Komisioni i Antitrafikut Problematikat kryesore, asistimi i viktima dhe parandalimi

Anxhela Tato

 

Ministri Saimir Tahiri: Angazhim maksimal për të dalë nga kjo situatë

 Bashkëpunim ndërinstitucional i fuqishëm në luftën kundër këtij fenomeni

 

saimirNën drejtimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, u zhvillua dje mbledhja e Komitetit Shtetëror të Luftës kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore, në përbërje të të cilit janë përfaqësues të disa ministrive dhe institucioneve të pavarura. Sipas ministrit, lufta kundër trafikimit të personave është një ndër prioritetet e kësaj qeverie dhe si e tillë, për t’u përballuar me këtë sfidë, qeveria është angazhuar të investohet me të gjitha burimet e duhura njerëzore, teknike dhe financiare për të ndryshuar situatën ku ndodhemi. Ministri është shprehur se situata aktuale është jo shumë e favorshme, por lufta kundër këtij fenomeni do të jetë shumë e fuqishme, duke pasur një bashkëpunim ndërinstitucional. “Aktualisht, jemi në një situatë jo shumë të favorshme për Shqipërinë dhe rrjedhimisht, rifunksionimi i Komitetit Shtetëror për Luftën kundër Trafikimit të Personave është një angazhim maksimal dhe gjithëpërfshirës për të dalë nga renditja e vendeve problematike”, – tha ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, në takim. Problematikat e ndeshura aktualisht janë të shumëllojshme dhe prekin të gjitha drejtimet e veprimit kombëtar antitrafik, si ndjekja penale, mbrojtja dhe asistimi i viktimave të trafikimit, pa përjashtuar ndërgjegjësimin dhe parandalimin e fenomenit.

 

Masat

“Për sa i takon situatës aktuale, ajo nuk është shumë inkurajuese. Në të gjitha vlerësimet që i bëhen Shqipërisë lidhur me përpjekjet kundër këtij fenomeni, duket qartazi që ende sot nuk kemi një sistem funksional për trajtimin në përputhje dhe në respektim të standardeve ndërkombëtare për të luftuar dhe parandaluar trafikimin e personave në Shqipëri”, – u shpreh zëvendësministrja e Punëve të Brendshme dhe Koordinatore Kombëtare Antitrafik, Elona Hoxha. “Trafikimi nuk duhet të konsiderohet si një çështje që i përket vetëm policisë. Ai kurrsesi nuk mund të jetë përgjegjësia e një institucioni të vetëm, përkundrazi përballja me të kërkon një qasje multidisiplinare dhe kontributin e secilit prej nesh, pavarësisht nga roli dhe pozicioni ku ndodhemi”, – deklaroi ministri Tahiri. Në mbledhjen e djeshme u vendos që Komiteti të mblidhet rregullisht, sipas një rendi dite të parapërcaktuar dhe të funksionojë mbi bazën e një kalendari pune. Komiteti nuk mblidhej që nga 1 korriku 2011, ndryshe nga sa parashikohet në vendimin e Këshillit të Ministrave. Ndër detyrat e tjera të miratuara gjatë mbledhjes është përcaktimi i qartë i rolit dhe detyrat e KSHLKTQN, nëpërmjet një projektvendim të Këshillit të Ministrave, i cili do të mundësojë zgjerimin e anëtarësimit të këtij Komiteti, si edhe mirëpërcaktimin e funksionit të tij.

 

 

Abuzim me detyrën dhe përfitim i 80 mln lekëve, pranga Xhelal Mziut

 

Arrestohet kreu i Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu. Ngjarja ka ndodhur dje në mbrëmje rreth orës 18:15 në një bar-pastiçeri pranë Presidencës, ku gjendej rastësisht Mziu dhe sipas njoftimit zyrtar të prokurorisë, Mziu është vënë në pranga për shpërdorim detyre dhe pabarazi në tenderin e ndërtimit të rrugës Valias i Ri – Varrezat Laknas, me vlerë 80 milionë lekë, kryer në maj 2013. Bashkë me të duhej të arrestohej edhe drejtori i zyrës Juridike të Bashkisë Kamzë, Atli Hoti, për të njëjtën akuzë, por ky i fundit është arrestuar pak çaste më vonë, pas shpalljes person në kërkim nga policia. Sipas njoftimit zyrtar nga task-forca e Prokurorisë së Tiranës, ky organ ka arritur në konkluzionin se dy shtetasit kanë kryer veprime të kundërligjshme gjatë procedurës së prokurimit publik për ndërtimin e rrugës Valias i Ri – Varrezat Laknas. Sipas hetimeve, ka rezultuar se autoriteti kontraktor, Bashkia Kamëz, pas përfundimit të plotë të procedurave ka shpallur fitues shoqërinë “Gjoka Konstruksion” sh.p.k. Megjithatë, dy zyrtarët nuk kanë pranuar të nënshkruajnë kontratën me këtë shoqëri brenda afatit ligjor (30 ditë). Në përfundim të këtij afati, autoriteti kontraktor – Bashkia Kamëz – e ka skualifikuar shoqërinë “Gjoka Konstruksion” sh.p.k, me arsyen se nuk ishte paraqitur për nënshkrimin e kontratës. Ndërkohë, rezulton se shoqëria fituese ka bërë të gjitha përpjekjet nga ana e saj për të realizuar nënshkrimin e kësaj kontrate për ndërtimin e rrugës, por që është refuzuar nëpërmjet formave të ndryshme nga ana e titullarëve të autoritetit kontraktor – Bashkia Kamëz. Nisur nga neglizhenca e zyrtarëve të Bashkisë Kamëz, përfaqësuesi i shoqërisë “Gjoka Konstruksion” sh.p.k ka kryer vëzhgime në terren dhe ka konstatuar se në rrugën objekt prokurimi publik kishte nisur punimet për ndërtimin e saj nga ana e një shoqërie tjetër, “Everest” sh.p.k, e cila nuk ishte shpallur fituese. Në këto kushte, shoqëria “Gjoka Konstruksion” ka dorëzuar kallëzimin penal, nga hetimi i të cilit, Prokuroria ka krijuar dyshime të arsyeshme se shtetasit Xhelal Mziu dhe Atli Hoti kanë kryer veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”.

 

 

Bie nga lartësia, vdes 28-vjeçari

 

Një 28-vjeçar ka humbur jetën mbrëmjen e djeshme, pasi ka rënë nga një lartësi ende e papërcaktuar në rrugën e re pranë Liqenit Artificial në kryeqytet. I riu Dorjan G. ka qenë duke ngarë biçikletën në momentin që ka humbur drejtimin dhe është rrëzuar. 28-vjeçari ka humbur jetën në mënyrë të menjëhershme, pa mundur dot të marrë asnjë lloj ndihme mjekësore. Grupi hetimor dhe policia kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe po punojnë për të zbardhur shkaqet e saj. Nga hetimet paraprake policia bën me dije se i riu po udhëtonte me shpejtësi me një biçikletë që nuk kishte frena.

 

 

 

Share it :