Mbaron “epoka e artë” e Made in Albania, bie eksporti i mineraleve

Ervin Kaduku

 

parda-er-shpk.1Tendenca nxjerr në pah strukturën e paqëndrueshme të eksporteve tona, që janë tepër të varura nga shitja e pasurisë kombëtare të papërpunuar jashtë vendit…

Për periudhën janar – nëntor 2013, kompanitë shqiptare kanë shitur jashtë vendit rreth 224 miliardë lekë, me një rritje prej 15% në krahasim me të njëjtën periudhë, duke ngadalësuar ritmet e rritjes për herë të parë gjatë këtij viti dhe duke dhënë sinjalet e para se eksportet mund të mos kenë një prirje kaq pozitive vitin e ardhshëm. Për 10-mujorin, eksportet ishin rritur me 16% me bazë vjetore. Të dhënat bëhen të ditura nga INSTAT-i.

Materialet e ndërtimit kanë vijuar prirjen e tyre rënëse, ndërkohë që grup-mallrat “Minerale, lëndë djegëse e energji” si dhe “Tekstilet e këpucët” kanë vijuar me ecurinë e tyre pozitive, ndonëse eksportet e mineraleve, lëndëve djegëse e energjisë kanë ngadalësuar ndjeshëm ritmet e rritjes, duke dhënë ndikimin kryesor në ecurinë më të ngadaltë të eksporteve në total.

Eksportet e “Minerale, lëndë djegëse e energji” u rritën me 31% për janar – nëntor 2013 (nga rreth 35% që ishte rritja për 10-mujorin), duke arritur në 91 miliardë lekë dhe duke përbërë zërin kryesor të eksporteve vendase, me rreth 40% të totalit. Prej dy vitesh ky grup-mall po rritet me shpejtësi, si rrjedhojë e eksporteve të larta të naftës nga kompania “Bankers Petroleum”. Megjithatë, ritmet e rritjes së këtij grup-malli u ngadalësuan për 11-mujorin, duke nxjerrë në pah strukturën e paqëndrueshme të eksporteve tona, që janë tepër të varura nga shitja e pasurisë kombëtare të papërpunuar jashtë vendit.

Eksportet e tekstileve dhe të këpucëve kanë vijuar me prirjen pozitive të këtij viti, pas rënies prej rreth 4% me bazë vjetore vitin e kaluar. Për periudhën janar – nëntor 2013, ato u rritën me 11.5% në rreth 64 miliardë lekë, duke përbërë 29% të totalit të eksporteve dhe duke përmirësuar vazhdimisht ritmet e rritjes përgjatë muajve të fundit. Shtimi i porosive nga partnerët italianë, që po largohen nga Kina dhe Lindja e Mesme, në përpjekje për të qenë më eficientë, ka ndikuar në përmirësimin e sektorit të fasonit, ku rritjen më të madhe po e shënojnë eksportuesit e këpucëve.

Eksportet e materialeve të ndërtimit e metaleve ranë me 13% me bazë vjetore në 32 miliardë lekë për periudhën janar – nëntor. Që nga maji, ky grup-mall ka njohur vetëm rënie, kryesisht si rrjedhojë e performancës negative të tullave drejt Kosovës dhe çelikut.

 

 Konfindustria, kundër objektivave të paketës fiskale, dëmtojnë biznesin

 

Pas shqyrtimit të hollësishëm të projektbuxhetit 2014 dhe në konsulencë me partnerët institucionalë ndërkombëtare të saj, Konfindustria ka përgatitur paketën me propozimet e kërkesat e saj zyrtare drejtuar qeverisë dhe Kuvendit.
Paketa me propozimet e Konfindustrisë për projektbuxhetin 2014 paraqitet si me poshtë:
1- Të ardhurat nga miradministrimi fiskal ne buxhetin 2014 të parashikohen më të larta se parashikimi në të paktën 100 milionë $.

2- Heqjen e ndarjes kategori biznes i madh/i vogël mbështetur në xhiron 8 milionë lekë për efekt tatimfitimi. Shtrirjen e TVSH-së për bizneset deri në nivelin e 2 milionë lekë/vit xhiro.

3- Ruajtjen e tatimfitimit 10% për sektorët e biznesit, që punojnë në kushtet e konkurrencës së lirë.

4- Zbatimin e tatimfitimit progresiv deri në 20% për bizneset e sektorëve, që punojnë në kushtet e tregjeve të mbyllura/rregulluara me licenca, koncesione etj.

5- Zbatimin e tatimit progresiv 20-30% për dividendin për bizneset e sektorëve të ekonomisë, që punojnë në kushtet e tregjeve të mbyllura/rregulluara(burime natyrore, monopole, oligopole etj.).

6- Heqjen e 2-fishimit për taksen e banesave, për qellim biznesi për vitin 2014.

7- Tatimi progresiv mbi 10% (-20%) të shtrihet vetëm mbi pagat 4 milionë lekë/muaj.

8- Të mos preket vlera e taksës së tashme të karburantit të qarkullimit të makinave.

9- Të nxitet formalizimi i bujqësisë me mbështetje fiskale për rimbursimin e: -TVSH-së (prodhime, teknologji, makineri), -akcizës së naftës, -subvencione për prodhimin.

10- Të shmangen të gjitha pengesat fiskale për krijimin e tregut të përbashkët Shqipëri-Kosovë.

Sipas Konfindustrisë, kërkesat e paketës fiskale janë të domosdoshme për garantimin e të gjitha objektivave makroekonomike të parashikuara në PB 2014.

“Kërkesat krijojnë kushtet për ruajtjen e fuqisë tërheqëse të vendit për investimet e vendit dhe sidomos të huaja, japin mundësi të prekshme për rritje më të lartë ekonomike, tregojnë seriozitet përballë institucioneve ndërkombëtare me mundësi për rritjen e mbështetjes financiare, hedh themelet e luftës sistematike ndaj evazionit dhe korrupsionit fiskal, ndalojnë largimin e paarsyeshëm të parave të shqiptarëve jashtë vendit, nxisin përdorimin me efektivitet të pasurive natyrore dhe nuk krijojnë trysni shtesë për prekjen e mirëqenies së qytetarëve”, – thekson Konfindustria.

 

 

Dështon Cani, nuk merr dot 40 milionë euro hua

Ministria e Financave nuk ka arritur që të sigurojë likuiditetin e kërkuar në euro, teksa ka arritur që të shesë diçka më shumë se gjysmën e obligacioneve dyvjeçare në euro.

Sipas kërkesës, në ankandin e organizuar në 24 dhjetor nga Banka e Shqipërisë, shuma e shpallur për shitje në ankand ishte 40 milionë euro, me një kupon indikativ prej 4.4%.

Kjo është hera e parë që financat dolën në shitje me obligacione dyvjeçare në euro. Në këtë mënyrë financat synonin të bënin rifinancimin (roll over) e bonove njëvjeçare me obligacionin 2-vjeçar, ndërkohë që planifikonin të merrnin dhe 22 milionë euro para të re për të financuar deficitin buxhetor.

Por rezultatet e ankandit duket se i kanë prishur planet e financave. Shuma e kërkuar nga pjesëmarrësit në ankand (14 kërkesa konkurruese) ishte rreth 25 milionë euro dhe po kaq ishte dhe shuma e pranuar. Ndërsa kuponi i kërkuar ishte 4.65%, më i lartë se kuponi indikativ që shpallën në fillim financat. Kuponi i pranuar ishte i njëjtë me atë të kërkuar, prej 4.65%.

Interesi i bonove të thesarit në lekë, tjetër minimum historik, zbret në 3.62%

Banka e Shqipërisë ka shitur të martën në ankand 13.4 miliardë lekë bono thesari me afat maturimi 12 dhe 6-mujor.

Yield-i i bonove ka vijuar sërish zbritjen, duke arritur në një tjetër minimum historik, teksa ka ndjekur të njëjtën tendencë me politikën monetare të Bankës së Shqipërisë, që një javë më parë uli normën bazë në 3%.

Për bonot 12-mujore, shuma e shpallur për shitje ishte 8.9 miliardë lekë dhe kërkesa 8.3 miliardë lekë, që u pranuan të gjitha. Yield-i mesatar i ponderuar zbriti në 3.62%, nga 3.71% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm.

Për bonot 6-mujore, shuma e shpallur për shitje ishte 5.2 miliardë lekë dhe kërkesa 5.09 miliardë lekë, që u pranuan të gjitha. Yield-i mesatar i ponderuar zbriti në 3.39%, nga 3.49% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm.

 

Emigrantët në ethe themelimi biznesesh private

Emigrantët shikojnë në fillimin e një biznesi privat mundësi punësimi për vete dhe familjen. Sidomos në familjet që vijnë nga vendet jugore në biznesin privat ndihmon e gjithë familja.

Makineritë dixhitale të printimit janë në aktivitet të plotë. “Druckwelle” është një kompani e vogël që e kanë krijuar Sara Mohammadi dhe Mehdi Farsad para rreth një viti në lagjen e Bonit Beuel. Një histori suksesi që ka filluar në Turqi: Iraniania dhe Farsadi, i cili gjithashtu është me orgjinë nga Irani po jeton në Bon, u njohën në një festë në Stamboll dhe ranë në dashuri. Sot janë të martuar dhe punojnë bashkë në një dyqan fotokopjesh.

“Sara ishte mjaft e suksesshme në Iran dhe drejtonte një repart të një firme të madhe, – tregon Mehdi Farsad gjithë krenari. – Këtë gjë në Iran e arrijnë pak gra”. Po Sara e la karrierën e saj për të dhe erdhi në Gjermani për të filluar një jetë në Bonn.

Ata e hapën biznesin në dhjetor 2012. Ata ofrojnë printime dixhitale në të gjitha variantet, kartëvizita, broshura, kalendarë dhe postera. Brenda disa muajsh ata kanë fituar mjaft klientë si zyra të vogla projektimi dhe kompani të mëdha si “DHL” dhe “Deutsche Telekom”. Po ashtu shumë ekipe nga Boni printojnë tek “Druckwelle” bluza dhe broshura.

“Ishte një vit i mirë, – tregon Sara Mohammadi, – madje ne kemi fituar më shumë sesa kishim planifikuar.”

 

Dyqani si shans

Sipas studimeve të Institutit për Studimin e Tregut të Punës dhe të Profesioneve (IAB) në Nuremberg dhe të Universitetit të Hanoverit emigrantët hapin në Gjermani po aq shpesh firma sa edhe vendasit. Një ndër 20 emigrantë e ndërmerr një hap të tillë. Madje, emigrantët që vijnë nga vendet evropiane në perëndim dhe veri të Gjermanisë hapin në Gjermani firma edhe më shpesh se gjermanët.

Hapja e dyqanit të fotokopjeve ishte e vetmja mundësi për Sarën që të punonte në profesionin e saj thotë Mehdi Farsad. Sara Mohammadi qesh dhe tregon se në fillim e pati të vështirë se nuk dinte gjermanisht. Tani ajo di aq mirë gjermanisht sa bisedon edhe me klientët.

Përveç problemeve të gjuhës për një emigrant që sa vjen në Gjermani është shumë e vështirë për të gjetur një punë të kualifikuar, thotë Mehdi Farsad. “Unë do të thosha në fushën e mediave, është pothuajse e pamundur”. Tregu është i mbushur dhe të duhen kontakte të mira dhe rrjete. Mehdi Farsad ka punuar për shumë vite si teknik reklamash. Kur humbi vendin e punës dhe nuk po gjente vend tjetër e kuptoi se hapja e një firme private ishte një shans për të dhe të shoqen që të vazhdonin të ishin të suksesshëm në profesionin e tyre.

Sipas studiuesve të tregut të punës dhe të profesioneve emigrantët shikojnë në fillimin e një biznesi privat shanse më të mira për të bërë karrierë se sa gjermanët. Po ashtu në shumicën e rasteve diplomat e huaja në Gjermani nuk njihen, dhe prandaj firmën private të huajt e shohin si mundësi për të punuar në profesionin që kanë mësuar.

 

E gjithë familja jep një dorë

Jürgen Zanders, punonjës pranë Dhomës së Tregtisë dhe të Industrisë në Bon, ka qenë konsulenti i Sara Mohammadi dhe Mehdi Farsad. Ai tregon se sidomos në familjet që vijnë nga vendet jugore në biznesin privat ndihmon e gjithë familja. “Gjyshja jep 10.000 euro, motrat dhe vëllezërit ndihmojnë gjithashtu me para – pra në njëfarë mënyrë të gjithë ndihmojnë për biznesin privat”.

Edhe Sara Mohammadit dhe Mehdi Farsadit u kanë ndihmuar financiarisht familjet e tyre, por më e rëndësishmja ishte përgatitja e planit të biznesit dhe kërkesa për kredi në KfW, sepse me gjithë ndihmën financiare nga familja, atyre u duhej të merrnin një kredi.

Por jo të gjithë kanë sukses me biznesin e tyre privat, thotë Jürgen Zanders, punonjës pranë Dhomës së Tregtisë dhe të Industrisë në Bonn. Çdo vit p.sh. hapen 4000 biznese të reja private, por njëkohësisht mbyllen edhe 3000 të tilla.

Firma “Druckwelle” në Bon do që vitin e ardhshëm ta shtojë ofertën dhe madje të ofrojë edhe produkte online. Sara Mohammadi thotë: “Dyqanin e kam si fëmijën. Dua patjetër të vazhdoj.”

Share it :