Vlorë Ekzekutohet 32-vjeçari për prishjen e kontratës

Anxhela Tato

I plagosuri Kledian Binjaku i kërkoi Kreshnik Nazërajt lekët e qirasë së hotelit

 Dëshmitë, autori mori armën e zjarrit në makinë dhe qëlloi me breshëri ndaj 3 personave

 

vlore_7Prishja e kontratës së qirasë së hotelit degradon në vrasjen e 32-vjeçarit dhe plagosjen e kushërinjve të tij. Debati ka nisur në mjediset e një lokali në një hotel në afërsi të Ujit të Ftohtë, duke vijuar me konfrontimin fizik mes dy palëve. Autori, Kreshnik Nazëraj, ka nxjerrë armën e zjarrit që mbante në makinë dhe ka qëlluar në drejtim të Myrdar Binjakajt, i cili ka humbur jetën në spital. Të plagosur nga kjo ngjarje kanë mbetur dy kushërinjtë e tij, të cilët kishin vajtur për t’i kërkuar autorit lekët e kontratës së qirasë. Sipas mjekëve, viktima kishte marrë një plumb në kokë dhe ndonëse është ndërhyrë menjëherë, hemorragjia ka qenë tepër e madhe dhe 32-vjeçari nuk ka mundur të mbijetojë. Ndërsa është stabilizuar gjendja shëndetësore e djalit të xhaxhait të viktimës, Kledian Binjakaj, i cili i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale. Dy të plagosurit ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Nga të dhënat e para mësohet se autori kishte lidhur një kontratë qiraje për një hotel me të plagosurit Kledian Binjakaj, por pas prishjes së kësaj kontrate autori kërkonte kthimin e lekëve. Ndërkohë, kjo shumë parash pretendohej edhe nga i plagosuri. Mësohet se personat kanë qenë të ulur në një lokal, ku kanë diskutuar me tone të larta dhe agresive për lekët e kontratës së qirasë. Konflikti është përshkallëzuar jashtë mjediseve të lokalit, ku autori ka hapur zjarr.

 

Ngjarja

 Ishte ora 13:00, kur një telefonatë ka mbërritur në policinë e Vlorës. Një qytetar i alarmuar bërtiste duke thënë se dikush ishte vrarë dhe ndodhej i shtrirë në tokë. Menjëherë forca të shumta të policisë janë paraqitur në hotelin në zonën e Ujit të Ftohtë, duke transportuar me urgjencë për në spital tre të plagosurit. Nga dëshmitë dhe këqyrja e vendit të ngjarjes ka rezultuar se të dyja palët janë konfliktuar dhe debati ka vijuar jashtë lokalit. Viktima është identifikuar si Myrdar Binjakaj, 32 vjeç, ndërsa i plagosur është Kledian Binjakaj, djali i xhaxhait dhe Reshat Muska, 43 vjeç, djali i tezes. Nga të dhënat e para hetimore mësohet se mes të lënduarve dhe autorit ka pasur një sherr, i cili fillimisht ka nisur brenda lokalit, më pas është përshkallëzuar jashtë tij. Nga të dhënat e bluve ka rezultuar se Kreshnik Nazëraj është autori i krimit, i shpallur në kërkim nga ana e policisë.

 

Hetimet

 Policia ka nisur hetimet dhe ka ngritur postblloqe, pasi dyshohet se autori është larguar me një makinë nga vendngjarja. Myrdar Binjakaj vdiq në spitalin e Vlorës nga plagët e shumta të shkaktuara nga plumbat. Sipas burimeve spitalore, Kledian Binjakaj i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe është jashtë rrezikut për jetën. Mësohet se konflikti ka nisur fillimisht brenda në lokal, për shkak të prishjes së kontratës së qirasë së një hoteli dhe më pas ka vijuar në trotuar, ku ndaj tre kushërinjve është qëlluar me breshëri automatiku. Sipas burimeve zyrtare policore, konflikti ka qenë mes Nazërajt dhe Kledian Binjakajt, pasi ky i fundit ka pasur me qira hotelin e babait të autorit të krimit. Autori pretendonte një shumë parash nga Kledian Binjakaj, si pasojë e prishjes së kontratës së qiradhënies. Ditën e djeshme, të dëmtuarit dhe disa të afërm të tjerë kanë shkuar për të kërkuar shumën e parave që pretendonin. Si rezultat i mosmarrëveshjeve midis palëve, konflikti ka degjeneruar deri në përdorimin e sendeve të forta dhe më pas të armës së zjarrit. Të dëmtuarit janë djalë xhaxhai dhe djalë teze me njëri-tjetrin.

 

 

Prokuroria e Përgjithshme

 Angazhim maksimal për mbylljen e hetimeve të dosjeve më të bujshme

 Lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar, krimit kibernetik dhe kontrollit të prokurorëve janë sfidat dhe fokusi i punës i Prokurorisë së Përgjithshme për vitin 2014. Sfidat e institucionit u paraqitën dje nga kryeprokurori Adriatik Llalla në një takim të zhvilluar me strukturat drejtuese të Prokurorisë së Përgjithshme. Llalla u kërkoi prokurorëve të mbyllen hetimet e dosjeve VIP, atyre që kanë pasur një ndikim në opinionin publik. Pjesë e dosjeve në hetim të trashëguar nga 2013 është ajo dhe e ish-ministrit të Mbrojtjes Arben Imami, i akuzuar për shpërdorim detyre, apo të ish-krerëve të Policisë së Shtetit. Prokurori i Përgjithshëm i dha porosi të veçantë Drejtorisë së Hetimit që të angazhohet maksimalisht në përmbylljen e hetimeve të çështjeve të nisura gjatë vitit 2013, duke vënë theksin sidomos tek ato çështje që kanë një impakt në opinionin publik. Prokuroria kërkon nga Gjykata e Lartë nxjerrjen e vendimeve njësuese, të cilat do të standardizojnë praktikën për trajtimin e njëjtë të rasteve të ngjashme. Për prokurorin e Përgjithshëm, njësimi i praktikës gjyqësore do të jetë ndihmesë e rëndësishme për sa i përket racionalizimit të kohës dhe burimeve njerëzore në hetim dhe gjykim. Llalla kërkoi që të ushtrohet një kontroll më i thelluar mbi performancën dhe cilësinë e hetimeve nga ana e prokurorëve në të gjithë Republikën e Shqipërisë. Duke bërë një analizë të përmbledhur të aktivitetit të Prokurorisë gjatë vitit 2013, z. Llalla u shpreh se “konstatohet një rritje e ndjeshme e ngarkesës së punës, gjë e cila obligon çdo prokuror që të impenjohet më shumë në aktivitetin profesional”. Për vitin 2014, prokurori i Përgjithshëm kërkon nga Drejtoria e Inspektimit që të përfshijë në programet e kontrollit një numër të madh prokurorish në rrethe dhe Apel, me qëllim për të vlerësuar punën e të gjithë strukturës në një kohë sa më të shpejtë. “Opinioni publik ka një pritshmëri të lartë për punën e Prokurorisë dhe për këtë arsye Prokuroria e Përgjithshme duhet t’i japë zgjidhje sa më të shpejtë çdo ankese apo shqetësimi të qytetarëve për punën e prokurorëve”, – theksoi Llalla.

 

 

 

Share it :