Matja e saktë e pranisë së nivelit të ekonomisë së paligjshme nuk është e lehtë, jo vetëm për Kosovën, por pothuajse për asnjë vend, veçanërisht për vendet në zhvillim.
Megjithatë, sipas disa analizave të bëra nga ekspertë të çështjeve ekonomike dhe përfaqësues të bizneseve, ekonomia joligjore në Kosovë vlerësohet të jetë mbi 30 për qind.
Qeveria e Kosovës, e cila në fillim të këtij viti i kishte shpallur luftë ekonomisë së paligjshme, sipas përfaqësuesve të biznesit, përveç deklaratave dhe organizimit të tryezave që kishin këtë qëllim, nuk ka bërë diçka konkrete për të zbutur dukurinë e joformalitetit në vend.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se viti 2013 ishte një vit i rëndë ekonomik e që vinte pikërisht nga joformaliteti. Kjo dukuri, sipas tij, shkaktoi dëme të mëdha duke krijuar konkurrencë të padrejtë në treg.
“Institucionet e Kosovës nuk mundën ta luftojnë në masën e duhur joformalitetin dhe të parandalojnë ekonominë e paligjshme, pasi që një kohë e madhe, një energji e madhe u shpenzua në bisedimet Kosovë-Serbi, kurse këto dukuri negative që dominonin kryesisht në veri të vendit, ishte e pamundur të luftohen”, vlerësoi ai.
Pikat kufitare në veri, përfshirë shumë rrugë dytësore, të paautorizuara për qarkullim komercial, janë vendet më neuralgjike për kontrabandë të mallrave.
Së fundi, nga pikat kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë kanë filluar të mblidhen të hyrat. Autoritetet kosovare kanë vlerësuar se me fillimin e zbatimit të kësaj marrëveshje, kontrabanda me mallra, e cila ka qenë më e theksuar në këto dy pika kufitare, do të shënojë rënie.
Në anën tjetër, eksperti i çështjeve ekonomike, Haki Shatri konsideron se vitin 2013 e ka karakterizuar niveli i lartë i ekonomisë joformale. Sipas tij, ka pasur premtime e synime të autoriteteve të Kosovës se do të luftohet kjo dukuri, por nuk rezultoi të shënojë rënie.
“Sa kam informacion dhe nga veprimet konkrete që i kam parë, nuk vlerësoj që është bërë diçka në këtë drejtim. Joformaliteti në Kosovë është prezent dhe ai mund të jetë mbi 30 për qind”, thekson Shatri. Një raport i Institutit “Riinvest”, i publikuar së fundi, thotë se rreth 34 për qind e bizneseve kosovare nuk i deklarojnë shitjet për qëllime tatimore dhe mbi 34 për qind e fshehin fuqinë punëtore. Nga këto të dhëna, sipas këtij hulumtimi, thuhet se buxheti i Kosovës nga evazioni dhe joformaliteti humb një të tretën e fuqisë së tij.
Këta numra tregojnë se Kosova ka një treg të pafavorshëm dhe jo korrekt ndaj bizneseve.
Institucionet e Kosovës, konsideron Agim Shahini, duhet të marrin masa që kjo ekonomi të luftohet, në të kundërtën, buxheti i Kosovës po dëmtohet.
“Do të duhet që këshillat e krijuar për këtë qëllim të funksionalizohen, të kenë efekt në terren, të kenë bashkëpunim me akterë të ndryshëm dhe ky bashkëpunim të jetë konfidencial, për arsye se bizneset dhe njerëz të tjerë nuk do të bashkëpunojnë nëse do të bëhen publike apo të hapen këto çështje. Pra, ne kemi shumë raste të dëshmitarëve të fshehtë, që bëhen publikë”, thotë Shahini.
Cilat degë të ekonomisë presin bum në 2014?
Jo më larg se një vit më parë, ekonomia gjermane e vështronte me frikë të ardhmen. Por ndërkohë klima është përmirësuar dukshëm.
Prej dekadash Instituti i Ekonomisë Gjermane në Këln (IW) në fund të vitit mat pulsin e industrisë. Dhe ky puls aktualisht rreh me gjallëri. Më shumë se gjysma e 48 shoqatave të industrisë informuan se klima sot është më e mirë se një vit më parë. Edhe më i madh është numri i shoqatave, që e shohin me optimizëm të ardhmen.
“Të gjitha degët me rëndësi themelore të industrisë presin, që vitin e ardhshëm të ketë një zgjerim të prodhimit përballë vitit 2013”, thotë drejtori i IW, Michael Hütter. “Kjo vlen edhe për industritë, të cilat ishin të lëkundura një vit më parë, si industria automobilistike, industria e çelikut, industria elektrike, ose industria kimike.”
Bankat janë pesimiste
Vetëm pak degë të industrisë janë pesimiste. Këtu bën pjesë, jo për t’u çuditur, industria minerare, e cila prej vitesh përballet me fundin e saj dhe dega e financave, e cila vuan nën pasojat e krizës, të rregullimit dhe të pakësimit të vendeve të punës. Edhe industria energjitike dhe industria e letrës janë pesimiste.
Por pjesa, që mbetet dhe që është pjesa më e madhe, janë të gëzuar. Kjo ka të bëjë në radhë të parë me koniukturën stabile në Gjermani, e cila vitin e ardhshëm pritet të përmirësohet edhe më tepër. Megjithatë vende të reja pune nuk do të krijohen. Numri i shoqatave, të cilat krijojnë vende të reja pune dhe reduktojnë vende pune, është në barazpeshim, shumica nuk presin ndryshime. “Kjo ka të bëjë me faktin që pasiguritë për rregullimin e tregut të punës janë të lidhura me qeverinë e re”, thotë drejtori i IW.
Që Hütheri i përkthen rezultatet e sondazhit të degëve të ekonomisë drejtpërdrejt në kërkesa politike, kjo nuk të çudit. Instituti i tij financohet nga shoqatat dhe sipërmarrjet, pra bën pjesë në detyrat e studiuesit të koniukturës.
Puna dhe energjia
Gjithçka, që mund t’i shtojë shpenzimet për fuqinë punëtore, nuk preferohet nga punëdhënësit, nga paga minimale deri në kontributet më të larta për pensionet. Gjithashtu në krye të shqetësimeve janë shpenzimet energjitike. Që në fillim të mijëvjeçarit janë shumë sipërmarrje, që investojnë në Gjermani më pak se do të ishte e nevojshme, thotë Hütter. “Me shpenzimet energjitike, që kemi, ne nuk do të mund ta mbajmë industrinë në Gjermani.”
Në qeverinë e re gjermane, përgjegjës për kthesën energjetike nuk është më ministri i Ambjentit, por ministri i Ekonomisë. “Ministri i Ekonomisë, Sigmar Gabriel, ka thënë se nuk fitojmë asgjë, po ta arrijmë kthesën energjitike kundër ekonomisë dhe qytetarëve”, thotë Hüther. “Po të humbasin vendet e punës, ne kemi humbur të gjithë.”
Industria kishte dhënë përgjigje shumë pesimiste në anketimin e vitit 2012. Asnjë shoqatë e vetme nuk besonte atëherë se gjendja do të përmirësohet gjatë vitit. Por në anketimin aktual, klima ka ndryshuar. Para së gjithash siguria, që dha kryetari i Bankës Qendrore, Mario Draghi, për të bërë në rast nevoje gjithçka për euron, i ka qetësuar pak sipërmarrësit e të gjitha degëve të ekonomisë, shprehet Hüther.




