Gëzim Saliu
Kroacia: Statusi për Shqipërinë, vendimi i duhur. Ministri slloven: Ashton mbështet statusin
Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian do të vendosin sot për kandidaturën e Shqipërisë për marrjen e statusit të vendit kandidat. Mes mbështetjes së shprehur hapur nga disa vende anëtare të BE-së dhe skepticizmit të shteteve si Holanda, të cilët kanë deklaruar votën e tyre kundër, ministrat pritet të diskutojnë mbi progres-raportin e KE-së si edhe mbi reformat e ndërmarra në fusha e përcaktuar si prioritete nga Brukseli. Vendimi i marrë nga ministrat do të konfirmohet më pas në 19 dhe 20 dhjetor nga Këshilli i krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së. Ndërkohë, ditën e djeshme, Këshilli i Ministrave të BE-së ka diskutuar në Bruksel për rreth 10 orë për situatën në Ukrainë, Iran, Palestinë dhe Izrael, Marok, si edhe për marrëdhëniet Serbi-Kosovë, por gjithashtu mësohet se është prekur edhe tema e statusit për Shqipërinë.
Kroacia dhe Sllovenia
Zëvendëskryeministrja kroate, Vesna Pusniç, deklaroi dje se pavarësisht hezitimit nga disa shtete të rëndësishme anëtare, pjesa dërrmuese e BE-së e mbështet kandidaturën e Shqipërisë. Sipas saj vendimi për t’i dhënë statusin e vendit kandidat Shqipërisë do të ishte i duhuri. “E di që ka qëndrime të ndryshme. Ne e kemi marrë mbështetjen nga shumica dërrmuese e shteteve që t’i jepet që tani statusi i kandidatit, por është fakt se ka shtete të mëdha që janë skeptike ndaj këtij vendimi në këtë moment. Ne e dimë nga përvoja jonë se nga statusi deri te nisja e negociatave e pastaj deri te anëtarësimi është një proces shumë i gjatë. Por për momentin mendojmë se do të ishte një vendim i duhur, duke pasur parasysh një gjeneratë të re të politikës në Shqipëri, e cila ka qasjen e duhur për këtë punë. Do të ishte e dobishme që t’i jepet statusi jo vetëm Shqipërisë, por të gjithë rajonit”, – tha Pusniç për “TCH”. Ndërkohë, ministri i Jashtëm slloven u shpreh optimist për një vendim pozitiv të martën për statusin kandidat. Ai theksoi se edhe baronesha Ashton e mbështet Shqipërinë në aspiratën e saj të integrimit evropian. “Unë mund të them se të gjithë ministrat e Jashtëm me të cilët kam biseduar e mbështesin kandidaturën e Shqipërisë. Edhe kur flas me ta në mënyrë informale, ministrat vlerësojnë se Shqipëria është e përgatitur për të qenë kandidate në Bashkimin Evropian, për shkak se zgjedhjet parlamentare ishin shumë të mira. Ndaj besoj se nesër do të marrim vendim pozitiv për Shqipërinë, e po kështu dhe në samitin e kryeministrave evropiane në fund të javës. Mendoj se ju keni shanse të mira. Vura re se dhe zonja Ashton e mbështet gjithashtu statusin kandidat për Shqipërinë”, deklaroi ministri Karl Erjavec. 8 vende anëtare të Bashkimit Evropian i kërkuan dy ditë më parë Lituanisë si vend që mban Presidencën e radhës së BE si dhe Komisioneres së lartë për Politikë të Jashtme, Catherine Ashton, që Shqipërisë t’i jepet statusi i vendit kandidat. Ministrat e Jashtëm të 8 vendeve të BE-së, Italisë, Austrisë, Bullgarisë, Kroacisë, Estonisë, Hungarisë, Irlandës dhe Sllovenisë u shprehën të bindur se Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kushtet e vendosura nga Bashkimi Evropian. Votimi për statusin e kandidatit që miratohet në 19 dhe 20 dhjetor, pas asaj që vendoset sot në mbledhjen e ministrave të BE-së duhet të jetë unanim. Krahas Holandës që e ka deklaruar votën kundër, e cila ka theksuar gjithashtu se nuk do të votojë e vetme në këtë formë, në dilemë për qëndrimin e tyre janë edhe Danimarka dhe Britania e Madhe. Votimi për statusin e kandidatit duhet të jetë unanim, pasi edhe në rast se një vend i vetëm anëtar i BE-së voton kundër, Shqipëria humbet shansin e radhës për të ecur përpara në aspiratën e saj drejt integrimit në strukturat e Bashkimit Evropian.
Rezoluta e PE-së
Parlamenti Evropian miratoi pak ditë më parë rezolutën për Shqipërinë, ku i rekomandoi Këshillit të Ministrave të BE-së dhënien e statusit të vendit kandidat. Me shumicë votash, eurodeputetët votuan pro rezolutës për Shqipërinë, duke mbështetur rekomandimin e KE-së për dhënien e statusit të vendit kandidat. Në dokumentin e miratuar vlerësohej progresi i vendit ne përmbushjen e 12 rekomandimeve të Komisionit Evropian, zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 23 qershorit si edhe tranzicioni i qetë i pushtetit.
Portali “euobserver”
Pse Shqipëria duhet të marrë statusin
Një shtet ku popullsia e tij mbështet në 87% integrimin evropian dhe ka bërë përpjekje për këtë proces, nuk mund të humbasë statusin e kandidatit në BE. Kështu shkruante dje portali “euobserver.com” që mbulon politikat e Bashkimit Evropian, duke theksuar se Shqipëria e meriton statusin e vendit kandidat. “Në një program televiziv, të prestigjiozes britanike “BBC”, duket se prezantuesit dhe të ftuarit e atij programi e kanë pasur të vështirë për të gjetur arsyen se pse një shtet si Ukraina të gozhdohet nga Bashkimi Evropian. Por, jo shumë larg këtij unioni, ndodhet një tjetër shtet, ku 87% e popullsisë e duan anëtarësimin në BE dhe po bëjnë përpjekje të mëdha për të arritur synimin e tyre. Ky shtet është Shqipëria”. Sipas artikullit, këtë javë liderët e BE-së do të vendosin nëse do t’i japin vendit statusin e kandidatit në vijim te rekomandimit pozitiv të Komisionit Evropian në tetor. “Atëherë pse parashikohet gjerësisht që Shqipëria të prekë mbi supin e ftohtë të BE-së? Pas dy kundërshtimeve, – shkruan “euobserver”, – në vitin 2010 dhe 2011, Komisioni i ofroi së pari Shqipërisë, një gati-miratim në vitin 2012, i cili u rrethua nga gardhi i kushteve. Progres-raporti 2013 nënvizoi se Shqipëria ka shënuar progres në reformat kryesore. Megjithatë statusi i vendit kandidat nuk do te thotë anëtarësim i nesërm, sepse përpara ka shumë vite negociatash. Raportimet e fundit i vendosin disa vende në kornizën për të bllokuar progresin e Shqipërisë, mes të cilëve Britania e Madhe dhe Holanda”, – shkruan portali. Më tej, duke bërë të ditur se ekziston edhe mundësia që Këshilli Evropian të shtyjë vendimin deri më qershor 2014, duke bashkangjitur të tjera kushte, portali theksoi se rezultati i zgjedhjeve evropiane mund t’u shtojë friken udhëheqësve për të sfiduar rrjedhën e euroskeptikëve. “Shumica e njerëzve nuk kanë kuptuar ende sa evropiane është Shqipëria dhe sa e lidhur është historia e saj me atë të vendeve anëtare fqinje me të”, – përfundon artikullin e saj “euobserver.com”.
Projekti TAP
Rama, Bushati dhe Gjiknuri, vizitë në Azerbajxhan
Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, dhe ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, u nisën dje në Azerbajxhan, ku do të diskutojnë për projektin TAP. Ministri Bushati bëri të ditur dje mbërritjen e delegacionit shqiptar në Baku, ku në qendër të diskutimeve, siç theksoi edhe kryediplomati do të jetë fillimi i investimeve të projektit TAP. Në takimet që delegacioni shqiptar do të ketë pritet të diskutohet edhe për projektin IAP.




