Bashkia e Tiranës Treg alternativ, nëse çmimet do të rriten në mënyrë abuzive gjatë festave

0
166

Bashkia e Tiranës tashmë e ka një zgjidhje, hapjen e menjëhershme të një tregu në qendër të Tiranës, ku do të ofrohen produkte ushqimore, si dhe marrjen e masave urgjente për të gjithë ata tregtarë që do të verifikohen se do të abuzojnë me pozicionin e tyre dhe me çmimet për qytetarët e Tiranës

 

TREGU CMIMET 24_2Një task-forcë e ngritur nga Bashkia e Tiranës ka nisur monitorimin e tregjeve, për t’i prerë rrugën rritjes abuzive të çmimeve, me rastin e festave. Nisur nga përvoja e suksesshme e dy viteve të mëparshme, kur ndërhyrja e Bashkisë bëri të mundur që qytetarët të kryenin pazaret e fundvitit me çmime normale, nënkryetari i Bashkisë, Enno Bozdo, drejtori i AMK-së, drejtori i Policisë Bashkiake dhe përfaqësues të AKU-së ishin në tregun e njohur si ai i Pazarit të Ri. Bozdo shprehu vendosmërinë e Bashkisë për të marrë të gjitha masat e nevojshme për t’i prerë rrugën rritjes abuzive të çmimeve. “Edhe këtë vit, Bashkia e Tiranës ka ngritur task-forcën për monitorimin e përditshëm të tregut ushqimor, të tregut të shumicës dhe pakicës, të grafikut të çmimeve në festat e fundvitit. Krahas Policisë Bashkiake, drejtorisë së Tatim-Taksave të Bashkisë së Tiranës, Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit që luan një rol kryesor, ne kemi edhe mbështetjen edhe të Agjencisë Kombëtare të Ushqimit, duke dhënë shembullin e një bashkëpunimi të pushtetit qendror me pushtetin vendor. Në mënyrë të përditshme do të monitorojmë çmimet, siç kemi filluar të bëjmë tashmë dhe do t’i publikojmë ato në faqen e internetit të Bashkisë së Tiranës, në faqen e AMK-së dhe do t’ua dërgojmë të gjitha mediave të specializuara, në mënyrë që qytetarët të jenë të informuar në kohë reale mbi lëvizshmërinë e çmimit. Për të gjithë tregtarët të cilët në mënyrë abuzive kanë ndër mend të ngrenë çmimet në fund të vitit, u bëjmë me dije se Bashkia e Tiranës tashmë e ka një zgjidhje, hapjen e menjëhershme të një tregu në qendër të Tiranës ku do të ofrohen produkte ushqimore si dhe marrjen e masave urgjente për të gjithë ata tregtarë që do të verifikohen se do abuzojnë me pozicionin e tyre dhe me çmimet për qytetarët e Tiranës”, – theksoi Bozdo.

 

Fishekzjarret

“Krahas çmimeve, Bashkia do të monitorojë edhe tregtimin e fishekzjarrëve, për t’i paraprirë çdo efekti negativ që mund të sjellë tregtimi i lëndëve plasëse, të rrezikshme në jetën dhe pronën e qytetarëve. Nga ana tjetër, prej ditësh tashmë, kemi vendosur edhe për monitorimin e lëndëve plasëse që paraqesin rrezikshmëri në mënyrën e përdorimit të tyre, me pak fjalë të fishekzjarrëve të cilët kthehen në një shqetësim për qytetarët e kryeqytetit. AMK bashkë me strukturat tona ka në monitorim 4 pikat kryesore të tregtimit të këtyre produkteve të rrezikshme nëse nuk manovrohen në mënyrën e duhur. Këto 4 pika janë: Tregu Çam, pika ku ndodhemi aktualisht (tregu tek sheshi “Avni Rustemi”), tregu tek Medreseja dhe pak më tutje, tregu tek “Stacioni i Trenit”. U bëjmë thirrje ndërkohë edhe organeve qendrore që t’i bashkëngjiten aksionit tonë, organeve të specializuara qendrore, në mënyrë që të bllokohen që në hyrjen e kufirit të Shqipërisë, të gjitha materialet eksplozive, të tipit fishekzjarr që janë të rrezikshme për përdorim civil dhe në mënyrë jo profesionale. Nga ana tjetër, u bëjmë thirrje tregtarëve që do të monitorojmë në veçanti kushtet e tregtimit të tyre, sigurinë, kartën teknike që shoqëron produktin si dhe mënyrën se si ai tregtohet”, – përmendi nënkryetari i Bashkisë. Ndërhyrja e autoriteteve të Bashkisë dy vitet e fundit ka bërë që shumë tregtarë të mos abuzonin me çmimet, ndërkohë që janë kontrolluar tërësisht tregjet e fishekzjarreve.

 

Jo ndryshimit

 ERE: Gjatë 2014-ës nuk do të rritet çmimi i energjisë

Përgjatë 2014-ës çmimi i energjisë elektrike nuk do të ndryshojë. Enti Rregullator i Energjisë ka bërë me dije se ka vendosur që tarifat e energjisë elektrike nuk do të ndryshojnë për vitin 2014. Sipas ERE-s, rishikimi i tyre do të bëhet pas vitit 2014. Vitet e fundit çmimi i energjisë elektrike na ndryshuar disa herë, duke bërë që të ardhurat nga pagimi i faturave të rriten. Në bazë të tarifave aktuale të ERE-s, çmimi mesatar i energjisë elektrike është 9.53 lekë/kWh. Për konsumatorët familjarë, për bllokun e parë deri në 300 kWh, çmimi është 7.7 lekë/kWh. Për bllokun e dytë mbi 300 kWh/orë çmimi rritet në 13.5 lekë/kWh. Për klientët në tensionin e ulët, tarifat variojnë nga 7.6 në 16.1 lekë/kWh. Për klientët të furnizuar në 35 kv, çmimet janë nga 8.5 në 9.75 lekë/kWh. Synim në fushën e energjetikës gjatë vitit 2014 do të jetë modernizimi i rrjetit të shpërndarjes dhe ndërgjegjësimi i shoqërisë për pagimin e faturave të energjisë elektrike. Në krahasim me vitet e mëparshme, ka një rritje të numrit të familjeve, të cilat kanë filluar të paguajnë energjinë dhe vetëm një pjesë ende qëndrojnë jashtë sistemit të pagesave.

 

 

Marrëveshja

 Praktika profesionale do të zhvillohet në të gjitha bankat në Shqipëri

 Nxënësit e shkollave të mesme profesionale do të mund të zhvillojnë praktikat në bankat e vendit. Kjo u arrit falë një memorandumi bashkëpunimi të nënshkruar nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë me Shoqatën e Bankave të Shqipërisë. Qëllimi i këtij memorandumi është vendosja e formave të bashkëpunimit që konsistojnë në aktivitete të përbashkëta, për realizimin e praktikave dhe zhvillimin profesional të nxënësve të arsimit profesional. Memorandumi i bashkëpunimit u nënshkrua nga ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, dhe kryetari i Shoqatës së Bankave të Shqipërisë. Ministri Veliaj tha se me buxhetin e ri qeveria shqiptare i ka rritur me 220% fondet për formimin profesional dhe arsimin profesional. “Jam shumë i lumtur që bankat do të kthehen edhe në shkolla sepse do të jenë vendi ku studentët e arsimit profesional do të kalojnë një pjesë të kohës. Ne besojmë se sistemi dual gjerman është sistemi më i mirë që i ka rezistuar krizës ekonomike, ku njohuritë teorike në shkollë kombinohen me praktikën në një vend pune”, – u shpreh Veliaj. Memorandumi i nënshkruar synon mbështetje të nxënësve që ndjekin institucionet e arsimit profesional publik, për kryerjen e praktikave profesionale. Gjithashtu, synohet krijimi i lidhjeve ndërmjet institucioneve të arsimit profesional publik dhe bankave anëtare të Shoqatës Shqiptare të Bankave. Nëpërmjet praktikave profesionale do t’u jepet mundësia nxënësve që të zbatojnë njohuritë e tyre në një mjedis të vërtetë pune.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency