Shtetet kundër Kryeministrat e Anglisë, Gjermanisë dhe Holandës: Arsyet e refuzimit të statusit

Gëzim Saliu

Samiti i BE-së në nivel kryeministrash, zbardhen qëndrimet e shteteve për zgjerimin: Kërkojmë rezultate konkrete në reforma, kujdes me ekonominë

 

merkelKonsensusit të Këshillit të Ministrave të Jashtëm për të shtyrë me 6 muaj vendimin e statusit kandidat për Shqipërinë iu bashkuan dje edhe krerët e qeverive anëtare të BE-së në punimet e samitit dyditor në Bruksel. Kryeministri i Anglisë David Cameron, Kancelarja gjermane Angela Merkel si edhe kreu i qeverisë holandeze Mark Rut bënë të ditur para kolegëve të tyre arsyet e refuzimit të statusit për Shqipërinë, duke nënvizuar njëkohësisht rëndësinë e rezultateve konkrete nga qeveria për reformat e përcaktuara nga KE si parësore për integrimin. Por, veç luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, samiti ka nxjerrë në pah edhe faktin se Shqipëria duhet të tregohet shumë e kujdesshme për situatën ekonomike. “Sigurisht që Shqipëria s’është gati tani për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, po ajo që i kërkojmë vendit aktualisht është që të zbatojë reformat për të cilat është angazhuar. Një vend mund të adoptojë një legjislacion të mirë, por është tjetër gjë që ta zbatosh këtë atë. Ky është qëndrimi ynë. Ne kemi vendosur që më parë që në 1999 që ky vend ka një perspektivë evropiane, ashtu si gjithë rajoni i Ballkanit, por për procesin e integrimit ka kushte për t’u përmbushur nga këto vende. Deri tani, Shqipëria ka angazhime të mira në letër, por ne duhet të shohim se si do t’i zbatojë ajo këto angazhime”, – u shpreh Kryeministri holandez, vendi i të cilit ishte kundërshtuesi kryesor për dhënien e statusit të vendit kandidat, Shqipërisë.

 

 

Gjermania dhe Anglia

Ndërkohë, Kryeministri i Britanisë, Devid Cameron, e shprehu qartë dje në përfundim të punimeve, se shteti i tij nuk e mbështet aktualisht statusin e kandidatit për Shqipërinë. “Duhet të mos harrojmë, që para se të bëhesh anëtar ka shumë shkallë për t’u ngjitur. Unë takova Kryeministrin e Shqipërisë. Ai po bën përpjekje për të reformuar vendin e tij, por duhen ende hapa para, para se të vijë momenti i duhur për akordimin e statusit të kandidatit. Ne duhet të shfrytëzojmë shkallët e integrimit që të inkurajojmë vende si Shqipëria që të zbatojnë masa kundër korrupsionit, të zbatojnë masa kundër krimit të organizuar dhe të zbatojnë praktikat e duhura për forcimin e shtetit ligjor. Ne duhet të sigurohemi që anëtarësimi i një vendi të kthehet në një politikë të suksesshme dhe kjo vlen edhe për rastin e Shqipërisë”, – u shpreh ai. Ndërkaq, Kancelarja gjermane bëri të ditur se për Shqipërinë u adoptuan dy qasje. “Së pari, mirëpritëm progresin që është bërë nga vendi. Është një progres i dukshëm, por para se të vendosim për statusin e kandidatit, ne do të dëshironim që të shihnim zbatimin. Para se të vendosim në samitin evropian për statusin, ne do të presim raportin e Komisionit Evropian për të parë nëse do të ketë progres për zbatimin e reformave për të cilat është angazhuar vendi”. Ndërkohë, Kryeministri britanik, ashtu siç edhe ishte shprehur, u ka propozuar vendeve anëtare ngadalësim të hapjes së tregut të punës, me qëllim ndaljen e emigracionit masiv. “Unë jam pro zgjerimit të Bashkimit, por ne duhet të pranojmë që Bashkimi Evropian i sotëm është shumë i ndryshëm nga Komuniteti Evropian 50 vjet më parë. Kur mendojmë që vende si Serbia dhe Shqipëria do të bëhen një ditë anëtare, ne duhet të ngadalësojmë deri në maksimum hapjen e tregut tonë të punës ndaj këtyre vendeve, derisa të sigurohemi se nuk do të ketë emigracion masiv nga këto vende në BE. Kjo është ajo që u thashë liderëve evropianë sot”.

 

 

Çekia: Vendosim veton, nëse nuk na paguani paratë e CEZ-it

Çekia do të vendoste veton kundër dhënies së statusit për Shqipërinë, nëse nuk do të kishin shprehur kundërshtinë pesë vendet e tjera anëtare të BE-së. Kështu pohoi dje Kryeministri çek, Jiri Rusnok, ku në një intervistë për “Euroactiv” ai deklaroi se për shkak të mosmarrëveshjeve të Shqipërisë me kompaninë CEZ, Praga do të vendoste veton por një veprim i tillë nuk iu desh të ndërmerrej sepse 5 vende të tjera e bllokuan këtë proces. “Ishte një shpronësim i paprecedentë i kompanisë. Ne besojmë se CEZ do të fitojë arbitrazhin. Unë i kam thënë Kryeministrit shqiptar, Edi Rama, gjatë një takimi në nëntor që nëse nuk njeh borxhin, me keqardhje do të bllokoj integrimin. Nuk është një gjë e këndshme, por nëse nuk na japin paratë, ne nuk tërhiqemi nga vendosja e vetos”.

 

 

Zëdhënësja e DASH

 SHBA: Mbështesim integrimin e Shqipërisë

 Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten të angazhuara për të ndihmuar ato vende të cilat synojnë integrimin në strukturat evropiane, duke përfshirë Shqipërinë dhe Maqedoninë. Kështu deklaroi dje zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit, Mary Harf, e cila e pyetur nga agjencia e lajmeve “MIA” theksoi se Shtetet e Bashkuara po presin me padurim ditën kur vende si Shqipëria dhe Maqedonia të integrohen plotësisht në institucionet evropiane, sepse në këtë mënyre do të thellojmë më tej marrëdhëniet tona dhe partneritetin e Shteteve të bashkuara me këto vende. Në konferencën për media në Uashington, Harf ka folur për procesin e euro integrimeve në Ballkanin Perëndimor, duke i vlerësuar lart angazhimet e shteteve përkatëse në rrugën e tyre euro integruese.

 

 

Përplasja mes mazhorancës

 Deputetët Fino dhe Vasili kundër Tahirit për buxhetin e Ministrisë së Brendshme

 Në diskutimin e buxhetit të Ministrisë së Brendshme, KQZ-së, Shkollës së Magjistraturës dhe Komisionit të Shërbimit Civil në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, deputetët e mazhorancës kanë shprehur kundërshti dje ndaj ministrit Saimir Tahiri. Deputeti Bashkim Fino e cilësoi si jorealist rritjen me 42% për emergjencat civile. “Si ekonomist që jam nuk më rezulton se ka rritjet 42%. D.m.th. ju jeni të kënaqur me këto shifra që janë. Në qoftë se ju jeni të kënaqur me shifrat që thoni, prapëseprapë unë jam deputet i përgjegjshëm, i një mazhorance të përgjegjshme, që do të kërkojmë të rrisim disa shifra, pavarësisht se ju mund të mos i kërkoni si ministri, sepse neve na intereson që të mos kemi probleme vitin që vjen”, – tha Fino duke iu drejtuar ministrit Tahiri, i cili iu përgjigj duke pohuar: “Ishte goxha e vyer ndihmesa e relatorit, e zotit Fino, por edhe e gjithë Komisionit për të rritur buxhetin e Ministrisë së Brendshme për emergjencat”. Po ashtu, kundërshti shprehu edhe deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, lidhur me heqjen e shpërblimit prej 5000 lekësh për çdo fëmijë të lindur. Sipas deputetit të mazhorancës, nuk duhet ngatërruar skema e emergjencave civile me atë të shpërblimit për fëmijët e lindur. “Ajo që unë thashë, nuk ka të bëjë me korrigjimin e mekanizmave buxhetorë brenda vetë buxhetit, por ka të bëjë me efiçencën e këtij sistemi”, – u përgjigj Tahiri. Ndërkohë, pas letrës ankesë në Parlamentin e Shqipërisë, por edhe ngritjes se problemit në Komisionin e Ligjeve, Ministria e Financës ka vendosur dje t’i shtojë buxhetit të Presidencës 20 milionë lekë. Edhe në Komisionin e Ligjeve është miratuar shtesa e fondit për Presidencën, ku deputeti socialist Bashkim Fino u shpreh: “Nuk mund të lëmë Presidencën me borxhe dhe se duhet të shlyhen detyrimet e institucionit të Presidencës”.

 

 

Share it :