Punësimi i militantëve, Basha: Mazhoranca e re do të përballet me aksionin opozitar

 Ina Jano

Kërcënimet ndaj Kosovrastit, kreu i Bashkisë së Tiranës: Të heqin dorë ose do të përballen me fuqinë e reagimit të demokratëve

 

12065_576016979116154_3901824_n

Kandidati për kryetar të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, është ndalur dje në zonën e Peshkopisë, Burrelit dhe Bulqizës, qytete këto ku ka ndarë platformën e tij për drejtimin e partisë me demokratët e këtyre vendeve. Duke marrë shkas edhe nga deklaratat e kryesocialistit Rama, kreut të ri në qeverisë në vend, zoti Basha tha se nëse do të ketë punësim të militantëve në administratë, atëherë mazhoranca e re do të përballet me aksionin opozitar në vend. Basha u shpreh i vendosur në aksionin politik të PD-së për t’u përballur me pushimet kolektive nga puna që paralajmëron Edi Rama, me hapjen e konkurseve për të punësuar militantët e mazhorancës së re. Në projektin e kandidatit Basha, Partia Demokratike do të hapë zyra në çdo degë të saj për të mbrojtur ligjërisht çdo abuzim me punonjësit e administratës. “Ne jemi Shqipëria e ëndrrave evropiane dhe në çdo hap tonin, e faktuam këtë. Ata janë Shqipëria e pazareve, trillimeve, e mashtrimeve, vetëgjykojnë në masë administratën, kërcënojnë me pushime masive dhe hapin konkurse online për të punësuar militantët e tyre. Ky është mentalitet neobllokmeni dhe ne do t’i gjendemi përballë që në orën e parë”, – deklaroi kreu i Bashkisë së Tiranës.

Rasti “Kosovrasti”

Në mbledhjen e së martës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, përfaqësuesi ligjor i së djathtës, zoti Niazi Kosovrasti, ka lexuar disa mesazhe kërcënuese që kanë ardhur në drejtim të tij dhe të familjes së tij. Në mënyrë të menjëhershme ka reaguar Partia Demokratike ditën e djeshme me anë të deputetit Gerti Bogdani, që ka akuzuar opozitën si përgjegjëse për këtë ngjarje. Ndërsa dje edhe kandidati potencial për kryetarin e selisë blu, zoti Basha, i ka konsideruar tërësisht të papranueshme kërcënimet ndaj përfaqësuesit të PD-së në KQZ, Niazi Kosovrasti. Kandidati Basha u ka bërë thirrje këtyre njerëzve, që, sipas tij, njohin vetëm praktikat e krimit, të heqin dorë nga kërcënimet ose do të përballen me fuqinë e reagimit të çdo mendjeje dhe zemre demokrate. “Këta njerëz që njohin vetëm gjuhën e krimit dhe praktikat e krimit duhet të dinë sot se nuk na kanë trembur në kohën tonë më të vështirë, nuk na trembin as sot. Ndaj u bëj thirrje t’i thërrasin mendjes dhe të heqin dorë nga kërcënimet ndaj përfaqësuesve tanë ose do të përballen me fuqinë e reagimit të çdo mendjeje dhe zemre demokrate”, – u shpreh Basha. Në themel të lidhjes së tij me PD-në, ai vlerësoi kurorëzimin me sukses të çdo përgjegjësie që i është ngarkuar ndër vite. “Unë vij sot para jush me një lidhje të fortë me bazën demokrate, lidhjen e përmbushjes së çdo detyre që ju më keni ngarkuar. Më ngarkuat një nga zonat e vështira elektorale, në 2005 dhe e fitova. Më ngarkuat qarkun e Elbasanit, nga ku vinim me dy mandate. Arrita të kthehesha në Tiranë me rezultatin historik dhe të paparë më parë, 7 mandate prej Elbasanit dhe në 2011-ën më ngarkuat përballjen direkte me kryesocialistin, të cilin e munda dhe e nxora në opozitë”, – përfundoi Basha.

 

Reagimi

Strazimiri: Ja si po rilindim

Gent Strazimiri, deputeti i Partisë Demokratike, ka reaguar dje në rrjetin social Facebook, ku ka komentuar zhvillimet më të fundit në vend, referuar edhe deklaratave të opozitës se si do të shndërrohen institucionet pasi PS-ja të marrë zyrtarisht detyrën. “Premtimet e djeshme dhe planet e sotme… për nesër… Ja si po “rilindim”: 1. KLSH zëvendësohet me një kompani të huaj të monitorimit financiar. 2. KSHC zëvendësohet me dorëzim të CV-së në FB të PS-së. 3. Prokuroria, gjykatat zëvendësohen me FB- të e “rilindasve” dhe gazetat e Partisë ku dhe jepen vendime fajësie ose pafajësie që sot… 4. Presidenti i Republikës, prokurori i Përgjithshëm dhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë janë pezull, por të paralajmëruar…5. ALUIZNI zëvendësohet nga Policia Ndërtimore… Tani edhe Këshillat Popullore dhe Kryetaret e Frontit në lagje mbetën dhe “shokët” e Sigurimit të kthehen në vendet që u takojnë!!! “Rilindje” të mbarë…”, – nënvizon deputeti Strazimiri.

 

Gara

Olldashi: Nuk mund të ketë njerëz të palëvizshëm në parti

Në vijim të fushatës për zgjedhjen e kryetarit të Partisë Demokratike, Sokol Olldashi, kandidati për këtë post, u takua me strukturat politike të PD-së në Pukë dhe në Fushë- Arrëz, nga ku prezantoi platformën e tij për të drejtuar partinë më të madhe të së djathtës në vend. “Berisha vendosi një mekanizëm përgjegjësie, vendosi një standard të ri në PD. Ne duhet patjetër që këtë standard ta shtrijmë në të gjitha institucionet e PD-së. Nuk mund të ketë më grupe pune të palëvizshëm, nuk mund të ketë deputetë të palëvizshëm, nuk mund të ketë ministra të palëvizshëm, nuk mund të ketë kryetarë degësh të palëvizshëm, nuk mund të ketë kryetar seksioni të palëvizshëm. Secili prej piramidës së partisë nga i pari, tek më i fundit, duhet të jetë përgjegjës për rezultatin e tij. More rezultat pozitiv, konfirmohesh, more rezultat negativ, hap krahun”, – u shpreh Olldashi. Ai deklaroi se Partia Demokratike duhet të kthejë besimin e militantëve të saj, të cilët, sipas tij, u lanë në harresë për shkak se trupa politike e PD-së u përqendrua më shumë në strukturat qeverisëse dhe ato parlamentare. Ndërsa nga Shkodra ai tha se Partia Demokratike nuk duhet të bëjë aleancë me parti dhe individë që vijnë nga kampi kundërshtar. Parlamenti nuk mund të krijojë shumica në bazë të kleringut të deputetëve, pasi kjo nuk është më politikë, por aritmetikë. Olldashi ritheksoi përcaktimin e një korridori të qartë politik që konturon vetëm dy pole: të djathtën dhe të majtën. “Përmirësimi i parë që duhet të bëjmë është përcaktimi rigoroz i konturit politik. Kjo do të thotë që pasi u faktua që aleanca me një forcë politike të spektrit të majtë është e pasuksesshme dhe inproduktive, ne duhet të përcaktojmë njëherë e mirë që nuk mundet që Partia Demokratike të bëjë aleancë me parti të spektrit kundërshtar dhe as me individë që vijnë nga kampi kundërshtar. Parlamenti nuk mundet të krijojë shumica, në bazë të kleringut të deputetëve. Kjo nuk është më politikë, kjo është aritmetikë. Partia Demokratike është parti e qendrës së djathtë dhe bën koalicione brenda këtij formacioni te saj politike. Partia Demokratike duhet t’u rikthehet fort shtyllave ekzistenciale që janë: shtresa e të përndjekurve dhe e pronarëve. Partia Demokratike është një parti që duhet të vijnë të gjithë, por pa humbur referencat”, – deklaroi Olldashi. Në prezantim të platformës së tij për drejtimin e partisë, Sokol Olldashi, ritheksoi rolin e Partisë Demokratike si një shtëpi e madhe e opozitës. Për të avancuar me një aksion të fortë opozitar, Olldashi kërkoi që të gjithë faktorët e djathtë të bëjnë opozitë brenda shtëpisë së demokratëve. Po ashtu ai kërkoi vendosjen e një ekuilibri mes mekanizmit të përgjegjësive dhe mekanizmit të karrierës brenda partisë, bazuar tek një inventar i kontributeve të çdo anëtari të PD-së.

 

Vendimi

Qeveria ul shpenzimet buxhetore

Kryeministri në detyrë Sali Berisha ul shpenzimet buxhetore për 2013-ën. Me anë të një vendimi që hyn në fuqi menjëherë, është përcaktuar se për disa zëra të administratës ka ulje të konsiderueshme të shpenzimeve. Kriza e rënduar e financave publike si rezultat i shpenzimeve të larta gjatë muajve të parë të 2013-ës e ka detyruar Ministrinë e Financave të përgatisë me shpejtësi një vendim për të frenuar shpenzimet e buxhetit. Drafti i bërë gati nga ekspertët ndalon çdo prokurim të ri publik për investime dhe ngrin shpenzimet për dieta e udhëtime të administratës. Kështu shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes të njësive të qeverisjes qendrore, të pakontraktuara deri në datën 15 korrik, ngurtësohen në masën 20 për qind të pjesës së mbetur.

Gjithashtu për të gjithë administratën reduktohet 30% masa e mbulimit të shërbimit të telefonisë celulare për çdo përfitues, ndërsa fondet e papërdorura për pagesën e telefonisë fikse, për periudhën e mbetur, reduktohen në masën 50 për qind në të gjitha njësitë e qeverisjes së përgjithshme, nëpërmjet përgjysmimit të limeteve mujore për çdo përdorues. Ndërkohë që sipas vendimit edhe fondi i veçantë nuk do të përdoret deri në 2 dhjetor, duke përjashtuar rastet e ndihmave të menjëhershme dhe të shpërblimit për daljet në pension pleqërie. Gjithashtu me anë të këtij vendimi anulohen edhe të gjitha shpenzimet për udhëtime e dieta me përjashtim të atyre të rëndësisë së veçantë për të cilat duhet një vendim paraprak i ministrit të Financave.

Po ashtu në bazë të këtij vendimi trajnimet, seminaret, kurset jashtë vendit për nëpunësit e njësive të qeverisjes së përgjithshme, të parashikuara për t’u mbuluar me fondet buxhetore të miratuara për vitin 2013, bllokohen. Koalicioni i ri, i cili pritet të marrë pushtetin në shtator që prej disa kohësh i ka kërkuar kryeministrit Berisha që të bëj kujdes me shpenzimet buxhetore.

 

Share it :