Florenc Drizari
“Kapitull i ri në qeverisje”, Rama mbledh grupin parlamentar, kritikon krerët e institucioneve
“Nuk e di sot a do të jetë një qeveri me më pak apo më shumë ministra, po di do kushtojë më pak”
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, mblodhi dje për herë të parë grupin e ri parlamentar të dalë pas zgjedhjeve të 23 qershorit. Edhe pse deputetët e rij nuk kanë bërë akoma betimin dhe nuk kanë marrë ende statusin e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, në mbledhjen e djeshme të grupit të PS-së, ishin disa nga emrat e rinj dhe ata ekzistues. Duke folur si Kryeministër i ardhshëm i vendit, kreu i PS-së, Edi Rama, prezantoi disa nga prioritetet kyçe të socialistëve në muajt e parë të qeverisjes, por edhe të kësaj periudhe “tranzicioni” deri në formimin e qeverisë së re në muajin shtator. Ai e quajti një kapitull të ri qeverisjeje marrjen e pushtetit në ditët e para të shtatorit dhe premtoi ndërtimin e një marrëdhënieje të re me institucionet e pavarura në Shqipëri. Për sa i përket bashkëpunimit me LSI-në ai tha se dy partitë e majta do të qeverisin si një forcë e vetme, duke mos dhënë detaje për ndarjen e pushtetit mes tyre. Sipas tij, është ende herët për të folur për qeverinë e re dhe për këtë ai tha se as vetë nuk e di nëse qeverisja do të ketë më pak a më shumë ministra, por një gjë është e sigurt, sipas tij, që ajo do të kushtojë më pak. “Nuk e di sot a do të jetë një qeveri me më pak apo më shumë ministra, po di me siguri që qeverisja jonë do kushtojë më pak dhe reforma e ekzekutivit në të gjitha nivelet do të jetë drastike”, – tha Rama. Duke folur për marrëdhënien me krerët e institucioneve të pavarura, kreu i PS-së zbardhi në vija të përgjithshme edhe disa nga pikat kryesore të bashkëbisedimeve që ka zhvilluar pak ditë më parë me Presidentin e Republikës, Bujar Nishanin, kryeprokurorin Adriatik Llalla dhe guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullanin.
Edhe pse vlerësoi takimet që kishte pasur me krerët e këtyre institucioneve, Rama kritikoi në përgjithësi lëvizjet e fundit që janë bërë në këto organe të larta shtetërore.
PËR NISHANIN
“Gjatë ditëve të fundit kam marrë takime, në funksion të këtij dymujori tranzicioni, me Presidentin e Republikës, prokurorin e Përgjithshëm dhe guvernatorin e Bankës së Shqipërisë. I falënderoj të tre për disponimin dhe frymën pozitive të takimeve, por s’mund të mos bashkohem me shqetësimin e madh që krijuan në opinionin publik disa ngritje të mëtejshme në detyrë nga KLD-ja të një sërë gjyqtarësh të përfshirë në procese gjyqësore që kanë shkaktuar dëshpërim kombëtar dhe ndërkombëtar, në raport me Shqipërinë”, – tha Rama në fjalën e tij duke iu drejtuar kreut të shtetit.
Ai vijoi më tej duke cituar: “I kam thënë Presidentit të Republikës se fakti që vijmë nga dy kampe kundërshtare për mua s’është një problem, po një mundësi e madhe në rrugën e ndërtimit të një kulture të re evropiane të funksionimit të shtetit shqiptar. Dua të shpresoj që edhe ai do ta shohë kështu e do të punojë bashkë me Kryetarin e ri të Kuvendit dhe me mua, jo si noteri i një pale që ka humbur zgjedhjet, po si garanti kushtetues mbi të gjitha palët në përpjekjen tonë për të rilindur Shqipërinë duke ecur më shpejt”, – deklaroi Rama.
PËR KRYEPROKURORIN
Gjatë fjalës së mbajtur para deputetëve socialistë në mbledhjen e parë të grupit parlamentar të PS-së, Rama shprehu rezervat e tij edhe për punën e kryeprokurorit Adriatik Llalla.
“Ne nuk kemi votuar as për Presidentin e sotëm të Republikës dhe as për prokurorin e Përgjithshëm, që ka sot Shqipëria. Por, ne nuk jemi votuar për ta rifutur qeverinë e vendit në llogoren e luftës politike ndaj një kryeprokurori, që deri më sot nuk ka bërë asgjë konkrete për të merituar ndonjë vlerësim pozitiv prej nesh. Ia kam bërë të qartë prokurorit të Përgjithshëm se ne do të qeverisim në papajtueshmëri të plotë me korrupsionin dhe me kulturën e pandëshkueshmërisë. I kam nënvizuar vullnetin e plotë për të luftuar, krah për krah, me organin e prokurorisë dhe me atë personalisht, kundër krimit dhe korrupsionit në çdo nivel e të çdo kohe, sado të vjetër a të re”, – tha kreu i PS-së.
PËR GUVERNATORIN
Për sa i përket takimit me guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullanin, Rama tha se ka diskutuar për gjendjen e financave të vendit. “I kam kërkuar guvernatorit të nxisë realizimin sa më shpejt në kohë, mundësisht përpara draftimit të projektbuxhetit të vitit 2014, të një programi të vlerësimit të sektorit financiar që zhvillohet, bashkërisht, prej FMN-së dhe Bankës Botërore. Na duhet një vlerësim imediat dhe prestigjioz i stabilitetit të sektorit financiar të vendit, për të përfituar nga dy qëllimet themelore të një programi të kësaj natyre”, – deklaroi Rama. Gjithashtu, kreu i PS-së tha se qeverisja aktuale duhet të jetë e kujdesshme në vendimet e saj përgjatë këtyre dy muajve të kalimit të pushtetit, duke nënkuptuar se do të anulojë çdo vendim që ka lidhje financiare me qeverisjen e re socialiste.
Ndërtimet pa leje në bregdet, Rama mbledh krerët e bashkive: Do bëjmë atë që bëmë më Lanën në Tiranë
Aksion dymujor për prishjen e çdo ndërtimi pa leje në bregdet, krerët e bashkive: Të rishikohet ligji
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në cilësinë e Kryeministrit të ardhshëm, mblodhi një ditë më parë krerët e bashkive të zonave bregdetare, duke u kërkuar ndërprerjen e ndërtimeve pa leje në zonat turistike. Takimi i djeshëm u organizua në formën e një tryeze pune, ku Rama paraqiti alternativën e tij për zhvillimin e bregdetit shqiptar.
“Kjo gjendje alarmante ndërtimesh pa leje në këtë periudhë ka marrë një hov të jashtëzakonshëm si pasojë edhe e këtij vakumi në periudhën e ndërrimit të qeverive. Në kushtet në të cilat flasim, nuk kemi justifikim të bëjmë sehir, duhet të veprojmë të hedhim në tokë të gjitha ndërtimet që janë në zhvillim e sipër dhe të ndalim këtë dallgë ilegaliteti që dëmton prona private dhe prona shteti”, – u shpreh Rama në këtë tryezë.
Sipas Ramës, bregdeti është pasuri për gjeneratat që vijnë ndaj është detyrim i brezave ta ruajnë.
Rama kërkoi që këta dy muaj të kryhet një aksion në mbarë vendin për moslejimin e asnjë gardhi apo guri në plazh dhe prishjen e çdo ndërtimi pa leje të saponisur.
Kreu i PS-së kërkoi që çdo person që cenon detin të dalë para drejtësisë.
“Është aksion 2-mujor që të ndalojmë çdo karabina që po ngrihet tani, çdo hedhje gurësh në det jo vetëm duhet të zhbëhet, por ata që kanë cenuar detin duhet t’i çohet organeve të prokurorisë”.
Nga ana e tyre krerët e Bashkive të zonave të bregdetit si Vlora, Durrësi deklaruan se duhet rishikuar ligji i ndërtimeve dhe ai i legalizimeve që bien ndesh në disa pika më njëri-tjerrin.
“Duhet demotivuar ndërtimi pa leje duke nisur nga ligji. Një person ndërton pa leje dhe pse ligji nuk e lejon, por pastaj ka mundësi të aplikojë të regjistrojë objektin dhe këtë ligja ia lejon, ndaj duhet rishikuar ligji sesi ka shpëtuar kjo në ligj nuk e di”, – tha kreu i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika.
Duke i cilësuar ndërtimet pa leje si një fenomen shqiptar, Gjika theksoi se në Vlorë ka nisur një superaksion për ndalimin dhe prishjen e ndërtimeve pa leje.
Pasi dëgjoi krerët që drejtojnë bashkitë që ndodhen në zonat bregdetare të vendit, kryeministri që pritet të vijë në detyrë pas dy muajsh, Edi Rama, garantoi se do të punohet me ligjin ndërsa theksoi se ndërtimet e ndërtuara këta dy muaj vere do të rrafshohen.
“Do bëjmë atë që bëmë më Lanën në Tiranë, çdo ndërtim pa leje do të rrafshohet. Në një plan afatgjatë duhet një ligj apo ndërhyrje në ligj qoftë për mënyrën sesi menaxhohet hapësira publike në plazhe qoftë si do garantohet gjithë cikli i ndërtimeve pa leje, që duhet të jetë një cikël i mbyllur, jo i hapur si janë sot.
Nëse cikli nuk mbyllet dhe nuk përcaktohet zinxhiri i përgjegjësive të qarta, nga identifikimi, goditja, ndëshkimi, këto vepra do të vazhdojnë të mbijnë në të gjithë territorin”, – tha Rama.




