Anxhela Tato
Ekspertiza balistike nuk gjen gjurmë gishtash tek armët e zjarrit dhe as tek veshjet
Pamjet e kamerave të sigurisë, jo të qarta, nuk dallohen tiparet e babagjyshave të mbuluar me mjekër
Bllokohen hetimet e policisë për identifikimin dhe gjurmimin e babagjyshave grabitës. Burime nga blutë bëjnë me dije se nuk ka asnjë gjurmë identifikuese për grabitësit, të cilët saj një skenari të denjë për filma hollivudian, arritën të vidhnin 200 mijë euro në një argjendari në kat të dytë në qendrën tregtare “TEG”. Të vetmet prova fizike të mbledhura janë armët e zjarrit dhe teshat e gjetura në një kazan plehrash në zonën e Sanatoriumit. Nga ekspertiza balistike nuk është gjetur asnjë gjurmë gishti, çka konfirmon dyshimin se grabitësit kanë përdorur doreza. Ndërsa në rroba nuk janë gjetur materiale ADN-je që mund të ndihmonin në zbulimin e identitetit. Shitësja e argjendarisë nuk është e aftë që të jap një përshkrim të qartë të tipare të babagjyshave. Në presion e armës dhe frikës, shitësja e terrorizuar ka dhënë vetëm një përshkrim fizik për babagjyshat. Pamjet filmike të kamerave të sigurisë nuk janë të qartë duke e bërë shumë të vështirë dallimin e tipareve të katër babagjyshave, të cilët kanë qenë të maskuar me mjekër të bardhë të gjatë dhe syze të zeza. Janë shumë pak prova materiale në dispozicion të policisë, që të arrijnë në arrestimin e babagjyshave grabitës. Nga ana tjetër hidhet poshtë aludimi se kemi të bëjmë me të njëjtën bandë që realizoi grabitjen ën Fushë-Krujë. Ndonëse është një skemë e ngjashme veprimi me detaje të ngjashme nga mekanizmi, nuk janë të njëjtët operona. Ditën e mërkurë, një skenar i ngjashëm është përsëritur në qytetin e Prizrenit në Kosovë, ku tre “babagjysha” kanë hyrë në një argjendari dhe kanë tentuar të marrin floririn dhe të hollat. Pronarët kanë rezistuar dhe për pasojë dy persona janë plagosur. Pas kësaj ngjarje, policia shqiptare dhe ajo kosovare, kanë shkëmbyer provat, pasi ka dyshime se autorët janë të njëjtë me ata që grabitën argjendarinë në qendrën tregtare “TEG”, në qytetin e Tiranës. Por këto dyshime mbetet ende të pakonfirmuara dhe momentalisht hetimi ka ngecur.
Grabitja
Pamjet filmike të kamerave të sigurisë tregojnë katër persona të maskuar si babagjysha, të cilët ecnin qetësisht në qendrën tregtare. Njëri prej tyre është ndaluar nga një fëmijë i vogël, duke u detyruar që për një moment të kthehej në personazhin e babagjyshit. Ai ka përkëdhelur dhe ka uruar fëmijën. Mësohet se njëri prej rojeve private të qendrës tregtare ka ndaluar grupin e babagjyshave grabitës, duke i pyetur se me çfarë aktiviteti ndodheshin në TEG. Ata i janë përgjigjur se ishin thirrur në një festë që organizohej për fëmijët. Më pas grabitësit janë ngjitur në katin e dytë të qendrës tregtare, duke u drejtuar për tek argjendaria “Xhelozia”. Në momentin që janë futur brenda, pasi kanë uruar shitësen, kanë nxjerrë armët e zjarrit dhe i kanë kërkuar bizhuteritë, pjesa më e madhe e të cilave është flori. Ende nuk bëhet e qartë vlefta financiare e dëmit, por shuma përafërsisht mund të jetë nga 90-200 mijë euro. Ndërkohë që nga blutë është bërë i mundur vetëm ndërtimi i identikitit të autorëve nga pamjet filmike si dhe nga dëshmia e shitëses. Katër djemtë, me gjatësi mesatare, ishin veshur me bluzë dhe pantallona të kuqe. Ata mbanin një mjekër të bardhë dhe syze të errëta.
Ushqime kontrabandë
Prangosen 2 doganierë dhe 2 zyrtarë të policisë
Kalonin produkte ushqimore kontrabandë, arrestohet brenda në makinë doganieri. Mal Shahu ka rënë në pranga e bluve, teksa po tentonte të kalonte mallra të ndryshëm ushqimorë pa paguar tarifën doganore. Në pranga ka rënë edhe drejtuesi i automjetit, 36-vjeçari Nadir Shahu. Sipas njoftimit të Ministrisë së Brendshme, dy të arrestuarit janë kapur në segmentin rrugor Morinë – Kukës, në fugonin tip “Volkswagen” me targë AA 009 DN. Janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale mallrat kontrabandë, të cilët nuk kishin dokumentet përkatëse. Në ngarkim të dy të prangosurve rëndon akuza e kontrabandës nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore dhe transport mallrash kontrabandë. “Ndërkohë, pas kapjes së këtyre mallrave, policia ka arrestuar Izmir Cengun, me detyrë doganier pranë doganës së Morinit; Xhevit Veseli, me detyrë jurist i doganës së Morinit. Të dy këta persona kanë qenë në shërbim dhe dyshohet se kanë shpërdoruar detyrën gjatë veprimeve doganore për fugonin tip “Volkswagen” të drejtuar nga Nadir Shahu dhe që transportonte mallra kontrabandë. Hetime lidhur me këtë rast janë kryer edhe nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Ministrisë së Punëve të Brendshme”, – thuhet në njoftimin e ministrisë. Për këtë vepër penale në pranga kanë rënë edhe punonjësit e policisë k/inspektor Eduart Matmuja, me detyrë ndihmës kontrollor në Pikën e Kalimit Kufitar Morinë; inspektor Fitim Kordi, me detyrë ndihmës kontrollor në Pikën e Kalimit Kufitar Morinë. Ndaj tyre ekzistojnë dyshime të arsyeshme se kanë konsumuar elementët e veprës penale shpërdorimi i detyrës. Vazhdojnë hetimet për të dokumentuar plotësisht këtë veprimtari kriminale, ndërsa materialet e çështjes i kanë kaluar për veprime të mëtejshëm organit të Prokurorisë.




