Telnis Skuqi
Disa ditë më parë, një banesë karakteristike në lagjen “Varosh” në qytetin e Gjirokastrës, në jug të vendit, për pak sa nuk u shkrumbua plotësisht, pavarësisht se zjarrfikësit u ndodhën në kohë në vendngjarje. “Objektet tona po rrezikohen vetëm nga etja për të zgjeruar ambientet e banesave, duke harruar standardet e sigurisë, ndërsa personat përgjegjës tregohen indiferent për kaosin e krijuar së fundmi”.
Disa ditë më parë, një banesë karakteristike në lagjen “Varosh” në qytetin e Gjirokastrës, në jug të vendit, për pak sa nuk u shkrumbua plotësisht, pavarësisht se zjarrfikësit u ndodhën në kohë në vendngjarje. “Zjarrfikësit u treguan heroikë, pasi po të ishte për banorët e zonës, sot ky objekt do të ishte thjesht një kujtim fotografik”, – shprehet Agron D., inxhinier elektrik.
“Objektet tona po rrezikohen vetëm nga etja për të zgjeruar ambientet e banesave, duke harruar standardet e sigurisë, ndërsa personat përgjegjës tregohen indiferent për kaosin e krijuar së fundmi”, – shprehet Agroni, i cili hedh sytë nga rrugët e ngushta.
Ai kujton se përpara viteve 1990, të gjitha rrugët ishin të gjera dhe me trotuare, ndërsa tani kemi objekte me shumicë dhe rrugë me pakicë.
“Mbrojtja e vlerave kombëtare është parësore, sidomos në pjesën e sipërme të qytetit të Gjirokastrës”, – thotë Spartak Drasa, drejtori Rajonal i Kulturës Kombëtare, në qarkun jugor. Drasa pohon se disa muaj më parë, Gjirokastra ishte ndarë nga informaliteti, veçanërisht në zonën muzeale, por në fillim të muajit qershor, u vu re ringjallja e objekteve pa kriter.
“Qindra objekte pa kriter janë shfaqur si kërpudhat pas shiut në qytetin jugor, ku janë “zaptuar” disa zona muzeale ”, – pohon Drasa.
Nga ana tjetër, burime zyrtare nga zyra rajonale e ALUIZNI-it pohuan për ATSH-në se ky institucion prej disa vitesh nuk ka dhe nuk do të shqyrtojë asnjë objekt pa leje, të ndërtuar pranë zonës muzeale. “Në tri rrethet e Qarkut të Gjirokastrës, janë vetëdeklarur 2134 ndërtime pa leje, prej të cilave; 460 në Përmet, 474 në Tepelenë dhe 1200 të tjera në Gjirokastër”, – bëjnë të ditur burimet nga ALUIZNI. Referuar atyre, në Qarkun e Gjirokastrës ekziston vetëm një zonë informale në Komunën e Lazaratit, 3 kilometra larg Gjirokastrës, ku ndodhen 164 objekte, me një sipërfaqe prej 75 hektarë. Agron Doraci, arkitekt, shprehet se “vendosja e një statusi të qartë për zonën muzeale, do të jetë pozitive për zhvillimin urban”. Doraci thotë se ka banesa karakteristike, të cilat kanë nevojë për rikonstruksion, por jo për zgjerim.
“Në qoftë se objekti ndryshon strukturë, atëherë kemi të bëjmë me degradim të tij, pasi është cenuar ansambli historik”, – thotë Doraci. Ai beson se zona muzeale ka mundësi t’i mbijetojë shkatërrimit, pasi ky qytet, me vlera të rralla historike dhe muzeale, nuk dëmtohet nga kalimtarët, por nga “nxitimi” për të hequr qafe vlerat që ai ka.
Sipas Doracit, tragjedia e 9 nëntorit të vitit 2009, ku humbën jetën tre të pafajshëm, për shkak të shembjes së pallatit pesëkatësh, në lagjen “11 Janari”, tregoi më së miri se rreziku i banorëve gjirokastritë nuk vjen nga frika e shembjes së objekteve monumentale, por nga ndërtimet pa kriter.




