Zbardhet vendimi për vrasjen te ish-Fusha e Aviacionit Provat që dënuan me burgim përjetë Aldo Hoxhën për vrasjen e Tafës

Sonja Caka

Gjykata argumenton provat që mori si bazë për dënimin e të pandehurit. Avokati i 20-vjeçarit ankimon vendimin e Gjykatës, dosja pritet të dorëzohet për gjykim në Apel

 

aldo-hoxha-2-280x200Gjykata e Tiranës ka zbardhur vendimin e plotë për Aldo Hoxhën, i dënuar me burgim përjetë për vrasjen e Fatbardha Tafës për një varëse floriri. Në vendimin e saj të plotë, i cili është ankimuar tri ditë më parë nga avokati i të pandehurit, togat e zeza argumentojnë cilat ishin provat që krijuan bindjen se 20-vjeçari ishte autori i këtij krimi të rëndë.

Ngjarja

Në vendimin e saj, Gjykata shpjegon edhe momentin e ngjarjes. Sipas togave të zeza, e ndjera viktima Fatbardha Tafa, shtetase shqiptare me banim në Itali, në muajin korrik 2012 ka qenë në qytetin e Tiranë për të kaluar pushimet dhe për të takuar të afërmit e saj. Me datë 7.8.2012, rreth orës 18 -19:00 e ndjera Fatbardha ka qenë së bashku me motrën e saj Lumturie Gjana në rrugën “Bab Rexha” në qytetin e Tiranës, duke lëvizur në këmbë në drejtim të lulishtes pranë vendit të njohur si ish-Fusha e Aviacionit. Disa metra para tyre po lëviznin edhe fëmijët apo nipërit e viktimës, shtetasit Miranda Tafa, Ervis Tafa, Mirjan Gjana dhe Yrgin Perzhilla. Kur viktima dhe motra e saj ishin në afërsi të shkollës “Dhora Leka”, pranë tyre janë afruar dy djem, të cilët lëviznin me një motor me ngjyrë të zezë, të paidentifikuar nga hetimi gjyqësor. Njëri nga personat, ai që ndodhej si pasagjer dhe mbante në kokë një kapele me ngjyrë jeshile të errët (i identifikuar më pas si i pandehuri Aldo Hoxha), i është afruar në këmbë me shpejtësi viktimës, të ndjerës Fatbardha Tafa dhe ka tentuar t’i marrë me forcë një varëse floriri, që viktima e mbante në qafë. Veprimi i të pandehurit ka hasur në rezistencën e viktimës, e cila ka reaguar fizikisht duke u përleshur me të pandehurin Aldo Hoxha për të mos lejuar marrjen e varëses. Në ndihmë të motrës së saj, ka reaguar edhe dëshmitarja Lumturie Gjana e më pas edhe Ervis Tafa e Mirjan Gjana, por veprimet e të pandehurit kanë qenë shumë të dhunshme. I pandehuri, duke parë reagimin e viktimës dhe motrës së saj, ka nxjerrë një mjet të mprehtë të ngjashëm me thikën, duke goditur viktimën Fatbardha Tafa disa herë në pjesë të ndryshme të trupit, kryesisht në anën e majtë të kraharorit. Në përleshjen e dhunshme ka reaguar edhe personi tjetër, i cili drejtonte motorin dhe mbante skafandër (kokore) në kokë. Drejtuesi i motorit i ka ardhur në ndihmë të pandehurit, ka goditur të paktën dy herë shtetasen Lumturi Gjana në krahun e majtë me një mjet të mprehtë (thikë) dhe është larguar me motorin e tij së bashku me të pandehurin Aldo Hoxha. Gjatë përleshjes me viktimën dhe motrën e saj Lumturie Gjana, personit që ka goditur viktimën i ka rënë edhe kapelja që mbante në kokë, e cila ka mbetur në vendin e ngjarjes pa mundur që të merret nga autorët e veprës. Për shkak të situatës shumë të vështirë të krijuar dhe plagëve që kishte marrë viktima, dëshmitarja Lumturi Gjana dhe Ervis Tafa, të ndihmuar nga një makinë e rastësishme, janë dërguar me shpejtësi në Spitalin Ushtarak Tiranë për t’i dhënë ndihmën mjekësore viktimës Fatbardha Tafa. Ndërsa personat e tjerë, të ndihmuar edhe nga banorë të lagjes, kanë qëndruar në vendin e ngjarjes në pritje të familjarëve të tyre. Ndërkohë, në vendin ku ka ndodhur krimi kanë shkuar forcat të policisë, të cilat kanë filluar kryerjen e veprimeve të para hetimore. Pothuajse në të njëjtën kohë me policinë ka mbërritur edhe dëshmitari Luan Gjana (bashkëshorti i shtetases Lumturie Gjana dhe kunati i të ndjerës viktimës Fatbardha Tafa), i cili me mjetin e tij ka marrë fëmijët që kishin mbetur në vendin e ngjarjes si edhe sendet e të dëmtuarve. Bashkë me sendet personale, familjarët e të dëmtuarve, kanë marrë edhe një kapele, e cila më pas ka rezultuar se ishte pikërisht kapelja që mbante në kokë personi që goditi me thikë viktimën Fatbardha Tafa, i pandehuri Aldo Hoxha. Pavarësisht ndihmës së dhënë, e ndjera Fatbardha Tafa ka humbur jetën si rezultat i goditjeve të marra në kraharor, të cilat kanë shkaktuar shok të rëndë traumatiko-hemorragjik. Sipas aktit të ekspertimit mjeko ligjor nr. 287 si dhe procesverbalit të këqyrjes së kufomës datë 7.8.2012 së shtetases Fatbardha Tafa është arritur në konkluzionin se në trupin e saj u konstatuan plagë prerëse shpuese, nga të cilat tre plagë depërtuese dhe dy plagë sipërfaqësore të shkaktuara me mjete të forta prerëse shpuese.

Provat

Në vijim të hetimeve për gjetjen e autorëve, nga ana e policisë janë shoqëruar persona të ndryshëm të dyshuar apo dëshmitarë të veprës, mes tyre dhe i pandehuri Aldo Hoxha. Nga procesverbali i këqyrjes së jashtme, datë 09.08.2012 e të pandehurit Aldo Hoxha ka rezultuar se vihen re dëmtime në formën e ekimozave në pjesë të ndryshme të trupit si në qafë, në shpatullën e majtë, në pjesët e duarve, parakrah e shpinë, të cilat krijojnë indice të mjaftueshme për pjesëmarrjen e të pandehurit në një grindje apo përleshje. Në aktin e mësipërm dëmtimet janë përshkruar në mënyrë të hollësishme si edhe janë shoqëruar me fotografi duke u specifikuar se në qafën e të pandehurit disa nga dëmtimet janë në formën e germës “U”, tipike si ato të shkaktuara nga përleshja me thonj. Sipas aktit të ekspertimit nr. 1000 datë 9.8.2012 rezulton se janë ekzaminuar dëmtimet e konstatuara në trupin e të pandehurit Aldo Hoxha dhe është arritur në konkluzionin se dëmtimet janë shkaktuar jo më parë se 48 orë nga momenti i ekzaminimit (këqyrjes së jashtme) të shtetasit Aldo Hoxha. Nga deklarimet e dëshmitarëve punonjës policie, që kanë marrë pjesë në shoqërimin e të pandehurit Aldo Hoxha, ka rezultuar se i pandehuri është shoqëruar me datë 9.8.2013 rreth orës 00:30 në banesën e xhaxhait të tij Besnik Hoxha dhe ka tentuar të fshihet në ambientet e banesës (pas një divani) si edhe ka dhënë gjeneralitete të rreme kur i është kërkuar të identifikohet. Nga kqyrja e kapeles dhe ekzaminimi i saj janë gjetur të dhëna të vlefshme në lidhje me hetimin e çështjes si fije floku, gjurmë gjaku dhe mbetje djerse. Me qëllim krahasimet e gjurmëve të gjetura në kapelen objekt ekspertimi janë marrë elementë të nevojshëm edhe nga i pandehuri Aldo Hoxha si edhe nga e dëmtuara Lumturie Gjana. Pas analizimeve të nevojshme, sipas akt-ekspertimit ADN-je nr. 7505, datë 11.8.2012, është arritur në konkluzionin se “profili gjenetik i shtetasit Aldo Hoxha model krahasimi përputhet me profilin gjenetik të përftuar nga fija e flokut e gjetur në kapelen jeshile. Profili gjenetik i shtetasit Aldo Hoxha model krahasimi është i ndryshëm nga profili miks i përftuar nga njollat e gjakut në kapele. Profili gjenetik i shtetasit Aldo Hoxha model krahasimi është i përfshirë në profilin miks të përfituar nga mbetjet e djersës marrë me tampon në kapele”. Ndërsa nga akt ekspertimi ADN nr. 7670, datë 17.8.2012, ka rezultuar se profili gjenetik i shtetases Lumturie Gjana është i përfshirë në profilin miks të njollave të gjakut të gjetura në kapele.

Gjykata, 5 arsyet pse fajësohet Aldo Hoxha

Pavarësisht nga pretendimet e të pandehurit dhe mbrojtjes së tij, Gjykata krijon bindjen se i pandehuri Aldo Hoxha është njëri nga personat që ka kryer veprën penale të vjedhjes me pasojë vdekjen e shtetases Fatbardha Tafa për arsye që do të analizohen hollësisht më poshtë. Në lidhje me provën më të kontestuar nga avokati i të pandehurit, një kapele që bën lidhjen midis autorit të veprës dhe të pandehurit Aldo Hoxha, Gjykata vëren se së pari, nga deklarimet e dëshmitarëve Lumturie Gjana, Yrgin Pershilla, Mirjan Gjana dhe Ervis Tafa, jo vetëm që është dhënë mekanizmi i ngjarjes dhe dëmtimet e të ndjerës Fatbardha, por qartësisht dhe pa asnjë dyshim para Gjykatës kanë deklaruar në lidhje me faktin se njëri nga autorët e veprës, pikërisht ai që sulmoi dhe goditi me thikë viktimën Fatbardha Tafa, mbante në kokë një kapele ngjyrë jeshile të errët me strehë. Së dyti, të gjithë dëshmitarët e mësipërm kanë deklaruar se gjatë përleshjes me viktimën dhe familjarët e saj, personit i ka rënë në tokë kapelja dhe është larguar pa mundur që ta marrë atë. Së treti, kapelja është gjetur në vendin e ngjarjes dhe është marrë së bashku me sendet e tjera personale të familjarëve të viktimës. Dëshmitarët Yrxhin Perzhilla, Luan Gjana, Mirian Gjana dhe Miranda Gjana kanë deklaruar të njëjta fakte se: Kapelja është marrë nga Yrxhini, është lënë në makinën e Luanit dhe dy ditë pas ngjarjes është dorëzuar në polici nga Luan Gjana. Së katërti, nga këqyrja e kapeles dhe nga akti i ekspertimit janë evidentuar një fije floku, gjurmë gjaku dhe mbetje djerse. Gjurmët e gjakut dhe mbetjet e djersës janë profile miks, që do të thotë se janë formuar nga të paktën dy persona. Provat e mësipërme janë krahasuar me të dhënat e marra nga i pandehuri Aldo Hoxha dhe është arritur në konkluzionin se profili gjenetik i tij përputhet me profilin e fijes së flokut të gjendur në kapele. Gjithashtu, profili gjenetik i të pandehurit është i përfshirë edhe në profilin miks të mbetjeve të djersës. Nga provat e mësipërme, Gjykata krijon bindjen se fija e flokut e gjetur në kapele i përket të pandehurit Aldo Hoxha dhe se mbetjet e djersës janë formuar nga i pandehuri Aldo Hoxha dhe një person tjetër. Në lidhje me gjurmët e gjakut të gjetura në kapele, nuk janë gjetur përputhshmëri me profilin e të pandehurit. Së pesti, gjurmët e gjakut të gjetura në kapele janë analizuar duke u krahasuar me profilin e shtetases Lumturie Gjana dhe nga akti i ekspertimit është arritur në konkluzionin se profili gjenetik i saj është i përfshirë plotësisht në profilin miks të nxjerrë nga kapelja. Rrethana e mësipërme duhet analizuar në harmoni me faktin e provuar gjatë gjykimit se gjatë përleshjes me autorët e veprës, shtetasja Lumturie Gjana është dëmtuar me plagë prerëse në krahun dhe parakrahun e majtë, dëmtime që sjellin edhe gjakderdhje. Faktet e mësipërme provojnë para Gjykatës se kapelja e gjetur dhe analizuar si provë është pikërisht kapelja që është gjetur në vendin e ngjarjes dhe se përdorej nga personi që ka sulmuar viktimën Fatbardha Tafa. Së gjashti, pretendimi i avokatit për të caktuar një ekspert për të përcaktuar numrin apo madhësinë e kapeles është vlerësuar i panevojshëm për Gjykatën, pasi kapelja është administruar si provë materiale, është këqyrur dhe fotografuar dhe se nga materiali i saj, përmasat dhe forma është lehtësisht e përshtatshme për çdo person të rritur. Përveç këtyre momenteve, fajësia provohet edhe nga përshkrimi i dëshmitarëve dhe ekspertiza mjeko-ligjore se dëmtimet e gjetura në trupin e të pandehurit janë shkaktuar ditën që ka ndodhur ngjarja.

Akuza

Aldo Hoxha akuzohet për kryerjen e veprës penale të “Vjedhjes me pasojë vdekjen” të kryer në bashkëpunim dhe “Plagosje e lehtë me dashje” e kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 141 – 25 dhe 89 – 25 i Kodit Penal

 

Gjykatë e Lartë

Neritan Tabaku kërkon të rikthehet si gjyqtar, Kolegjet e Bashkuara shtyjnë për sot vendimin

Neritan Tabaku kërkon rikthimin në punë si gjyqtar. Përmes një kërkesë depozituar në Gjykatën e Lartë, ish-gjyqtari i Shkallës së Parë në Durrës, i cili u shkarkua nga detyra nga KLD-ja për shkak të moszbardhjes së vendimeve për një kohë të gjatë, kërkon të rikthehet ë detyrë. Paraditen e djeshme, Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë nisën shqyrtimin e ankesës së ish-gjyqtarit Tabaku, ndërsa pritet që vendimi të jepet ditën e sotme. Ish-gjyqtari Tabaku, i shoqëruar nga avokati mbrojtës, parashtroi tri kërkesa paraprake. Ai kërkoi largimin nga trupi gjykues të kryetarit të Gjykatës Xhezahir Zaganjori dhe anëtarit Artan Broci, për shkak se janë anëtarë të KLD-së. Gjithashtu, Tabaku kërkoi pezullimin e shqyrtimit të kësaj ankese, pasi nuk ka përfunduar procesi penal ndaj tij, si njohjen me vendimin e shkarkimit nga KLD-ja. Anëtarët e Kolegjeve të Bashkuara rrëzuan dy kërkesat e para të Tabakut, duke pranuar vetëm kërkesën e fundit, përkatësisht atë të njohjes me vendimin e shkarkimit nga KLD. Seanca nisi me shqyrtimin e kërkesës së parë, atë të përjashtimit të 2 prej anëtarëve përkatësisht, kryetarit të Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori dhe Artan Brocit. Pas marrjes në shqyrtim, kjo kërkesë u rrëzua, ndërsa të njëjtin fat pati disa minuta më pas edhe kërkesa e dytë, ajo e pezullimit të këtij procesi deri në përfundim të procesit penal. Sot pritet që të vendoset për kërkesën e tretë, ndërsa Tabaku kërkon që Kolegjet e Bashkuara të anulojnë vendimin administrativ të KLD-së që e shkarkoi atë pak kohë më parë për t’i hapur rrugën hetimeve dhe procedimeve të prokurorisë. Procedimi nisi për mungesën e zbardhjes së vendimit që liroi Ilir Xhaken, i cili pas këtij lirimi qëlloi në një ngjarje tjetër për vdekjen shefin e komisariatit të policisë së Shijakut Adem Tahiraj. Tabaku u gjykua nga Gjykata e Tiranës, e cila rrëzoi kërkesën e prokurorisë që kërkoi 3 vite burg duke e shpallur atë të pafajshëm, vendim ky i cili është apeluar nga prokuroria.

 

 

Share it :