Rrëfimi “I vrara se nuk mund të pranoja ndarjen”

Anxhela Tato

 

Bashkim Latollari fajëson Rexhep Metollarin se ndërhyri në lidhjen e tij me Danjelën

 Dëshmia në polici: Danjelën e doja marrëzisht. Doja të martohesha me të, të bëja fëmijë

 

  

bashkim-latollari1-320x180Dashuria e marrë për Danjelën dhe frika e humbjes së saj është motivi që çmendi Bashkim Latollarin, i cili ekzekutoi vetëm brenda pak minutash katër persona. Para oficerëve të Policisë Gjyqësore Latollari ka shfaqur pendesë, por është shprehur se nuk mund të lejonte dhe as të pranonte në mënyrë absolute që dikush të ndërhynte dhe ta ndante nga Danjela. Ai tregon se i kishte kërkuar Danjelës që të ndahej nga burri dhe të ndërtonin një familje të re bashkë. Ndonëse viktima kishte rënë dakord, kishte ndryshuar qëndrim, pasi ishte ndikuar nga Rexhep Metollari. “Danjelën e doja marrëzisht. Doja të martohesha me të, të bëja fëmijë dhe ajo duhej të ndahej nga i shoqi, por gjithçka u prish nga daja i burrit të saj. I mbushi mendjen që të prishte marrëdhënien me mua, të rrinte me Belimonin. Nuk e durova dot prishjen e lidhjes dhe ndaj i vrava. Fillimisht vrava Danjelën dhe burrin e saj. Nuk do të toleroja përgjegjësit e ndarjes me Danjelën”, – ishin pjesë nga rrëfimi që Bashkim Latollari bëri në polici lidhur me 4 vrasjet në Gjonomadh. Burime nga policia bëjnë me dije se gjatë gjithë rrëfimit Latollari këmbëngulte që fajtor i gjithë kësaj tragjedie është vetëm se daja i Belimon Meçollarit, i cili ndërhyri në lidhjen me Danjelën, duke e shkatërruar atë. “Ka qenë daja i Belimonit, Rexhep Metollari, i cili ka marrë vesh për lidhjen tonë dhe ka ndërhyrë për të na ndarë. Unë e doja Danjelën dhe doja të kisha një fëmijë me të”. Autori i krimit shton se dashuria e tij për Danjelën ka qenë mbi çdo gjë dhe jashtëzakonisht shumë e rëndësishme, duke e nxitur që të bënte një veprim kaq të rëndë për të cilin është penduar, ndërsa ka shtuar se i vjen keq për djalin 4 vjeç të Danjelës, pasi është babai i këtij fëmije. Në ngarkim të Bashkim Latollarit është ngritur akuza e vrasjes me dashje dhe armëmbajtjes pa leje. I arrestuari do të ulet pas dy ditësh në bankën e të akuzuarve, ku do të njihet më akuzat e Prokurorisë dhe masën e sigurisë së Gjykatës.

 

Ceremonia mortore

 Dy familjet Meçollari dhe Metollari kanë hapur dyert e mortit, duke pritur të afërm dhe miq për t’u dhënë lamtumirën e fundit katër viktimave. Gjatë gjithë paradites, në të dyja banesat ka pasur një numër shumë të madhe personash, të cilët vinin për t’u përcjellë ngushëllimet e tyre familjeve të viktimave. Me lot në sy dhe me një hije trishtimi, fqinjë të familjeve tregojnë se ende nuk mund ta besojnë këtë fatkeqësi, ndërsa e cilësojnë Letollarin si një person shumë problematik. Nga ana tjetër, është i pamundur kontakti me të afërm të Danjelës, të cilët janë ende në gjendje shoku. Ndërkohë, dy fëmijët e çiftit Meçollari janë ende të tronditur nga skenat makabre në banesë. Krimi pasionant i Bashkim Latollarit ka lënë jetimë dy fëmijët e çiftit, 4 dhe 6 vjeç. Aktualisht, fëmijët janë në shtëpinë e gjyshërve, të cilët do të kujdesen për ta. Ndërsa ceremonia mortore është zhvilluar në orën 12:00. Varrimi u përcoll me lot nga mbarë fshati. Ndërkaq, çifti Metollari do të varroset në Korçë, pasi trupat e tyre janë tërhequr nga vajzat që nuk jetojnë në Gjonomadh, por janë martuar në qytet.

 

 

Tragjedia

 Neki Meçollari: Të vihet drejtësia, të dënohet autori i krimit

 Policia merr në mbrojtje mamanë dhe nipin e autorit të krimit

 Babai i Belimon Meçollarit kërkon drejtësi dhe sqaron se mes djalit të tij dhe autorit të krimit nuk ka pasur asnjëherë probleme ose konflikte. Ai tregon se tashmë duhet të rrisë dy fëmijët e çiftit Meçollari, të cilët janë ende të tmerruar nga skena makabre që kanë parë. “Djalin ma vranë në sy të fëmijëve dhe unë dua drejtësi. Djali im nuk kishte asnjë konflikt me autorin dhe shkonte mirë me gruan e tij”, – ka thënë Neki Meçollari. Ai thotë se fëmijët e mitur janë të tronditur psikologjikisht, pasi kanë parë një njeri që ka qëlluar mbi prindërit e tyre. “Policia kishte ardhur, kishte bërë punën e saj, unë nuk pashë asgjë. Të merret masa! Belimoni nuk ka pasur konflikte dhe as ne nuk kemi pasur probleme me autorin e krimit. Se si është kjo punë ne nuk e dimë. Të merren masa më të rrepta! Më rëndë se kaq nuk ka më ku të vejë. Jemi të tronditur. Fëmijët janë te gjyshja, i kam në shtëpi tani që i lanë jetim. Ata janë llahtarisur kur kanë parë që i kanë vrarë prindërit, në fund të fundit janë të vegjël. Fëmijët ikën dhe i thanë një burri plak që dikush po i vriste prindërit. Nuk kemi pasur konflikte me autorin. As djali nuk ka pasur konflikte me ta. Kjo është gjë e papritur. Kërkojmë dënimin e autorit”, – vazhdon më tej babai i Belimonit. Ndërkohë, nga ana e forcave të policisë është marrë në mbrojtje familja e autorit të krimit. Patrulla policie janë vendosur në banesën e Bashkim Latollarit, duke marrë në ruajtje nënën, gruan e njërit prej vëllezërve dhe nipin e Bashkimit, për të shmangur çdo incident dhe hakmarrje të mundshme. Familja Latollari tashmë ka tre djemtë e saj në qeli për krimin e vrasjes. Nga të dhënat e uniformave blu mësohet se njëri nga vëllezërit e Bashkim Latollarit është duke vuajtur në burg dënimin për ekzekutimin e një oficeri policie në vitin 1997, ndërkohë që vëllai tjetër i Bashkim Latollarit ndodhet në burg në shtetin grek, duke kryer dënimin për një vrasje.

Share it :