Ndërtime pa leje Gati dosja hetimore për 2 ish-zyrtarë të Inspektoratit Urbanistik

Anxhela Tato

 

Kërkesa për gjykim, Ruzhdi Zeneli dhe Mario Kalus lejuan ndërtimin e 65 moleve të vogla në Radhimë

 Prokuroria: Molet u ndërtuan nga persona të paidentifikuar afër lokaleve të ndryshme

 

vloreeeProkuroria ka tashmë gati dosjen hetimore për dy ish-zyrtarë të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik, të cilët lejuan 65 mole të paligjshme në zonën e Radhimës. Organi i akuzës së Vlorës ka depozituar në Gjykatë kërkesën për gjykim për Ruzhdi Zenelin dhe Mario Kalus, nën akuzë për shpërdorim detyre. Sipas dosjes hetimore Zeneli dhe Kalus kanë ushtruar detyrën e përgjegjësit në INUV në Vlorë në vitet 2010-2013. Hetimi i këtyre dy ish-zyrtarëve ka ardhur pas kallëzimit të bërë nga Agjencia Rajonale e Mjedisit në Vlorë. Gjatë muajit qershor 2012, nga Agjencia Rajonale Mjedisore Vlorë janë konstatuar në zonën e Radhimës dhe Vlorës rreth 65 mole të vogla, të përbërë nga materiale inerte, të hedhura nga persona, të cilët për ARM-në nuk ishin të identifikuar, me qëllimin e dukshëm të shfrytëzimit për përfitime materiale. Këto mole janë krijuar pranë lokaleve të ndryshme që veprojnë në këtë zonë. Sipas Prokurorisë së Vlorës, gjatë hetimeve paraprake lidhur me këtë procedim penal janë kryer një sërë veprimesh hetimore në drejtim të përgjegjësisë së punonjësve që kanë pasur për kompetencë dhe detyrë që të kryenin veprimet përkatëse në rastet e mësipërme, si dhe në drejtim të personave që i kanë kryer punimet për krijimin e moleve të mësipërme.

 

Kërkesa për gjykim

 “Nga dokumentacioni i administruar nga Agjencia Rajonale e Mjedisit të Qarkut Vlorë, rezulton se prej këtij Institucioni për periudhën 2010 deri në muajin Qershor të vitit 2012 janë vendosur 39 gjoba administrative ndaj subjekteve të ndryshme për hedhje të inerteve në det, dëmtim të bregdetit apo ndotje bregdetare, nëntë prej të cilave janë vendosur në vitin 2012. Me shkresë dt. 8.6.2012 të ARM Vlorë është informuar Inspektorati i Mjedisit se nga kontrollet në vijën bregdetare janë konstatuar 21 raste të ndërtimit të moleve, të cilat janë nga rastet për të cilat është dërguar referim penal nga ana e policisë gjyqësore. Ekzistojnë gjithashtu edhe një sërë korrespondencash të ARM Vlorë me Institucione të ndryshme si, Inspektorati i Mjedisit pranë Ministrisë së Mjedisit, Bashkitë dhe Komunat e vijës bregdetare të Qarkut Vlorë, prefektit të Qarkut Vlorë, si dhe Drejtorisë së Policisë së Shtetit Vlorë. Në këto shkresa janë vënë në dukje hedhjet e ndryshme të inerteve në vijën bregdetare dhe iu kërkohen këtyre Institucioneve marrja e masave për mbrojtjen e zonës bregdetare. Me shkresën dt. 10. 2.2012, shkresë me lëndën “kallëzim” ARM Vlorë i është drejtuar Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë, duke vënë në dukje se në rastet e konstatimeve të moleve që nuk është bërë e mundur të identifikohet autori i tyre kanë njoftuar me shkresë me qëllim gjetjen e autorëve, por nuk kanë marrë përgjigje lidhur me këto raste. Gjithashtu, me shkresën dt. 4.4.2011 ARM Vlorë i drejtohet INUK Dega Vlorë si dhe Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë, duke i vënë në dijeni se në zonën bregdetare Vlorë – Orikum vazhdojnë hedhjet në det të inerteve dhe gurëve me qëllim për të krijua mole, plazhe artificiale në det dhe në bregun e detit, pa qenë të pajisur me ndonjë leje nga organet kompetente”, – thuhet në njoftimin e policisë lidhur me hetimin e Prokurorisë.

 

 

Kavajë

Humbën portofolin, marrin peng dhe dhunojnë kamerierin

 Marrin peng dhe torturojnë për 48 orë një 17-vjeçar, duke e akuzuar për humbjen e portofolit. Dy pronarët e lokalit në bashkëpunim me 3 persona të tjerë kanë marrë peng 17-vjeçarin me iniciale I. H., i cili punonte kamerier në lokalin e tyre. Ata akuzonin kamerierin për humbjen e një portofoli, duke e marrë kështu peng për dy ditë dhe duke e dhunuar. Kanë qenë prindërit e 17-vjeçarit me iniciale I. H., të cilët kanë bërë dhe denoncimin në polici. Policia e Kavajës ka arrestuar dy pronarët e lokalit Jeton Laçi, 22 vjeç, dhe Kreshnik Nurçe, 27 vjeç, të cilët morën peng të riun dhe ushtruan dhunë mbi të. Ndërsa janë shpallur në kërkim 3 bashkëpunëtorët e tjerë në pengmarrjen e të riut, Ilirjan Laçi, 40 vjeç, Flogen Damarja, 24 vjeç, dhe Ermal Shehi, 29 vjeç.

 

 

Fier

Vodhën 120 tonë naftë, arrestohen 5 persona

 Pesë persona janë ndaluar nga polica e qytetit të Fierit ditën e djeshme, pasi akuzohen se kanë vjedhur një sasi të konsiderueshme nafte bruto. Efektivë të policisë kanë ndaluar Florenc Metajn, Paulin Vrushin, Jurgen Bahën, Vasil Papathemiun dhe Rikoardo Xhindolen. Pesë personat e mësipërm akuzohen për vjedhje dhe shpërdorim detyre. Ata kanë vjedhur 120 tonë naftë bruto në kompaninë “Bankers Petrolium” ku punonin. Të ndaluarit punonin si operatorë, roje dhe monitorues të kamerave në një kompani nafte. Policia ka shpallur në kërkim edhe dy persona të tjerë M. Arapi dhe G. Serjanaj, punonjës në një subjekt privat.

 

 

Përrenjas

Vetëvaret në banesë 51-vjeçarja, vuante nga depresioni

 Një 51-vjeçare i ka dhënë fund jetës, duke u vetëvarur në banesën e saj në qytetin e Përrenjasit. Gruaja është gjetur e varur nga familjarët e saj. Ata bëjnë me dije se prej disa kohës 51-vjeçarja, identiteti i së cilës nuk bëhet i ditur, vuante nga depresioni. Policia ka nisur hetimet për ngjarjen, ndërkohë që trupi i pajetë i 51-vjeçares është dërguar në morgun e qytetit, ku do t’i nënshtrohet ekspertizës mjekoligjore. Ndërsa nga ana e bluve janë marrë në pyetje familjarë të 51-vjeçares për të zbuluar nëse gruaja ka pasur probleme ose konflikte me persona që mund ta kenë nxitur drejt vetëflijimit. Mësohet se nga dëshmitë e familjarëve rezulton se 51-vjeçarja prej disa kohësh kishte shfaqur simptomat e depresionit.

Share it :