Altin Vorpsi
Stafi teknik i Tiranës ka menduar një fazë të tillë përgatitore, e cila pritet të mos jetë e vetmja deri në fillimin e kampionatit, në mënyrë që lojtarët e grumbulluar deri në këto momente të stërviten fizikisht dhe të jenë të gatshëm për të përballuar një kampionat të gjatë
Tirana do të nisë sot fazën përgatitore përpara sezonit të ri futbollistik që pritet të nisë në gusht. Ashtu si edhe vjet, 24 herë kampionët e Shqipërisë kanë preferuar që të kalojnë ditët e lodhshme të përgatitjeve në Pukë. Ndërkohë që, sa i përket skuadrës, Dede do të menaxhojë ata futbollistë që janë përgjigjur “prezent” pak ditë më parë.
Destinacioni
Sot do të nisin fazën e vërtetë përgatitore në qytetin e Pukës, ku do të qëndrojnë për 10 ditë. Stafi teknik i Tiranës ka menduar një fazë të tillë përgatitore, e cila pritet të mos jetë e vetmja deri në fillimin e kampionatit, në mënyrë që lojtarët e grumbulluar deri në këto momente të stërviten fizikisht dhe të jenë të gatshëm për të përballuar një kampionat të gjatë. Trajneri Dede do të shohë nga afër gjithashtu se cilët lojtarë do të arrijnë të përballojnë ngarkesën fizike të procesit stërvitor. Duhet thënë se ky i fundit do të jetë i fokusuar më shumë te ushtrimet atletike, por nuk përjashtohet mundësia që skuadra të zbresë edhe në fushën e blertë për të zhvilluar ndonjë seancë të plotë stërvitore taktike.
Kontratat
Një pjesë e konsiderueshme e futbollistëve që kanë luajtur një vit më parë me Tiranën nuk i janë bashkuar më kësaj skuadre. Ndërkohë që disa prej titullarëve nën kontratë kanë kërkuar largimin, nga klubi nëpërmjet Dhomës së Zgjidhjes së Konflikteve pranë Federatës Shqiptare të Futbollit, një pjesë e tyre janë ende në pritje të zhvillimeve në kampin bardheblu. Deri më tani drejtuesit po marrin kohë por të vendosur mirë se cilët futbollistë do të vazhdojnë bashkëpunim e cilët jo.
Miqësorja
Trajneri Dede preferoi dje që të zhvillonte një miqësore me ekipin e19-vjeçarëve, që drejtohet nga Agustin Kola. Ndeshja u mbajt në ambientet e stadiumit “Selman Stërmasi” dhe ka përfunduar në shifrat 8-0 për ekipin e drejtuar nga Dede. Ajo që binte në sy te bardheblutë ka qenë numri i vogël i titullarëve të një sezoni më parë dhe lojtarët e rinj të ardhur në provë, të cilët janë nën vëzhgimin e teknikut dhe nuk dihet nëse një pjesë e tyre do të vazhdojnë me Tiranën.
Liga e Evropës
Arbitra shqiptarë në takimet e kthimit
Skuadra e arbitrave shqiptarë në ndeshjet e kthimit të Ligës së Evropës do të jetë sërish e pranishme. Një katërshe gjyqtarësh të FIFA-s, të kryesuar nga Enea Jorgji, do të vendosin drejtësi në sfidën e Lihtenshtejnit ndërmjet skuadrës vendase të Vaduzit dhe gjeorgjianëve të Chikhuras. Kryesori Jorgji do të asistohet nga anësorët Ilir Tartaraj dhe Denis Rexha, ndërsa i katërt do të jetë shkodrani Ditmar Jubica. Në ndeshjet e para ishte Lorenc Jemini që me asistentët Ermal Barushi dhe Emigres Ganci e Blerim Ziri i katërt gjykuan sfidën në San Marino La Fiorita – Valleta.
Merkato
Xhenoa nuk e ka seriozisht me Ujkanin
E ardhmja e portierit të kombëtares shqiptare, Samir Ujkani, mbetet në udhëkryq. Në një intervistë dhënë për mediat italiane, zyrtari i Palermos, Xhorxho Perineti, përgënjeshtron zërat se klubi sicilian po diskuton me Xhenoan për gardianin shqiptar. Perineti shton se aktualisht nuk ka asnjë takim në program për të biseduar rreth transferimit të mundshëm të Ujkanit, por ai shton se gjatë ditëve të ardhshme mund të ketë risi në këtë front. Samir Ujkani u huazua gjatë muajit Janar te skuadra e Kievo Veronës, por klubi venet nuk e shfrytëzoi të drejtën e blerjes duke e rikthyer sërish në ekipin ishullor që këtë sezon do të luajë në Serinë B.
Lëvizja
Gjasula është shumë pranë Liteksit
Te Liteksi, skuadra bullgare, mund të luajnë së bashku dy futbollistë shqiptarë, pjesëtarë të kombëtares kuqezi. Pas talentit shkodran Armando Vajushi, me bullgarët pritet të bashkohet edhe Jurgen Gjasula, i thirrur “nën armë” për kualifikuesen e fundit ndaj Norvegjisë nga trajneri De Biazi. Lajmi në fjalë konfirmohet në faqen zyrtare të klubit, ku thuhet se fantazisti shqiptar, që ka luajtur së fundmi me Duisburgun në Gjermani, sot do të bëjë edhe paraqitjen e parë jozyrtare në një miqësore me Liteksin kundër maqedonasve të Pelisterit. 27-vjeçari ka luajtur më parë edhe me Kajzerslauternin, Frajburgun dhe St. Gallenin.
Formula 1
Hamiltoni befason Red Bullin
Ljuis Hamiltoni regjistron pole position-in e dytë rresht këtë sezon duke konfirmuar rritjen e madhe të skuadrës Mercedes gjatë javë të fundit. Piloti anglez i skuadrës gjermane e ndali kronometrin e provave zyrtare të Nurburgringut në kohën 1 minutë, 29 sekonda e 398 të qindtat, duke justifikuar në njëfarë mënyre edhe skuadrën për kohën e 11-të që regjistroi shoku i skuadrës, Niko Rozberg, i cili nuk arriti të kualifikohej për në sesionin e tretë të provave. Nga radha e parë do të niset edhe kampioni i botës dhe kryesuesi aktual i klasifikimit të përgjithshëm, Sebastian Fetel me rreth 1 të dhjetat më shumë, ndërsa Mark Ueber regjistroi kohën e tretë më të mirë. Klasifikimi i ditës së provave vazhdon me Raikonen, Grozho e Riçardo, ndërsa surpriza e vërtetë e së shtunës rezultoi Ferrari. Edhe pse kokëkuqja tregoi gjatë sesionit të dytë se mund të rivalizonte pa frikë me Mercedes dhe Red Bull për kohën më të mirë, në minutat e fundit të provave ndryshoi strategji duke vendosur goma të mesme, çka ndikoi në kohët e regjistruara me Felipe Masën që do të niset nga vendi i shtatë dhe Alonso një pozicion më poshtë. Kjo strategji ndiqet nga Ferrari për të vonuar sa më shumë hyrjen e parë në bokse gjatë garës për Çmimin e Madh të Gjermanisë.




