Takimi me studentët Basha: Në tre muaj vendi në regres, veprimet e Ramës nxitën skepticizmin për statusin

Gëzim Saliu

Kreu i PD: Tymnajat propagandistike nuk e luftojnë korrupsionin, Kryeministri mori kompetenca të organeve të drejtësisë

3-vjetori i liberalizimit të vizave, kreu i PD: Mirënjohje shqiptarëve për respektimin e rregullave

 

Basha me studentetKreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha akuzon mazhorancën qeverisëse se me aktet e ndërmarra në këto tre muaj të pushtetit të saj ka vënë në dyshim serioz marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian. Në një bashkëbisedimi me studentë të Universitetit Ndërkombëtar të Tiranës, kryetari i opozitës deklaroi  dje se KE e rekomandoi statusin, kur Shqipëria kishte përparim në fushat kryesore, duke finalizuar me sukses zgjedhjet e përgjithsme parlamentare si edhe  rotacionin paqësor të pushtetit. “Në këto muaj kemi parë një serë ngjarjesh që na kanë vënë në mendime. Prishjen e konsensusit për ligjin e nëpunësit civil, përkundër paralajmërimeve tona se ky hap do të dëmtonte procesin e integrimit evropian të vendit. Jo vetëm që nuk u dëgjuam, por mazhoranca vazhdoi demonstrimin e forcës së numrave. Kjo është e papranueshme për Bashkimin Evropian. Shteti ligjor, demokracia, ku për fat të keq testi i parë i kësaj mazhorance u njollos nga shitblerja e votës në Korçë, pushimet në administratë si dhe një sërë aktesh si ligjore apo nënligjore dhe veprime në terren që bien në kundërshtim me shtetin ligjor dhe demokracinë padyshim janë parë me shqetësim nga vende të BE-së”, deklaroi Basha. Ndërkohë duke marrë për bazë sinjalet që vijnë nga Brukseli për mundësinë që Holanda të vendosë veton kundër dhënies së statusit kandidat për Shqipërinë, kreu i demokratëve pohoi se vendet skeptike duhet të binden përmes veprave dhe jo me fjalë.  Sipas Bashës në tre muajt e parë të  qeverisë, jo vetëm që vendi nuk ka përparuar në ndërmarrjen e reformave por, theksoi ai, në disa fusha të rëndësishme ka shënuar regres të dukshëm.  “Nuk mjafton të çohen 3 ministra në Paris, kur fjalët nuk përputhen me veprat është vështirë ti bindësh. Reflektimi duhet nisur nga vetja dhe jo të shikojmë armiq të jashtëm. Në 3 muajt e parë të qeverisjes së majtë, Shqipëria nuk ka njohur progres por stanjacion dhe në disa raste regres.Ka njohur regres të dokumentuar dhe të konstatuar edhe nga partnerët tanë europianë dhe amerikanë dhe kjo është për t`u shqetësuar. Procesi i integrimit europian është një proces shumë thelbësor dhe nuk bëhet me show, nuk bëhet me shfaqje. Bëhet me reforma të qenësishme, të vërteta, ku duhet të qëndrojë interesi i qytetarit dhe jo interesi i një grupi politik, apo akoma më keq i një grupi, brenda një grupi politik” , tha Basha, duke shtuar se opozita do të vazhdojë të japë mbështetjen e saj të plotë për procesit integruese, ashtu siç do të vazhdojë të denoncojë çdo përpjekje që shtyjnë integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Korrupsioni

Ndërkohë në bashkëbisedimin e tij me studentët, kreu i PD-së u ndal edhe tek aksionet e ndërmarra nga qeveria në luftën kundër korrupsionit, duke përfshirë këtu edhe akuzat për ish-ministrin e Mbrojtjes Arben Imami. Duke nënvizuar se PD mbështet pa rezerva luftën ndaj korrupsionit dhe është e hapur për të dhënë bashkëpunim të plotë për verifikimin në mënyrë ligjore të akuzave për çdo zyrtar, Basha theksoi se akuzat aktuale të qeverisë bazohen vetëm në sensin e hakmarrjes politike. “Kjo vetëm luftë kundër korrupsionit nuk është. Tymnajat, retë propagandistike nuk e luftojnë korrupsionin, por shërbejnë si batanije për të mbuluar korrupsionin që po ndodh në nivele të larta. Qeveria e përdor pushtetin për interesa klanore korruptive. Korrupsioni nuk mund të luftohet me fushata. Shteti ligjor është garancia më e fortë në luftën kundër korrupsionit. Nëse qeveria nuk tregon vullnet, dhe përpiqet t’ia atribuojë vetes të drejtën e drejtësisë, nëse Kryeministri shkruan në Facebook atë që i takon vetëm gjykatave, si në rastin Imami, atëherë ky realitet vetëm europian nuk është, nuk është luftë kundër korrupsionit, por luftë politike”, deklaroi kreu i PD-së. Bashkëbisedimi i djeshëm i kreut të PD-së me studentët u zhvillua në kuadër të 3-vjetorit të liberalizimit të vizave, ku lidhur me këtë fakt kryedemokrati risolli dje në kujtesë faktin se vendi duhet të ndërmerrte reforma për të fituar këtë procces. “Plotësuam mbi 120 kushte nga BE, që sot të lëvizim të lirë. Transparenca gjatë lëvizjes së lirë është e rëndësishme dhe ne e plotësuam. Për këtë mirënjohje të madhe meritojnë qytetarët shqiptarë që respektuan rregullat e liberalizimit të vizave. Mbetet prioritet për ne anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian”, vlerësoi Basha.

 

 

Zgjedhjet në PD

I pyetur dje nga studentët mbi zgjedhjet brenda Partisë Demokratike, Basha tha se gjithëpërfshirja do të jetë prioritet. “Jemi parti me histori 23 vjeçare bazuar në vlerat e lirisë. Në këtë kuptim jemi shtëpia e lirisë së gjithë shqiptarëve. E kemi provuar në qeverisje dhe po e provojmë sot në opozitë, teksa po përgatitemi të kthehemi në pozitë. Parathënie për këtë është thithja e energjisë rinore. PD lindi nga studentët. 23 vjet kanë kaluar, por kjo vlerë e PD nuk ka ndryshuar. Prandaj thashë PD ka lindur e do mbetet e re, prandaj në zgjedhjet në PD, rëndësi kanë potencialet rinore. Procesi i zgjedhjeve do zhvillohet që të gjithë të kenë mundësinë të garojnë për strukturat e PD. Dy janë shinat, themelet e rigjenerimit të PD dhe ribashkimi i kontributeve historike në PD”, deklaroi Basha.

 

Ish-kryeministri

Berisha: Kapsollën Besnik Dervishit ja vuri Edi Rama

Ish- kryeministri Sali Berisha komentoi dje ngjarjen e ndodhur dy ditë më parë para kryeministrisë, ku makinës së prefektit të Vlorës i ishte vendosur një sasi tritoli. Në një reagim në rrjetin social “facebook”, kreu i qeverisë e cilësoi këtë ngjarje si një show mediatik.  “Të dashur miq, pardje në mëngjes mediat u informuan se një telefonatë anonime kishte njoftuar se në kryeministri ishte vendosur një bomb dhe se një makinë, që nuk dihej se e kujt ishte, kishte arritur të parkojë në një zonë të ndaluar. Mediat paraqiten live makinën e parkuar në zonen ku për arsye sigurie lejohen të parkojnë vetëm makinat e ministrave dhe ajo e sugarit, më saktë manarit të kryeministrit, Fuga. Pas tre orësh show mediatik doli se makina ishte veturë personale dhe jo ajo shtetërore e prefektit të Vlorës Besnik Dervishi dhe se nën të ndenjurat e prefektit ishin vendosur 250 gr eksploziv C 4, nga ai që qeveria përdor këto kohë për të hedhur në erë ndërtesat”, shkruante Berisha . Më tej në komentin e tij, ish-kreu i ekzekutivit shqiptar pohoi se sasia e tritolit e vendosur në makinën e prefektit është sipas tij vepër e kryeministrit Rama. “Të nesermen u harrua fare dhe telefonata anonime dhe zyrtarisht u tha se ishte Dervishi vet që kishte njoftuar Gardën për eksplozivin nën të ndenjurat e tij, por nuk kishte thënë nëse e kishte vendosur në Vlorë apo Tiranë. Mediat botuan informacionin se futjen e makinës në zonën e ndaluar e kishte bërë duke e ngarë vet atë jo Besnik trimoshi por drejtori i antikorrupsionit në kryeministri z. Hoxha. Pra të dashur miq faktohet se në mënyrë të padiskutueshme së kapsollin prefektit ja kishte vënë mbrapa vet Edi Rama. Por Dervishit i ra bingo! Një makinë e re personale nga qeveria që i dëmtoi makinën në skenarin qesharak në oborrin e saj”,  u shpreh ish-kryeministri i vendit Berisha.

 

 

 

Share it :