Audit për kreditë që janë dhënë
Ato familje që kanë marrë kredi të butë pa plotësuar të gjithë dokumentacionin dhe duke falsifikuar shkresa, rrezikojnë të kalojnë me interesat e tregut
Vendimi i pak ditëve më parë për të bllokuar dhe për të verifikuar të gjitha kreditë e buta që janë dhënë nga bashkitë, pritet të ndikojë drejtpërdrejt tek qytetarët. Përfaqësues të ndryshëm të bashkive në vend kanë reaguar për këtë vendim, duke theksuar se do të ngelen pa një strehë qytetarët që kanë aplikuar vitin e fundit. Në një dalje publike, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Enno Bozdo, u shpreh se Kryeministri po u privon familjeve në nevojë dhe familjeve të reja mundësin për të pasur një shtëpi. “Nuk mund të ketë asnjë rast të ngjashëm në vendet demokratike, që me pretekstin e auditimit të pezullohet puna. Është njësoj si ne të themi që Bashkia do të mbyllë dyert për 3 apo 6 muaj, se do të ketë kontroll nga KLSH-ja. Duket qartë se bllokimi për një vit i këtij procesi ka thjesht dhe vetëm prapavijë politike”, – përmendi Bozdo. Reagime për vendimin e qeverisë kanë ardhur dhe nga qytetarë të shumtë në rrjetet sociale. Qytetarët shprehen se janë pro hetimit që përfituesit abuzivë të zbulohen, por ky vendim nuk duhet të prekë edhe ato familje të cilat meritojnë një kredi të butë nga shteti.
Bllokimi
Vetëm në Tiranë, për shkak të udhëzimit të qeverisë, nuk do të kenë mundësi për të përfituar kredi të butë rreth 827 familje që tashmë kanë plotësuar të gjithë dokumentacionin e nevojshëm. “Dua t’ju informoj se, që prej 2009-ës, qeveria ka akorduar një kuotë të caktuar në dispozicion të njësive vendore, për të mundësuar kredi të buta për strehimin e familjeve në nevojë apo të reja. Që prej nisjes së këtij procesi, në vitin 2009 e deri tani, janë miratuar nga Këshilli Bashkiak i Tiranës 2045 kredi dhe për këtë është informuar Enti Kombëtar i Banesave, pas çdo miratimi në Këshillin Bashkiak, por prej tyre janë lidhur vetëm 610 kontrata me bankën përkatëse. Informacionin për kontratat e lidhura me bankën e disponon në mënyrë zyrtare dhe periodike Enti Kombëtar i Banesave, nëpërmjet të cilit informohet edhe Bashkia e Tiranës. Pra, efektet financiare të buxhetit të shtetit janë vetëm për 610 kontrata. Çdo aludim tjetër është i pavërtetë dhe një justifikim amatoresk për të bllokuar këtë proces”, – theksoi nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Enno Bozdo. Sipas përfaqësuesve bashkiakë, qeveria duhet të shtonte kuotat për të pastrehët, dhe jo të bllokonte një proces transparent.
Çfarë pritet të ndodhë me ato familje që kanë marrë një kredi të butë?
Kontrolli që do t’u bëhet dosjeve të familjeve që kanë përfituar kredi të butë, ka për qëllim zbulimin e rasteve kur kredia është marrë pa plotësuar kushtet. Për ato familje që do të rezultojnë se nuk kanë plotësuar dokumentacionin ose e kanë falsifikuar atë do të procedohet me interesat e tregut. Kjo do të thotë që interesi i kredisë nuk do të paguhet më me 3% (si kredi e butë), por me interesat normalë që ka banka. Aktualisht interesat e kredive në vend vajojnë nga 13-19%. E njëjta gjë do të bëhet dhe në rastet kur familje të caktuara kanë përfituar banesë më të madhe se ajo që duhet të merrnin nga Këshilli Bashkiak. Kontrolli do të prekë edhe kreditë që janë miratuar vitet e fundit nga bashkitë. Për këtë rast do të bëhen verifikimet e dosjeve dhe do të lihen jashtë listës ato familje që kanë marrë kredi në mënyrë abuzive.
Londra, qyteti më i shtrenjtë në botë, Tirana 75% më e lirë
Londra është qyteti më i shtrenjtë në botë, me çmime të qirave dhe benzinës në nivele jashtëzakonisht të shtrenjta, që e bëjnë koston e jetesës më të lartë se në Nju Jork, Paris dhe Sydnei. Çmimet e ushqimeve, të strehimit dhe shpenzimet e udhëtimit apo argëtimit janë më të lartat në kryeqytetin anglez. Shifrat janë llogaritur nga ekspertët e “Expatistan.com”, të cilët kanë prodhuar raportin e tyre pas krahasimit të informacionit nga pothuajse 200.000 përdorues në të gjithë botën, duke llogaritur çmimet mesatare në 1.600 qytete. Faqja e internetit publikoi përfundimet e saj në “Herald Sydney Morning”. Në aspektin e elektronikës, qyteti i vetëm më i shtrenjtë se në Londër ishte Tokio, me Nju Jorkun ndër vendet më të lira për të marrë një 16GB iPod Nano, për rreth £ 92, në krahasim me £ 130 në Londër. Kostoja tipike e një litri benzinë në Londër është 1,40 £, më shumë se dyfishi çmimi i karburantit në Los Anxhelos, ku një litër zakonisht mund të blihen për vetëm 62p. Dhe në aspektin e qirasë, një pronë në Londër do t’u marrë mbi £ 2500 në muaj, krahasuar me vetëm £ 1365 në Romë, Itali, 1242 £ në Toronto, Kanada dhe vetëm £ 950 në Uellington, Zelanda e Re. Sipas Zyrës Kombëtare të Statistikave, paga mesatare kombëtare në vitin 2008 ishte 26.137 £, krahasuar me £ 27,174 që është sot nën drejtimin e Cameron-it. Sipas këtyre statistikave, ushqimi në Tiranë është 65% më i lirë se në Londër. Strehimi në Tiranë është 78% më i lirë se në Londër (Mbretëria e Bashkuar). Argëtimi në Tiranë është 63% më i lirë se në Londër. Transporti në Tiranë është 77% më i lirë se në Londër.




