Berisha: Shqipëria, ekonomi stabile, mazhoranca e re, epsh për pushtet

Ina Jano

Këshilli i Ministrave

“Administrata të mos ndikohet, vazhdimësi me përgjegjësi detyrimet ligjore në ushtrimin e pushtetit ekzekutiv”

 

July-10-15-4-10foto1

Në mbledhjen e 200-të të kabinetit qeveritar, shefi i mazhorancës, Kryeministri në detyrë Sali Berisha, duke iu referuar të dhënave nga Komisioni Evropian, njoftoi të gjithë shqiptarët për ecurinë e ekonomisë në vend, ndërsa në këtë drejtim shtoi se objektiv i qeverisë në detyrë është stabiliteti ekonomik deri në ditën që pushteti do t’i dorëzohet mazhorancës së re. Kryeministri u shpreh se situata ekonomike ne Shqipëri vazhdon në përmirësim progresiv. “Rritja e tre mujorit të parë ka qenë 1,7 %, nuk është një rritje e madhe, por është një rritje 4 herë më e madhe se sa ishte rritja në tremujorin e parë të vitit 2012”, – tha zoti Berisha. Duke iu referuar të dhënave krahasuese me vende të tjera të rajonit, ai konkludoi se për kushtet aktuale të ekonomisë rajonale dhe evropiane, ekonomia shqiptare mbetet dhe mbahet në stabilitetin më të sigurt dhe të qëndrueshëm në rajon. “Pozitive qartësisht është fakti se bilanci tregtar ka një përmirësim të ndjeshëm, nga një deficit prej – 13, ka zbritur në – 9. Është ruajtur ne parametrat e parashikuar deficiti buxhetor dhe inflacioni ishte rreth 2.4 %. Pra ekonomia vazhdon rritje, vazhdon krijimin e vendeve të punës. Vendet e punës në sektorin jobujqësor u rritën me 7,1 % në tërësi, u rritën me 1.9% por rritja e forcës punëtore, gjithashtu për shkak të rënies në treg të mijëra qytetarëve në procesin e urbanizimit, ka bërë që ulja e papunësisë të jetë me 0,5 %. Sidoqoftë të dhënat sipas KE, në rast se Eurozona ka në papunësi prej 12,2%, Shqipëria është i vetmi vend jashtë eurozonës, pra jashtë 15-tesh, jo 28-shme nje papunësi prej 12.8 %. Papunësia e të rinjve, po sipas kësaj statistike, është 22,8% në Shqipëri, dhe 22.2% në eurozonë, është 51 % në Serbi, është 58 % në Bosnje-Hercegovinë, është 47% në Kroaci, është 48 % në Maqedoni dhe kështu me radhë”, – shtoi kreu i qeverisë në detyrë.

Administrata

Duke e falënderuar administratën për të gjithë punën dhe përkushtim gjatë këtyre 8 viteve në pushtet, shefi i kabinetit qeveritar nga mbledhja e së mërkurës u kërkoi atyre përkushtim dhe gjithashtu jo dorëheqje masive. Kreu i ekzekutivit ftoi administratën të vazhdojë me vendosmëri zbatimin e të gjithë programit të qeverisë, deri në ditën e vendosjes së qeverisë. “Kushtetuta i ka të përcaktuara qartë kur fillon mandati i mazhorancës së re, kur mbaron mandati i mazhorancës që ikën. Unë ftoj administratën të mos ndikohet, por të vazhdojë me përgjegjësi detyrat dhe detyrimet e veta ligjore në ushtrim të pushtetit ekzekutiv në këtë vend, deri ditën që fillon mandati i ekzekutivit të ri dhe pastaj është ky ekzekutiv që do të vendosë si për programin e vet, ashtu dhe për administratën. Dua të përgëzoj të gjithë administratën për funksionimin e saj. Zgjedhjet kaluan dhe ato nuk patën ndikimin të ndjeshëm negativ në performancën ekonomike. Ftoj përsëri administratën me përkushtimin më të madh të vazhdojë detyrën, pasi interesi ekonomik dhe interesat në tërësi të shqiptarëve janë ato që duhet të frymëzojnë punën e saj”, – u shpreh Kryeministri. Berisha doli gjithashtu edhe në lidhje me ligjin e shërbimit civil dhe gjendjen në të cilën ka qenë administrata shqiptare, ndërsa shtoi se mbi 20 për qind e saj janë të arsimuar në universitetet me të mira ndërkombëtare, duke hedhur poshtë në këtë mënyrë pretendimet e bëra nga socialistët për impenjimin dhe mënyrën e rekrutimit të administratës së re.

Mazhoranca e re

Ashtu siç komentoi edhe një ditë më parë në Facebook, zoti Berisha nuk la pa përmendur edhe mazhorancën e ardhshme që do të jetë në pushtet në shtator. Berisha nga karrigia e Kryeministrit akuzoi se ata janë të etur për pushtet dhe deri më tani janë duke shfaqur shenja revanshi të papranueshme. “Përmbushja e objektivave të programit është shumë e rëndësishme dhe objektivi ynë kryesor është stabiliteti ekonomik, deri ditën që ne ia dorëzojmë mazhorancës së re, e cila po shfaq disa shenja revanshi të papranueshme, shenja që janë dëshmi në njërën anë e një epshi për pushtet të papërmbajtur, sepse do ti diktojë qeverisë në detyrë rregulla që janë të shkruara në Kushtetutën e Bangladeshit, i cili është një vend demokratik, por ata për të pasur qeverinë teknike kanë shkruar në Kushtetutën e tyre që tre muaj para zgjedhjeve, qeveria dorëzon dhe e merr detyrën kryetari i Gjykatës Kushtetuese. Ky model në Evrope nuk ekziston, përkundrazi në Evropë dhe në SHBA ka akte të qarta, të cilat ekzekutivit i njohin kompetenca të plota, deri në ditën e dorëzimit dhe të instalimit të pushtetit të mazhorancës tjetër”, – saktësoi numri një i ekzekutivit. Ky i fundit reagoi edhe në lidhje me idenë e Ramës për të pasur një auditim nga të huajt për gjendjen e financave të vendit. Berisha në këtë rast sqaroi të gjithë opinionin publik se qeveria shqiptare gjatë gjithë kohës ka qenë nën një kontroll ndërkombëtar, ndërsa shtoi në këtë drejtim se Shqipëria është një ndër të paktat vende në botë që publikon në faqen e thesarit çdo qindarkë që shpenzohet në të gjithë territorin e vendit, duke qenë transparente me të gjithë qytetarët shqiptarë dhe duke u treguar atyre se ku shkojnë taksat e tyre. “Eurobondi i Shqipërisë nga 7,6% interesi që u ble në fillim ka zbritur në 5,6%, pra një dëshmi e besimit shumë më të lartë se sa në vitin 2008, për financat shqiptare të vitit 2013. Është Moody’s, e cila sërish e renditi Shqipërinë në të njëjtin pozicion. Shqipëria ka përveç të tjerash, Kontrollin e Lartë të Shtetit, Institucion i pavarur që kontrollon buxhetin dhe përdorimin e tij në të gjithë territorin e vendit. Unë e ftoj të marrin jo një por 5 kompani Auditi ndërkombëtar i cili është konstant, është FMN, është BB, janë të gjitha këto institucione, është KE në mënyrë të veçantë të cilët ndjekin me interesin më maksimal çdo zhvillim ekonomik të vendit”, – pohoi Kryeministri.

 

Shifrat

Në 8 vjet, 200 mbledhje qeverie

Çdo të mërkurë, ka mbledhje të kabinetit qeveritar drejtuar nga Kryeministri Berisha. Për tetë vjet rresht, ka qenë e njëjta procedurë, ora 11:00 e së mërkurës shënonte mbledhjen e të gjithë ministrave. Përjashtim kanë bërë rastet kur shefi i mazhorancës ka qenë jashtë shtetit, me udhëtime dhe aktivitete zyrtare, dhe mbledhjet janë shtyrë për më vonë ose janë bërë në fillim të javës. Me gishtat e njërës dorë numërohen javët kur nuk është zhvilluar mbledhja e qeverisë, ndërsa pavarësisht pushimeve verore, Kryeministri është shkëputur një javë nga aktivitetet e përditshme, por takimet me ministrat nuk kanë munguar. Pikërisht në një prej mbledhjeve që mund të konsiderohen si të fundit, për Berishën, ky i fundit ka vendosur të japë disa shifra dhe të dhëna që përmbledhin në mënyrë të shkurtuar punën e ekzekutivit në këto 8 vite. “Të dashur miq, sot u mbajt mbledhja e 200-të e radhës e qeverisë. Në këto 200 mbledhje, nëpërmjet 3990 akteve: 581 ligjeve, 31 akteve normative dhe 3378 vendimeve, të miratuara gjatë këtyre viteve të fundit u bë e mundur firmosja e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit me BE, anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, lëvizja e lirë pa viza në BE, rekomandimi i statusit të vendit kandidat për Shqipërinë që e bllokoi Edi Rama me mos votimin e tre ligjeve por që u detyrua ti votonte më së fundi. Me këto akte u realizua reforma ekonomike dhe revolucioni fiskal që bënë të mundur dy-trefishimin e bizneseve të mesme dhe të mëdha, trefishimin e eksporteve dhe investimeve të huaja, uljen e papunësisë, mbi dyfishimin e rrogave të ulëta dhe të mesme dhe pensioneve të ulëta, u ndërmor projekti Shqipëria e zhvilluar, u ndërtua Rruga e Kombit, rruga Tiranë – Elbasan gjysma, janë ndërtuar mbi 10 mijë km rrugë, 1300 shkolla, 370 ujësjellës, 420 sisteme kanalizimesh dhe qindra të tjera vepra publike. U financuan 45 mijë fermerë shqiptare. Projektet kombëtare të ullirit dhe arrorëve lëshuan shtat me shpejtësi. Shqipëria arriti në moshën dixhitale, rriti me 14 herë përdorimin e internetit dhe sot ajo renditet në 10 vendet me rritjen më të shpejtë të turizmit në botë. Nderimin dhe mirënjohjen time më të thellë ndaj të gjithë atyre punonjësve të administratës dhe të tjerë, që me mendjen, përkushtimin e tyre bënë të mundur këto arritje”, – ka shkruar Berisha në Facebook.

 

Takimi

Cannon, Berishës: Procesi zgjedhor, i suksesshëm

Kryeministri pati dje një takim me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, zotin Nicholas Cannon. Ky i fundit i ka shprehur numrit një të mazhorancës vlerësimet më të larta për realizimin e një procesi zgjedhor shumë te mirë, duke e konsideruar këtë proces një sukses në radhë të parë te qeverise shqiptare, por edhe një dëshmi te demokracisë shqiptare. “Gjatë kësaj periudhe, Shqipëria ka shënuar arritje të rëndësishme në plotësimin e kërkesave për ecjen përpara në procesin e anëtarësimit dhe marrjen e statusit. Britania e Madhe do të vijojë ta mbështesë vendin tonë në këtë proces”, – i deklaroi Cannon, shefit të qeverisë shqiptare. Kryeministri Berisha i shprehu ambasadorit mirënjohjen më të thellë për mbështetjen dhe ndihmën e çmuar që Mbretëria e Bashkuar dhe qeveria britanike i ka dhënë Shqipërisë gjatë kësaj periudhe, si dhe për bashkëpunimin e suksesshëm midis të dy vendeve dhe qeverive gjatë këtyre viteve. Ambasadori Nicholas Cannon e falënderoi Kryeministrin Berisha për bashkëpunimin e rëndësishëm e të suksesshëm që ai personalisht dhe qeveria shqiptare konsoliduan gjatë këtyre viteve me Mbretërinë e Bashkuar në shumë fusha.

 

Share it :