke i shërbyer qytetarëve, vetë fakti që u tentua të përdhosej edhe familja, duke sajuar nga kuzhina e Ministrisë së Brendshme trillime se zonja e z. Mziu ishte pronare e një argjendarie duke gjetur gjoja argjendari të vjedhura e sajesa të tilla, ndërkohë që zonja Mziu punonte në një bankë dhe nuk kishte asnjë lidhje me çështje të tilla, tregon qartësisht se ishte skenar i përgatitur.
Edhe mënyra e arrestimit të z. Mziu e tregon qartësisht këtë, pasi u arrestua si të ishte një kriminel shumë i rrezikshëm, dhe jo si të ishte një i zgjedhur vendor që nuk kishte nevojë të bëheshin skena të tilla, pasi ishte në krye të detyrës dhe nuk përbënte rrezik për t’u larguar nga vendi apo nga detyra”, – deklaroi deputeti Noka.




