Rritja do të prekë edhe studimet part-time
Tarifat pritet të ndryshojnë
Ashtu si çdo cikël studimi edhe kuotat për master do të rriten për vitin akademik 2013-2014. Burime të gazetës bëjnë me dije se gjatë muajit gusht qeveria do të miratojë kuotat për programet e ciklit të dytë, ku bie në sy prirja për rritjen e pranimeve. Duke u bazuar te rritja e numrit të studentëve të rinj, Ministria e Arsimit do t’i propozojë Këshillit të Ministrave një rritje të lehtë të kuotave. Rritja do të bëhet për të gjitha degët kryesore duke filluar nga Ekonomiku, Juridiku dhe deri te kuotat e rretheve. Nëse vendimi miratohet, atëherë do të jenë qindra studentë të cilët do të përfitojnë duke parë që numri i kuotave të masterit në publik është më i vogël se numri i studentëve që mbarojnë një vit akademik në ciklin e parë. Rritja do të prek të dy programet e studimit si masterin Shkencor dhe masterin profesional. Përveç masterit do të jenë edhe studimet me kohë të pjesshme që do të pësojnë rritje. Ndryshimi i kuotave në këto programe do të jetë i ulët duke ditur që në 2-3 vitet e fundit është bërë rritje periodike. Të dy këto vendime do të miratohen nga qeveria Berisha dhe nuk do të pritet rotacioni i pushtetit për të vendosur për numërin e studentëve që do të pranohen në studimet master dhe part-time.
Tarifat
Përveç ndryshimit të kuotave do të rritet dhe tarifat e studimit. Si për master dhe për studimet me kohë të pjesshme, tarifat do të pësojnë një rritje pre 3-4%. Sipas Ministrisë së Arsimit, kjo rritje nuk do të jetë një faktor shqetësues për studentët pasi bazohet te niveli i inflacionit. Ashtu si për çdo vit mundësia më e mirë për të rinjtë do të jetë pagesa me këste. Kjo formë pagese bëhet me dy këste, njëherë në muajin janar dhe herën tjetër në përfundim të studimeve. Përveç pagesës me këste studentët mund të marrin kredi me kushte lehtësuese, falë vendimeve që qeveria ka miratuar për tu ardhur në ndihëm familjeve pa të ardhura.
Regjistrimet
Regjistrimet për çdo cikël studimi do të nisin pas muajit shtator. Do të pritet mbyllja e provimeve të vjeshtës, në mënyrë që çdo studentë të arrijë të marrë diplomën. Për të fituar master në shtet, mund të regjistrohen edhe studentët që vijnë nga privatët. Kriteri kryesor për përzgjedhjen e fituesve do të jetë mesatarja. Çdo vit fakultete në Tiranë kanë përzgjedhur fillimisht, studentët që kanë mbaruar në shtet pastaj kanë regjistruar ata që vijnë nga privatët.
Dokumentet që kërkohen për regjistrim në master
-Fotokopje e noterizuar të diplomës së ciklit të parë të studimeve të shoqëruar me listën origjinale të notave
-Dokument identifikimi (kartë identiteti ose pasaportë) dhe fotokopje e tyre
-2 (dy) fotografi
-Mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 2.500 lekë (dymijë e pesëqind), paguar në Postën Shqiptare
-Deklaratë e kandidatit që vërteton se nuk ndjek ndonjë program tjetër studimi të ciklit të dytë, “Master profesional” dhe “Master shkencor” në institucionet e arsimit të lartë.
Kopshtet dhe çerdhet, në 2 shtator fillojnë regjistrimet
Duke filluar nga data 2 shtator, do të nisin regjistrimet në kopshte dhe çerdhe. Radhët e gjata që shfaqen për të regjistruar fëmijët ka bërë që Drejtoria Arsimore në Tiranë të fillojë marrjen e masave që gjatë në fillim të shtatorit. Për të bërë regjistrimin e fëmijës në çerdhe apo në kopsht, prindërit duhet të dorëzojnë në zyrën e regjistrimit dy dokumente kryesore, që janë certifikata personale e fëmijës, e pajisur me fotografi, e cila duhet të jetë e tre muajve të fundit si dhe vërtetimin nga mjeku i lagjes për gjendjen shëndetësore që tregon se fëmija i tyre i ka kryer vaksinat e detyrueshme. Kërkimi i këtij vërtetimi shëndetësor bëhet me qëllim që të shmanget përhapja e ndonjë sëmundjeje nga njëri fëmijë te tjetri, si dhe që prindërit të jenë të qetë për shëndetin e fëmijës në çerdhe apo kopsht. Por nëse një prind kërkon ta regjistrojë fëmijën në një institucion tjetër parashkollor, jashtë njësisë së tij bashkiake, nevojitet edhe vërtetimi që tregon se fëmija është banor i kësaj zone të Tiranës. Prioritet do të ketë edhe për fëmijët e emigrantëve, të cilëve do t’u krijohen lehtësira në procedurat e regjistrimit. Vitin e kaluar që në ditën e parë të regjistrimeve u vu re një fluks i lartë i numrit të prindërve që kërkonin të regjistronin fëmijët e tyre në kopshte e çerdhe. Për shkak të mbipopullimit, Drejtoria Arsimore Tiranë gjeti një zgjidhje që fëmijët e moshës pesë vjeç t’i sistemonte në klasat parashkollore në shkollat 9-vjeçare, për t’u bërë gati për në klasën e parë, pasi kapaciteti normal i një kopshti shkon nga 130-140 fëmijë, ndërsa një grup duhet të ketë nga 30 deri në 35 fëmijë.
Provimet me zgjedhje, procedura që duhet të ndjekin maturantët për të marrë kopjen e testit
Ankesat e shumta që maturantët kanë shfaqur me njëri-tjetrin në faqet online ka bërë që Agjencia Kombëtare e Provimeve t’ju japë mundësi të pakënaqurve të tërheqin testin e provimeve me zgjedhje. Ashtu si në provimet e detyruara, secili, nëpërmjet një kërkese, mund të kërkojë fotokopjen e provimit. “Maturanti paraqet një kërkesë me shkrim pranë shkollës deri më datë 15 korrik, ora 12:00. Shkolla dërgon në Drejtorinë Arsimore listën e maturantëve që kanë kërkuar fotokopje deri në datën 16 korrik, ora 12:00”, – thuhet në njoftimin e Agjencisë Kombëtare të Provimeve. Për të marrë një kopje, çdo kandidatët duhet që të bëjë pagesën e tarifës pre 400 lekësh në një nga pikat e Postës Shqiptare ose në një nga bankat e nivelit të dytë. Më pas do të jetë Drejtoria Arsimore e cila do të dërgojë listën e maturantëve që kanë ankesa në AKP. Duhet theksuar se çdo kandidatë do të njoftohet nga drejtoria arsimore lidhur me datën se kur do të shkojë për të tërhequr fotokopjen e testit. Në 2 provimet me zgjedhje ka pasur shumë të pakënaqur lidhur me rezultatet dhe “përballje” me përgjigjet që kanë dhënë do të qartësojë secilin. Nga ana e AKP-s nuk pritet të ketë shqetësime pasi çdo korrigjim është i saktë dhe i bërë nga 2 persona të ndryshëm.





