Tenderi për spotet televizive Përjashtohen nga detyra 9 ish-zyrtarët e Policisë së Shtetit

Anxhela Tato

Hysni Byrgaj: Jam i qetë, pasi kam zbatuar ligjin. Jam në marrëdhënie pune

Shkeljet e evidentuara nga Kontrolli i Brendshëm është 318 milionë lekë

 

hysni-burgajShkarkohen nga detyra nëntë ish-zyrtarët e përfshirë në skandalin e abuzimit me spotin televiziv “Shqipëria pa viza”. Vendimi i përjashtimit është marrë pas kallëzimit të Ministrisë së Brendshme. Ish-punonjësit akuzohen për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tenderë. Dy ditë më parë, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm ka referuar në Prokurorinë e Tiranës dosjen për abuzimet me reklamat, ku kallëzohet penalisht ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, zëvendësdrejtori i Përgjithshëm, Rasim Borishi dhe tetë anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në këtë drejtori. Nga detyra janë përjashtuar ish-zëvendësdrejtori i Përgjithshëm, Rasim Borishi; ish-kryetari i Vlerësimit të Ofertave, Kole Kukaj; si dhe 7 anëtarë të komisionit Adelina Marashi, Liza Tafili, Klejda Plangarica, Meri Papakostandini, Besjana Martini, Islam Cenga dhe Agim Hysko. Spoti televiziv “Shqipëria pa viza” ka kushtuar 1.2 milionë euro. Në një prononcim ish-drejtori i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, shprehte se ka zbatuar ligjin dhe çdo gjë ia ka lënë ën dorë drejtësisë. Ndërsa mohon përjashtimin nga detyra duke thënë se vijon të jetë në marrëdhënie pune. “Ia kam lënë në dorë prokurorisë çdo gjë. Jam i qetë, pasi e kam zbatuar ligjin me përpikëri. Nuk është e vërtetë që jam përjashtuar, pasi vazhdoj të jem në marrëdhënie pune”, – reagon Burgaj.

Kallëzimi

Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm ka referuar në task-forcën e Prokurorisë së Tiranës kallëzim penal ndaj ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, nëndrejtorit të Përgjithshëm, Rasim Borishi, dhe 8 anëtarëve të Komisionit të vlerësimit të ofertave në këtë drejtori. Akuzat, që rëndojnë mbi dy ish-drejtuesit e policisë dhe tetë zyrtarët e tjerë, janë ato të shpërdorimit të detyrës si dhe të shkeljes së barazisë në tenderë, apo ankande publike. Shkeljet, sipas një materiali me 11 faqe që iu drejtua Prokurorisë, kanë të bëjnë me procedurën e prokurimit me objekt spotet publicitare televizive për informimin e qytetarëve, në kuadër të liberalizimit të vizave. Bëhet fjalë për pesë tenderë në shkelje të ligjeve të prokurimit, me një vlerë prej 318 milionë lekësh, ose e thënë ndryshe mbi 3.100.000 dollarë. Sipas hetimit, të bërë nga oficerët e Policisë Gjyqësore në Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm, ka rezultuar se në tre tenderë Komisioni i vlerësimit ka shpallur operatorin fitues përkatësisht dy, tre dhe një ditë përpara hapjes së ofertave, duke paracaktuar fituesin që, në të gjitha rastet, është vetëm një kompani Promo, e cila ka marrë të gjithë shumën prej mbi 3.100.000 dollarësh.

Shkeljet

Në të gjitha procedurat e kryera, veprimet e autoritetit kontraktor u kryen nga zv.drejtori i policisë, Rasim Borishi, në kundërshtim me vendimet e nxjerra nga Këshilli i Ministrave, ku veprimet duhet të kryhen nga titullari i institucionit. Një tjetër pikë e shkeljeve nga Komisioni i Prokurimit është se u shpall operatori fitues në bazë të çmimit dhe jo pikëve, në kundërshtim me VKM në fuqi. Një ndër pikat me shkeljen më të rëndë mbetet ajo se, në dy procedura prokurimi mungon data e raportit përfundimtar të përpiluar nga ky komision, si dhe se në ftesat në ofertë, drejtuar operatorëve për pjesëmarrje në prodhimin dhe transmetimin e spoteve publicitare, titullari i autoritetit kontraktor i është referuar një baze ligjore të shfuqizuar. Në kundërshtim me ligjin nuk është bërë njoftim në faqen zyrtare të internetit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë dhe në komision nuk ka pasur specialistë të fushave. Një ndër më flagrantët si shkelje, konsiderohet se janë përcaktuar që në procedurë prokurimi, televizionet që do të transmetonin spotet publicitare.

 

Identifikohet pronari i kartës SIM, nuk e kishte në përdorim prej vitesh

Është identifikuar personi, të cilit i përket karta telefonike e gjetur në celularin “Samsung”, të lidhur me lëndën plasëse në makinë e prefektit të Vlorës, Besnik Dervishi. Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare pranë organit të akuzës. Sipas grupit hetimor, me ndihmën e të dhënave të kompanisë telefonike, rezulton se pronari i kësaj karte është një mesoburrë nga rrethi i Vlorës, i cili prej disa vitesh nuk e kishte në përdorim këtë numër. Por, pavarësisht se nuk e përdorte prej kohesh, ky numër rezulton në emrin e të njëjtin person që e kishte regjistruar vite më parë. Sipas prokurorisë, nga dëshmia e tij dhe verifikimet e kryera, personi në emër të cilit është regjistruar karta, nuk ka lidhje me lëndën plasëse. Ndërkohë nga këqyrja e kartës së telefonit, është konstatuar se pas vendosjes së lëndës plasëse në makinën e prefektit, në telefonin e lidhur me dy detonatorët, kanë ardhur dy sms promoncionale nga kompania të cilës i përkiste karta. Sipas prokurorisë, dyshohet se sasia e lëndës plasëse në makinën e prefektit është vënë në Vlorë, pranë pallatit, ku ai parkonte. Dyshohet se eksplozivi i është vendosur gjatë mbrëmjes së martë ose të mërkurë, pasi paraditen e datës 10 dhjetor prefekti i ka bërë servis makinës. Ndërsa prokuroria tashmë po pret përfundimin e akt-ekspertizës, që do të përcaktoje mekanizmin e ndërtimit të lëndës plasëse C4 me dy detonatorët dhe aparatin celular.

 

Abuzimi me faturat e energjisë, pranga 14 faturistëve

Abuzimet me faturat e energjisë elektrike, ka bërë që 8 punonjës të kompanisë “CEZ Shpërndarje” të vihen në pranga dhe të çohen në burg, ndërsa 6 të tjerë të jenë në arrest shtëpie. Prokuroria e Tiranës ka bërë të ditur se, Gjykata e Tiranës ka lëshuar masën e sigurisë arrest me burg për 8 faturues të kompanisë së shpërndarjes së energjisë elektrike “CEZ Shpërndarje”, dhe masën e sigurisë arrest në shtëpi për 6 faturues. Të gjithë këta persona akuzohen për veprën penale falsifikimit të dokumenteve nga personi që ka për detyrë të lëshojë dokumentin, në dëm të një numri të konsiderueshëm konsumatorësh të energjisë elektrike. Masat e sigurisë të vendosura nga gjykata janë ekzekutuar gjatë ditës së djeshme nga ana e efektivëve të Policisë së Shtetit. Në arrest me burg janë N. Sulaj, A. Koleci, M. Ndreu, B. Kurtaj, N. Kurti, K. Karamuça. E. Tocilla dhe Sh. Nasha. Ndërsa në arrest shtëpie janë lënë M. Dragoshi, A. Gjondedaj, L. Karaosmani, M. Shiqeruka, H. Zhilli dhe Sh. Stojku. Masat e sigurimit ndaj këtyre personave janë caktuar në bazë të provave, sipas të cilave rezulton se kanë falsifikuar faturat e energjisë elektrike për një numër të konsiderueshëm konsumatorësh, duke bërë që këta të fundit të paguajnë shuma që variojnë nga 65.000-280.000 lekë të reja për shkelje të pretenduara nga faturistët, por që realisht konsumatorët nuk i kanë kryer këto shkelje. Hetimet vazhdojnë me qëllim identifikimin dhe marrjen në përgjegjësi penale të personave të tjerë të përfshirë në këto veprime të kundërligjshme dhe bashkëpunëtorë të tjerë.

 

Share it :