Lojtarët që janë afruar, kanë lindur pas vitit 1990
Më në fund Florentino Perez u beson të rinjve. Në këtë merkato Reali i Madridit është udhëhequr nga një ide fikse në kokë: do të ketë pesë shitje të mëdha për pesë blerje me perspektivë. Tani deri në këto momente pjesa e dytë mund të quhet e realizuar. Reali i Ançelotit është i destinuar që të fillojë gjithçka nga të rinjtë. Për të kuptuar diçka të tillë mjafton të lexosh të gjithë emrat e rinj që i janë bashkuar këtë merkato verore skuadrës spanjolle. Më i fundit është Asier Ijarramendi. Mesfushori në fjalë la Real Societadin dhe është kampion Evrope me Spanjën në turneun e 21-vjeçarëve.
Tjetër përforcim i ri
I pari në listën e të ardhurve ishte Daniel Karvahal. 21-vjeçari u rikthye tek Reali për 6,5 milionë euro pas edicionit të mirë që bëri tek Bajer Leverkuseni. Madridi e la të riun një vit më parë që të shkonte në Gjermani dhe vetëm falë një klauzole kur pa që ai u përmirësua shumë e ktheu menjëherë në bazë. Tani Ançeloti ka alternativën e duhur për Alvaro Arbeloan. Më pas ishte radha e Kasemiros. Talenti brazilian i lindur në 1992 do të zërë një vend të rëndësishëm tek formacioni i “të bardhëve”, pasi do të luajë në mesfushë para mbrojtësve. Dy blerjet e thera janë edhe më të kushtueshme. Nga Malaga, Reali bleu Iskon për 27 milionë euro, ndërkohë që nga Real Societadi mbërriti Ijarramendi që u kushtoi “të bardhëve” 30 milionë euro. Për këta dy lojtarë Reali ka paguar rreth 70 milionë euro.
“Quinta” e re
Kohë më parë në Madrid ekzistonte “Quinta del Buitre” (pesëshja e grabitqarëve). Ky term ishte tmerri i skuadrave në vitet ‘80, pasi dominoi çdo kompeticion. Emilio Butragenjo ishte ylli i pesëshes së formuar nga Manolo Sançis, Martin Vazkez, Mishel e Migel Pardeza. Të gjithë të lindur rreth 1963 dhe të gjithë ishin rritur në ekipet zinxhirë “merengue”. Tani historia mund të përsëritet. Nën drejtimin e Butragenjos, që ka marrë shumë fuqi që pas largimit të Murinjos, Reali po rikthehet edhe një herë të shohë tek e ardhmja. Atyre katër që përmendëm pak më lart, nëse i bashkojmë edhe golashënuesin më të mirë të Euro 2013 për të rinj (U-21), Alvaro Morata, dhe yllin e Spanjës U-20, Hese Rodriguez, atëherë bëhet “pesëshja fantastike”. Kjo e fundit formohet nëse veçojmë Kasemiron që nuk është spanjoll, por brazilian. Kështu, Reali po mendon jo vetëm për të ardhmen e vet, por edhe të “furive të kuqe”. Reali po tenton që të sfidojë Barcelonën me armët e kësaj të fundit. Ndërkohë, vetë Barça është joshur tashmë nga stili i “të bardhëve”… mjafton të mendosh për ardhjen e “galaktikut” të fundit, Nejmarit.
Ibra do të jetë “klloçka”
Përveç Ançelotit që do t’i duhet të rindërtojë një ekip nga e para, detyrë të vështirë do të kenë edhe menaxherët e Realit të cilëve do t’u duhet të “dobësojnë” pak skuadrën. Paratë që janë shpenzuar për të rinjtë, do të nxirren nga shitja e atyre që kanë luajtur deri më sot për këtë skuadër. I pari që do të largohet është Gonzalo Higuain, që me shumë mundësi do të shkojë tek Arsenali që ofron 30 milionë euro. Më pas radhën do ta kenë Kajehon dhe Kaka. Ndërkohë, të fundit që do të largohen dot jenë Fabio Koentrao dhe Angel di Maria. Sa i përket Kristiano Ronaldos, askush nuk beson se do të largohet. Por të rejat nuk mbyllen këtu. Shtypi spanjoll është i bindur se marrëveshja mes Kavanit dhe PSG do të shtyjë Ibrën në krahët e Ançelotit tek Reali. Tani të tërë pyesin veten nëse “pesëshja e grabitqarëve” do t’i besohet njërit si Ibra…
“Golden Foot” 2013
Ja 10 kandidaturat
Spanja ka vetëm dy futbollistë spanjollë ndër 10 kandidaturat për “Golden Foot” 2013. Çmimi i cili jepet në Principatën e Monakos dhe në këtë vit do të mbahet për herë të dhjetë radhazi që kur u krijua përzgjedh ata lojtarë të cilët kanë arritur rezultate të larta, dhe që janë mbi 28 vjeç. Kampionët e botës dhe të Evropës në fuqi do t’i përfaqësojnë Iker Kasijas dhe Andes Iniesta. Asnjë lojtar nga Spanja nuk e ka fituar këtë çmim më parë dhe të dy futbollistët kanë mundësi shumë të mira që t’ia dalin. Vlerësimi bëhet në bazë të rezultateve të arritura gjatë karrierës së tyre. Në listë përveç dy spanjollëve janë edhe dy anglezë, Devid Bekam dhe Frenk Lampard. Në të kaluarën këtë çmim e kanë fituar Roberto Baxho (2003), Pavel Nedved (2004), Andrij Shevçenko (2005), Ronaldo (2006), Alesandro del Piero (2007), Roberto Karlos (2008), Ronaldinjo (2009), Françesko Toti ( 2010), Rajan Gigs (2011) dhe Zllatan Ibrahimoviç (2012).
Lista e kandidatëve
Kristiano Ronaldo Real Madrid
Didier Drogba Gallatasaraji
Miroslav Klose Lacio
David Trezege River Pleit
David Bekam ish-PSG
Frenk Lampard Çelsi
Andrea Pirlo Juventus
Samuel Eto Anzhi
Iker Kasijas Real Madrid
Andres Iniesta Barcelona
Vendimi
Leonardo kërkon të largohet nga PSG-ja
Arritja e marrëveshjes së PSG-së me Napolin për të marrë Kavanin duket se do të jetë puna e fundit e drejtorit të përgjithshëm Leonardo. Braziliani, i cili ka shpenzuar në 2 vite punë 400 mln euro, sipas mediave franceze, po mendon që të largohet. Dhe ndikim të madh për këtë ka vendimi nga ana e komisionit të Apelit në Francë, për ta dënuar atë me një vit pezullim. Drejtuesi i parisienëve po shikon për një punë tjetër, ndërsa më parë është përfolur kthimi tek Interi me të njëjtin rol. Por tani që klubi zikaltër po ndërron president, e ardhmja ngelet për tu parë.
Deklarata
Shvajshtajger: Përmirësimi i Bajernit është detyra e vështirë e Guardiolës
Bastian Shvajshtajger beson se nuk do të jetë e lehtë për Pep Guardiolën që ta përmirësojë Bajernin e Mynihut pas sezonit të mrekullueshëm 2012-2013, ku fitoi gjithçka në të gjitha kompeticionet ku mori pjesë, por shpreson se trajneri spanjoll mund të arrijë të injektojë filozofinë e tij të lojës së futbollit. Bavarezët arritën një triumf të trefishtë historik nën drejtimin e Jup Hejnkesit sezonin e fundit dhe Shvajni mendon se do të duhet pak kohë për të marrë “pamjen” e trajnerit të tyre të ri, ndërsa është i pasigurt nëse mund të përsërisin bëmat e sezonit të kaluar. “Ne të gjithë shpresojmë se do të përmirësohemi nga Pep në disa gjëra të caktuara, edhe pse kjo do të jetë pak e vështirë, – tha Shhvajnshtajger për “Bundesliga.com”. – Pep di gjithçka rreth futbollit dhe ka pasur sukses të madh me Barcelonën, ndaj le t’i japim kohën e duhur për t’u parë puna e tij. Jemi të gjithë të uritur edhe pas sezonit të kaluar, ku fituam gjithçka. Duam më shumë lavdi, duam të gëzojnë momente si ato në Londër, të gjithë bashkë, përsëri. Patjetër, duam të kemi një tjetër sezon të suksesshëm. Nuk do të rrimë duarkryq dhe të relaksohemi me atë që kemi arritur sezonin e kaluar. Përsëritja e triumfit të trefishtë mund të jetë pak e vështirë, por do të mbetet një sfidë e madhe për Bajernin. Nuk ngopemi me aq, por duhet të bëjmë edhe më shumë”. Bajerni e hapë sezonin 2013-2014 me ndeshjen e Superkupës gjermane kundër Borusias së Dortmundit më 27 korrik.
Torino
Tevez: Mezi pres të luaj për Juven
Karlos Tevez është me pushime, por po pret me padurim të nisë aventurën e re me Juventusin. Argjentinasi tregon se që në fillim të mbërritjes së tij në Torino e ka ndier mbështetjen e ekipit. Ai shprehet se duhet të jetë në Itali më 9 korrik për fazën parapërgatitore. “Ne do të qëndrojmë në Torino për dy ditë, e pastaj do të shkojmë në mal për 10 ditë. Juvja është një klub tepër i rreptë dhe kërkues”. “Apashi” shton se ai nuk e ka idenë se si është kampionati italian. “Them se do të më shërbejë shumë për t’u ambientuar faza e parakampionatit”. Në shpinë do të mbaj numrin 10, dikur i Aleks del Pieros. Realisht nuk më jep asnjë presion. Unë nuk mendoj fare për numrin e fanellës. Jam i përqendruar për t’u përgatitur sa më mirë për të përballur sezonin në gjendjen më të mirë të mundshme”. Kurse për shokët e ekipit tha: “Sapo zbrita në Itali, më shkruan për të më dhënë mirëseardhjen. Bënë gjithçka që unë të ndihesha mirë, kjo është fantastike. Mezi po pres që të filloj të luaj”.





