Anxhela Tato
Punësimi i 11 personave, brenda kritereve ligjore, u paguan nga fondi i specializantëve
Hetimet, QSUT kishte kërkuar shtim stafi në Ministrinë e Shëndetësisë për shkak të ngarkesës
Prokuroria e Tiranës ka pushuar hetimet për ish-drejtorin e QSUT, Saimir Ivziku. Vendimi për pushimin e çështjes është marrë në dhjetor 2013. Ish-drejtori i Përgjithshëm i QSUT-së, Saimir Ivziku, ish-drejtori i Burimeve Njerëzore, Ibrahim Shatri, dhe drejtorja e Edukimit, Alketa Ilo, u paditën në 2013 nga KLSH-ja. Padia u bë për punësim të rreth 110 personave mbi organikën e QSUT. Por Prokuroria pushoi çështjen me argumentin se nuk ka vepër penale. Sipas hetimeve të organit të akuzës punësimet në QSUT janë bërë të argumentuara. QSUT kishte kërkuar shtesë stafi në Ministrinë e Shëndetësisë për nevojat e punës dhe për shkak të ngarkesës. Të punësuarit janë paguar me fondin që ishte ndarë për specializantët e mjekësisë. Duke qenë se nuk ka pasur specializantë, QSUT nuk i ka djegur fondet. Fondi nuk është djegur pasi janë punësuar rreth 90 persona.
Hetimet
Padia është bërë me akuzën se tre ish-drejtuesit e QSUT-së kanë punësuar në këtë institucion 100-150 persona mbi organikën e lejuar dhe të miratuar. Sipas kallëzimit të depozituar në muajin qershor të 2013 në Prokurori, shkelja ligjore me një dëm ekonomik të konsiderueshëm në buxhetin e shtetit ka ndodhur gjatë periudhës nëntor 2010 – shtator 2012. Sipas kontrollit të KLSH, në këtë periudhë në QSUT ishin punësuar një numër i konsiderueshëm punonjësish, duke nisur që nga roli “pastrues” apo “mirëmbajtës” e duke vazhduar më pas në nivele më të larta, deri në rang infermieri. “Paga e personave të punësuar ka qenë sipas pozicionit, nga 20 mijë lekë deri në 47 mijë lekë”, thanë burimet nga hetimi i çështjes. Sipas tyre, punësimi i personave në fjalë është bërë në mënyrë të paligjshme, pasi vendet në organikë kanë qenë të plotësuara dhe të përcaktuara. “Në momentin e punësimit të personave në fjalë nuk ka pasur vende të lira. Për rrjedhojë, në buxhetin e institucionit nuk ka pasur fond për pagat e punonjësve të rinj”, thanë burimet e Prokurorisë. Referuar padisë së KLSH-së, mësohet se pavarësisht fondit në zërin e pagave, ish-drejtuesit e QSUT-së kanë përdorur një tjetër fond nga buxheti për të paguar për më se dy vjet apo më shumë personat e punësuar në mënyrë të paligjshme. Shpenzimi për pagat e tyre konsiderohet nga KLSH si dëm në buxhetin e shtetit. Qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza, spitali më i madh në vend brenda një kohe të shkurtër i ka ndërruar shumë shpesh drejtuesit e tij. Drejtori aktual Helidon Bushati u emërua vetëm pak muaj më parë, me dorëheqjen (për arsye personale) nga ky post të ish drejtorit Saimir Ivziku, i cili drejtoi spitalin e QSUT për një periudhë prej afro dy vitesh. Ndërkohë më herët QSUT është drejtuar nga Ilir Dashi dhe mjekja Gjeorgjina Kuli. Kontrolli i Lartë i Shtetit shpesh herë ka nxjerrë raporte negative për spitalet në vendin tonë, ku janë konstatuar abuzime me detyrën nga ana e drejtuesve dhe mjekëve.
Përmet
Sekuestrohen 150 kg, në kërkim 2 transportuesit
Plot 150 kilogramë marijuanë janë sekuestruar dje pasdite nga bashkëpunimi i policisë së Përmetit dhe ajo e Tepelenës, ndërsa vijon aksioni për kapjen e dy transportuesve të lëndës narkotike. Operacioni i koduar me emrin “Çajupi” është zhvilluar mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative nga seksioni kundër narkotikëve që bënin me dije se në afërsi të fshatit Peshtan do të kalonte një sasi droge. Dhe në të vërtetë rreth pasdites kaloi automjeti i dyshuar me drejtues A. Sh., 27 vjeç dhe shoku i tij K. Xh., 25 vjeç, të dy banorë nga qyteti i Vlorës. Të dyshuarit kur kanë parë që të gjitha rrugët ishin bllokuar nga policia, nuk i janë bindur thirrjes së efektivëve dhe kanë braktisur mjetin duke u larguar në drejtim të pyllit. Në automjet policia gjeti 115 pako me pesha të ndryshme që gjithsej bënin 150 kg drogë e llojit marijuanë. Ndërkaq, policia vijon hetimet për kapjen e 2 të kërkuarve.
Tritoli
Prokuroria e Krimeve të Rënda nis hetimet për aktin terrorist
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur hetimet e dosjes rreth aktit terrorist në Kurbin, kur natën e ndërrimit të viteve një sasi tritoli (16 kallëp) u vunë në një shtylle të tensionit të lartë, të linjës së interkonieksionit Tiranë – Podgoricë. Gjatë këtij akti është shkatërruar njëra këmbë e shtyllës, ndërsa u gjetën edhe dy mbishkrime, në njërin ku thuhej për taksat dhe tjetri për naftën. Pas shqyrtimit të çështjes nga Prokuroria e Rrethit Kurbin është marrë vendimi, për shkak të moskompetencës nga organi i akuzës në këtë rreth, transferimi i kësaj dosje në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë.
Dosja “Imami”
Prokuroria: Do të pyeten 8 anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Tenderëve
Prokuroria e Tiranës do të marrë në pyetje 8 persona që janë të përfshirë në dosjen “Imami”, të cilët akuzohen për shkelje të barazisë në tendera, pasi i kanë dhënë kompanisë “Pro Image”, fondin prej 1.2 milionë dollarësh për reklamat me rastin anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Sipas të dhënave të Prokurorisë, do të merren në pyetje anëtarët e Komisionit të Vlerësimit Ofertave në Ministrinë e Mbrojtjes. Burime nga grupi hetimor thanë se pas vlerësimit të dëshmive nga këtyre 8-të persona do të vendoset nëse do të merret në pyetje dhe vetë ish-ministri, aktualisht deputet i PD-së, Arben Imami. Dëshmitë e tyre do të ndihmojnë Prokurorinë në hetimet që ajo po kryhen ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes Arben Imami, i cili akuzohet ka shpallur fituese kompaninë “Pro Image”, për publikimin e spoteve publicitare, në mënyrë abuzive.




