KQZ ndryshon rezultatet
PS kërkon vendimin e KQZ-së dhe premton dërgimin e çështjes në Kolegjin Zgjedhor
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi dje tabelën përmbledhëse të rezultateve për Qarkun e Lezhës, duke i dhënë fund cerfitikimit të rezultateve për çdo qark zgjedhor në Republikën e Shqipërisë. Sipas tabelës së KQZ-së, me përllogaritjet e fundit të bëra duke iu referuar edhe sistemit elektronik të të dhënave nga komisioni më i lartë zgjedhor, koalicioni i majtë në Lezhë humbet mandatin e 3-të; më konkretisht Partia Socialiste, dhe ky mandat i kalon koalicionit të djathtë, Partisë Demokratike. Qarkun i Lezhës ishte zona e fundit zgjedhore e miratuar nga KQZ-ja pas miratimit të tabelave përfundimtare të rezultateve për 11 qarqet e tjera. Ndryshimet e fundit të rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëjnë që koalicioni i majtë të marrë 83 mandate në rang kombëtar dhe koalicioni i djathtë 57 mandate. Kalimi i një mandati për të djathtët bën që e majta të humbasë edhe shumicën e cilësuar të vendeve në Kuvendin e Shqipërisë, për faktin se marrja e vendimeve me shumicë votash kërkon 84 vota.
Por miratimi i tabelës së rezultateve për Qarkun e Lezhës nuk është një çështje e mbyllur për Partinë Socialiste, përfaqësuesit ligjor të së cilës deklaruan një ditë më parë ndjekjen e çështjes në rrugë gjyqësore në Kolegjin Zgjedhor.
MBLEDHJA E KQZ-së
Shqyrtimi i projektvendimit, “Për nxjerrjen e rezultatit të votimit për zonën zgjedhore qarku Lezhë” në mbledhjen e së mërkurës në KQZ, u shoqërua me debate mes përfaqësuesve ligjor të PS-së dhe PD-së. Socialistët kërkuan kopjen e vendimit për ta ankimuar atë në Kolegjin Zgjedhor, ndërsa të djathtët vlerësuan vendimin e KQZ-së si një akt të drejtë që vlerëson votën e qytetarit dhe rregullon padrejtësitë e bëra nga komisionerët e KZAZ-së numër 13 në Lezhë.
Kryetarja e KQZ-së, Lefterie Luzi (Lleshi) duke shpjeguar metodën e ndjekur nga KQZ-ja për arritjen deri në këtë vendim argumentoi se: “i kërkuam administratës të na bënte një llogaritje të 48 qendrave të votimit të kësaj zonë zgjedhore bazuar në tabelat origjinale dhe të 10 qendrave të tjera të votimit të cilat nuk kanë tabela origjinale, orientuam administratën që t’i nxirrte ato nga sistemi elektronik i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Tabelat i janë shpërndarë të gjitha partive politike”, – deklaroi kryetarja e KQZ-së. pas debateve mes përfaqësuesve politike, zonja Luzi miratoi me katër vota pro projektvendimin “Për nxjerrjen e rezultatit të votimit për zonën zgjedhore qarku Lezhë”.
“KQZ-ja do të miratoi me vendim tabelën përmbledhëse të rezultatit për zonën zgjedhore Qarku Lezhë me shifrat e korrigjuara mbështetur në origjinalet e 248 tabelave të rezultateve të qendrave të votimit të plotësuara nga grupet e numërimit të votave dhe për 10 qendrat e votimit të kësaj zone zgjedhore, mbi bazën e të dhënave të administruara nga KQZ-ja në bazë të të dhënave elektronike. Ky është kalkulimi që kemi bërë ne për të nxjerrë rezultatin e kësaj zone zgjedhore”,- deklaroi kryetarja e KQZ-së.
Nga ana e tij përfaqësuesi ligjor i Partisë Socialiste në KQZ, Genc Gjonçaj tha se vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i heq një mandat koalicionit të majtë dhe për këtë, ai kërkoi zbardhjen e vendimit të KQZ-së për ta ankimuar në Kolegjin Zgjedhor.
“Kjo gjë që ju sapo miratuat bën të mundur lëvizjen e një mandati nga njëri koalicion në koalicionin tjetër. Ky veprim në këtë formë nuk bazohet në kodin zgjedhor, është një procedurë që nuk parashihet në nenet e këtij kodi. Ju ofruam zgjidhje që çështja të adresohej nëpërmjet procedurës së ankimimit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, çështje e cila bazohet në kodin zgjedhor, ndërsa ju zgjodhët këtë formë. Do të kërkoja për hir të interesit të procesit zgjedhor në këtë qark, zbardhjen sa më të shpejt të vendimit tuaj në mënyrë që ne të përgatisim të gjithë dokumentacionin e nevojshëm ankimues lidhur me këtë vendimmarrje”,- tha Gjonçaj.
Ne replikë më të, përfaqësuesi ligjor i Partisë Socialiste Niazi Kosovrasti vlerësoi vendimin e KQZ-së. “Në vijim të diskutimeve të djeshme, 10 tabelat e ardhura në KQZ nuk ishin tabela origjinale, madje as tabela rezultatesh nuk ishin, kështu që qëndrimi që KQZ ka mbajtur ndaj këtij dokumentacioni, unë e vlerësoj vendimin që ju po merrni që t’i drejtoheni për këtë sistemit elektronik që ka qenë transparent për qytetarët dhe partitë politike. Sistem i pacenueshëm dhe rezultati është mëse i besueshëm. Sot kemi një rezultat që është i vërtetë për këtë zonë zgjedhore”, – deklaroi Kosovrasti.
Kandidati i PS në Lezhë Arben Ndoka: Mandati do t’i kthehet PS-së
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi dje me katër votat e anëtarëve të pranishëm tabelën përfundimtare të qarkut të Lezhës, vendim që ndryshoi edhe raportin e mandateve të këtij qarku, ku mandati i katërt i së majtës i kaloi koalicionit të udhëhequr nga Partia Demokratike.
Kandidati i PS-së në qarkun e Lezhës, Arben Ndoka deklaroi se ndryshimi i rezultatit është i përkohshëm, pasi çështja do të ankimohet në Kolegjin Zgjedhor. “Ky ndryshim i rezultatit është i përkohshëm, sepse ne kemi argumente që hedhin poshtë pretendimet. I garantoj votuesit që nuk do t’i zhgënjej, do t’i shkoj deri në fund kësaj historie. Kolegji zgjedhor do të jetë i qartë përsa i përket argumenteve që ne do paraqesim dhe kam bindjen se mandati do t’i kthehet PS-së. Anëtarët e KQZ-së të mos kalojnë në rolin e organit të akuzës. Procesverbalet e KZAZ-së nuk janë fallco, por origjinale.”- deklaroi Ndoka në një intervistë për neës24.
Lista e zgjedhësve 159207
Pjesëmarrja në votim 81183
Fletë votimi të papërdorura 77715
Fletë votimi të dëmtuara 635
Fletë votimi të gjetura në kuti 81769
Vota të pavlefshme 1427
Vota të vlefshme 80342Koalicioni i majtë 39525 vota
Koalicioni i djathtë 39564
NDARJA E MANDATEVE SIPAS KQZ PËR QARKUN E LEZHËS
PS
MIMI KODHELI
ARMANDO PRENGA
ARBEN NDOKAPD
ALDO BUMCI
GJOVALIN KADELI
ALBINA DEDA
VASIL BICAJLSI
MONIKA KRYEMADHI
KQZ pranon kërkesën e LSI-së për pavlefshmëri të zgjedhjeve në Kukës
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi të kalojë për shqyrtim Kërkesën Ankimore nr. 21 të subjektit Partia Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila kërkon pavlefshmërinë e zgjedhjeve në disa zona zgjedhorë të Qarkut të Kukësit. Kërkesa e LSI do të diskutohet të premten në KQZ në orën 11. Ndërkaq, LSI sipas indiceve të saj pretendon marrjen e një mandati në Qarkun e Kukësit, mandat të cilën përfaqësuesit e saj thonë se është ndarë për 15 vota. Gjithashtu Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në mbledhjen e djeshme vendosi me 4 vota pro të kthejë për plotësim Kërkesat Ankimore nr. 12, 13, 14, 15, 16, 17, 18, 19 dhe 20 të subjektit partia Popullore Kristiandemokrate e Shqipërisë; “Të kthejë për plotësim kërkesat Ankimore n. 22 dhe 23 të subjektit Partia Aleanca për Barazi dhe Drejtësi Europiane. KQZ hodhi shortin për 8 Kërkesa Ankimore; Kërkesën Ankimore nr. 24, 25, 26. 27, 28 dhe 29 të subjektit, Partia Bashkimi Popullor i Pensionistëve Shqiptarë. Kërkesën Ankimore nr. 30 të kandidatit të mbështetur nga zgjedhësit Dritan Prifti. Kërkesën Ankimore nr. 31 të subjektit Partia Demokristiane e Shqipërisë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e ditës së sotme shqyrtoi gjithashtu projektvendimin, “Për nxjerrjen e rezultatit të votimit për zonën zgjedhore qarku Lezhë”. KQZ me 4 vota pro miratoi tabelën e rezultateve të qarkut Lezhë”,- thuhet në njoftimin e KQZ-së.






