Kompromisi KLD emëron 13 gjyqtarë në Gjykatën e Tiranës, magjistratët caktohen në gjykatat e rretheve

Sonja Caka

 

Mbledhja, sërish me dyer të mbyllura, debate mes anëtarëve Çomo e Broci. Pranohet kërkesa e ministrit Naço për magjistratët e rinj, refuzohet emërimi në Tiranë e Durrës, janë gjykata karriere

 

Nishani-dhe-ministri-Nasip-Naco-Naço-KLD-18-shtator-2013-640x404Me dyer të mbyllura, mes debateve të ashpra, por duke arritur edhe në një kompromis për emërimin e magjistratëve, Këshilli i Lartë i Drejtësisë emëroi 13 gjyqtarë në Gjykatën e Tiranës. Vendimi është marrë pas një votimi të fshehtë, ku mes 44 kandidatëve për t’u transferuar në gjykatën më të madhe në vend, u vendos që të emërohen vetëm 13 prej tyre, kryesisht gjyqtarë të gjykatave të rretheve. Ky emërim erdhi, vetëm pasi Këshilli pranoi kërkesën e ministri të Drejtësisë, z. Nasip Naço, për emërimin e 16 magjistratëve që kanë përfunduar prej dy vitesh shkollën dhe stazhin e punës, por nuk pranoi për ta emërimin në Gjykatën e Tiranës apo atë të Durrësit, pasi janë gjykata karriere. U vendos që ata të emëroheshin në rrethe, konkretisht në vendet që janë bosh nga transferimi i gjyqtarëve të tjerë. Kërkesa e ministrit u mor parasysh pas 40 minutash debate të ashpra mes anëtarëve. Një tjetër pikë e nxehtë e debatit mes anëtarëve, konkretisht mes Sokol Çomos dhe Artan Brocit, ishte mënyra se si po zhvillohej mbledhja, pasi i pari kërkonte zhvillimin e saj me dyer të hapura, në prani të medias. Kjo kërkesë nuk u pranua dhe ashtu si herën e kaluar, edhe dje mbledhja u zhvillua me dyer të mbyllura.

 

Mbledhja

Në fillim të mbledhjes, ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, kërkoi që në 13 vendet vakante në Tiranë të emëroheshin magjistratët e rinj, me argumentin se Shkolla e Magjistraturës në vend është një institucion që plotëson të gjitha standardet evropiane dhe emërimi i magjistratëve të rinj do të ishte një vlerë e shtuar për drejtësinë shqiptare. Kjo kërkesë e ministrit Naço fillimisht nuk u pranua nga anëtarët e KLD-së, por më tej u gjet kompromisi që magjistratët e rinj të emërohen në vendet vakante, jo ato të Tiranës apo Durrësit, por në gjykatat e rretheve. KLD e zhvilloi sërish dje me dyer të mbyllura mbledhjen e radhës ku mungoi Presidenti, njëkohësisht dhe kryetar i KLD-së, z Bujar Nishani. Mbledhja u drejtua nga nënkryetari, z. Elvis Cefa. Me votim të fshehtë, anëtarët e Këshillit vendosën përzgjedhjen e 13 gjyqtarëve nga 44 kandidatët që konkurruan për në Gjykatën e Tiranës. Sipas Këshillit, emrat e 13 gjyqtarëve do të dekretohen nga Presidenti i Republikës, që më pas ata të transferohen në Gjykatën e Tiranës. Emrat më të votuar dhe që pritet të transferohen në Tiranë janë gjyqtarët Lazër Sallaku, Ariana Liço, Alma Brati, Astrit Faqolli, Rexhina Mërlika, Dhurata Balla, Migena Laska, Klorida Çela, Tereza Lami, Alma Kodraliu, Rezarta Mata, Dritan Caka dhe Adriatik Gocaj. Ndërkohë, KLD-ja vendosi të hapte 16 vende vakante për studentët e Shkollës së Magjistraturës në Gjykatat e rretheve, si: Krujë, Dibër, Berat, Vlorë, Tropojë, Fier dhe Elbasan, duke përjashtuar Tiranën dhe Durrësin, pasi janë cilësuar gjykata karriere.

 

Gjyqtarët që u transferuan:

 

Lazër Sallaku nga Durrësi sillet në Tiranë

Arjana Liço nga Durrësi sillet në Tiranë

Alma Brati nga Durrësi sillet në Tiranë

Rexhina Mërlika nga Kruja sillet në Tiranë

Migena Laska nga Laçi sillet në Tiranë

Klorida Çela nga Elbasani sillet në Tiranë

Tereza Lami nga Elbasani sillet në Tiranë

Alma Kodraliu nga Pogradeci sillet në Tiranë

Rezarta Mata nga Kavaje sillet në Tiranë

Dritan Caka nga Lushnja sillet në Tiranë

Dhurata Balla nga Kruja sillet në Tiranë

Adriatk Gocaj nga Lezha sillet në Tiranë

Astrit Faqolli nga Durrësi sillet në Tiranë

 

 

Korçë

 

Apeli lë në fuqi masat për 9 gardianë, shtatë në burg e dy në liri

 

Gjykata e Apelit në Korçë la dje në fuqi masën “Arrest me burg” për 9 gardianë të burgut të Drenovës. Sipas vendimit të togave të zeza, mbeten në burg gardianët Bledi Ysolli, Ferdinand Limoni, Sotir Tanushi, Valter Gjalpi, Ardian Lemellani, Luan Liçkollari, Artan Larti, ndërkohë që të vetmet që vazhdojnë të hetohen në gjendje të lirë me masën “Detyrim paraqitje” janë dy punonjëset e zyrës së monitorimit me kamera, Luljeta Dovorani dhe Suzana Sejdarasi, të cilat mbulonin sektorin e informacionit në burg. Akuza ndaj punonjësve është për arratisjen e 7 të dënuarve nga burgu i Drenovës në Korçë, të cilët u arrestuan brenda një kohe të shkurtër nga policia shqiptare dhe ajo greke.

 

Share it :