Galeria Kombëtare e Arteve hap nesër në mbrëmje ekspozitën kolektive “Elozhe dyshimit”. Bëhet fjalë për çmimet “Onufri XX”, për të cilën është bërë dhe përzgjedhja përfundimtare për këtë edicion. Ky konkurs është i vetmi që ka “fituar” statusin e organizimit nga Ministria e Kulturës dhe që organizohet çdo vit nga GKA. Nga përzgjedhja e këtij viti, janë punët e 12 artistëve nga vende të ndryshme, pas shqyrtimit të 130 aplikimeve që nga koha e hapjes së konkursit. “”Elozhe dyshimit”, propozuar nga kuratori italian Claudio Cravero për këtë edicion të ri të “Onufrit”, hulumton disa nga praktikat dhe temat e reja artistike që ndërmerren në ditët tona, duke treguar lidhjet e tyre me situatën e sotme politike, si një pasqyrë e dyshimit tonë të vazhdueshëm. Në veprat e përzgjedhura dyshimi shfaqet si diçka që pashmangshmërisht na prek të gjithëve. Në nivel social, sidomos në dekadën e fundit, për brezin e ri (të lindur mes viteve 1970 dhe fundviteve 1980) dyshimi është kthyer në një ndjenjë bazë, një instinkt vital që i tregon këtij brezi rrugën që duhet ndjekë”, – njoftohet mbi idetë e kuratorit që shkon me “elozhe” e tij. Duke e konsideruar këtë botën e sotme si një gjest të ëndrrës për ndryshim, si utopi të zënë mat, dhe në këtë gjendje pezull çfarë mbetet sqarohet se reflekton gjendja këmbëngulëse e dyshimit, si ndodhi e të tashmes. Artistë si Driton Selmani (dtl. 1987, Kosovë), Endri Dani (dtl. 1987, Shqipëri) dhe Irgin Sena (dtl. 1982, Shqipëri, jeton në Nju Jork) janë “në mes të rrugës” mes një dëshire për të krijuar dhe ndërtuar për vendin e tyre, dhe një ndjenje zhgënjimi nga premtimet e shkuara për ndryshime sociale e kulturore. “E megjithatë, në këtë epokë globale të hiper-fleksibilitetit dhe hiper-shpejtësisë artistë nga Shqipëria deri në Kosovë, por edhe nga Egjipti deri në Itali, po ndërmarrin qasje të reja për të përballur të tashmen e ditëve tona. Rëndësi të veçantë nuk ka dhe aq mediumi (teknika) e përdorur, sesa kërkimi i thellë për kuptim”, – vështrohet koncepti i kuratorit në njoftimin për median.
Jasmina Metwaly (dtl. 1982, Poloni, jeton në Egjipt), Alban Muja (dtl. 1980, Kosovë), Ivi Top (dtl. 1985, Shqipëri, jeton në Francë) dhe Marzia Migliora (dtl. 1972, Itali) janë të ndarë në mes nga një epokë revolucionare dhe politike që duket se nuk i shpie shumë larg: kjo epokë edhe në të shkuarën nuk rrëmon (në kuptimin e nostalgjisë për atë që iku), por as nga e ardhmja nuk sheh.
Kjo mungesë e perspektivave afatgjata influencohet nga “gjurmë të padukshme” nga e kaluara. Diktatura të shkuara apo forma të ndryshme politikash të dhunshme, edhe pse janë pjesë të historisë, duket se lëvizin e dallgëzojnë nën sipërfaqe.
“Disa nga dyshimet që dalin në pah nga “Elozhe dyshimit” përbëjnë një lloj “zone të lirë”, ku gjendja e artistit sot duhet patjetër të mbrohet si një hapësirë e padhunueshme polivalente dedikuar transformimit dhe lirisë”. Ky lloj “imuniteti” sqaron dhe qartësinë artistike në tekstet e Ergin Zaloshnjës (dtl. 1979, Shqipëri), Flaka Halitit (dtl. 1982, Kosovë, jeton në Gjermani) dhe në vizatimet e Elton Kores (dtl. 1981, Shqipëri). Në këtë këndvështrim, edhe instalacionet nga Py Verde (dtl. 1981 Itali; 1986 Francë; ata jetojnë në Belgjikë) dhe videoja e Silva Agostinit (dtl. 1979, Shqipëri, jeton në Gjermani) sugjerojnë një vend të nënshtruar nga një seri tensionesh dhe forcash. Në një ceremoni publike bëhet e ditur se në datë 30 janar 2014 në Galerinë e Arteve do të jepet çmimi “Onufri” për vitin 2013.




