Hermetizohet KLD, mbledhje me dyer të mbyllura Emërimet e gjyqtarëve, plas hapur lufta KLD – qeveri

Sonja Caka

Përplasje dhe debate të ashpra mes anëtarëve, Naço e Çomo braktisin mbledhjen

Ministri: Refuzova të isha pjesë e një farse të tillë, mungesë transparence në vendimmarrje

 

nasip naco pas daljes nga mbledhjaNis lufta e hapur mes Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe qeverisë, e përfaqësuar në këtë organ nga ministri i Drejtësisë dhe një anëtar i votuar nga Parlamenti. Shkak janë bërë emërimet e reja në gjyqësor, ku personat që duhen emëruar në 13 vendet vakante në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë janë bërë “molla e sherrit” mes dy palëve, pjesë e të njëjtit Këshill. Në një mbledhje të zhvilluar pa njoftim për median dhe me dyer të mbyllura, KLD, e cila është hermetizuar në informacion kohët e fundit, kishte menduar të realizonte 13 emërimet në gjykatën më të madhe në vend, atë të Rrethit Gjyqësor Tiranë, një ndër pikat e rendit të ditës të kësaj mbledhjeje. Mbledhja është zhvilluar pa praninë e kreut të saj, Presidentit të Republikës dhe nën drejtimin e nënkryetarit Elvis Cefa. Ashtu sikundër pritej dhe përflitej para se të fillonte mbledhja, mes anëtarëve pati debate të ashpra për njërën nga pikat e mbledhjes, pikërisht emërimet në gjykata. Ministri kërkoi që të shqyrtohej kërkesa e tij që në vendet vakante të bëhet emërimi i 13 magjistratëve që prej dy vitesh kanë përfunduar studimet dhe janë të papunë, ndërsa 14 anëtarët e tjerë e kundërshtonin diskutimin e kësaj pike para momenteve të tjera të përcaktuara në rendin e ditës. Sipas ministrit Naço, propozimi i tyre duhej të diskutohej përpara pikës tre, se ndryshe nuk do të kishte vlerë, pasi vendet vakante do të ziheshin nga gjyqtarë që do të transferoheshin nga rrethet. Ministri Naço e cilësoi një farsë gjithë këtë mbledhje dhe mungesa e Presidentit Nishani e vërtetoi këtë, sipas tij. Duke mos pasur mundësi diskutimi për këtë pikë, ata janë larguar në mënyrë demonstrative nga mbledhja, duke reaguar për mediat jashtë mjediseve të KLD-së, duke denoncuar edhe mënyrën se si po merren tashmë vendimet në Këshill. Daljen e tij ende pa përfunduar mbledhja, ministri Naço e motivoi me mungesën e transparencës në vendimmarrje, si dhe mosinformimin e opinionit publik për çështjet që ky Këshill trajton.

 

Reagimi i Naços

Ministri Naço deklaroi para mediave të interesuara në lidhje me zhvillimet e KLD-së se është e dyta mbledhje që Këshilli i Lartë i Drejtësisë po e zhvillon në kundërshtim me praktikën që ka pasur deri tani, duke e distancuar median dhe rrjedhimisht duke ndikuar ndjeshëm në uljen e transparencës së vendimeve që ai miraton. “Sot ka pasur diskutime të ndryshme në lidhje me emërimet për vendet vakante në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë si dhe për plotësimin e vendeve vakante në disa Gjykata Administrative, vakanca të cilat vijojnë prej muajsh dhe nuk plotësohen nga KLD-ja duke dëshmuar qartë për një mungesë efiçence të këtij këshilli. Ka pasur qëndrime të ndryshme për sa u përket emërimeve në 13 vendet vakante të Gjykatës së Rrethit Tiranë dhe vendeve vakante në Gjykatat Administrative. Ndonëse mbledhja e Këshillit të Lartë të Drejtësisë ende po vazhdon, unë e braktisa, sepse nuk mund të pranoj të jem pjesë e një farse të tillë që bie në kundërshtim me ligjin dhe praktikën që ky Këshill duhet të zbatojë. KLD-ja ka nisur një praktikë errësire, duke qenë larg syrit të medias dhe ky është një kthim mbrapa për sa i takon transparencës”, – deklaroi ministri Naço. Ndërsa ka cituar progres-raportin e Këshillit të Evropës se Shkolla jonë e Magjistraturës është institucioni më modern dhe më i rregullt në vend, ministri Naço gjithashtu sqaroi se propozimi i tij për promovimin e magjistratëve që kanë mbaruar studimet mbi një vit më parë, por ende nuk ushtrojnë detyrën ndërkohë që vijojnë të paguhen, nuk është marrë në konsideratë nga ana e KLD-së. Po ashtu, z. Naço deklaroi se në të njëjtin pozicion shpërfillës janë edhe 8 magjistratët që kanë mbaruar së fundi. “Mendoja se Këshilli i Lartë i Drejtësisë do të më mirëkuptonte në lidhje me promovimin e këtyre magjistratëve. Mbi 130 magjistratë që nga viti 2001 kanë furnizuar me gjyqtarë sistemin e drejtësisë dhe besoj se këta magjistratë do të jenë e ardhmja për ta përmirësuar sistemin e drejtësisë dhe jo “qokat” e Këshillit të Lartë të Drejtësisë për të marrë gjyqtarë nga një rreth apo një tjetër”, – theksoi z. Naço. “Është koha të promovohen në karrierë ata gjyqtarë që do i japin tonin drejtësisë shqiptare”, – përfundoi ministri Naço.

 

Reagimi i Çomos

“Në mbledhjen e sotme të KLD-së ka pasur shkelje të rëndë të ligjit. Bëhet fjalë për emërimin e magjistratëve të rinj që kanë mbaruar shkollën në vitin 2012 dhe 2013. Shoqëria shqiptare ka 4-5 vjet që paguan për këta magjistratë pasi, ata paguhen me taksat e qytetarëve shqiptarë, dhe emërimi i tyre do të vinte në funksion të sistemin gjyqësor. Nuk u mundësua sot që dijet e tyre ata t’i vënë në funksion të gjyqësorit shqiptar. Në kushtet kur sot në mbledhje u bë i pamundur emërimi i magjistratëve, ata ngelën për t’u emëruar në vitin 2014. Ne nuk mund të bashkoheshim dhe të bëheshim pjesë e kësaj antiligjshmërie. Ju tashmë e dini se shumë gjykata kanë gjyqtarë mbi numrin e organikës dhe paguhen në mënyrë të kundërligjshme. Ngelen pa emëruar magjistratët e vitit 2012 dhe ata të vitit 2013. Ata janë 16 magjistratë që do sillnin një vlerë të shtuar në Gjykatën e Tiranës, nëse do ishin emëruar. Nuk di cilët janë ata që do miratohen sot, u largova. Mos u çudisni nëse për magjistratët nuk do ngelin vende të lira. Emërimet në gjykata mbizotërojnë kriteret subjektive”, – u shpreh Çomo.

 

Gjyqi

Dajti: Të vijë dëshmitar shefi i Armatimeve, Reshit Spahiu

Kërkesat e Dritan Dajtit nuk kanë të sosur, duke sjellë edhe shtyrjen e procesit dhe mospranimin e pjesës më të madhe të tyre. Kërkesa e djeshme ka pasur ato të mëparshmet, ku në fokus qëndron çështja e armatimeve të përdorura ditën e ngjarjes, ku u vranë 4 efektivët e policisë. Në seancën e djeshme i pandehuri Dajti kërkoi të merrej dëshmia e ish-shefit të Armatimit në Policinë e Shtetit, Reshit Spahiu, në lidhje me pretendimet e tij se policët kanë pasur armë të paregjistruara gjatë operacionit për arrestimin e tij në Durrës. Pasi ka përfunduar dëshminë e tij, Dritan Dajti është larguar nga salla e gjyqit, duke lënë sërish duarkryq Gjykatën, e cila nuk ka asnjë mundësi për vijimin e seancës gjyqësore. Në seancat e kaluara, Dajti ka kërkuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda të urdhërojë zhvarrimin e një prej katër efektivave të ekzekutuar më 7 gusht 2009. Sipas të pandehurit Dajti, predha që i shkaktoi vdekjen oficerit Kastriot Feskaj nuk ka dalë nga arma e tij, por nga arma e një prej oficerëve të skuadrës speciale operacionale, që ishte pjesë e aksionit për arrestimin e tij. Për të vërtetuar një fakt të tillë, i pandehuri kërkoi nga pesëshja gjykuese të zhvarrosej Feskaj dhe predha të merrej si provë. Në këtë mënyrë, Dajti po tenton me çdo kusht të shfajësohet nga akuza e vrasjes së oficerit Feskaj, që Prokuroria ka ngritur mbi supet e tij.

Share it :