Shenjtëria e administratës publike

Ermal Shehu

 

Pak ditë më parë, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë rrëzoi aktin normativ të mazhorancës për shtyrjen e ligjit “Për nëpunësin civil”, pas ankesës që u bë nga opozita. Ky ligj në thelb bën të mundur garantimin e të drejtave civile të nëpunësve, gjithashtu detyron punëmarrësit t’i zbatojnë ato. Nëpunësve shqiptarë padyshim që ky lajm duhet t’u tingëllojë mirë në vesh, por si shtetas të këtij vendi natyrshëm u lind e drejta për të qenë skeptikë sa i përket zbatueshmërisë së këtij vendimi të gjyqësorit. Në fakt, qytetarët nuk kanë pse të mos mendojnë se kjo do të jetë flluska e sapunit të radhës, që pret “të lajë duart” edhe me këtë vendim. Kjo, pasi në këto 23 vjet demokraci shqiptarët kanë parë aq shumë shtrembërime e përdhunime të ligjit e vendimeve të gjyqësorit, saqë krahasuar me to, kjo moszbatueshmëri mund t’u duket normale. Qartësisht i dukshëm në sytë e opinionit publik ishte kundërshtimi që mazhoranca qeverisëse i bëri këtij vendimi. Madje, disa nga zërat kryesorë të saj çuan arsyetimin deri atje sa të shpreheshin se Gjykata Kushtetuese qenka ende nën ndikimin e Berishës. Doli pra edhe një herë në skenën e politikës së llogjeve parulla “e famshme” që i parapriu “Rilindjes”: “Fajin e ka Saliu”. Nëse për një çast supozojmë si të vërtetë ndikimin aktual të ish-Kryeministrit mbi gjyqësorin, si qytetarë dhe dëshmitarë të këtij vendi që prej 23 vjetësh tranzicioni demokratik, kur ky ndikim të ketë përfunduar, nuk kemi pse të mos mendojmë se dikush tjetër do ta zërë këtë “post influent” mbi drejtësinë. Padyshim që statusi i nëpunësit civil, përveçse ishte një nga kushtet për marrjen e statusit kandidat për në BE, do të rezultonte për nëpunësit shqiptarë frymëmarrja e tyre e lirisë. Kjo do të bënte të mundur shkëputjen përfundimtare të administratës publike nga politika, gjë që edhe pse ishte një nga premtimet e programit “Rilindje”, nuk i pengoi hartuesit e saj që si premtim ta shkelnin të parin. Fillimisht, duke shtyrë zbatimin e ligjit për t’u ndier të lirë në nisjen e spastrimeve të administratës nga militantët e zëvendësimin e tyre po me militantë, por të një ngjyre tjetër. Është evident fakti i hidhur se kjo hakmarrje e përjetshme e shqiptarëve për shqiptarët, edhe kësaj radhe nuk mori fund, por përkundrazi bëri t’i hapen edhe një herë shoqërisë edhe më të mëdha plagët e të kaluarës së errët. A do të mbarojë ndonjëherë ky mohim absolut i së shkuarës në Shqipëri kur në pushtet vjen tjetri?! Në fakt, shenjat e deritanishme të politikëbërjes nga “etërit” nuk japin shpresë se kjo e mirë shpejt mund të arrihet. Kjo ndodh sepse në vendin tonë askush nuk ka pranuar sukseset e tjetrit. Askush nga politikanët nuk ka thënë se do të eci në rrugën që la paraardhësi, përkundrazi e ka mohuar atë plotësisht në vlera. Të prirë nga këto parime politike egoiste, shtetarët tanë tradicionalisht kanë rënë në kundërshtim me ligjin gjatë periudhave të tyre qeverisëse dhe në tentativë për shpëtim nga pasojat, kanë nxjerre ligje të reja ose kanë shtyrë zbatueshmërinë e tyre. Këto veprime arbitrare nuk kanë bërë gjë tjetër veçse kanë agravuar përherë situatat dhe pamjen e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Në këtë kuadër votimi i ligjit “Për nëpunësin civil” si edhe zbatimi i tij, jo paqëllim për vendin tonë u paraqit nga ndërkombëtarët si një nga kushtet për marrjen e statusit të kandidatit për në BE. Nëse ky ligj do të zbatohej rigorozisht, do ta shkëpuste administratën civile por edhe gjithë shoqërinë shqiptare, një herë e mirë nga llogoret që politika i ka detyruar të futen. Pasi që prej andej asaj mund t’i shërbejnë më mirë e që në këto llogore popullin e kanë futur jo se e kanë mahnitur me fjalimet e tyre “brilante”, po ngaqë e kanë vënë përpara kërcënimit të urisë. Këtë e kanë bërë pasi e kanë gjetur si të vetmin mjet për t’i mbajtur njerëzit të mbërthyer në errësirën që ata ofrojnë, me debatet e tyre demagogjike të pafundme të shfaqura në media. Nëse nuk je me ne, je kundër nesh! Kjo parullë ka mjaftuar ngaherë për të përligjur spastrime të çdo lloji. Këto e kanë bërë popullin tonë ndër vite të heshtë. E kanë detyruar atë të dëgjoje me “ëndje” dhe duartrokas çdo lloj sharlatani që historia i ka servirur. Mazhoranca e sotme qeverisëse pati shansin të zbatonte këtë të mirë që BE ia propozoi Shqipërisë, e që për të ajo (mazhoranca), pas shumë “hallakatjesh”, mezi kapërdiu të ishte së paku bashkëfirmëtare. Padyshim që kjo do të ishte ndër arritjet më të madha për shoqërinë shqiptare, do t’i hapte rrugën perfeksionimit të administratës, karrierës, do të rriste konkurrencën e ndershme, do të simulonte mendimin e lirë, do të reduktonte servilizmin si parim ekzistencial në vendin tonë dhe natyrshëm do ulte ndjeshëm korrupsionin. Të gjitha këto pjesë të një programi, që qeveria e tanishme i paraqiti në letër kur u kërkoi shqiptarëve votën për të qenë e tillë, por që as që ka ndërmend t’i zbatojë kur tenton të pengojë zbatimin e një ligji që në thelb i përmbledh en block. Edhe një herë tjetër Shqipërisë do t’i duhet ta fillojë rrugën nga e para, do t’i duhet të prishë prapë atë çka u bë me mund, për të ndërtuar po të njëjtën gjë, duke lënë kështu në vend numëro rrugën drejt progresit të premtuar. Kjo pasi politikanët tanë kanë zgjedhur që në kurriz të popullit, historia t’i gjykoje veprat e tyre si të shpikura dhe ideuar krejtësisht nga ata. Nuk kemi pse të mos e besojmë këtë, kur shumë prej këtyre liderëve ua shprehin shqiptarëve me zë, se janë aty për të hyrë në histori. Duket se, nuk e kanë të qartë se rruga drejt historisë nuk kalon nëpërmjet fjalimeve të bukura, se nuk hyhet në histori duke e “ngopur” popullin me lugë bosh, por nëpërmjet veprimeve konkrete që ndikojnë në mirëqenien popullore e që në shumë raste kalojnë nga vendimmarrje të vështira politiko-publike për vendet e tyre (tek ne një ndër to, ligji për statusin e nëpunësit civil) . Përballë kësaj morie mosveprimesh politike konkrete ne dëm të qytetarëve, populli për të mirën e vet duhet tu thotë ndal me të gjitha mjetet demokratike qe disponon. Sot në 2013, pas 23 vitesh demokracie transitive, sinjalet mosbesuese ndaj politikës së limituar vetëm te parullat dita ditës po shtohen, bashkë me dyshimin në radhët e shoqërisë civile e mendimit të lirë qytetar, por gjithsesi ato ende mbeten të vakëta. Për të mirën publike të Shqipërisë, nuk na mbetet gjë tjetër, veçse të shpresojmë dhe të punojmë, që dyshimi i sotëm të jetë fillesa e reagimit konkret të nesërm.

 

 

Share it :