Paketa fiskale Rama: Nuk përmbyset Shqipëria nga rritja e çmimit të karburantit me 10 lekë

Gëzim Saliu

 

Rama zbardh sistemin e taksave: Rritja e çmimit të naftës i shërben edhe shëndetit publik për të lëvizur më shumë në këmbë

 

Rama me nacutRritja e çmimit të karburantit me 10 lekë nuk do të ketë ndikim në përkeqësimin e kushteve të jetesës së shqiptarëve. Në një bashkëbisedim me qytetarët në zonën e Liqenit Artificial, Kryeministri Rama, i shoqëruar nga ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj, dhe nga ai i Mjedisit, Lefter Koka, bëri të ditur dje detaje të paketës fiskale dhe ndikimit të saj në shoqëri. Duke marrë shkas nga kritikat e shumta të opozitës, por së fundmi edhe të shoqërisë civile për rritjen e çmimit të karburantit, Rama tha dje se qeveria nuk do të lejojë që kjo rritje të ketë ndikim në jetën e qytetarëve. Madje, kreu i qeverisë theksoi se kjo taksë do të dekurajojë lëvizjen e qytetarëve me makina dhe si rrjedhojë, sipas Ramës, do të ketë impakt në pastërtinë e mjedisit. “Tërësisht e pavërtetë që rritja prej 10 lekësh që ne i bëjmë taksës së qarkullimit, do të sjellë rritje të çmimeve të ushqimeve, rritje të përgjithshme, mbytëse të çmimit të jetesës është e pavërtetë. Nuk mund të themi se u përmbys Shqipëria, për 10 lekë që shtohen jo vetëm që nuk ka asnjë impakt të drejtpërdrejtë për çmimet, por përkundrazi, këto shtohen për të financuar shërbimin ndaj qytetarëve, për një mjedis më të pastër, sepse kjo është një taksë e vendosur qysh në krye të herës dhe një taksë që nga vendet normale i shërben ndotjes së mjedisit, uljes së trafikut në qytete dhe shëndetit publik dhe nuk shkon si barrë në xhepat e atyre që nuk marrin makinën për të bërë xhiro në bulevard apo në distanca të shkurtra brenda qytetit. Por, shkon në xhepat e atyre që kanë një mundësi të kenë një makinë dhe është botërisht e njohur që është një taksë që dekurajon lëvizjen me makinë në qytet dhe kjo në të mirë të shëndetit publik, që të lëvizin më shumë në këmbë apo mjete të tjera, dhe këtë e bën gjithë bota dhe mos e bëkemi dot ne”, – tha Rama. Sipas kreut të qeverisë është e domosdoshme të racionalizohet taksa e makinës. “Jemi bërë populli që kemi dyfishuar peshën trupore nga mungesa totale e lëvizjes. Imagjino lëvizjen e pensionistëve, fëmijëve që duhet të lëvizin në këmbë dhe nuk lëvizin dot dhe që sot janë shumica, dhe gjithë bota normale, këtë taksë bota normale dhe shoqëria normale nuk e kanë kontestuar kurrë. Nuk është taksa e që e kemi vendosur ne, ne vetëm shtojmë 10 lekë”.

 

Takimi

 

Në bashkëbisedimin me qytetarët, kreu i ekzekutivit, ashtu si dy ditë më parë, shpjegoi se sa do të ndikojë në xhepat e tyre sistemi i ri fiskal. Sipas Ramës, janë të pavërteta pretendimet se vendi me sistemin e ri fiskal do të përfshihet nga një apokalips. “Kjo është një përpjekje e dëshpëruar për të mjegulluar pamjet e publikut për një sërë ndryshimesh rrënjësore, në kulturën e qeverisjes, në qasjen ndaj qeverise dhe ekonomisë dhe financave, ekonomisë familjare dhe ekonomisë kombëtare, në kurajën e qeverisë, për ta parë në sy realitetin që na e kanë lënë ata që deri dje e zhytën Shqipërinë në borxhe, në papunësi, në varfëri, e vërteta është tërësisht ndryshe”, – u shpreh Kryeministri. Në këtë kontekst ai bëri të ditur se parimi bazë i sistemit të ri fiskal do të jetë “kush fiton më shumë, paguan më pak, kush fiton më pak, paguan më pak taksa”. “Në asnjë mënyrë nuk do të rritet në përmasën që ishte. Ishe në letra 10%, por në fakt kompanitë e dinë shumë mirë që për xhepat e korrupsionit dhe nën shkopin e arbitraritetit paguanin më tepër. Mesatarja e tyre ne fund të vitit ishte 22%. Në realitet edhe për kompanitë do të ulet barra, pas do t’ju hiqet barra e korrupsionit”, – u shpreh Kryeministri lidhur me taksimin mbi sipërmarrjen e madhe.

 

Taksimi mbi biznesin, Rama: Do të paguajnë 60 milionë dollarë në vit

Në takimin me qytetarët, Kryeministri Rama iu përgjigj indirekt edhe shqetësimeve të shprehura nga biznesi i madh lidhur me rritjen e tatimfitimit ku tha se ato do të përfitojnë më shumë me sistemin e ri fiskal. “Ne kemi marrë përsipër të shlyejmë një borxh shumë të madh, borxhet ndaj kompanive, jo se kemi dëshirë që tu japim lekë biznesmenëve, porse kompanitë janë ato që janë të lidhura me zinxhirë, janë ato që krijojnë vende pune dhe këto kompani do të paguajnë për të gjithë shtëpinë, përmes rritjes së tatimit të fitimit, rreth 60 mln dollarë në vit dhe do marrin mbrapsht në formën e shlyerjes së borxheve rreth 400 milionë dollarë, drejtpërdrejt. Dhe këtë shlyerje borxhesh si do e bëjmë ne, falë marrëveshjes që kemi bërë se nuk mund të rëndojmë familjen tonë. Ka ikur koha kur biznesit i rrinte qeveria me taksa si me shkop mbi kokë”.

 

Shërbimi shëndetësor falas: Me taksat dhe paratë e atyre që do të paguajnë më shumë

Një tjetër çështje, e cila ka ngritur një debat të madh mes mazhorancës dhe opozitës është edhe ajo për premtimin e PS-së për shërbim shëndetësor falas. Lidhur me këtë, kreu i qeverisë bëri të ditur dje se të ardhurat për të mundësuar shërbimin pa pagesë direkte do të bëhet e mundur nga mbledhje e taksave dhe nga paratë e atyre që me sistemin e ri do të paguajnë më shumë. “Ne jemi duke shkuar drejt shërbimit shëndetësor për të gjithë pa pagesë direkte, pra falas, por e kemi thënë se ky shërbim u kushton dhe sigurisht që ky paguhet. Çështja është se kush do e paguajë dhe si do e paguajë një njeri i papunë? E pra ta paguajë shteti, por me çfarë do e paguajë? Me të ardhurat që mbledh dhe sigurisht në kontributin me të ardhurat kush ka më shumë do japë më shumë se ku është parë që një furrë buke të paguajë më shumë se një fabrikë? Jo, nga 1 janari do jetë ndryshe”.

 

 

Në shtëpinë e Lidhjes së Prizrenit

 Nënshkruhet sot kontrata për linjën e interkonieksionit Shqipëri-Kosovë

 Kosova dhe Shqipëria do të nënshkruajnë sot në orën 14:00 kontratën për linjën e interkonieksionit 400 kV Shqipëri-Kosovë. Në ceremoninë, e cila do të mbahet në shtëpinë e Lidhjes së Prizrenit, marrin pjesë ministrat respektivë nga Shqipëria dhe Kosova, si dhe përfaqësues te KfW-së dhe Ambasadës Gjermane. Nënshkrimi i kontratës vjen vetëm pasi tri ditë më parë qeveria shqiptare miratoi ndërtimin e linjës së interkonieksionit 110 kV Kukës (Shqipëri) – Prizren (Kosovë). “Rritja e sigurisë së sistemit shqiptar dhe kosovar. Kjo ndikon në një fare mase edhe në sigurinë e sistemit rajonal të interkonieksionit. Realizimi i një uljeje të kostove të operimit të sistemeve të të dyja vendeve, si rrjedhojë e operimit dhe bashkërendimit të përbashkët nëpërmjet kësaj linje. Kjo linjë ndihmon në optimizimin afatshkurtër dhe afatmesëm të burimeve hidrologjike dhe termale, përkatësisht, të Shqipërisë dhe Kosovës”, – ishin disa nga përfitimet kryesore që sipas qeverisë do të kenë Shqipëria dhe Kosova nga ky projekt.

Share it :