Gëzim Saliu
Zëvendësimi nga Balla, Malaj: U vetëlargova nga forumet e PS-së, përpara karriges zgjedh lirinë
Ish-ministri i Financave Arben Malaj shprehet kundër nismës së PS-së për të ndërmarrë një audit ndërkombëtar për kontrollin e financave dhe ekonomisë në vend. Për Malajn, Kushtetuta e Shqipërisë ka përcaktuar qartë se cilat janë institucionet që kanë detyrë të bëjnë kontrollin e shtetit dhe veçanërisht financat e vendit. “Në Kushtetutën e Shqipërisë theksohet se detyrimin ligjor për të certifikuar financat publike e ka Kontrolli i Lartë të Shtetit, për kontrollin e financave të vendit. Një auditues i huaj nuk mund të anashkalojë institucionet shqiptare të parashikuara nga Kushtetuta e Shqipërisë”, – tha Malaj.
Reagimi
Ndërkohë, ish-deputeti i PS-së, Malaj, ka reaguar dje edhe ndaj vendimit të marrë në Asamblenë Kombëtare nga kreu socialist Rama për të zgjedhur Taulant Ballën në postin e lënë bosh prej tij në Kryesinë e PS-së. Malaj theksoi se ai është vetëlarguar nga të gjitha forumet e PS-së, pasi, sipas tij, përpara lirisë nuk mund të zgjidhte karrigen. “Në përgjigje të disa miqve dhe kolegëve duhet të qartësoj se nuk jam më anëtar i forumeve drejtuese të PS-së. Unë u vetëlargova nga ai nivel përfaqësimi. Midis një karrigeje dhe lirisë për të menduar i lirë kam zgjedhur përherë këtë të dytën. Për detyrimet mirënjohëse ndaj socialistëve dhe vendit tim kam shumë mundësi konkrete t’i përmbush me dashuri dhe përgjegjshmëri. Deri në shtator kam detyrime kushtetuese të respektoj statusin e deputetit. Pas këtij momenti do të kem angazhime konkrete në pjesën akademike dhe studimore për politikat publike dhe mirëqeverisjen. Ju falënderoj të gjithëve me shumë mirënjohje”, – shkruan Malaj në rrjetin social Facebook, duke pohuar se pas muajit shtator do të angazhohet në botën akademike dhe studimore. Ndërkohë, dy ditë më parë, kreu socialist Edi Rama në mbyllje të fjalimit të tij para anëtarëve të Asamblesë Kombëtare, bëri të ditur vendimin e tij për të emëruar Taulant Ballën si anëtar të Kryesisë së PS-së në vend të Arben Malajt i cili në zgjedhjet e 23 qershorit kandidoi si i pavarur. “Ju falënderoj me gjithë zemër për gjithë çfarë keni bërë dhe në emër të vlerësimit të kontributeve edhe të nevojës formale për të plotësuar Kryesinë e PS-së me vendin e lënë vakant kërkoj të përfshij Taulant Ballën. Ai meriton duartrokitje, sepse në rrethin e Librazhdit ka demonstruar një aftësi dhe vullnet që është përkthyer në rezultat të jashtëzakonshëm”, – tha Rama. Nga ana e tij, deputeti i qarkut të Elbasanit, Taulant Balla, theksoi se ky vlerësim ishte një vlerësim për çdo mbështetës dhe votues së PS-së në qytetin e Librazhdit. “Miq, ky nuk ishte vetëm vlerësim për mua personalisht, por për çdo njërin nga ju që më mbështeti, besoi dhe votoi. Kjo është arritja jonë e parë, të tjera na presin. Ky ishte një vlerësim për Librazhdin. Krenohem me Librazhdin”, – shkruante Balla në rrjetin social “facebook”.
Rama në Asamble: Auditim ndërkombëtar për financat e vendit
Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, bëri të ditur dy ditë më parë në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të kësaj force se qeveria e re e majtë do të ndërmarrë një auditim ndërkombëtar për sistemin shtetëror të vendit. “Auditim ndërkombëtar të të gjithë sistemit të funksionimit të shtetit shqiptar, duke filluar nga auditimi i financave të Shqipërisë dhe i të dhënave të ekonomisë shqiptare brenda këtij viti, që mund të nxjerrë të dhëna drithëruese jo vetëm për ne, por për gjithë komunitetin ndërkombëtar, si komunitet politik dhe si komunitet sipërmarrës, por është një proces i domosdoshëm dhe është kthyer në një model suksesi në Sllovaki”.




