Anxhela Tato
Gazmend Peci: Nuk më intereson se kush e bëri, dua që të zbardhet ngjarja dhe ai të ndëshkohet
Prokuroria austriake konfirmon faktin se 23-vjeçarja është abuzuar seksualisht kur ishte në gjendje kome
Përdhunimi i studentes Florie Peci mund të ketë për autorë mjekun, infermierin ose pastruesin e qendrës mjekësore, ku vajza u dërgua për rehabilitim. Burime nga organi i akuzës bëjnë me dije se i vetmi informacion i mbërritur nga pala austriake i përket autorëve të dyshuar, të cilët pritet që të merren në pyetje dhe t’i nënshtrohen analizës së ADN-së. Sipas prokurorisë austriake dyshohet se personi që ka abuzuar seksualisht me Florie Pecin mund të jetë mjeku roje ose infermieri. Ndërsa është konfirmuar tashmë fakti se Florie Peci është përdhunuar gjatë kohës që ndodhej në gjendje kome në spitalin austriak. Ndërkohë që të pyetur me anë të celularit familjarë të 23-vjeçares nuk janë vënë në dijeni për informacionin e autorëve të dyshuar. Vëllai i Flories, Gazmend Peci tregon që ka kërkuar informacion nga prokuroria shqiptare dhe e vetmja përgjigje është se po kryhen veprimet procedurale. “Kam kërkuar që të më thonë se çfarë po bëhet me hetimet, por përgjigja ka qenë që pala austriake po kryhen veprimet procedurale. Nuk dimë ende asgjë dhe askush nuk na ka thirrur që të na vërë në dijeni për ndonjë të dhënë. Unë jam në pritje të informacioneve dhe e vetmja gjë që dua është që të zbardhet e vërteta. Motrës sime i ndodhi diçka mjaft e rëndë dhe unë dua vetëm që të ndëshkohet autori. Pra nuk është se na intereson shumë identiteti i personit, sesa fakti që drejtësia ta ndëshkojë dhe të zbulojë të gjithë vërtetën e kësaj ngjarje të rëndë”, – shprehet Gazmendi. Ndërkohë që në muajin qershor Florie Peci solli në jetë fëmijën e saj. E pyetur për shtatzaninë ajo shprehej se për të vajza është gjëja më e shtrenjte dhe shumë e rëndësishme në jetën e saj.
Ngjarja
Në korrik të vitit 2013 prokuroria shqiptare transferoi dosjen e plotë të Florie Pecit në Austri. Pas dërgimit të materialit të përkthyer me analizën e ADN-së, prokuroria përktheu aktet e dosjes me dëshmitë e të afërmve të Flories dhe e nisi materialin në Austri. Grupi hetimor, sqaroi se tashmë është provuar se përdhunimi i studentes 23-vjeçare është kryer në kohën që ajo po mjekohej në një qendër rehabilitimit në Almuster të Austrisë. Bazuar në këto të dhëna, prokuroria nuk mund të ngrejë akuzë konkrete për përdhunuesit e saj, pasi kjo e drejtë, sipas legjislacionit penal, i takon vendit ku ka ndodhur krimi. Sipas tyre të gjitha veprimet hetimore të kryera në Shqipëri, si dëshmitë e familjarëve të Pecit, ekspertiza mjekësore si dhe profili i ADN-së së foshnjës së porsalindur, i janë dërguar autoriteteve të drejtësisë austriake. Prokurorët konfirmuan, se me daljen e profilit të ADN-së së fëmijës, hetuesit austriakë do të ngushtojnë rrethin e personave të dyshuar si abuzues seksualë ndaj studentes, në kohën që po ajo po mjekohej në Austri. Mjekët e maternitetit të Tiranës thanë se nisja e shtatzënisë përputhet me kohën gjatë së cilës Florie ishte për kurim në Austri. Florie Peçi lindi fëmijën, një vajzë që ia vuri emrin Gadiela, në 6 qershor. Zbulimi i shtatzënisë u bë në janar 2013, ndërsa ngjarjen e denoncoi familja e saj në prokurori.
Grabitja e TEG-ut
10 mijë euro shpërblim për çdo informacion rreth babagjyshave hajdutë
Policia ofron 10 mijë euro shpërblim dhe anonimat për këdo që ka informacion për babagjyshat e “TEG”. “Në vijim të njoftimit të datës 24.12.2013, ku në ambientet e Qendrës Tregtare në Tiranë, nën kërcënimin e armës ndodhi vjedhja me armë e një dyqani argjendarie, iu bëjmë me dije se Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë ofron një shpërblim prej 10 mijë euro për çdo person që jep informacion të vlefshëm në drejtim të identifikimit dhe kapjes së autorëve, në çdo rast duke ruajtur anonimatin”, – thuhet në njoftimin për shtyp të uniformave blu. Grabitja pak ditë para Vitit të Ri në Tiranë ishte e ngjashme me skenarët e filmave hollivudianë. Nën kërcënimin e armëve dhe me veshjen e babagjyshave, katër persona grabitën një argjendari kur qendra tregtare ishte e mbipopulluar me klientë. Grabitësit e armatosur u arratisën me një automjet, të cilin e dogjën duke fshirë kështu gjurmët. Ndërkaq policia po punon mbi video amatore dhe ato të qendrës tregtare që mund të ketë filmuar personat e maskuar si babagjysha. Nga ekspertiza balistike nuk është gjetur asnjë gjurmë gishti, çka konfirmon dyshimin se grabitësit kanë përdorur doreza. Ndërsa në rroba nuk janë gjetur materiale ADN-je që mund të ndihmonin në zbulimin e identitetit. Shitësja e argjendarisë nuk është e aftë që të jap një përshkrim të qartë të tipare të babagjyshave. Në presion e armës dhe frikës, shitësja e terrorizuar ka dhënë vetëm një përshkrim fizik për babagjyshat. Pamjet filmike të kamerave të sigurisë nuk janë të qartë duke e bërë shumë të vështirë dallimin e tipareve të katër babagjyshave, të cilët kanë qenë të maskuar me mjekër të bardhë të gjatë dhe syze të zeza. Janë shumë pak prova materiale në dispozicion të policisë, që të arrijnë në arrestimin e babagjyshave grabitës. Nga ana tjetër hidhet poshtë aludimi se kemi të bëjmë me të njëjtën bandë që realizoi grabitjen në Fushë-Krujë. Ndonëse është një skemë e ngjashme veprimi me detaje të ngjashme nga mekanizmi, nuk janë të njëjtët operona.




