Gjata: Ligji i ri i Nëpunësit Civil me vendimin e Gjykatës Kushtetuese ka hyrë në fuqi më 1 tetor
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e aktit normativ të qeverisë për Nëpunësin Civil bën që ligji i ri i miratuar me konsensus mes palëve të hyjë në fuqi që nga 1 tetori. Marrë shkas nga ky fakt, juristët sqarojnë se të gjitha vendimet e ndërmarra nga qeveria nga kjo datë deri më tani, të cilat prekin administratën shetërore mbi bazën e ligjit të vjetër, bëhen nul. “Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese ligji i ri ka hyrë në fuqi në datën 1 tetor, nuk diskutohet dhe të gjitha efektet e tij fillojnë nga 1 tetori. Nëse është marrë një vendim çfarëdo mbi bazën e ligjit tjetër, duke u mbështetur tek akti normativ, kur ligji i ri nuk ka hyrë akoma në fuqi, me vendimin e Kushtetuteses ato bëhen nul, të pavlefshme, sepse konsiderohet se ligji ka hyrë më 1 tetor. Këtë koncept ka akti normativ me ligjin e ri. Duke rënë akti normativ ka rënë shtyrja e hyrjes në fuqi e ligjit dhe duke rënë shtyrja në fuqi e ligjit, çdo pasojë e ka sjellë ligji i vjetër konsiderohet e pavlefshme”, u shpreh dje juristi Çlirim Gjata për “abcnews”.
Vendimi
Ndërkohë vendimi i i Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e aktit normativ të qeverisë, i cili shtynte me 6 muaj hyrjen në fuqi të ligjit të Nëpunësit civil, sjell edhe efekte për financat e vendit. Sipas Gjatës, shqetësimi më i madhevjen nga pasojat financiare që duhen përballuar për të gjithë nëpunësit që janë larguar nga puna në këto tre muajt e fundit mbi bazën e ligjit të vjetër. “Nëse një punonjës është larguar nga puna mbi bazën e ligjit të vjetër, kjo bëhet e pavlefshme. Pra nuk mund të hyjë as gjykata e asnjë institucion tjetër. Institucionet përkatëse të gjejnë një kompromis ligjor, të mos ia lënë gjykatës, sepse mund të ketë pasoja shumë të mëdha të paktën financiare”, bëri të ditur juristi Clirim Gjata, duke shtuar se ky procces duhet zgjidhur admniistrativisht, pa ia lënë në dorë gjykatave. Në të njejtin qëndrim me të ishte edhe ish-ministri i Drejtësisë, juristi Enkelejd Alibeaj, i cili pohoi dy ditë më parë se vendimarrja e Kushtetueses pritet të ketë kosto financiare, pasi sipas tij të larguarit nga puna nga qeveria aktuale, duhet të paguhen dhe për peridhën kur punën e tyre e kryenin punonjësit e rinj. “Në bazë të këtij ligji, të gjithë këta nëpunës civil, kanë të drejtë jo vetëm ti drejtohen gjykatës, jo vetëm të përfitojnë pagën e papaguar për të gjithë këtë kohë qëndrimi nuk u është dhënë paga, po të rikthehen në mënyrë të menjëhershme në vendin e tyre të mëparshëm të punës”. u shpreh Alibeaj. Po ashtu, ai theksoi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese zeroi çdo ndërhyrje në ligjin e nëpunësit, zbatimi i të cilit, nisi që nga 1 tetori. “Llogaritë bëhen më 1 tetor 2012, mund të bëhen vetëm në ato vende vakante që rezultonin në atë kohë dhe mënyra e vetme është një konkurs kombëtar i përgjithshëm. Deri tani nuk ka ndodhur asnjë konkurs kombëtar, nuk ka pasur as vende vakante të shpallura në këtë rast, nuk është realizuar asnjë procedurë sipas ligjit. Nga ana tjetër ka ndodhur marrje në punë në mënyrë masive, të cilat konsiderohen të pavlefshme”. Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar tre ditë më parë aktin normativ të qeverisë për “Nëpunësin civil”, duke e cilësuar atë si antikushtetues. Me këtë vendim, i cili pritet të zbardhet në ditët në vijim, Kushtetuesja pranoi kërkesën e PD-së për shpalljen antikushtetues të aktit normativ të qeverisë i cili shtynte me 6 muaj hyrjen në fuqi të ligjit të miratuar me shumicë të cilësuar në seancën parlamentare të 30 majit 2013.
Gjykata Kushtetuese
Dedja: Duhet ndryshuar ligji për organizimin dhe funksionimin, problem kuorumi
Kreu i Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja deklaron domosdoshmërinë e ndryshimit të ligjit për organizimin dhe funksionimin e kësaj gjykate. Sipas tij duhet gjetur një zgjidhje kur ka mungesë të kuorumit të gjyqtarëve çka çon në refuzimin e çështjes së ardhur për shqyrtim. “Shumë herë për shkak të papajtueshmërisë së gjyqtarëve, në gjykimin e çështjeve nuk mund të marrë pjesë në gjykimin e çështjes dhe bie kuorumi. Që seanca të quhet e vlefshme duhet të marrin pjesë 6 gjyqtarë, dhe që të merret vendim duhet të shprehen 5 zyrtarë pro ose kundër për zgjidhjen e çështjes. Në rastet kur nuk sigurohen ky kuorum çështja refuzohet dhe nuk shqyrtohet. Mirëpo qytetari pret një përgjigje nga gjykata. Në këtë rast mund të shqyrtohet se si mund të zgjidhet trupa gjyqsore”, deklaroi Dedja për “AS”. Lidhur me këtë problematikë, kreu i Gjykatës Kushtetuese sygjeroi një zgjidhje të mundshme, ku theksoi se,: “Një zgjidhje tjetër mund të jetë duke përfshirë gjyqtarët bashkëpunues, të cilët mund të zgjidhen nga sistemi gjyqsorë, duke ndjekur edhe modelin e gjykatës evropiane, por kjo ndryshon në ndryshimin e ligjit, edhe në Kushtetutë. Një ndryshim tjetër i nevojshëm është edhe përsa i përket se si vendoset për zgjidhjen e çështjes, kur votat ndahen në mënyrë të barabartë apo kur nuk merret një vendim. Janë 7 gjyqtarë, ndahen 4 me 3 dhe çështja refuzohet”. Ndërkohë lidhur me mundësinë e ndërhyrjes në ligjin themeltar të vendit, kreu i Gjykatës Kushtetuese deklaroi se ky dokument nuk është i paprekshëm.
Shtyhet sërish
Mbledhja e qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës në janar
Mbledhja mes qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë do të mbahet në muajin janar. E shtyrë për të dytën herë, mbledhja e përbashkët sipas media kosovare, do të zhvillohet fillim vitin e 2014-ës për shkak të axhendës së ngjeshur të ekzekutivit shqiptar. Fillimisht dy kryeministrat Rama dhe Thacci kishin caktuar datën 26 nëntor, dy ditë para festës së Pavarësisë, që të mblidhnin për herë të parë në historinë e tyre qeveritë e dy shteteve shqiptare në Ballkan në një mbledhje të përbashkët. Por zhvillimi i zgjedhjeve lokale në Kosovë në këtë periudhë dhe arsyetimi sipas së cilit mbledhja në këtë kohë mund të cilësohej ndikuese në fushatë, bëri që ajo të shtyhej për në datën 2 dhjetor. Por ky muaj e ka gjetur qeverinë shqiptare në përpjekjet e saj për lobim në vendet anëtare të BE-së lidhur me statusin e vendit kandidat si edhe në përgatitjen e paketës fiskale dhe projekt buxhetit të vitit 2014. Nisur nga kjo axhendë, të dy palët kanë menduar që muaji janar është koha më e përshtatshme për të zhvilluar mbledhjen e ëprbashkët mes dy qeverive. Ndërkohë Glauk Konjufca i lëvizjes “Vetëvendosje” pohoi se,: “po të kish qenë kjo mbledhje për të koordinuar me Shqipërinë përpjekjet si të kundërshtohen ambiciet e Daçiçit në Kosovë; si të ndalet krijimi i asociacionit të komunave serbe; si të shtrihet sovraniteti i Kosovës atje; si të arrestohen eksponentët e krimit të organizuar në Veri, atëherë do të besoja se është mbledhje me karakter vërtet kombëtar dhe për interesat tona”.




