Florenc Drizari
“39 amendamentet e PD-së në shërbim të qytetarëve”
“Gjithë sipërmarrja pa përjashtim është kundër këtij projektbuxheti dhe kësaj pakete fiskale, e madhja, e mesmja, e vogla, e gjitha pa përjashtim”. Kështu e citoi planin financiar të qeverisë, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjatë prezantimit të amendamenteve për buxhetin dhe paketën fiskale. Kreu i PD-së tha se të gjitha grupet e interesit janë kundër këtij projekti, duke përfshirë këtu pensionistët, të vetëpunësuarit, të rinjtë, të papunët, invalidët etj.
Kreu i PD-së argumentoi se përballja e së djathtës me shumicën parlamentare nuk do të jetë vetëm në Kuvendin e Shqipërisë. Z. Basha tha se opozita do të mbështesë çdo protestë kundër këtij vendimi të qeverisë. “Kemi inkurajuar çdo zë proteste në salla apo në sheshe, siç ishte para një jave dhe do të vazhdojmë ta mbështesim fuqimisht. Do të vazhdojmë ta mbështesim politikisht dhe kur të vijë momenti do të jemi edhe ne bashkë me qytetarët në krye të aksionit për të ndalur arrogancën, arbitraritetin, dhe papërgjegjshmërinë e kësaj qeverie që tashmë kërcënon drejtpërdrejtë xhepin, tavolinën dhe mirëqenien e çdo shqiptari”, – deklaroi Basha.
Ndërkaq, me ndryshimet e reja që propozon qeveria për sa u përket taksave, të gjithë do të paguajnë më shumë sipas kreut të PD-së.
Basha tha një ditë më parë se projektbuxheti i qeverisë Rama-Meta dhe Paketa Fiskale që e shoqëron, nuk janë dhe nuk mund të jenë projektbuxheti dhe Paketa Fiskale e Partisë Demokratike, si parti e qendrës dhe qendrës së djathtë. Gjatë prezantimit të amendamenteve të opozitës që do diskutohen gjatë seancës së të shtunës, z. Basha e quajti spekulim të pastër nga Kryeministri Rama se nuk do të ulen taksat me projektin e ri financiar që pritet të hyjë në fuqi në fillim të vitit të ardhshëm.
Kreu i Partisë Demokratike shpjegoi se 39 amendamentet e opozitës erdhën si pasojë e shqetësimeve të konstatuara nga mosmbajtja e premtimeve të bëra në fushatën elektorale të 23 qershorit nga Kryeministri Rama si dhe nga tryezat konsultative që opozita zhvilloi për katër ditë rresht me përfaqësues të biznesit në Shqipëri.
Lulzim Basha
“Këto amendamente janë hartuar mbi dy parime: së pari, interesi publik dhe ne jemi udhëhequr në këtë proces nga propozimet e ardhura nga grupet e interesit dhe qytetarët gjatë konsultimeve publike dhe mediatike të 10 ditëve të shkuara. Një detyrë qytetare që ne e bëmë dhe që qeveria e shpërfilli.
Këto amendamente përkojnë dhe me një parim tjetër, me premtimet elektorale të Edi Ramës, premtime që e sollën atë në pushtet në zgjedhjet e 23 qershorit. Premtimet dhe mbajtja e tyre për të cilat z. Rama nuk ka asnjë pendesë, pasi e tha edhe mbrëmë se do t’i realizojë të gjitha”, – deklaroi Basha.
Duke folur për amendamentet e opozitës dhe paketën financiare të qeverisë, kreu i PD-së bëri dhe një përmbledhje të premtimeve të pambajtura nga socialistët.
“Meqenëse qeveria ka harruar, ne me këtë rast po bëhemi zëri edhe i atyre votuesve të mashtruar për shëndetësi falas, legalizim falas, heqje të TVSH për ushqimet bazë të shportës, heqje të TVSH-së për energjinë familjare, heqje të taksës së qarkullimit të naftës për fermerët, sigurimit të ujit në çdo shtëpi dhe ofrimit të vaditjes e kullimit për çdo metër katrorë. E shumë të tjerave, por le ti marrim me radhë”, – citoi kreu i PD-së, Lulzim Basha. Amendamentet e opozitës pritet të hidhen për votim në seancën plenarë të së shtunës ku do të votohet nen për nen dhe në tërësi projektbuxheti i Shtetit për vitin 2014 si dhe paketa e ligjeve që e shoqëron. Dy ditë më parë Kryeministri Rama ka deklaruar në një intervistë televizive se mazhoranca nuk do të votojë amendamentet e opozitës.
Sinkrone të zbardhura nga PD në fjalimet e Ramës në fushatë
Premtimi i Edi Ramës: Do ta heqim taksën 20% për bukën, do ta heqim taksën 20% për qumështin, do ta heqim taksën 20% për vezën, për miellin, për vajin, për sheqerin dhe për orizin. Do t’i heqim).
Pjerin Ndreu: Legalizim i shtëpive në zonat informale do të bëhet falas.
Edi Rama: Unë dëshiroj që ky zotim i firmosur prej meje të vendosur këtu diku, në sytë e të gjithëve Pjerin Ndreu: Legalizim i shtëpive në zonat informale do të bëhet falas.
Edi Rama: Unë dëshiroj që ky zotim i firmosur prej meje të vendosur këtu diku, në sytë e të gjithëve.
Pjerin Ndreu: Legalizim i shtëpive në zonat informale do të bëhet falas.
Edi Rama: Unë dëshiroj që ky zotim i firmosur prej meje të vendosur këtu diku, në sytë e të gjithëve.
Edi Rama: Kemi një vizion tjetër dhe një sistem tjetër që duam të ndërtojmë. Ne shëndetësinë do e bëjmë falas.
Edi Rama: Ne do të investojmë 160 milionë dollarë për ujin në parcelë dhe për kullimin dhe do të luftojmë…
Edi Rama: Nafta bujqësore duhet të jetë me një çmim tjetër dhe ne për këtë arsye do të ulim menjëherë çmimin e naftës duke hequr akcizën, duke hequr edhe taksën e qarkullimit.
Shfaqet videoja ku premton vendosjen e kufirit për borxhin. Edi Rama: E para, ne duhet të përcaktojmë kufirin e borxhit dhe e dyta ne duhet të fillojmë menjëherë planin e punës dhe të fillojmë punën për ristrukturimin e borxhit.
“LSI, e mirëpritur t’u bashkohet amendamenteve të PD-së
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka deklaruar se është i hapur nëse LSI do t’u bashkohet amendamenteve të opozitës për mosrritjen e taksave ndaj biznesit të madh, kryesisht atij fason. Pak ditë më parë LSI mbështeti qëndrimin se taksa ndaj këtij biznesit duhet të rrijë në nivelin aktual, pra të mos e kalojë 10%.
“Nëse LSI ka vendosur t’i bashkëngjitet këtij amendamenti është e mirëpritur. Nëse ka vendosur ti bashkëngjitet pjesërisht, edhe kjo mundet por nuk kuptojmë arsyen pse duhet të diskriminohen punëdhënësit e afro 290 mijë të punësuarve të tjerë të cilët preken drejtpërdrejtë negativisht, dhe do të shkurtojnë vendet e punës nëse nuk miratohet amendamenti ynë”, – deklaroi z. Basha gjatë konferencës së djeshme të zhvilluar me gazetarët për amendamentet e opozitës lidhur me buxhetin e shtetit dhe paketën fiskale të qeverisë që pritet të votohet në Kuvend.
Deçani shpall “Qytetar Nderi” kryebashkiakun Lulzim Basha
Kryetari i Bashkisë Lulzim Basha shpallet “Qytetar Nderi” nga Komuna e Deçanit të Kosovës. Kryetari i Komunës, Rasim Semanaj, i ka përcjellë titullin me një mesazh urimi kryebashkiakut të Tiranës.
“Posa u mor vendimi për shpalljen tuaj ‘Qytetar Nderi’, urime! Deçani ndihet krenar që ju ka Ju ‘Qytetar Nderi’”.
Nga ana e tij, kreu i Bashkisë së Tiranës e konsideroi këtë një nder dhe respekt të jashtëzakonshëm për të personalisht dhe qytetarët e Tiranës.
Çmimi në Londër
Më herët në maj të këtij viti, kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, i është dhënë titulli i nderit “Qytetar i Lirë i Londrës” nga Lord Mayor Alderman Roger Gifford i cili është Lordi i 685-të në detyrë. Siç është thënë në atë ceremoninë e nderimit, është historikisht politikani më i ri që e merr këtë titull dhe shqiptari i parë që nderohet me këtë çmim në Londër. Basha iu dorëzua pllaka e njohur si “Liria e Londrës” ku janë gdhendur mjeshtërisht “Rregullat e qytetit” të cilat janë formuluar që në shekullin XVIII. Basha është qytetari i parë shqiptar që merr këtë titull honorifik kaq të rëndësishëm, me të cilin janë nderuar figura të shquara të jetës politike, diplomacisë, shoqërisë, kulturës botërore.
Nënkryetarja e Bashkisë së Londrës Baroness Borwick ka thënë: “Mendoj se ceremonia ishte vërtet e shkëlqyer dhe tregon rëndësinë që ka për të dy vendet interesat që të dy vendet ndajnë sa i përket biznesit, kulturës apo fushave e mundësive të tjera, ndaj mendoj se jemi shumë krenarë të mirëpresim kryebashkiakun e Tiranës, pjesëtarin më të ri “Qytetarit të Lirë të Londrës” dhe duke shpresuar që ai të shijojë qëndrimin në Londër pasi mendoj se ka punë të tjera dhe evente të tjera sociale që e presin, në emër të Kryetarit të Bashkisë së Londrës ne jemi shumë të kënaqur ta mirëpresim atë në “Qytetar i Lirë të Londrës”
ZYRTARE
Opozita dorëzon 39 amendamente në Kuvend, Sot pritet votimi, mazhoranca shprehet kundër
Kuvendi i Shqipërisë mblidhet sot për votimin nen për nen të buxhetit dhe paketës fiskale
Florenc Drizari
Grupi parlamentar i Partisë Demokratike depozitoi zyrtarisht në Kuvendin e Shqipërisë 39 amendamente për “Projektbuxhetin e shtetit për vitin 2014” dhe paketën fiskale të qeverisë. Më herët PD ka publikuar amendamentet e saj duke kërkuar që mazhoranca të reflektojë, ndërkohë që një ditë më parë kryetari i opozitës, Lulzim Basha, bëri të ditur se ato u bënë pjesë e Kuvendit të Shqipërisë dhe pritet të votohen këtë të shtunë. Paçka qëndrimit të opozitës, Kryeministri Edi Rama ka deklaruar në një intervistë televizive se nuk i pranon amendamentet e PD-së, duke i cilësuar ato si provokuese.
Amendamentet
Në tërësi amendamentet e opozitës kërkojnë që qeveria të tërhiqet nga ndryshimet në paketën fiskale si dhe të bëjë disa korrigjime në projektbuxhetin për vitin e ardhshëm. Gjatë tryezave të zhvilluara me përfaqësues të biznesit të vogël dhe të madh, vendas dhe të huaj si dhe me grupet e interesit për paketën financiare të qeverisë, opozita hartoi rreth 39 amendamente. Në këto amendamente kërkohet heqja e plotë e TVSH-se për energjinë elektrike për të gjithë qytetarët shqiptarë, rritjen e nivelit të të ardhurave për punonjësit me pagë deri në 300 mijë lekë të vjetra, mbajtja e pandryshuar e tatim fitimit për bizneset me xhiro më të lartë se 8 milionë lekë, me qëllim që biznesi dhe tregu shqiptar të jenë sa më konkurrues brenda dhe jashtë vendit, heqje reale e taksës së biznesit të vogël, dhe jo zëvendësim i saj me taksën e thjeshtuar të fitimit, dyfishim të investimeve të qeverisë për infrastrukturën vendore etj.
Nga ana e tij Kryeministri i vendit, Edi Rama, i ka cilësuar provokacion amendamentet e opozitës dhe ka shprehur se qëndrimi i mazhorancës në Kuvend do të jetë kundër. Amendamentet e Partisë Demokratike pritet të shqyrtohen në seancën plenare të së shtunës së bashku ne paketën financiare të qeverisë. Gjatë kësaj seance parashikohen debate mes përfaqësuesve të pozitës dhe opozitës, edhe për faktin se në seancën e kaluar ku paketa fiskale dhe projektbuxheti u miratuan në parim, palët replikuan ashpër mes tyre.
Amendamentet e opozitës të dorëzuara në Kuvend
Po ju paraqes në mënyrë të përmbledhur edhe amendamentet e tjera të Partisë Demokratike që do t’i propozojmë nesër në Kuvend.
1 -Heqja e plotë e TVSH-së për energjinë elektrike për të gjithë qytetarët shqiptare, për t’i ardhur në ndihmë veçanërisht familjeve në nevojë.
2 -Rritjen e nivelit të të ardhurave për punonjësit me pagë deri në 300 mijë lekë të vjetra, deri në atë masë sa të paktën të ruhet fuqia blerëse e cila kërcënohet nga humbjet që do t’u vijnë si pasojë e inflacionit, rritjes së taksës së naftës, rritjes së akcizave, taksës së banesave, etj.
3 -40 mijë lekë më shumë në muaj ose 500 mijë lekë në vit për mësuesit për të kompensuar humbjen edhe më të mëdha se kjo vlerë që do të vijnë si pasojë e inflacionit, rritjes së taksës së karburantit, rritjes së akcizës së pijeve alkoolike, duhanit, mallrave të tjera, taksës së banesës etj.
4 -Mos rritjen e taksës së propozuar për banesat e ndërtuara para vitit 1993. Pra mbajtjen e saj në të njëjtin nivel që e kemi lënë ne. Këto banesa në të shumtën e rasteve zotërohen nga persona me të ardhura jo të larta.
5 -Përjashtimi nga tatimi për të ardhurat për të rinjtë e sapopunësuar për 5 vitet e para, dhe për sipërmarrësit e rinj, nga mosha 18 deri në 25 vjeç.
6 -Mbajtja e pandryshuar e tatim fitimit për bizneset me xhiro më të lartë se 8 milionë lekë, me qëllim që biznesi dhe tregu shqiptar të jenë sa më konkurrues brenda dhe jashtë vendit. Të gjenerojnë vende të reja pune dhe të mos humbin ato që kanë aktualisht.
7 -Kthimin aty ku ishte pra në uljen 4 deri në 5 herë (sipas zonës gjeografike) të barrës së propozuar nga qeveria Rama-Meta për ambulantët anë e mbanë Shqipërisë, kërkojmë që të qëndrojë ne nivelet që është aktualisht.
8 -Pesëfishim të investimeve të shtetit për të gjithë fermerët shqiptare dhe gjithashtu kërkojmë që investimet ne infrastrukturën e ujitjes dhe kullimit te jene ne masën 40 milionë dollarë (1/4 e premtimit prej 160 milionë dollarësh ne 4 vitet e qeverisjes)
9 -Përjashtimin nga tatim-fitimi për industritë e reja agropërpunuese, për periudhën e 4-viteve të para të veprimtarisë së tyre, me qëllim që të stimulohet rritja dhe konkurrueshmëria e saj në tregun e brendshëm dhe rajonal.
10 -Rritje me 0.53% të PBB-së, për sektorin e arsimit, me qëllim që brenda mandatit qeverisës, arsimi të ketë një mbështetje buxhetore në masën 5% të PBB-se.
11 -Shpërblim fund-viti për çdo pensionist, të paktën sa gjysma e vlerës së pensionit mujor
12 -Ne kërkojmë pagë të 13-të për çdo punonjës të administratës shtetërore, duke rritur fondin e veçantë të pagave
13 -Tatim fitimi i thjeshtuar për sipërmarrësit e rinj, nga mosha 18-25 vjeç, të jete zero.
14 -TVSH-ja për shërbimet shëndetësore të jete zero, jo vetëm për ilaçet por të gjitha shërbimet shëndetësore, për ta bërë kështu të plotë dhe jo të cunguar, premtimin e Ramës për shëndetësi falas. Nëse ky amendament hidhet poshtë dhe kapërdihet mashtrimi edhe në aulën e Kuvendit, të paktën barra për kontributet për sigurimet shëndetësore për të vetëpunësuarit në fshat (fermerët) të bëhet zero, dhe jo të rritet 5 deri ne 8 herë siç propozon qeveria në paketën fiskale.
15 -Heqje reale e taksës së biznesit të vogël, dhe jo zëvendësim i saj me taksën e thjeshtuar të fitimit. Nëse jo, ulje e mëtejshme e tatim fitimit Do kërkojmë heqjen e kësaj pike, nga paketa fiskale për biznesin e vogël, deri në masën 5%, duke rritur kështu mundësinë e biznesit për të investuar, e krijuar vende pune. Ky ishte edhe një premtim elektoral i Ramës.
16 -Përjashtim nga tatim fitimi i sipërmarrësve që angazhohen të zbatojnë me korrektësi lejen koncesionare. Ndërkohë që me propozimin aktual tatohen me 15%.
17 -Sigurimin e pavarësisë së pushtetit lokal në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit, kartës të autonomisë vendore të Këshillit të Evropës për t’i mbledhur vetë të ardhurat. Kjo do te rriste përgjegjësinë dhe mirëqeverisjen e çdo njësie të qeverisjes vendore dhe cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve.
18-Për taksën e rritur të pronës të jetë pushteti qendror, dhe jo ai lokal, që të mbledhë “taksën mbi pasurinë e paluajtshme”, pasi rol kyç ne këtë proces ka edhe bashkëpunimi me ZRPP-ne, e cila administron dokumentacionin përkatës.
19- Dyfishim të investimeve të qeverisë për infrastrukturën vendore, të paktën 8 miliardë lekë për vitin 2014, për të mbështetur me investime sidomos zonat rurale e të prapambetura të Shqipërisë.
DETAJ
Edi Rama
“Ne nuk marrim parasysh asnjë amendament provokativ, aq më tepër të një opozite që ka mbetur peng e një plaku që i ka sosur kandili i arsyes. Shqiptarët e bënë të tyren dhe e larguan opozitën e sotme nga qeveria dhe e çuan shqiptarët në pension gjyshin që s’kishte më se çfarë t’u jepte shqiptarëve, përveç përrallave dhe s’kishte më asgjë më të mirë përveç borxheve ku i zhyti shqiptarët”, – ka deklaruar dy ditë më parë Kryeministri Rama në një intervistë televizive.
E Shtunë, 28 dhjetor, 2013
SEANCE PLENARE
1. Raport i Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin “Për verifikimin e mandatit të deputetëve të rinj”.
2. Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar”.
3. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9975, datë 28.7.2008, “Për taksat kombëtare”, të ndryshuar”.
4. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”.
5. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”.
6. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar”.
7. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 7928, datë 27.4.1995, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”, të ndryshuar”.
8. Projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr. 7811, datë 12.4.1994, “Për miratimin me ndryshime të dekretit nr. 782, datë 22.2.1994, “Për sistemin fiskal në sektorin e hidrokarbureve (kërkim-prodhim)”.
9. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”.
10. Projektligji “Për buxhetin e vitit 2014”.
11. Projektvendim “Për disa shtesa në vendimin nr. 48/2013 “Për caktimin e përbërjes së Komisioneve të Përhershme të Kuvendit” të ndryshuar.
12. Projektvendim “Për përcaktimin e masës së përfitimit financiar mujor për shërbimin e transportit të deputetëve”




