Vlorë Rama: Të mos përsërisim librin e gabimeve të kundërshtarit, ndryshe do ndëshkohemi

Gëzim Saliu

ramaKreu i PS-së: Zyra ime e deputetit në Vlorë do të jetë e hapur për ju

“Njerëzit bënë revolucion të heshtur me votë”

 

Fitorja e zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit është një sfidë për Partinë Socialiste, ku qeverisja e re nuk duhet të ripërsërisë gabimet e kundërshtarit politik, pasi do ndëshkohet në të njëjtën formë pas katër vitesh. Ky ishte mesazhi që dha dje kryesocialisti Edi Rama në Sheshin e Flamurit në qytetin e Vlorës, ku u festua fitorja e zgjedhjeve nga ana e koalicionit të majtë. Sipas kreut socialist, është tejet e rëndësishme që PS dhe aleatët e saj të nxjerrin mësime nga gabimet e mazhorancës aktuale, ku njëkohësisht duhet shmangur, theksoi ai, përsëritja e tyre në katër vitet e mandatit qeverisës. “Kundërshtari ynë na ka bërë një dhuratë shumë të çmuar, na ka lënë në tavolinë një libër të trashë të mbushur me gabimet e tij. Dhe ne duhet ta lexojmë për të parë gabimet e tij, dhe ne do punojmë për të realizuar angazhimet tona për vendin dhe rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian. Ne do të punojmë për Vlorën, qytetin e themeleve të vendit, për ta kthyer në një nga portat më të bukura të Mesdheut”, – tha Rama.

 

Falënderime dhe premtime

Në fillim të fjalës së tij përpara qytetarëve vlonjatë, qytet i cili i dha mandatin e parë të tij si deputet, lideri socialist Rama falënderoi të gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë vendit që u përfshinë në fushatën e zgjedhjeve të 23 qershorit dhe që rikthyen të majtën në pushtet pas 8 vitesh opozitë. Në këtë kontekst, Rama tha se njerëzit bënë një revolucion të heshtur me votë. “Pas dy muajsh ne do të përballemi me një realitet të rrënueshëm në të gjithë Shqipërinë. Fitorja e 23 qershorit ka një kuptim të qartë. Njerëzit nuk votuan për të hequr disa dhe për të rivendosur disa të tjerë, por për të rindërtuar jetën shoqërore të vendit. Njerëzit bënë një revolucion të heshtur me votë”, tha ai. Më tej në fjalën e tij, Rama u premtoi qytetarëve vlonjate se do të ketë zyrën e deputetit në Vlorë dhe se do të jetë në kontakte të vazhdueshme me ata që kanë votuar PS dhe ata që nuk e kanë votuar. “Të gjithë duhet të mbajnë hapur zyrat e tyre atje ku i votuan qytetarë”, – bëri thirrje ai, duke shtuar: “Qytetarët më besuan me votë për të ndryshuar Shqipërinë. Kemi mundësinë për t’i fituar sfidat që na presin”. Po ashtu falënderimeve të Ramës, iu bashkuan dje edhe deputetët socialistë të dalë në qarkun e Vlorës, të cilët përshëndetën vlonjatët dhe falënderuan të gjithë socialistët që kontribuuan për fitoren. Në të njëjtën linjë me kryesocialistin dhe deputetët e PS-së ishte edhe kryebashkiaku i Vlorës Shpëtim Gjika, i cili falënderoi qytetarët vlonjatët për mbështetjen që i dhanë Partisë Socialiste në zgjedhjet e 23 qershorit, duke theksuar: “PS dhe Rama do të rilindin Shqipërinë”. Angazhimi në përmbushje të premtimeve të dhëna gjatë fushatës elektorale si edhe mos përsëritja e gabimeve të kundërshtarit politikë janë dy ndër thirrjet kryesore të kreut socialist që pas fitores së zgjedhjeve parlamentare nga koalicioni i majtë. Dy ditë më parë në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS-së, Rama u kërkoi anëtarëve të këtij forumi që ta lexojnë me vëmendje dhe përgjegjshmëri mandatin që shqiptarët iu besuan më 23 qershor. “Duhet të vlerësojmë çdo kontribut mbi bazën e meritës dhe duhet të kërkojmë më të mirët, më të talentuarit, më të zotët, ashtu sikundër duhet të respektojmë çdo zotësi ndër ata që nuk na kanë votuar. Ne duhet të jemi garantë të vazhdimësisë normale të jetës. Parafytyrimi i një shtese politike, që i zhduk të gjithë, siç i zhduku të gjithë kjo qeveri, do të thotë të përfundosh më keq nga sa përfunduan ata”, – deklaroi Rama, duke theksuar se ky mandat qeverisës do të tregojë nëse e majta do të bëjë historinë në vend ose të ndëshkohet historikisht në zgjedhjet e ardhshme.

 

 

 

 

 

Share it :