Artan Fuga
Akademiku Artan Fuga në rubrikën e përjavshme “Ide & debat” shkruan mbi zhvillimet e fundit të politikës në Rajon: Mbi idenë e ambasadave të përbashkëta
Kosovë – Shqipëri: Sa aleatë jemi?!
Veprimet njerëzore kanë së paku dy anë, të cilat ndodhen në mes tyre në një marrëdhënie shumë të ndërlikuar. Nga njëra anë janë veprime reale, ngjarje reale që sjellin pasoja në realitetin material apo psikologjik, individual dhe kolektiv, por nga ana tjetër, shoqërohen ose janë në vetvete, simbole që u komunikojnë të tjerëve mesazhe të ndryshme.
Nëse dikush ta zëmë del në rrugët e qytetit të madh me biçikletë dhe vozit mes veturave, nga njëra anë kjo është një ngjarje reale, personi në fjalë nget biçikletën, kurse nga ana tjetër kjo ngjarje ka edhe një peshë simbolike, sepse u dërgon të tjerëve mesazhe: Unë nuk kam lekë të blej një veturë. Ose: Unë jam kundër përdorimit të veturave në qytet. Ose: Duke u zhvendosur me biçikletë, unë bëj edhe ushtrime fizike etj.
Për ngjarjen që ndodh, pra ecjen me biçikletë të dikujt, të gjithë e shohin dhe e pranojnë, kurse përmbajtjen simbolike të ngjarjes persona të ndryshëm e interpretojnë në mënyrë të ndryshme. Kështu, aspekti simbolik ndahet nga ngjarja reale që e bart atë simbol.
+++
Kështu, mes ngjarjes reale dhe faktit që kjo ngjarje të jetë simbol i diçkaje mund të ketë marrëdhënie të ndryshme.
Mund të ndodhë që ngjarja reale shërben si simbol që do të thotë diçka për autorin e saj, por ndërkohë asaj i jepet kuptim tjetër nga marrësit e simbolit. Por, mund të ndodhë edhe që një ngjarje të ketë peshë simbolike shumë të zgjeruar, kurse si ngjarje reale mund të mos ketë asnjë rëndësi nga pikëpamja e pasojave që sjell. Mund të ndodhë edhe që aspekti i saj simbolik të jetë i tillë që të dëmtojë vetë ngjarjen reale. Sikurse mund të ndodhë që mes ngjarjes dhe peshës së saj simbolike të ketë një bashkëveprim pozitiv dhe ku marrësit e simbolit e kuptojnë atë në atë mënyrë që i ndih vetë ndodhisë që përfaqëson ngjarja.
Matrica e bashkëveprimeve këtu pra mund të jetë pothuajse e pafundme.
+++
E përse m’u kujtuan të gjitha këto?
+++
Ambasadat e përbashkëta mes ish-vendeve jugosllave?
Për dy arsye, të cilat, e vërteta është se nuk kanë asnjë lidhje me njëra-tjetrën:
E para, sepse lexova një lajm në media të huaja që Serbia duket se u propozon vendeve të tjera fqinje me të, pjesë e ish-republikave jugosllave, për të pasur misione diplomatike, pra ambasada, të përbashkëta të akredituara në vende të tjera.
Fillimisht u habita, pastaj m’u kujtua se ka edhe ambasada të ndryshme perëndimore që bëjnë edhe veprime konsullore për vende të tjera, por menjëherë e kundërshtova veten duke i thënë: Tjetër është një veprim konsullor, tjetër një ambasadë e përbashkët.
Argumenti ishte jo i neglizhueshëm dhe mbështetej te një arsyetim financiar, në kushtet e krizës dhe të mundësive të pakta të çdo shteti ish-jugosllav, shumë ambasada rrezikojnë të mbyllen. Atëherë, duke ndarë shpenzimet, pra me nga një ambasadë të përbashkët, mund të realizohet që prezenca e përfaqësive në ato shtete të ruhet.
Mbase arsyetimi është fare i sinqertë, por simbolika e çështjes ikën shumë tutje, shumë më larg nga vetë ngjarja e mundshme. Thashë me vete simbolikisht kjo mund të kuptohet si një lloj rialeance në forma diplomatike e ish-vendeve jugo-sllave në kryeqytetet e botës. Publiku i këtyre vendeve përsëri do t’i perceptonte simbolikisht së bashku. Pastaj ku do të kishte më mirë për Serbinë që të përfaqësohej njëkohësisht apo të përfaqësonte edhe Slloveninë ose Kroacinë etj.
Propozim që duket me qitje të largët strategjike.
Arsyeja e dyta për të cilën po flas, lidhet me atë se në mediat shqiptare, disa analistë, më duket nga Kosova, ishin kritikë për takimin e dy qeverive, të Kosovës dhe Shqipërisë, që zhvillohet sot në Prizren, duke e marrë si një simbolikë boshe dhe pa përmbajtje reale. Unë nuk dua t’i hyj fare këtij debati, ndonëse e kam një mendim të vockël për të. Ajo që më bëri përshtypje, ishte se këta analistë, me siguri me shqetësimin e drejtë për një përfaqësim të mirë, propozonin që në vend të kësaj lidhjeje të Prizrenit, të kishte masa konkrete bashkëpunimi, e midis tyre, ambasada të përbashkëta mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Mos!, – thashë me vete, – ja edhe imitimi serb.
Në marrëdhëniet me vendet e treta Ballkani nuk do të përfaqësohej më simbolikisht me shtete të pavarura të veçanta, gjuha e kodifikuar normale e marrëdhënieve ndërkombëtare, por do të përfaqësohej me qytetërime të ndara, me hapësira metakulturore të ndara sipas vijave të demarkacionit, pra pak a shumë sllavët veç dhe bota shqiptare veç…
+++
Kosova dhe Shqipëria, dy gjeopolitika aleate, por axhenda diplomatike aktuale edhe specifike
Ndërkohë, mendoj se nuk do të kishte hap më të gabuar simbolikisht, ndonëse ngjarja reale e ndodhur do të kishte pasur ca avantazhe të vockla administrative dhe ekonomike, si p.sh., do të kursehej pak karburant, ca letër, një qira më pak etj.
Por, përfaqësimi diplomatik me jashtë nuk është çështje kursimesh energjie elektrike dhe qirash.
Simbolika e dhënë publikut të huaj do të ikte krejt larg dhe kundër nesh në krahasim me ngjarjen reale. Duhet menaxhuar simbolika e veprimit politik, sepse nëse jo, atëherë ajo ka fuqi pikërisht si simbolikë të dëmtojë vetë ngjarjen politike.
Çfarë do të ndodhte, mendoj unë, kundër analistëve në fjalë, nëse kjo simbolikë do të përsendëzohej?
E para, publiku i huaj do ta kuptonte simbolin në mënyrën e vet si një hap politik drejt bashkimit shtetëror Kosovë – Shqipëri. S’ka rëndësi si do ta mendonim ne, ka rëndësi si do ta mendonin ata. Mesazhin e krijon marrësi, jo dhënësi. E po çfarë të keqeje do të kishte? Puna është se duhet të jemi realistë, opinioni ndërkombëtar e koncepton hëpërhë Kosovën si shtet të pavarur më vete, dhe jo si fazë bashkimi mes dy shteteve. Duam s’duam ne, kuadri normativ dhe psikologjik ndërkombëtar ky është. Jemi të detyruar ta respektojmë, nëse duam që të kemi mirëkuptimin e tij. Përndryshe edhe njohja formale e shtetit të Kosovës nga OKB-ja dhe nga instanca të tjera vonohet edhe më, edhe avancimi i statusit të Shqipërisë në BE do të njohë përsëri vonesa, që politikanët shqiptarë do t’i interpretojnë sipas anësive politike.
Pra, në këtë rast, nëse simbolika politike ecën shumë më përpara sesa vetë ngjarja dhe rrjedha politike, atëherë ka rrezik që ky mosmenaxhim, kjo mungesë e mundshme koherence, do të bënte që avancimi eksesiv i simbolikës politike të sillte pengesa për vetë ecurinë e rrjedhave reale politike.
Së dyti, dihet se Shqipëria dhe Kosova sado solidare dhe ndihmëse të jenë me njëra-tjetrën, sado ndihmuese të jenë reciprokisht, në gjeopolitikë kanë dy axhenda specifike. Shqipëria kërkon imediatisht avancimin e statusit të saj në BE, kurse Kosova, njohjen juridike nga të gjitha organizmat ndërkombëtarë. Pa këtë të fundit për të anëtarësimi në BE është i pamundur. Ideja se Shqipëria dhe Kosova mund të shkojnë sikurse thoshte dikush «dorëpërdore» në BE krijon iluzionin e gabuar se të dyja vendet dhe shtetet kanë axhendë gjeopolitike dhe gjeostrategjike të mbivendosur dhe identike. Çfarë gabimi!
Imagjinojmë tani një ambasador nga Shqipëria që përfaqëson edhe Kosovën. Makina e tij do të ishte me dy flamure të ndryshëm, dhe në një takim ai nuk do të dinte kë të mbështeste më parë, kauzën e shenjtë të njohjes si shtet të Kosovës apo kauzën themeltare të avancimit të statusit të Shqipërisë në BE. Ato nuk janë kontradiktore aspak, por jo kudo mund të flitet njëkohësisht për to.
Aq më shumë që si përfaqësues i Kosovës, atij ambasadori në disa raste do t’i rezervohej një hapësirë e caktuar, e si përfaqësues i Shqipërisë një hapësirë tjetër. Do të ishte ndonjëherë sikur Federata Shqiptare e Futbollit në kushtet e sotme të thoshte se jam edhe e Kosovës, edhe e Shqipërisë. Do të rrezikonte të humbiste edhe për sportin shqiptar, edhe për atë kosovar sesa të fitonte ndonjë pikë terren.
+++
Ja, këto m’u kujtuan si informacione aktuale, kur në mend më erdhi marrëdhënia mes ngjarjes politike dhe simbolit politik që ajo strukturon apo kuadrit simbolik brenda të cilit ajo strukturoret. Mes tyre mund të ketë koherencë, por shpesh krijohen edhe kundërshti mes realitetit dhe simbolikës, mes politologjisë dhe mitologjisë, çka pengon avancimin e ngjarjeve dhe rrjedhave politike.
+++
Sigurisht, ata analistë nuk përfaqësojnë pozita zyrtare dhe shqetësimi nuk është real, por se e themi dëm nuk ka.
Propozimi i Serbisë: Ambasada ballkanike nëpër botë
Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivan Mrkic, deklaroi pak ditë më parë se ka nisur negociatat me Shkupin, Podgoricën, Sarajevën dhe Lubjanën për mundësinë e themelimit të ambasadave të përbashkëta në Afrikë, Azi dhe Amerikën Latine. Sipas tij, Serbia është shumë afër për të arritur marrëveshje të tilla me Maqedoninë dhe Malin e Zi. Në planet e Serbisë nuk përmendet Kosova dhe misionet e saj diplomatike. Mrkic tha se i ashtuquajturi “model skandinav” ka rezultuar i suksesshëm, ndërsa përmendi shembullin e Tokios, ku në një ndërtesë punojnë diplomatë të më shumë se 15 shteteve të Amerikës Latine.




