Debati në KQZ për Lezhën, Kosovrasti: Mesazhe kërcënuese për familjen në telefon, reagon PD

kosovrastiFlorenc Drizari

Lefterie Luzi (Lleshi): Strukturat e shtetit duhet të veprojmë menjëherë

 

Pas akuzave të bëra një ditë më parë ndaj disa komisionerëve në Qarkun e Lezhës për manipulime të votave, përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Niazi Kosovrasti, kërcënohet me jetë. Këtë ai e pohoi publikisht gjatë mbledhjes së djeshme të KQZ-së, teksa tha se në telefonin e tij kishin ardhur katër mesazhe që kërcënonin atë dhe familjen.

Kosovrasti

Të gjithë ne jemi njerëz me personalitet dhe dinjitetin tonë që në funksion të detyrës kemi marrë përsipër të përfaqësojmë partitë dhe ligjin këtu në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Jashtë kësaj sale zonja kryetare njerëzit e ndjekin fjalën tonë dhe përgjegjshmëria e fjalës tek secili këtu është mjaft e rëndësishme.

Mua më kanë ardhur katër mesazhe, tani, kërcënuese dhe po i bëj publike për dijeni para opinionit publik dhe personaliteteve të shtetit shqiptar. Nuk po ju lexoj të gjithë mesazhet që kanë ardhur , por pjesë të tyre. Mesazhi I dytë psh, “Çdo gjë që na del përballë gjakun dhe djersën tonë vetëm familja juaj e lanë”, është mesazhi I dytë. Mesazhi I fundit “Do ta shikosh se sa të vlen lëkura, të fala fëmijëve”. Zonja kryetare, kjo është ajo se ç’ndodh pas fjalës sonë, prandaj rasti duhet parë me përgjegjësi nga të gjithë ne që marrim fjalën dhe flasim këtu. Ngjarja është mjaft e rëndë. Për këtë duhet ta përcjellim të gjithë që të keqes t’i themi ndal, përndryshe vendi do të ketë aspak të mira në të ardhmen nga këto që ndodhin. Unë me përgjegjësinë qytetare I thash të vërtetat ashtu siç I di dhe do t’i them gjithmonë. Me përgjegjësinë time e kërkoj këtë edhe nga të tjerët dhe ky mesazh le të jetë për autoritetet për shtetin tim si një masë për t’i thënë ndal të keqes”,- përfundoi përfaqësuesi ligjor i PD-së Niazi Kosovrasti.

Më herët ai akuzoi tri përfaqësuesit e KZAZ-së numër 13 në Qarkun e Lezhës, kryetaren Alketa Hoxha dhe dy përfaqësuesit Aleksandër Gjonmarkaj  dhe Gjovalin Gjeloshin, duke i cilësuar ata si manipulator të procesit dhe që do të përgjigjeshin para drejtësisë.

“Manipulimi ka ndodh nga tre personazhe që kanë qenë në detyrë në KZAZ-në numër 13. Kryetari i kësaj KZAZ-je është përfaqësues i Partisë Socialiste, Alketa Hoxha që ka qenë edhe dorëzuese e materialeve këtu në KQZ. Për fat të keq shoqëruesi ka qenë Aleksandër Gjonmarkaj përfaqësues i PD-së, sekretar. Ka munguar në dorëzimin e materialeve në KQZ nënkryetari Gjovalin Gjeloshi, përfaqësues i PD-së. sipas një udhëzimi të KQZ-së, të tre këta, kryetari dhe sekretari të vinin dhe të dorëzonin materialet në KQZ. Për mua manipulatorët e këtyre 10 tabelave janë këta të tre, mos më shumë”, – ka thënë Niazi Kosovrasti gjatë mbledhjes së djeshme të KQZ-së.

Sipas pretendimit të demokratëve nga rezulati origjinal i zgjedhjeve në këtë qark i kanë kaluar në favor të PS 541 vota, ndërsa sipas rezultatit zyrtar sipas Kosovrastit koalicioni i djathtë ka 285 vota më shumë se ai i majtë, çka sjell përmbysje të rezulatit nga 4 me 3 në favor të së majtës, në katër me tre në favor të së djathtës.

Pas kërcënimit të përfaqësuesit ligjor të PD-së, reagoi edhe kryetarja e KQZ-së, Lefterie Luzi (Lleshi), i cila tha se strukturat e shtetit duhet të veprojmë menjëherë dhe secili duhet të mbajë përgjegjësitë e veta në këtë proces. “Ne do të bëjmë njoftimet tona”, – tha kryetarja e KQZ-së.

Ndërkaq, po i menjëhershëm ishte edhe reagimi i Partisë Demokratike duke e quajtur këtë një akt të shëmtuar dhe që ka lidhje me drejtuesit më të lartë të Partisë Socialiste.

 

 

REZULTATET PARAPRAKE PËR QARKUN E LEZHËS

PS

MIMI KODHELI
ARMANDO PRENGA
ARBEN NDOKA

PD

ALDO BUMCI
GJOVALIN KADELI
ALBINA DEDA
VASIL BICAJ

LSI
MONIKA KRYEMADHI

 

 

 

 

 

TE DHENA SIPAS KQZ PËR LEZHËN

Zgjedhësit e Regjistruar                159.207

Numri total i vendeve të zgjedhjeve 258

Numri i qendrave të votimit që kanë dërguar të dhëna 256 / 99,22%

Numri i zgjedhësve që kanë votuar / Numri i fletëve të votimit të gjetura në kutitë e votimit       80.799 /80.799

Numri i fletëve të votimit të papërdorura  77.433

Numri i fletëve të votimit të dëmtuara   635

Numri i fletëve të votimit të pavlefshme  1.402

Numri i fletëve të votimit të vlefshme  79.397

Pjesëmarrja në votime në qendrat e votimit të cilat kanë dërguar të dhëna  51,19%

 

 

 

PD reagon pas kërcënimit të Kosovrastit, Bogdani: Kërcënime të Ramës

Pak orë pas deklaratës së përfaqësuesit ligjor të PD-së në KQZ, Nizai Kosovrasti, i cili pohoi publikisht se kishte marrë mesazhe kërcënuese në telefonin e tij gjatë mbledhjes së komisionit zgjedhor, Partia Demokratike reagoi në një deklaratë për mediat, nëpërmjet deputetit Gerti Bogdani. Ky i fundit bëri përgjegjës direkt kryesocialistin Edi Rama dhe deputetin Koço Kokëdhima për mesazhet kërcënuese ndaj Niazi Kosovrastit, pas ankesës që ky i fundit ka paraqitur në KQZ, për qarkun e Lezhës.

“PD deklaron se asnjë kërcënim dhe akt kriminal nuk mund të imponojë grabitjen e mandatit. PD denoncon me ashpërsinë më të madhe këto kërcënime të Ramës dhe Kokëdhimës, dhe i garanton ata se për çdo veprim kriminal të ndërmarrë ndaj demokratëve do të përgjigjen ata dhe vetëm ata personalisht”- theksoi Bogdani.

Bogdani akuzoi po ashtu Partinë Socialiste se ka falsifikuar 10 procesverbale në qarkun e Lezhës, ndërsa i bëri thirrje organeve te drejtësisë të ndërmarrin me shpejtësi hetimin e këtij akti të shëmtuar, të gjejnë autorin dhe lidhjet e tij me dyshen Rama- Kokëdhima.

Në mbledhjen e sotme të KQZ, përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve Niazi Kosovrasti ndërsa ka kërkuar nga KQZ administrimin e plotë të të dhënave të tabelave elektronike të rezultatit zgjedhor për KZAZ 13 në qarkun e Lezhës, lexoi mesazhet kërcënuese të nisura në kohën e fjalës që mbajti në KQZ.

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve nuk ka mundur të miratojë tabelën e rezultatit zgjedhor për qarkun e Lezhës për shkak të materialeve që kanë mbërritur nga KZAZ e këtij qarku. Sipas administratës së KQZ nga 10 qendra votimi janë sjellë tabela të fotokopjuara dhe ku janë fshirë të dhënat origjinale.

Në këto kushte KQZ u ka kërkuar subjekteve politike të sjellin kopje të origjinalit të tabelave të KZAZ 13 në Lezhë, e më pas të bëhet mbledhja e të gjitha tabelave për qendrat e votimit në këtë qark në mënyrë që të shpallet rezultati.

 

TIA: Niveli i korrupsionit është përkeqësuar, të ndalohet në majat e qeverisjes

“Transparency International Albania” prezantoi të martën barometrin global të korrupsionit, një sondazh i realizuar përmes 114,300 personave në 107 vende të botës.

Përsa i përket Shqipërisë, rreth 66 % e të anketuarve mendojnë se korrupsioni është rritur gjatë 2 viteve të fundit. Ndërkohë 25 % e të anketuarve ka qëndruar i pandryshuar dhe 9 % mendojnë se ka pësuar rënie. Ky nivel perceptimi, i njëjtë edhe për Kosovën, i rendit dy shtetet shqiptare në fund të klasifikimit për Ballkanin Perëndimor, ku në Bosnie&Hercegovinë 65 % mendojnë se është rritur, në Maqedoni 41 %, në Kroaci 21 %, në Serbi 8 %.

Barometri ka treguar se në shumë vende, institucionet e krijuara për të luftuar korrupsionin dhe krime të tjera, janë vetë jo të besueshme. 36 vende e shohin policinë si jo të besueshme, e ndërsa sistemi gjyqësor konsiderohet si institucioni më i korruptuar në 20 vende të botës. Në një shkallë nga 1 në 5, ku 1përfaqëson aspak të korruptuar, dhe 5 shumë të korruptuar, institucionet më të korruptuara në Shqipëri perceptohet të jenë gjyqësori dhe sistemi shëndetësor, të ndjekura nga partitë politike, sistemi arsimor, legjislativi, policia etj.

“Qeveritë duhet ta konsiderojnë në mënyrë serioze këtë thirrje të qytetarëve kundër korrupsionit dhe të përgjigjen me veprime konkrete për rritjen e niveleve të transparencës e përgjegjshmërisë”, thekson Huguette Labelle, Drejtoreshë e Bordit të Transparency International.

Vlerësimet e njerëzve mbi përpjekjet e liderëve të tyre për të ndaluar korrupsionin janë më keq se përpara fillimit të krizës financiare në vitin 2008 ku 31 % e të anketuarve mendonin se përpjekjet e qeverive të tyre për të luftuar korrupsionin ishin efektive. Ky tregues ka rënë në 22 %. Në Shqipëri, 58 % e të anketuarve mendojnë se veprimet e qeverisë në luftën kundër korrupsionit kanë qenë joefektive, 30 % as efektive as joefektive dhe vetëm 12 % janë të mendimit se kanë qenë efektive. Nga ana tjetër, pyetjes se a besojnë se njerëzit e zakonshëm mund të sjellin ndryshim në luftën kundër korrupsionit, 59 % e të anketuarve në Ballkanin Perëndimor mendojnë që po, ku nivele të larta vihen re për Shqipërinë dhe Kosovën (respektivisht 75 % dhe 79 % e të anketuarve besojnë se njerëzit janë kontributorë kryesorë të ndryshimit për ta luftuar fenomenin. Por vetëm 51 % e shqiptarëve priren të denoncojnë një rast korruptiv, kjo nisur nga arsyeja e një besimi të ulët tek institucionet duke menduar se rasti nuk do të gjejë zgjidhje (50%) ose pasur frikë nga pasojat e denoncimit (26%).

Transparency International Albania u bën apel autoriteteve shtetërore të sigurojnë institucione të pavarura, të forta dhe me kapacitete të mjaftueshme për të parandaluar dhe adresuar korrupsionin. Milion njerëz dëmtohen kur këto institucione themelore dhe shërbime bazë minohen nga pasojat shkatërruese të korrupsionit.

🌟 ToonPopKids — Stories That Grow With You!
Fun animations, lullabies & learning for little ones 💤🎶📚
Subscribe Free
Share it :