Florenc Drizari
Ish-kryeministri: Një vizitë tek psikiatri është jetike për vendin, sepse vetëm një mendje e sëmurë mund të mashtronte SHBA-në
Kryeministri: Kumarxhi që e la Shqipërinë në borxhe të mëdha
Kuvendi i Shqipërisë miratoi në parim projektbuxhetin e shtetit për vitin 2014 si dhe paketën fiskale që e shoqëronte atë. Pas më shumë se 25 orë debatesh, paketa financiare e qeverisë u votua me 79 vota pro nga radhët e mazhorancës dhe 37 vota kundër nga përfaqësuesit e opozitës.
Seanca maratonë e diskutimeve u mbyll me debate e batuta mes ish-kryeministrit Berisha dhe kreut të qeverisë, Rama. Lideri historik i së djathtës, Berisha, e quajti buxhetin e qeverisë një rrezik për ekonominë e vendit dhe kërkoi që shumica të tërhiqej nga nismat e saj, ndërkohë që Kryeministri Edi Rama theksoi se njerëzve u duhet një qeveri që punon ditë natë për të bërë zgjedhjet e duhura jo për pushtetin e vet, por për popullin. Mes tyre pati edhe replika, ku z. Berisha iu drejtua Kryeministrit duke thënë se ai ka nevojë të vizitohet në psikiatri për të mirën e vendit, duke e lidhur këtë me disa nga vendimet e fundit të qeverisë, ndërsa z. Rama iu përgjigj se ai është një kumarxhi që e la Shqipërinë në borxhe të mëdha.
Edi Rama
“A jemi ne që kemi rritur borxhin apo ne thjesht jemi gjendur përpara një situate, që na është dashur ta legalizojmë borxhin? Ajo që kemi gjetur është njësoj si një shtëpi, e cila ka një borxh. Një borxh, të njohur karshi bankave apo karshi të tretëve, që rezulton në llogaritë e ekonomisë së familjes dhe që i bën të vetëdijshëm të gjithë njerëzit e familjes se ndërkohë që jetojnë në shtëpinë e tyre i kanë këto detyrime. Por, ndërkohë, shtëpia ka një kryefamiljar kumarxhi, i cili ikën dhe akumulon borxhe që shtëpia dhe familja nuk i dinë fare, duke hedhur në zare paratë dhe të ardhmen e familjes së vet. E, një ditë të bukur shtëpia gjendet përpara një trokitjeje. Hapet dera dhe sheh një karvan njerëzish që kërkojnë para”, – tha Rama.
Sali Berisha
Ish-kryeministri Sali Berisha nënvizoi se me këtë buxhet janë dyfishuar taksat, çmimi për kafen, naftën, çmimi për banesën, biznesi i vogël është rënduar më tepër. “Ju jeni në luftë kundër të gjithëve, kundër qytetarëve, në luftë fiskale kundër bizneseve, në varfëri dhe mjerim ndaj të gjithëve. Keni rritur taksat për 97% të shqiptarëve, duhet ulur TVSH-ja, sepse kjo është taksa që prek 97% të shqiptarëve. Ju po rrisni naftën, taksat për banesa. Ky është një buxhet që e përjashton Shqipërinë nga investimet”, – tha gjatë fjalës së tij Berisha.
Ridvan Bode
Ndërkohë që, në emër të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, ish-ministri i Financave, Ridvan Bode, deklaroi se me paketën e re fiskale qytetarët do të paguajnë më shumë, do të taksohen më shumë. Karburanti do të taksohet më shumë për 84 milionë dollarë. Pagat përtej përfitimit të vogël do pësojnë një rritje të taksimit të përgjithshëm të tyre prej 13 milionë dollarë. Akciza mbi cigare e pijet alkoolike do të rritet taksimi me 4 milionë dollarë. Taksa e banesave dhe e pronës do të pësojë rritje prej 5 milionë dollarë. “Taksimi progresiv dëmton ekonominë, do të ketë 100 milionë dollarë më pak investime në krahasim me 2013-ën. Niveli i investimeve publike do të bjerë në nivelin e 5 % të PBB”, – shtoi Bode.
Nga ana e tij, ministri i Financave Shkëlqim Cani deklaroi se buxheti i vitit 2014 nuk është buxhet krize, por një paketë optimiste. “Ky është buxheti më i madh në historinë e Shqipërisë, është buxheti i kthesës së madhe, me sytë nga qytetari dhe biznesi”, – shtoi ministri Cani.
DETAJE
Berisha
Në të gjithë karrierën time si President dhe si Kryeministër, kam ruajtur standardet më normale të shpenzimeve se kushdo tjetër. Në udhëtimin e parë në Nju Jork, ka fjetur (Rama) në një hotel me katër mijë dollarë. S’kam fjetur kurrë në hotel më shumë se 750 dollarë. Aty janë faturat. Asnjë nga stafi im s’ka udhëtuar me biznes. Manari i tij, sugari Fuga, udhëton gjithmonë me biznes ngjitur me atë. T’i krahasojmë kur të dojë. As më ka peshuar dhe as do më peshojë kurrë qoftë edhe me një qindarkë. Ky është standardi im.
Rama
Kur ka vizituar Nju Jorkun, delegacioni i mëparshëm ka marrë nga paratë e shtëpisë 51 937 dollarë. Kur delegacioni ynë vizitoi Nju Jorkun, mori vetëm 13 162 dollarë, domethënë 38 775 dollarë më pak; kur delegacioni paraardhës vizitoi Londrën mori nga poshtë jastëkut 9243 dollarë. Kur delegacioni ynë vizitoi Londrën, mori 1157 dollarë më pak; kur delegacioni paraardhës vajti në Bruksel i kushtoi shtëpisë së përbashkët 6399 dollarë, ndërsa kur ne shkuam në Bruksel, morëm vetëm 2333 dollarë. Dhe e dini se sa është diferenca vetëm për 3 udhëtime, mes këtyre dhe nesh, 43 998 dollarë.
Debatet dhe batutat në Kuvend mes Berishës, Ramës e Metës
Arben Ahmetaj: 720 milionë dollarë është gropa për borxhin e përafërt me atë të Sudes e Xhaferit.
Sali Berisha: Ky që foli para meje, kontrollon Canin, se e konsideron një lloj matufi dhe nuk ndan besim plotësisht.
Edi Rama: Në fund të fundit, kësaj lirie të rikthyer Parlamentit duhet t’i paguajmë edhe një çmim dhe çmimi dihet. Çmimi dihet dhe unë do ta përkufizoja, për këdo që na bën ta paguajmë këtë çmim, me fjalët e Shekspirit te “Komedia e Gabimeve”: “Mjer ti, që gjuha të është bërë oratorja e turpit tënd!”
Sali Berisha kërkon fjalën
Ilir Meta: Z. Berisha nuk ju ka përmendur. Vetëm një emër ka përmendur që nuk është në këtë sallë.
Sali Berisha: Kur anëtarët e Këshillit të Ministrave kërkojnë të flasin pas mbylljes së diskutimeve që në çdo seancë dhe parlament të botës, diskutimet mbyllen pas diskutimit të kryetarëve të grupeve, mund të flasin, por debati rihapet nga e para!
Ilir Meta: Ju dhatë interpretimin tuaj, unë do jap interpretimin tim.
Sali Berisha: Nuk ka ndodhur në këtë Parlament që pasi të kenë folur kryetarët e grupeve, të flasin qeveritarët.
Ilir Meta: Nuk mbaj mend që diskutimi i projektbuxhetit në parim të mos jetë mbyllur nga Kryeministri si përfaqësues e mazhorancës dhe të mos jetë hapur nga Kryeministri.
Sali Berisha, Ramës: Bëre mirë që fole për Hamletin, sepse rëndom quhesh Edi Drama, ndaj dhe unë kam kohë t’i bëj thirrje shqiptarëve – ti mund të recitosh ç’të duash, por një vizitë tek psikiatri është jetike për vendin, sepse vetëm një mendje e sëmurë mund të mashtronte për dy muaj rresh administratën amerikane.
Ilir Meta: Mos harroni që janë Krishtlindjet sot, ë.
Edi Rama: Por, besoj që nuk na takon ne ajo që i takon opozitës, që them se duhet të sillet si çdo familje e përgjegjshme, që kur plakut të shtëpisë i soset kandili i arsyes nuk e lë të dalë nga shtëpia, që të dalë vërdallë nëpër lagje edhe të tmerrojë gjithë lagjen.
Sali Berisha kërkon fjalën për replikë.
Ilir Meta: Po të ishte për rregullore do të ishte përjashtuar 1/3 e diskutantëve për fjalët e përdorura.
Sali Berisha: Dy fjalë kam unë.
Ilir Meta: Ki parasysh që janë Krishtlindjet.
Sali Berisha: Është i pafe, s’ka besim ai (Ramës), ndërron çdo gjashtë muaj besimin.
Ilir Meta: E kam për qytetarët.
Sali Berisha: E kam për atë unë (Ramën). Në një akt tremujor diskreditoi Shqipërinë para botës, bllokoi statusin e vendit kandidat, po shndërron financat publike në një piramidë gjigande, e cila do ta zërë atë të parin brenda dhe çdo qytetar shqiptar do të vuaj. Ndaj, ky qëndrim bën jetike tezën time të domosdoshme. Ai duhet të vizitohet.
Piro Lutaj: Shko e vizitohu ti.
Votimi i ligjeve dje në Kuvendin e Shqipërisë
Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9975, datë 28.7.2008, “Për taksat kombëtare”, të ndryshuar”.
78 pro
37 kundër
Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”.
79 pro
34 kundër
abstenim 1 Ardian Turku
Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar”.
79 pro
36 kundër
Projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr. 7811, datë 12.4.1994, “Për miratimin me ndryshime të dekretit nr. 782, datë 22.2.1994, “Për sistemin fiskal në sektorin e hidrokarbureve (kërkim-prodhim)”.
78 pro
37 kundër
Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”.
Projektligji “Për buxhetin e vitit 2014”
79 pro
37 kundër
Kërkesë e grupit parlamentar të Partisë Demokratike “Për ngritjen e komisionit hetimor të Kuvendit për të kontrolluar zbatimin e legjislacionit në fuqi për administrimin e bazës së të dhënave shtetërore tatimore”.
35 pro (Tom Doshi)
76 kundër (Mhill Fufi)
Projektvendim “Për ngritjen e nënkomisionit “Për çështjet e të miturve, barazisë gjinore dhe dhunës në familje në përbëje të Komisionit të Përhershëm për Punën,Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë”.
108 vota pro
1 kundër (Mhill Fufi)
Projektvendim “Për një ndryshim në vendimin nr. 48/2013 “Për caktimin e përbërjes së komisioneve të përhershme të Kuvendit”.
Fatmir Mediu kalon anëtar tek Komisioni i Ligjeve nga Komisioni i Jashtëm
Kuvendi miraton në parim paketën fiskale
Përfaqësues të mazhorancës dhe opozitës në Kuvend, si dhe anëtarë të kabinetit qeveritar u përfshinë në një seancë maratonë debatesh prej dy ditësh lidhur me ndryshimin e sistemit të taksave në Shqipërisë. Deputetë të mazhorancës, duke u shprehur në mbështetje të paketës fiskale, theksuan se nëpërmjet ligjeve të kësaj pakete do të ulen taksat për shumicën dërrmuese të shqiptarëve.
Kryetari i Komisionit për Ekonominë dhe Financat, Erjon Braçe, tha se aplikimi i taksës progresive mbi të ardhurat do të sjellë përfitime të ndjeshme për 177 mijë edukatorë, mësues, mjekë, infermierë, policë, ushtarakë etj. Ndërkaq, Braçe vuri në dukje se rreth 80% e sipërmarrjes shqiptare do të përfitojë nga heqja e taksës mbi biznesin e vogël dhe reduktimi i tatimit në 7,5% për të. Nga ana tjetër, opozita këmbënguli në qëndrimin e saj se në fakt qeveria po i ngre taksat.
Deputeti demokrat dhe ish-ministri i Financave, Ridvan Bode, tha se përfitimet e pretenduara nga aplikimi i taksës progresive dhe uljes së tatimeve të tjera, zhbëhen nga rritja e taksave të tjera, si akciza për karburantet që do të sjellë rritje të kostove të transportit dhe për rrjedhojë do të ndikojë në rritjen e çmimeve për produktet dhe shërbimet e ofruara.
Meta, takim me gazetarët, diskutohet rregullorja për akreditimin e mediave
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, zhvilloi një takim me gazetarë dhe përfaqësues të medias që mbulojnë institucionin e Kuvendit. Takimi kishte në fokus diskutimet mbi rregulloren për akreditimin, akomodimin dhe orientimin e masmedieve në Kuvend. Fillimisht, Meta u uroi të gjithëve festën e Krishtlindjeve e veçanërisht gazetarëve që do të pasqyrojnë këtë ditë të gëzueshme.“Përpara se të nisim diskutimet, unë do të doja t’iu uroja për festën e Krishtlindjeve, që janë një festë shprese, një festë gëzimi dhe mbarësie besoj për të gjithë qytetarët shqiptarë. Edhe ju keni një punë të jashtëzakonshme sot, gjatë natës dhe nesër për të pasqyruar këtë festë të gëzueshme”, – tha ai.Më tej, Kryetari i Kuvendit falënderoi përfaqësuesit e media për punën dhe angazhimin e tyre për të pasqyruar punimet e Kuvendit në mënyrë të vazhdueshme. Meta theksoi se puna e medias i shërben transparencës dhe është një detyrim për të rritur ndjenjën e përgjegjësisë dhe të llogaridhënies së Kuvendit dhe çdo parlamentari në raport me qytetarët e vendit dhe me votuesit dhe taksapaguesit.




