Vendimi i Këshillit të Ministrave Berisha: Shtetësi për personat me kombësi shqiptare, përveç kosovarëve

Ina Jano

berishaVendimi hyn në fuqi në datën 1 gusht. Nuk përfitojnë diasporat e hershme shqiptare, arvanitasit dhe arbëreshët

Kush ka frikë nga vota e shqiptarëve është albanofob

 

Nga një gushti, qytetarët shqiptarë që nuk kanë shtetësinë shqiptare mund ta përfitojnë një gjë të tillë në bazë të vendimit më të fundit të Këshillit të Ministrave. Vendimi i djeshëm i qeverisë përcakton procedurat për njohjen ose fitimin e shtetësisë nga personat me origjinë shqiptare, përjashtuar shtetasit e Republikës së Kosovës, pasi për këta të fundit janë duke u zhvilluar bisedime paralele me Serbinë dhe BE-në. “Vendimi u bllokua prej më shumë se katër muajsh, për shkak të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të Shqipërisë. Ky vendim ka të bëjë me procedurat për njohjen dhe fitimin e shtetësisë shqiptare nga persona me origjinë shqiptare, me përjashtim të shtetasve të Republikës së Kosovës. Me këtë akt Shqipëria është vendi i fundit që u ofron bashkëkombasve të vet atë që të tjerët ua kanë ofruar vite e vite më parë në rajon. Ky akt nuk duhet të konsiderohet nga askush si një akt tjetër veçse në interesin më të mirë të shqiptarëve, paqes dhe stabilitetit. Janë qindra mijëra shqiptarë të cilët emigruan në vendet e lira dhe asnjëri prej tyre nuk gëzon pothuaj shtetësi shqiptare”, – deklaroi Berisha nga mbledhja e përjavshme e qeverisë. Ky i fundit kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve të Kosovës, të cilët nuk mund të përfitojnë nga ky vendim. Sipas tij, për qytetarët e Kosovës duhet të vendosë Brukseli për lëvizjen e lirë në hapësirën Shengen, pasi për rastin shqiptar do të përfitojnë të gjithë shqiptarët që janë në këtë hapësirë. “Të drejtën për të aplikuar për shtetësinë shqiptare do ta kenë shqiptarët, në të gjitha vendet e tjera, përveç qytetareve të Republikës së Kosovës. Kërkoj mirëkuptimin e tyre, sepse është interesi i tyre jetik dhe i Kosovës që problemin e vizave me BE-në ta zgjidhë në mënyrën më procedurore në respekt të plotë të udhërrëfyesit që Brukseli u ka dorëzuar autoriteteve të Kosovës për liberalizimin e vizave. Për Kosovën nuk duhet të jetë Shqipëria, por Brukseli që vendos për lëvizjen e lirë në hapësirën e Shengenit”, – deklaroi Kryeministri në detyrë Berisha.
Nga vendimi për marrjen e shtetësisë shqiptare nuk përfitojnë diasporat e hershme shqiptare, arvanitasit dhe arbëreshët. Kreu i qeverisë tha se ky është një proces në vazhdim dhe premtoi se vendimi nuk do të mbetet me kaq, por do të vijojë edhe në muajt në vijim, për t’i përfshirë të gjithë shqiptarët, qofshin ata të çfarëdolloj periudhe të larguar nga vendi. “Arvanitasit në Greqi dhe arbëreshët në Itali kanë shekuj që japin një kontribut të madh historik në këto vende mike. Shqipëria duhet të përpiqet që t’i ndihmojë dhe mbështesë ata apo diasporën tonë në Turqi, që është dy herë më e madhe sesa popullata shqiptare, në përputhje me konventat ndërkombëtare për të ruajtur gjuhën identitetin dhe kulturën”, – deklaroi ai. ”Por, – tha Berisha, – ne po ecim drejt BE-së dhe faktikisht me anëtarësimin e Shqipërisë në BE, këto probleme marrin zgjidhje. Shqipëria është një vend që nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë vendi tjetër. Gjatë këtyre 20 viteve ne kemi kundërshtuar çdo përpjekje për ndryshimin e kufijve në këtë zone, pasi kemi gjykuar se ky është interesi kombëtar i shqiptarëve. Ne besojmë se projekti i bashkimit të tyre në BE, do ti japë përgjigjen më të mirë çështjes së tyre kombëtare, por natyrisht do të jenë shqiptarët që do të jetojnë të integruar plotësisht në BE, ata që do të vlerësojnë situatën e tyre”, – theksoi shefi i mazhorancës.

Vota e emigrantëve

Megjithëse tashmë procesi zgjedhor ka mbaruar, lideri demokrat nuk ka lënë jashtë vëmendjes edhe votën e emigrantëve për të cilën ka thënë që kjo është një çështje që nuk duhet të anashkalohet dhe që duhet ti jepet zgjidhje, në mënyrë që e gjithë kjo kategori të votojë në zgjedhjet e ardhshme që do të mbahen në vend, pas dy vjetësh. “Ai që ka frikë nga vota e qytetarit të origjinës shqiptare, ai është albanofob, shqiptar i denatyruar. Forcat politike të ulen, nuk mund të ecet me hipokrizia, emigracioni duhet të votojë, voton në të gjithë botën. Berlusconi humbi zgjedhjet për shkak të votave të italianëve në Argjentinë”, – përfundoi ai.

 

 

Kriteret për përfitim

Shtetësia shqiptare u njihet ose u jepet:

a) personave të lindur nga të paktën një prind, që zotëronte shtetësinë ose origjinën shqiptare në momentin e lindjes së kërkuesit, pavarësisht nga vendi i lindjes;

b) personave, të paralindurit me shtetësi shqiptare të të cilëve nuk jetojnë më në momentin e paraqitjes së kërkesës, me kusht që të provohet lidhja familjare në vijë të drejtë e personit kërkues me të paralindurin, i cili ka zotëruar shtetësinë shqiptare;

c) personave me origjinë shqiptare që kanë shtetësinë e një shteti anëtar të Bashkimit Evropian, SHBA-së apo një shteti tjetër,shtetasit e të cilit mund të lëvizin pa viza në territorin e shteteve të zonës Shengen apo që janë me qëndrim me dokumentacion të rregullt në njërin prej këtyre shteteve;

ç) personave me origjinë shqiptare që zotërojnë shtetësinë e një shteti tjetër ose janë pa shtetësi, kur një nga prindërit e kërkuesit zotëron shtetësinë shqiptare.

d) personave, prindërit e cilëve janë persona me origjinë shqiptare që kanë shtetësinë e një shteti tjetër ose nuk kanë shtetësi dhe kur kërkuesi ka lindur në territorin e republikës së Shqipërisë.

 

1. Subjekteve të përcaktuara në shkronjat ”a” dhe “b”, të pikës 2, të kreut I, të këtij vendimi, u njihet shtetësia shqiptare e fituar dhe vetiu në përputhje me nenin 7, të ligjit nr. 8389, datë 5.8.1998, të ndryshuar. Procedurat për paraqitjen e kërkesës, të dokumentacionit të nevojshëm provues, afatet e shqyrtimit, të njoftimit e të regjistrimit të shtetësisë, si dhe strukturat kompetente për trajtimin e kërkesës parashikohen me udhëzim të përbashkët të ministrit të Brendshëm dhe ministrit të Punëve të Jashtme.

 

2. Subjekteve të përcaktuara në shkronjën ”c”, “ç” dhe “d” të pikës 2, të këtij kreu, u jepet shtetësia shqiptare, në bazë të pikës 7, të nenit 9, të ligjit nr. 8389, datë 5.8.1998, të ndryshuar, sipas procedurave të përcaktuara në këtë vendim.

 

II. Kërkesat për aplikim dhe procedurat për dhënie shtetësie

 

1. Mund të aplikojnë për dhënien e shtetësisë shqiptare në bazë të pikës 7, të nenit 9, të ligjit nr. 8389, datë 5.8.1998, të ndryshuar, kur:

 

a) vërtetohet se kanë mbushur moshën 18 vjeç;

b) ka mendim të Ministrisë së Brendshme se nuk cenohen siguria dhe rendi kushtetues i Republikës së Shqipërisë;

c) paraqesin kërkesë, së bashku me vetëdeklarim për origjinën shqiptare;

ç) provohet se janë të paslindur me lidhje familjare deri në tri shkallë nga një person me origjinë shqiptare, por që nuk ka shtetësi shqiptare në momentin e paraqitjes së kërkesës.

 

Për fëmijën nën moshën 18 vjeç, prindi ose prindërit e të cilit përfitojnë sipas shkronjës “c”, “ç” dhe “d” të pikës 2, të kreut I, të këtij vendimi, kërkesa për fitim e shtetësisë shqiptare bëhet nga prindi ose prindërit. Kërkesa bëhet njëkohësisht me kërkesën e vet prindit ose pas fitimit prej tij të shtetësisë.

 

Kur fëmija është në moshën 14 deri në 18 vjeç, kërkesa shoqërohet edhe me pëlqimin me shkrim të fëmijës.

 

2. Subjektet e përcaktuara sipas këtij vendimi duhet të aplikojnë për marrjen e shtetësisë shqiptare përmes një kërkese me shkrim drejtuar Presidentit të Republikës, paraqitur në organet e Ministrisë së Brendshme të vendbanimit të personit ose, në rast se personi banon jashtë shtetit, në përfaqësitë diplomatike ose konsullore të Republikës së Shqipërisë jashtë shtetit. Forma dhe mënyra për plotësimin e kërkesës miratohen me udhëzim të përbashkët të ministrit të Brendshëm dhe të ministrit të Punëve të Jashtme.

 

3. Kërkesa duhet të jetë e shoqëruar me vetëdeklarimin e të dhënave dhe/ose dokumente që provojnë origjinën shqiptare nga paraardhës, të cilët kanë qenë ose janë jo me shtetësi, por me origjinë shqiptare.

 

4. Përfaqësia diplomatike ose konsullore e Republikës së Shqipërisë, pas shqyrtimit formal të dokumentacionit të paraqitur nga kërkuesi, e përcjell kërkesën pranë strukturës kompetente të Ministrisë së Brendshme jo më vonë se 15 (pesëmbëdhjetë) ditë pas marrjes së kërkesës.

 

5. Në kërkesë duhet të përcaktohen emri, mbiemri, atësia, mëmësia, datëlindja, vendlindja, shtetësia, gjendja civile, adresa e saktë e vendbanimit të tij të origjinës dhe, nëse disponon, adresa e vendqëndrimit në Republikën e Shqipërisë, certifikata e gjendjes civile të shtetit të huaj apo dokumente identifikimi personal të kërkuesit, të lëshuara nga shteti i huaj, të dhënat e të paralindurit me origjinë shqiptare, si dhe dokumentet që vërtetojnë origjinën shqiptare të të paralindurit dhe shkallën e lidhjes familjare me subjektin kërkues.

 

6. Strukturat përgjegjëse të Ministrisë së Brendshme së bashku me zyrat e Gjendjes Civile, shqyrtojnë dokumentacionin që provon origjinën shqiptare të të paralindurit, bazuar në dokumentacionin e paraqitur nga kërkuesi dhe paraqesin mendimin e tyre me shkrim pranë ministrit të Brendshëm jo më vonë se 30 (tridhjetë) ditë pas marrjes së kërkesës në përputhje me këtë vendim.

 

7. Ministri i Brendshëm propozon dhënien e shtetësisë shqiptare personit me origjinë shqiptare, në bazë të pikës 7, të nenit 9, të ligjit nr. 8389, datë 5.8.1998, të ndryshuar, jo më vonë se 30 (tridhjetë) ditë pas paraqitjes së mendimit sipas pikës 6, të këtij kreu. Vendimi i ministrit të Brendshëm i dërgohet menjëherë Presidentit të Republikës.

 

8. Pas nxjerrjes së dekretit të Presidentit të Republikës për dhënien e shtetësisë shqiptare për interes kombëtar sipas këtij vendimi, zyra e Gjendjes Civile pa vonesë kryen procedurat e nevojshme për betimin dhe regjistrimin e shtetasit në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile, duke kryer në të njëjtën kohë çregjistrimin e personit nga regjistri kombëtar i të huajve, nëse ai ka qenë i regjistruar më parë në të. Personi i interesuar regjistrohet në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile, pranë zyrës së gjendjes civile, për t’u pajisur më pas, me dokumente shqiptare.

 

9. Personat përfitues sipas këtij vendimi nuk janë të detyruar të lënë shtetësinë që kanë për të fituar shtetësinë shqiptare në Republikën e Shqipërisë apo të regjistrojnë një vendbanim në territorin e saj në momentin e regjistrimit të shtetësisë shqiptare në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile.

 

 

Share it :