Elton Qyno
Lorena Imeri humb jetën në muajin e 9-të të shtatzënisë. Familjarët: Mjekët na neglizhuan
Prokuroria nis menjëherë hetimet. Dëshmia e mjekëve: Vajza vdiq nga ataku kardiak
Lorena Imeri priste që dje të mbante në krahë bebin e saj, që kishte mbushur 9 muaj qëndrimi në barkun e nënës. 22-vjeçarja kishte ëndërruar rreth momentit të ardhjes në jetë të bebit dhe ishte kujdesur për gjithçka, duke filluar nga rrobat dhe deri tek dhoma ku do të qëndronte foshnja. Por këto kanë mbetur vetëm ëndrra, pasi tragjedia në familjen Imeri do të vinte pikërisht ditën kur 22-vjeçarja nga fshati Shullaz i Kurbinit do të shkonte në maternitet për të lindur. E reja është përballur me një komplikacion të rëndë gjatë lindjes dhe teksa ka hyrë në sallën e operacionit për të lindur, ajo ka gjetur vdekjen dhe bashkë me të edhe foshnja në bark. Ngjarja e rëndë është regjistruar në spitalin e Lezhës, ndërkohë që sipas mjekëve, 22-vjeçarja ka pësuar atak kardiak, sapo ka hyrë për operacion. Nga ana tjetër, familjarët që janë njoftuar për ndarjen nga jeta të vajzës dhe foshnjës, janë irrituar duke akuzuar bluzat e bardha për neglizhencë, pasi sipas tyre në momentin kur kanë mbërritur në maternitet, nuk ka pasur asnjë mjek në spital. “Mjekët kanë ardhur pas një orë e gjysmë dhe pasi kanë vendosur futjen në operacion, pikërisht brenda në sallë ka gjetur vdekjen vajza jonë”, – kanë treguar familjarët e viktimës.
Hetimet e prokurorisë
Sapo është njoftuar për rastin në fjalë, prokurori i rrethit Edmond Kaloshi ka urdhëruar nisjen e hetimeve kryesisht dhe verifikimin me detaje të gjithë vendimeve dhe mjekimit të kryer nga mjekët obstetrikë të maternitetit të Lezhës. Gjatë ditës së djeshme në ambientet e maternitetit kanë zbarkuar oficerë të policisë dhe prokurorisë së Lezhës, të cilët kanë sekuestruar kartelën mjekësore. Gjithashtu një grup tjetër hetimi ka udhëtuar drejt spitalit të Laçit, ku ka marrë të gjitha dokumentet që tregojnë ecurinë e shtatzënisë së 22-vjeçares Lorena Imeri. Burime pranë prokurorisë thanë se janë marrë në pyetje të gjithë mjekët, dhe se sipas versionit që ata japin shkak i vdekjes së 22-vjeçares ka qenë ataku kardiak. Por ky nuk është konkluzioni përfundimtar, pasi sipas organit të akuzës, hetimi do të mbështet në rezultat shkencore që pritet të dalin shumë shpejt nga ekspertiza mjekoligjore. Për të kryer këtë të fundit, drejt Lezhës dje kanë udhëtuar ekspertë nga Tirana, të cilën kanë parë me detaje komplikacionet që kanë ndodhur në trupin e 22-vjeçares. Pavarësisht kësaj, pritet që në ditët në vijim në prokurorinë e Lezhës, të paraqiten për tu marrë në pyetje dhe familjarët e viktimës, të cilët në deklarimet publike kanë akuzuar direkt mjekët e maternitetit të Lezhës për neglizhencë. Vdekja e Lorena Imerit, tronditi opinionin publik ndërkohë që tashmë është kthyer në çështjen me vëmendjen më të madhe në prokurorinë e Lezhës.
Përgjegjësi i maternitetit
Përgjegjësi i maternitetit, Llesh Marku, ka deklaruar në një dalje publike në media se gjendja e 22-vjeçares ka qenë tepër e rëndë dhe për pasojë, ajo ka pësuar një atak kardiak, duke gjetur dhe vdekjen e menjëhershme. “Është futur në sallë për t’u operuar. Ka bërë një komplikacion të rëndë kardiak me një takikardi dhe rrahje shumë të shpeshta të zemrës me arrest kardiak për pushim të zemrës. Është reanimuar me të gjitha mjetet dhe mundësitë që kishim në reanimacionin e maternitetit. Pacientja ka ardhur rreth orës 7-8 pasdite, por me problemet kardiake që ka pasur më përpara të pakonfirmuara me ekzaminime, vizita tek kardiologu ose vizita gjatë shtatzënisë”, – shprehet Llesh Marku. Më tej ky i fundit ka shtuar se këtë çështje ja lë në dorë ekspertizës mjeko-ligjore dhe hetimit të prokurorisë, pasi nga ana e maternitetit është bërë gjithçka për shpëtimin e jetës së 22-vjeçares.
Protesta para morgut për ekspertizën
Vëllai i viktimës: Lorena hyri
duke folur dhe doli e vdekur
Klodian Cakoni, vëllai i viktimës, ka treguar se në orën 22:00 të darkës motra e tij ka shkuar në spitalin e Laçit për një konsultë dhe ata e kanë dërguar në spitalin e Lezhës. “Në spitalin e Lezhës ajo ka shku tu fol dhe e shoqëruar nga i shoqi, vjehrri dhe vjehrra. Kanë hyrë brenda në spital dhe për një orë e gjysëm nuk ka pasur asnjë mjek. Më pas ka ardhur kirurgu i cili ka marrë motrën time Lorenën dhe e ka futur në sallën e operacionit. Punë 2 minutash ka dalë kirurgu dhe ka thënë se motra ndërroi jetë. Si ndërroi jetë?!”, – thotë Cakoni. Ai shton se 22-vjeçarja nuk ka pasur asnjë shqetësim kur ka shkuar në spital. “Ajo nuk ka pasur asnjë shqetësim. Ka hyrë në spital duke folur, por nuk kishte asnjë mjek, vetëm mami dhe infermiere”, – thotë Cakoni. Pas një orë e gjysmë, sipas tij e reja ka hyrë te salla e operimit nga ku ka dalë mjeku dhe ka deklaruar se 22-vjeçarja kishte vdekur. Pasi gruaja shtatzënë ka ndërruar jetë, ajo është dërguar menjëherë në morgun e spitalit të Lezhës për të kryer ekspertizën mjekoligjore. Megjithatë, ndonëse 22-vjeçarja ndërroi jetë rreth orës 1 pas mesnate, ekspertët nuk kanë mbërritur ende. Ky fakt ka irrituar familjarët e saj, të cilët kanë protestuar, para ambienteve të morgut të spitalit. Ata kërkojnë të bëhet ekspertiza mjekoligjore dhe të përcaktohet shkaku i vdekjes së saj, që deri tani mbetet ende mister. Ekspertë nga Tirana kanë mbërritur në mesditë për kryerjen e ekspertizës mjekoligjore dhe për të përcaktuar shkakun e vërtetë të vdekjes së gruas shtatzënë.




