Përgatitjet për ndërtimin e shkollave të reja
Bashkia e Tiranës ka nisur dje punimet në shkollën 9-vjeçare “Niket Dardani”, me një investim prej 94.3 milionë lekësh. Projekti që pritet të përfundojë brenda 11 muajsh, parashikon ndërtimin e palestrës me një sipërfaqe prej 700 metrash katrorë, duke përfshirë edhe sistemin e ngrohjes. “Sot kanë filluar punimet për rikonstruksionin e shkollës “Niket Dardani”, rikonstruksion i cili do të zgjasë për 11 muaj dhe në përfundim të të cilit, kjo shkollë do të ketë ambiente tërësisht të rinovuara, do të ketë ngrohje qendrore që nuk ka ekzistuar asnjëherë, do të jetë e pajisur me nyje sanitare të standardeve të cilat nuk kanë qenë të tilla prej 45 vitesh, që nga ekzistenca e kësaj ndërtese dhe do të ketë një palestër bashkëkohore, për të mundësuar aktivitetet sportive brenda dhe jashtë orarit shkollor për të gjithë nxënësit e shkollës por edhe funksionimin e kësaj shkolle edhe si një qendër komunitare për këtë pjesë të njësisë bashkiake nr. 3”, -pohoi Lulzim Basha. Kushte më të mira janë garantuar nga kryebashkiaku Basha për të gjithë nxënësit e kësaj shkolle. Hapësirat e krijuara dhe të rikonstruktuara do të krijojnë mundësinë e një mësimdhënie sipas standardeve evropiane. Shkolla do të ketë 15 klasa, me 24 nxënës, 1 klasë parashkollore, 1 sallë polivalente, ambiente administrate, ambiente shërbimi si dhe 3 laboratorë me nga 36 nxënës e 2 kabinete me nga 26 nxënës. Projekti i realizuar synon garantimin e të gjitha kushteve duke përfshirë në të edhe shkallët për daljet emergjente. Punimet intensive të bashkisë do të vazhdojnë të vijojnë me rikonstruksionin e dy shkollave të tjera në kryeqytet, ndërkohë që numri i kopshteve të rikonstruktuar deri tani shkon në 8. “Kopshtet do të përfundojnë brenda periudhës shtator-tetor, ndërsa shkollat do të përfundojnë maksimumi, brenda 1 viti shkollor, ndërkohë që ne kemi marrë masa në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale Arsimore, që mësimdhënia të vazhdojë normalisht në shkolla të tjera pranë kësaj shkolle për nxënësit që frekuentojnë këtë shkollë, deri në përfundim të punimeve”, – u shpreh kryebashkiaku. Përpjekjet për të transformuar kryeqytetin vazhdojnë të jenë prioriteti kryesor i Bashkisë së Tiranës. Objekti i bashkisë për gjatë këtyre muajve ka qenë rikonstruksioni i rrugëve, kopshteve, shkollave për të siguruar progres dhe mirëqenie. “Së shpejti do të nisin përgatitjet për ndërtimin e shkollave të reja, në zona të qytetit ku shtimi i popullsisë ka bërë të domosdoshëm, jo thjesht rikonstruksionin apo shtimin e ambienteve por pajisjen me shkolla tërësisht të reja, për të cilat Bashkia e Tiranës ka rezervuar fonde të saj dhe po finalizon me organizata partnere marrëveshje kreditimi, huamarrje dhe grantesh. Përpjekja e Bashkisë për të transformuar infrastrukturën arsimore në qytetin e Tiranës vazhdon. Ky transformim do të jetë i ndjeshëm dhe i prekshëm nga nxënësit e prindërit e tyre, brenda një kohe shumë të shkurtër”, – theksoi Basha.
Temperaturat luhaten
Moti me vranësira dhe reshje shiu ka shoqëruar këto ditë kryeqytetin dhe jo vetëm atë. Qytetarët janë detyruar t’u rikthehen çadrave, shkak prishja e motit të menjëhershëm. Moti i keq ka prishur planet e qytetarëve për të kaluar fundjavën pranë bregdetit. Personat që i kanë nisur tashmë pushimet, nuk janë prekur shumë nga ky ndryshim. Ditë në vijim, sipas sinoptikanëve, pritet të jenë më të mira, pasi termometri do të shënojë 32 gradë celsius. Temperaturat e nxehta të korrikut do t’i rikthejnë qytetarët sërish drejt detit.
Ndërtimet pa leje, edhe në Dhërmi
Masakra e ndërtimeve pa leje përgjatë vijës bregdetare vazhdon të vijojë edhe në jug të vendit tonë. Dhërmiu, po shëndrrohet në një zonë jo turistike si rrjedhojë e ndërtimeve pa leje. Banorët e zonës tregojnë se ndërtesat në këtë zonë po mbijnë si kërpudhat. Betonizimet, shtesat e pallateve të ndërtuara pa leje kanë prishur imazhin e kësaj zonë turistike. Punimet e vrullshme përpara zgjedhjeve kanë bërë që numri i ndërtesave pa leje të jetë në rritje. Banorët e zonës pretendojnë se duke ndërtuar në tokën e tyre çdo gjë është në rregull, pavarësisht se kjo proçedurë është në kundërshtim të plotë me ligjin. Pushues të shumtë i bëjnë apel qeverisë, por edhe komunës së Dhërmiut që të pezullojë ndërtimet pa leje për të rikthyer gjëndjen normale të zonës. Kontrolli duhet të shtrihet përgjatë gjithë vijës bregdetare, duke evidentuar të gjitha rastet e ngjashme flagrante, për ndalimin e betonizimit të bregdetit.Ndërtimet me leje e pa leje përgjatë vijës bregdetare në vendin tonë janë kthyer në një problem të madh, duke dëmtuar seriozisht natyrën dhe ndotur ujërat e bregdetit Jonë.




