Sonja Caka
I pandehuri vazhdon me akuzat për vrasje pas shpine të efektivit Duçkollari, akuza Arian Muçës për vrasjen e dy policëve në Tropojë
Seancë pas seance, i akuzuari për vrasjen e katërfishtë të policëve të skuadrës operacionale në plazhin e Durrësit, në sektorin “Iliria”, vazhdon të “surprizojë” me deklaratat e tij. Dje, i pandehuri vuri një kusht për gjykatën. Ai u shpreh nga kafazi i hekurt se do lejonte ecurinë e procesit gjyqësor pa e ndërprerë atë, edhe në mungesë të një avokati, nëse do t’i sillnin në seancë për ballafaqim efektin e skuadrës operacionale F. Gashi. Por, për këtë kërkesë të Dajtit, gjykata nuk u shpreh as në atë moment dhe as më pas, ndërsa pritet që vendimi t’i komunikohet në seancën e radhës të pandehurit, pasi ai u largua në mënyrë të vullnetshme nga salla e gjyqit dhe kjo u pa si shkak nga trupi gjykues për të shtyrë seancën për më 25 korrik. Por, para se të braktiste seancën, i pandehuri lëshoi edhe një deklaratë tjetër të fortë, për sa i përket një efektivi tjetër të lartë të policisë, Arian Muçës, drejtues i Drejtorisë për Mbrojtjen e Dëshmitarëve. “Nuk kam harruar për vrasjen e dy policëve në Tropojë në kohën kur ju zoti kryetar ishit gjyqtar në Tropojë dhe Arian Muça ishte oficer policie”, – ishin fjalët e fundit të Dajtit para se të linte sallën, duke nënkuptuar se seanca e radhës parashikon deklarime të tjera të tij, kësaj radhe jo më për vrasjen e efektivit Duçkollari, por për të tjera vrasje, për të cilat aludon se ka dorë kreu i Zyrës së Mbrojtjes së Dëshmitarëve, Arian Muça, personi që drejtonte operacionin e kapjes së të shumëkërkuarit Dajti, ku mbetën të vrarë katër policët.
Dëshmia
Vrasja e efektivit Sajmir Duçkollari ka qenë në fokus të deklarimeve të dhëna në seancën e djeshme nga Dritan Dajti. Qëllimi i deklarimeve të djeshme ishte jo vetëm të theksonte se vrasja e Duçkollarit është kryer nga kolegu i tij F. Gashi, pas shpine, por edhe të sqaronte provat ku mbështet deklarimet e tij. Madje, i pandehuri kishte përgatitur materiale për t’ia vënë në dispozicion gjykatës, por edhe për mediat e pranishme. “Nuk e kam vrarë unë Sajmir Duçkollarin. E ka vrarë kolegu i tij F. Gashi me armë automatike. Gashi ka kërkuar që unë të ballafaqohem me të, unë pranoj dhe kërkoj që të ballafaqohem në seancë me Gashin. Ky është kushti im për vijim të seancave edhe pa praninë e një mbrojtësi për mua, do ta vazhdoj mbrojtjen time vetë. Vetëm nëse pranohet kërkesa ime dhe ky është kushti im. Jam i gatshëm të ballafaqohem me F. Gashin në çdo kohë dhe në çdo vend dhe pranoj të vazhdoj gjyqin pa avokat. Kërkoj gjithashtu edhe praninë e medias në këtë ballafaqim, pasi dëshmia e Gashit është dhënë me dyer të mbyllura, pa praninë e medias dhe mua nuk më është lejuar nga gjyqtarja Nertina Kosova t’i drejtoj pyetje. Nga akuza është pretenduar duke u bazuar në një ekspertizë që më bën mua autor të vrasjes së Sajmir Duçkollarit. Deklaroj se nuk ka pasur asnjëherë asnjë ekspert apo akt-ekspertizë që tregon se e kam vrarë unë. Të gjitha provat, akt-ekspertizat tregojnë se Duçkollari është vrarë pas shpine. E vërteta e vrasjes së tij është krejt e kundërt nga ajo që deklaron prokuroria. Ky akt ekspertimi tregon qartë se vdekja e Duçkollarit ka ardhur me plumb pas shpine. Në shpinën e Duçkollarit, vrima e shkaktuar nga predha është me diametër 8 mm. Sipas akt-ekspertimit, këtë diametër e shkakton vetëm një kallashnikov 7.62. Të gjitha armët e përdorura janë të kalibrit 9 mm. Kam bindjen se vdekja e Duçkollarit nuk ka ardhur nga plaga e marrë në dorë. Edhe ekspertiza nuk ka treguar se vdekja e tij ka ardhur nga plaga në dorë. Kërkoj të largohem në mënyrë të vullnetshme. Nuk kam harruar për vrasjen e dy policëve në Tropojë në kohë kur ju ishit gjyqtar në Gjykatën e Tropojës dhe Arian Muça oficer”, – e mbylli dëshminë i pandehuri Dajti për seancën e djeshme.
Replikat
Replikat e të pandehurit kanë qenë të shumta gjatë seancës së djeshme me përfaqësuesin e akuzës, prokurorin Ardian Nezha. Replika e parë nisi me kërkesën e Dajtit drejtuar gjykatës për pajisjen me një laptop ose kompjuter në ambientet e burgut, pasi e ka të pamundur të dëgjojë CD-të e vëna në dispozicion nga gjykata me regjistrimet audio të seancave. Drejtoria e Burgjeve nuk ia lejon futjen e një kompjuteri në burg dhe për këtë ai kërkoi një vendim gjykate që t’ia lehtësonte. Në këtë moment reagoi prokurori Nezha, i cili refuzoi këtë kërkesë të të pandehurit, madje duke e cilësuar Dajtin si një nga të burgosurit më të privilegjuar të drejtësisë, për shkak të kushteve të krijuara. Reagimin e prokurorit e replikoi Dajti, ndërsa shtoi se ligji nuk është i barabartë për të gjithë, ndërsa ai shpesh ka shprehur edukatë duke i dëgjuar deri në fund gjykatën dhe prokurorin, ndërsa ai ndërpritet shpesh dhe nuk e lejon kush që të përfundojë kërkesat e tij. Ky reagim i Dajtit erdhi pasi prokurori e ndërpreu ndërsa replikonte me të për kushtet në burg, pasi e adresuan që problemet që mund t’i ketë, t’i shprehë me ankesa te Avokati i Popullit apo te organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Kërkesat
I pandehuri Dajti ka parashtruar dy kërkesa për trupin gjykues, për të cilat pritet që gjykata të shprehet më 25 korrik. E para ka të bëjë me kërkesën për ballafaqim me F. Gashin, efektivin skuadrës operacionale, të cilin ai e akuzon për vrasjen pas shpine të Sajmir Duçkollarit. Madje, këtë ballafaqim i pandehuri Dajti e ka vënë si kusht për gjykatën, me premtimin se nëse pranohet ballafaqimi, do vazhdojë seancën pa kërkuar një avokat, do mbrohet vetë. Kërkesa e dytë kishte të bënte me praninë e medias gjatë këtij ballafaqimi, pasi dëshmia e efektivit Gashi është dhënë me dyer të mbyllura, dhe sipas të pandehurit, do që media të jetë e pranishme gjatë këtij ballafaqimi.
Gjyqi
Akuza burrit për dhunë dhe e fut në burg, gruaja humbet fëmijët
Një grua, nënë e katër fëmijëve, ka humbur katër fëmijët e saj, pasi futi në burg burrin e saj, babai i këtyre fëmijëve. Dje ka qenë seanca gjyqësore për të pandehurin Kostandin Zamzadja nga Paskuqani, i cili akuzohet pre gruas së tij se ka ushtruar dhunë ndaj gruas dhe prindërve të saj. Gruaja fut burrin në burg dhe largohet për në banesën e prindërve në Lushnje, duke mos marrë me vete asnjë nga katër fëmijët e mitur, djalin dhe tri vajzat. Paraditen e djeshme, katër fëmijët kanë ardhur në gjykatë bashkë me gjyshërit për të takuar të atin, ndërsa janë injoruar plotësisht nga e ëma ndërsa kalonte në korridorin e gjykatës. Madje, gruaja ka akuzuar fëmijët për gjendjen e shkaktuar, por edhe prindërit e bashkëshortit se kanë bërë fëmijët për vete. Të pyetur ndërsa prisnin në korridorin e gjykatës, katër fëmijët me lot në sy deklaruan se babanë e kishte futur në burg nëna e tyre, e cila i kishte braktisur dhe tashmë jetonin me gjyshërit në Paskuqan. Më i madhi ishte vëllai i tyre në klasën e shtatë dhe më e vogla motra vetëm 4 vjeçe. Gjyqtari Kreshnik Omari ka caktuar për pasnesër seancën e radhës, ndërsa fëmijët dhe gjyshërit e tyre shprehen se presin që babai i tyre të shpallet i pafajshëm dhe të kthehet për t’u kujdesur për ta.




