Gëzim Saliu
Qindra qytetarë dhe anëtarë të shoqërisë civile para Piramidës kundërshtojnë sistemin fiskal
Qindra qytetarë i janë përgjigjur dje thirrjes për të marrë pjesë në protestën e zhvilluar para Piramidës kundër paketës fiskale dhe projektbuxhetit të qeverisë. Ashtu siç paralajmëruan dy ditë më parë në tryezën e organizuar nga opozita për debatin e taksave, shoqëria civile organizoi protestën kundër rritjes së çmimit të jetesës për të gjithë qytetarët. Në këtë protestë, e cila ngjasonte me atë të organizuar në nëntor të këtij viti kundër armëve kimike siriane, si organizatorët ashtu edhe pjesëmarrësit, bënë të qartë se kundërshtia e tyre ndaj paketës fiskale nuk kishte ngjyrime politike. Ndërkohë, përgjatë gjithë zhvillimit të protestës, kreu i qeverisë, Rama, nuk ishte i pranishëm në zyrë, pasi zhvilloi në të njëjtën kohë mbledhjen e grupit parlamentar socialist, ku temë kryesore e diskutimit ishte pikërisht paketa fiskale dhe projekt buxheti i vitit 2014.
Protesta
Një pjesë e mirë e qytetarëve ishin mbledhur që në 11:30 para Kryeministrisë, duke iu përgjigjur thirrjes për protestë kundër paketës fiskale të qeverisë e ndërkohë një pjesë tjetër gjendej në sheshin para Piramidës. Në mungesë të informacioneve të detajuara u desh ndërhyrja e organizatorëve për të bërë të mundur bashkimin e protestuesve, duke u bërë të ditur qytetarëve që ishin mbledhur para godinës së Kryeministrisë se protesta do të zhvillohej para Piramidës. Pasi dy grupet u bashkuan, protesta nisi me fjalimin e organizatorëve dhe përfaqësuesve të Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorit, të cilët ishin të njëjtët që u ngritën kundër demontimit të armëve kimike siriane në Shqipëri. Protestuesit, kryesisht përfaqësues të shtresave me më pak të ardhura, u shprehën njëzëri kundër rritjes së çmimit të karburantit, rritjes së moshës së daljes në pension, rritjes së akcizës për disa mallrat e përditshëm të konsumit si dhe taksës për një banesë të dytë. Krahas fjalës së organizatorëve të protestës, të cilët theksuan kundërshtinë tyre për paketën fiskale, në protestë morën fjalën edhe pjesëmarrës të ndryshëm. Pensionistë, studentë, minatorë apo fermerë bënë thirrje që protesta të bëhet edhe më e fortë kundër rritjes së taksave. “U tall me popullin, u tall me të gjithë ne, me gjithë Shqipërinë”, – tha një i moshuar pjesëmarrës në protestë. Ndërkohë, një tjetër protestues, përfaqësues i pensionistëve, theksoi: “Diskriminuese për ne, për familjet tona, për fëmijët tanë, që nesër do të tatohemi edhe më shumë. O Kryeministër, çfarë kujton se ky popull është budalla?” Ndërkohë, një prej organizatorëve të protestës, i cili ka marrë pjesë më parë edhe në protestën mbarëqytetare kundër armëve kimike deklaroi se shoqëria civile është kundër rritjes së taksave. “Kjo është protesta e 97 e shqiptarëve që nuk përfitojnë nga rritja e taksës së karburantit nga taksat e tjera dhe rritja e moshës së pensionit”, – tha Vehap Kola, një prej iniciatorëve të faqes në Facebook, “1 milionë shqiptarë kundër armëve kimike”. Në përfundim të protestës, organizatorët paralajmëruan një tjetër tubim të shtunë e ardhshme, ditën që Parlamenti do të votojë buxhetin dhe paketën fiskale për vitin e ardhshëm. “Protesta e radhës do të zgjasë maratonë pa ndalesë përgjatë kohës që do të votohet buxheti nga dt. 28-29 dhjetor para Parlamentit! Merrni masa se do ta kalojmë ditë-natën aty në të ftohtë, me sa shoh”, – bëri të ditur kreu i ZMK-së, Altin Goxhaj.
Kundërshtitë e shoqërisë civile
– kundër rritjes se taksave për naftën (dhe për pasojë për të gjitha produktet), për shtëpitë, kafenë, duhanin
– kundër rritjes së moshës së pensioneve
– kundër rritjes së sigurimeve shoqërore për fshatin
-kundër dyfishimit të taksës për shtëpitë e dyta
Protesta
Basha: Jemi në krah të qytetarëve
Kreu i PD-së, Lulzim Basha, bëri të ditur dje se opozita mbështet çdo protestë të grupeve të ndryshme shoqërore që shprehin shqetësime për paketën fiskale të qeverisë. “Partia Demokratike mbështet fuqishëm çdo organizim dhe çdo protestë të çdo segmenti të shoqërisë civile, profesionistëve, të bizneseve, të pensionistëve, të cilët kanë shqetësime të ligjshme për paketën fiskale dhe buxhetin e propozuar. Ju e dini që Partia Demokratike po organizon një luftë të fortë opozitare për të mundësuar ndryshimet në këtë paketë dhe tërheqjen nga propozimet e rrezikshme që e shtyjnë vendin drejt një krize ekonomike. Padyshim këto shqetësime që kanë të bëjnë me faktin që çdo shqiptar me buxhetin e 2014 do të paguajë më shumë, dhe se jo vetëm që nuk do të ketë vende të reja pune por do të rrezikohen edhe ato ekzistuese, kanë mbështetjen e plotë të Partisë Demokratike. Pra i mbështesim fuqimisht këto protesta dhe natyrisht kur Partia Demokratike të organizojë protesta do ta bëjë këtë në mënyrë të hapur dhe me thirrje të hapura”, – tha Basha.
Rrëfimi i ish-kryeministrit
Berisha: Imami është fajtori, i vodhi “Dhjetorin” Ramës
Ish-kryeministri Sali Berisha ka rrëfyer dje në rrjetin social “Facebook” arsyet që sipas tij, Rama festoi 8 Dhjetorin, Ditën e Rinisë. Me anë të një shkrimi të titulluar, “Imami është fajtori, i vodhi “Dhjetorin” Ramës!”, Berisha theksoi se ngjarjet e dhjetorit të vitit ‘90 e ndjekin Kryeministrin aktual si hije. Duke sjellë në vëmendje episode që sipas Berishës dëshmojnë urrejtjen e Kryeministrit Rama ndaj deputetit Arben Imami, ish-kreu i qeverisë shqiptare theksoi: “Rama, ato ditë, bëri përpjekje të hapura për të kthyer Artet kundër PD-së. Në një takim të organizuar për këtë qëllim në sallën e Akademisë së Arteve, ai u kërkoi studentëve dhe pedagogëve të mos mbështesin PD-në. Mbas ndërhyrjeve energjike të Arben Imamit dhe të ndjerit Vangjush Furxhiu salla u kthye kundër Edi Ramës dhe Artet mbetën një nga bastionet më të forta të PD-së. Fill mbrapa, ai organizoi refleksionet në të cilat shante njëlloj PPSH dhe PD. Më vonë, nga fillimi i shkurtit ‘91, ne zhvilluam një takim me intelektualët e Tiranës, në një nga sallat e Bibliotekës Kombëtare. Në këtë takim paraqitëm platformën tonë, po shkonim drejt zgjedhjeve, kërkuam mbështetjen e intelektualëve. Z. Rama u ngrit nga fundi i sallës, kritikoi dhe sulmoi haptas qëndrimet tona dhe insistoi për një qëndrim radikal deri në dhunë ndaj regjimit. Së bashku me z. Imami iu përgjigjëm se ne ishim të përcaktuar kundër dhunës dhe gjakderdhjes dhe marrjes pushtetit me dhunë. Unë jam i bindur se një nga meritat kryesore historike të PD-së qëndron në shmangien e konfliktit civil dhe gjakderdhjes në shoqërinë më të indoktrinuar dhe polarizuar të Evropës. Rama mbeti i izoluar dhe në tërësi intelektualët mbështetën qëndrimin tonë”. Në këtë kontekst, Berisha rrëfen edhe bashkëbisedimin me një ish-studente të Arteve, e cila ishte ftuar pak javë më parë nga Kryeministri Rama në takimin me mjekët që punojnë jashtë. “Këto ditë, në një koment të postuar në “Facebook”-un tim, Elda më shkruan: “Përshëndetje Doktor dhe urime, pas 23 vitesh Rama më së fundi u bë dhjetorist, u bashkua me ne, festoi edhe ai 8 Dhjetorin”. Më poshtë ajo vazhdon se shkaku i vërtetë i këtij akti bizar nuk qëndron tek respekti që ai ka për dhjetoristët e aq më pak dhjetorin, muaj të cilin Rama e urren në pafundësi. Unë jam ish-studente e Ramës dhe e kam njohur atë në Tiranë, por më afër në Paris. Rama, pohon Elda, nga ditët e dhjetorit mbeti i plagosur rëndë. Ato katër ditë të paharruara të dhjetorit ‘90, që u bënë dhe ditët më të veçanta të jetës sonë, nuk ishin të tilla për Edin. Jo. Ato ishin ditë tersi të vërtetë për të. Unë e di se ju mund të mendoni se ato ishin ditë skëterre për të, sepse humbi pushtetin e etërve. Jo, jo, Doktor, nuk është ashtu, sepse ai vetë, ato ditë për ngadhënjimin e tij, do të ishte dakord t’i piqte ata në furrë. Ato ishin dhe mbeten ditët më të zeza të jetës së tij, sepse në vend të tij, protagonist për Artet dhe botën e arteve, nuk u bë ai, nuk ishte ai që do të dilte si një ndër liderët e lëvizjes së atyre ditëve, por ishte dikush tjetër, një pedagog i tij, Arben Imami. Ajo që të mungon, të verbon më shumë se çdo gjë tjetër. Ramës i mungon Dhjetori. Ai është dhjetorist pa Dhjetor”, – bën të ditur Berisha komentin e saj, duke theksuar se këto deklarata bëjnë edhe më të besueshme po të kemi parasysh akuzat dyvjeçare të Ramës ndaj Imamit për pronat, trafikimin e armëve, përgjimet, tokat, tenderat e Ministrisë se Mbrojtjes.





