Gëzim Saliu
“Mosvotimi i buxhetit dhe shtyrja e tij në kalendat greke është shërbimi më i keq që u bëhet interesave të qytetarëve të Tiranës”
Politika nuk duhet të përfshihet në punët e Bashkisë së Tiranës. Ky ishte qëndrimi zyrtar dje i Bashkisë së kryeqytetit lidhur me bllokimin që këshilltarët e majtë të PS-së dhe LSI-së i bënë në mbledhjen e dy ditëve më parë në Këshill projektbuxhetit afatmesëm 2014-2016. Nëpërmjet nënkryetarit të institucionit, Eno Bozdo, Bashkia kërkoi dje nga Kryeministri dhe kryetari i Këshillit ta nxjerrë përfundimisht Bashkinë e Tiranës nga axhenda politike. “Në emër të Bashkisë së Tiranës dua të shpreh keqardhjen për mosvotimin e buxhetit të Bashkisë së Tiranës nga këshilltarët e majtë. Siç u pa edhe gjatë ditës së djeshme, gjatë një diskutimi maratonë, i vetmi justifikim i qenësishëm që u përcoll nga këshilltarët e majtë ishte përdorimi për interesa politike i këtij buxheti. Mosvotimi i buxhetit dhe shtyrja e tij në kalendat greke është shërbimi më i keq që u bëhet interesave të qytetarëve të Tiranës”, – tha ai.
Reagimet
Sipas nënkryetarit të Bashkisë, me buxhetin e propozuar nga Bashkia parashikohej të financohej ndërtimi i 82 km rrugë të reja dhe 128 mijë m2 sipërfaqe e gjelbër. “Me këtë buxhet parashikohej të financohej ndërtimi dhe rikonstruksioni i 69 shkollave të mesme, çerdheve dhe kopshteve për vogëlushët e Tiranës, i laboratorëve të rinj dhe palestrave të reja, i instalimit të ngrohjes në 100% të çerdheve dhe kopshteve dhe 90% të shkollave të mesme, deri në fund të vitit 2014. Me këtë buxhet parashikohej të financoheshin të rinjtë e Tiranës për të nisur biznesin e tyre dhe për të krijuar vende të reja pune, të financohej nxitja e sipërmarrjes dhe punësimi i qytetarëve të Tiranës. Me këtë buxhet parashikohej të financoheshin qendrat sociale, ku marrin mbështetje më shumë se 2300 qytetarë në nevojë”, – pohoi Bozdo. Më tej, ai bëri të ditur se në buxhet parashikohej gjithashtu të financoheshin projektet kulturore të Tiranës për artistët e rinj, piktorët, fotografët dhe muzikantët. “Me këtë buxhet do të mbështetej sporti dhe të gjitha veprimtaritë e shumta sportive që Bashkia organizon përgjatë një viti. Me këtë buxhet, Bashkia e Tiranës parashikonte të financonte avancimin me veprat e mëdha publike të Tiranës, si bulevardi verior dhe lumi i Tiranës, linja e tramit Kombinat – Kinostudio, stacioni multimodal i pasagjerëve apo dhe projekti për zgjidhjen përfundimare të mbledhjes dhe përpunimit të mbetjeve në Tiranë”. Në përfundim të deklaratës së tij, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës i bëri thirrje në emër të qytetarëve të Tiranës, Kryeministrit të vendit për ta nxjerrë këtë institucion nga axhenda e tij e konfliktit politik. “Të ndalë hakmarrjen ndaj qytetarëve për votën kundër 2 vjet më parë dhe t`i hapë rrugën zbatimit të projekteve që do ta shndërrojnë Tiranën në një kryeqytet evropian, që përmirësojnë cilësinë e jetës, do të nxisin zhvillimin ekonomik dhe punësimin në kryeqytetin shqiptarë”. Ndërkohë, ditën e djeshme ka reaguar edhe kryetari i Këshillit Bashkiak, Aldrin Dalipi, i cili tha se mazhoranca nuk bllokoi miratimin e projektbuxhetit, po kërkoi më tepër kohë, analizë dhe shqyrtim nga Komisioni i Ekonomisë për këtë projektbuxhet. “Projektbuxheti dje ngeli në klasë dhe duhet të japë një riprovim në ditët në vijim. Ka ardhur koha që në Bashkinë e Tiranës të ketë një qasje tjetër, ndryshe nga e kaluara”, – tha ai. Dy ditë më parë, pas më shumë se 7 orësh debatesh e diskutimesh këshilltarët e majtë shtynë votimin e projektbuxhetit afatmesëm të Bashkisë së Tiranës për në dyjavëshin e parë të vitit 2014.
Protesta
Shoqëria civile para Parlamentit: 97% e shqiptarëve i thonë “jo” rritjes së taksave
Në kohën kur Parlamenti po diskutonte dje nen për nen projektbuxhetin e vitit 2014 dhe paketën fiskale, një grup qytetarësh protestuan kundër rritjes së taksave. Duke iu përgjigjur thirrjes së shoqatave të ndryshme në mbrojtjen e konsumatorëve, qytetarët u shprehën kundër paketës fiskale, ku kërkuan që të mos rriten taksat, çmimet dhe mosha e pensionit. Me thirrjen “Jo mashtrimit progresiv! Jo rritjes së taksave”, ata kërkuan nga deputetët e Kuvendit të Shqipërisë që të votonin kundër këtij projektbuxheti. “Jo rritjes së taksës së qarkullimit! Jo rritjes së çmimit të karburanteve, jo rritjes së çmimit të biletave të autobusëve urban dhe interurban, jo rritjes së çmimit të taksive, jo rritjes së çmimeve të ushqimeve nga rritja e çmimit të naftës! Jo rritjes së akcizës së kafesë, duhanit, birrës! Jo rritjes së çmimit të produkteve si pasojë e qerasë së rritur të dyqaneve! Jo vendosjes së taksës progresive mbi rrogat! Jo vendosjes së tatimit te fitimit 15% mbi bizneset!”, – u shprehën qytetarët në fjalimet e tyre në foltoren e ngritur pranë Parlamentit. Ndërkohë, kreu i Zyrës së Mbrojtjes së Konsumatorit, Goxhaj, bëri të ditur se protestat do të vazhdojnë në vitin 2014. “Protestat qytetare do të jenë gjendja e re e 2014-ës! As hunj dhe as gurë! Vetëm qytetari dhe foltore qytetare! Do të ndërtojmë qytetarinë aktive që do t’i rezistojë arrogancës së pushtetit të kujtdo! Sot e demonstruam me kartonin e kuq të 97% për të votuar në Parlamentin e qytetarëve, në emër të 97% kundër rritjes së taksave me kartonin e kuq!”
Festat
Fluks emigrantësh në pikën kufitare të Kakavijës
Festat e fundvitit kanë sjellë një fluks të emigrantëve shqiptarë që kthehen në Atdhe. Kështu vetëm gjatë 14 orëve të fundit, pranë vendkalimit kufitarë të Kakavijës kanë hyrë 5000 persona, 2200 automjete, si dhe 45 autobusë të linjës ndërkombëtare Athinë – Tiranë. Ndonëse dje situata në Kakavijë paraqitej e qetë, parashikohet që nesër dhe pasnesër të dyfishohet fluksi i emigrantëve që vijnë në Atdhe. Sipas statistikave nga Drejtoria Rajonale e Kufirit dhe Migracionit të qarkut të Gjirokastrës, gjatë periudhës 10 ditore kanë hyrë në Shqipëri mbi 40 mijë emigrantë, ndërsa 20 mijë kanë dalë nga territori shqiptarë nëpërmjet vendkalimit kufitar të Kakavijës.




